Home Sport Sevian Daupi: Ja si krijova kombëtaren shqiptare të Rugbyt

Sevian Daupi: Ja si krijova kombëtaren shqiptare të Rugbyt

E diel, 13 Shkurt 2011 20:37 Aurora ALLUSHAJ
Shtyp pdf

Ai përshkruhet nga mediat italiane si një lojtar i zoti dhe me karakter të fortë, cilësi që vetë Daupi na tregon se është tipar tipike shqiptare. Sevian Daupi lojtari 22 vjeçar i Rugbyt, tregon nismat e tij në këtë sport si dhe krijimin e kombëtares shqiptare të rugbit. Daupi është një prëj lojtarëve më të mirë të Venecias, skuadër ku ai luan aktualisht. Në një intervistë për gazetën “ Tirana Observer” ai tregon vazhdimin dhe synimet e tija në këtë sport që për shumë shqiptarë është ende i panjohur. Ndër të tjera Sevian Daupi shpreh edhe qëndrimin dhe ndihmën e pa dhënë të federates kombëtare të futbollit shqiptar.

Kur keni nisur të  luani Rugby?
Kam nisur të luaj në moshën 10 vjeçare në qytetin e Modenas në Itali.
Si ka lindur ideja te merreshit pikerisht me rugby dhe jo me sport tjetër?
Kam nisur të luaj Rugby falë një mikut tim. Ai më dha shtysë të provoja këtë sport dhe më pas të nisja të luaja. Më parë kam provuar edhe sporte të tjera, por Rugby është ajo që unë dua dhe ndihem i sigurt 100 përqind.
Cilat janë skuadrat me të cilat keni luajtur?
Kam nisur të luaj me skuadrat e shkollave deri në moshën 13 vjeçare. Në moshën 14 vjeçare kam nisur të luaj në serinë A2 me Modenën për katër vite. Tashmë kam disa vite që po luaj me Venecian dhe jemi ndër dhjetë skuadrat më të mira në Itali.
Si lindi kombëtarja shqiptare e Rugby-t?
Ideja ka lindur gati dy vjet më parë pas një interviste që unë bëra në një gazetë për Rugby. Gazetari ishte një prej drejtuesve të kësaj gazete dhe më ndihmoi që të realizoja ëndrrën që kisha prej kohësh, krijimin e kombëtares shqiptare të Rugby-t. Nga ai moment kemi filluar dhe po mundohemi dita-ditës të përmirësojmë këtë projekt tashmë të realizuar.
Cilat janë objektivat tuaja për të ardhmen?
Objektivat e mia personalisht janë rritja akoma si futbollist dhe të luaj në skuadra të rëndësishme pse jo edhe jashtë Italisë. Por kulmi i synimeve të mia do të ishte të luaj për kombëtaren italiane edhe pse kam luajtur me të rinjtë e kombëtares për disa vite.
Fanella e kombëtares shqiptare të Rugby-t nga kush është dizenjuar?
Fanella me të cilën kemi luajtur është shumë e thjeshtë. Na është dhuruar dhe nuk është krijuar nga ne. Ndërkohë po punojmë për fanellën e re që është një stilim i imi dhe i dy kushërinjve të mi.
Kush janë lojtaret e tjerë të kombëtares?
Kemi arritur të mbledhim rreth 27 lojtarë por mendoj se ka akoma të tjerë. Kërkoj ndjesë që nuk jam shumë i sigurt për numrin. Në fakt është babai im që merret me grumbullimin dhe organizimin e skuadrës. Jemi të gjithë të rinj dhe me të njëjtën ide në kokë, të arrijmë rezultate dhe të çojmë më tej kombëtaren shqiptare të Rugby-t.
Keni pasur mbështetje nga federata kombëtare e futbollit shqiptar?
Të them të vërtetën kemi pasur shumë pak mbështetje për të mos thënë fare. Në fakt ka pasur shumë entuziazëm në fillim dhe premtime për ndihmese por akoma nuk ka asgjë konkrete. Kemi pasur më shumë ndihmesë nga zona e Friulit se nga ana e federatës apo e qeverisë shqiptare.

Emri: Sevian
Mbiemri: Daupi
Vendlindja: Durres
Ditëlindja: 30.01.1989
Gjatësia:177 cm
Pesha: 84 kg
Shtetësia: Shqiptare, Italiane
Sport: Rugby
Skuadra aktuale: VeneziaMestre Rugby 1986

KARRIERA
2009/10 Casinò di Venezia – Super 10 (8 ndeshje, 2 titullar, 202 minuta)
2008/09 Casinò di Venezia – Super 10 (7 ndeshje, 1 titullar, 169 minuta) dhe Kupa e Italisë
2007/08 Donelli Modena R.F.C. – Serie A2 (17 ndeshje, 23 pikë)
2006/07 Modena R.F.C. – Serie A e Under 20

Shkumbini triumfon në Peqin, për Elbasanin vjen humbja e 13-të

Peqinasit fituan 3-2 derbin e prefekturës edhe pse luajtën të reduktuar në dhjetë lojtarë. Edhe pse luajti për më shumë se 60 minuta me dhjetë lojtarë, Shkumbini ia doli të fitojë me rezultatin e ngushtë 3-2 me Elbasanin, pavarësisht se miqtë shënuan të parët në ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore. Kapiteni i Elbasanit, Erjol Merxha, realizoi një gol të shpejtë në minutën e 8-të, por Shkumbini u kundërpërgjigj dhjetë minuta më pas me anë të boshnjakut Altin Grboviç (18’). Roland Dervishi, i cili dha edhe asistin e golit të parë të skaudrës së tij, i çoi shifrat në 2-1 për Shkumbinin në të 29’, përpara se peqinasit të mbeteshin me dhjetë lojtarë tri minuta më pas pas kartonit te kuq te mesfushorit maqedonas Marjan Belcev. Kartoni i dytë i kuq rresht për Shkumbinin, pas atij të Bekim Kulit në Shkodër. Altin Gërboviç (asist i Dervishit) i çoi shifrat në 3-1 në minutën e 60-të, ndërkohë që ish-sulmuesi i Shkumbinit, tashmë në forcë me Elbasanin, Endri Bakiu fiksoi shifrat 3-2 në minutën e 84-t. Kjo ishte fitorja e 14-të e Shkumbinit në 33 ndeshje historike midis dy skuadrave, me Elbasanin që ka 15 fitore, ndërsa 4 takime janë mbyllur në barazim. Elbasani vazhdon të mbetet në vendin e fundit, po me 12 pikë, por humbja në Peqin ishte e 13-ta në 20 ndeshje për verdheblutë. Shkumbini me fitoren e shtatë sezonale, tashmë në kuotën e 25 pikëve, vazhdon të jetë në vendin e shtatë.

Derbi i Italisë, Zakeroni “voton” Juven!
Ish-trajneri i të dyja skuadrave sheh një sfidë të ekuilibruar, por thekson, Juvja ka lojtarë që s’tradhtojnë. Alberto Zakeroni i njeh mirë Interin dhe Juventusin, dy skuadra që i ka drejtuar në dy momente të ndryshme të karrierës së tij pa shumë fat. Trajneri aktual i Japonisë ka dashur të komentojë sfidën që do të luhet të dielën në mbrëmje në “Olimpiko”. “Mund të ndodhë gjithçka. Interi është në rritje, është i fortë, por akoma nuk e ka shprehur të gjithë superioritetin e tij. Por Juvja është një skuadër e fortë, që mund të përmirësohet shumë. I njoh mirë lojtarët kryesorë të bardhezinjve: janë njerëz që nuk tradhëtojnë, - ka thënë Zakeroni. - Me Del Pieron, Melon, Kielinin, por edhe me Bufon, Markizio dhe Sisokon, flas shpesh. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës këtij grupi: më kanë dhënë gjithçka kanë mundur në atë moment. Por, për fat të keq dëmtimet nuk mbaronin kurrë… I vetmi zhgënjim që kam është se nuk e kam drejtuar si Juventusin ashtu edhe Interin nga fillimi i kampionatit. Po, sepse aty ku e kam filluar punën nga vera, Udinezen dhe Milanin, gjërat kanë shkuar shumë mirë”. Trajneri romanjol po stërvit një sërë talentësh japonezë, që mund të ishin të përshtatshëm për skuadrat italiane: “Interi ka bërë mirë që ka blerë Nagatomon, Kagaua i Borusias së Dortmundit ka zgjuar interesimin e Realit të Madridit, - ka bërë të ditur Zak. Nuk më pëlqen të përmend emra, por i jap një këshillë vëzhguesve italianë: ndiqeni kampionatin japonez, është i pasur me talente. Nuk kanë një fizik të madh, por teknikisht i ngjajnë brazilianëve. Por, të marrësh një japonez nuk është e lehtë: në vendin e tyre jetojnë dhe fitojnë shuma të larta. Kush shkon në Itali, si Nagatomo, e bën për të provuar veten në një kampionat të rëndësishëm”.

Juve-Inter, Kielini sfidon Maikonin
Trajneri juventin ka akoma dyshime mbi formacionin, por e vendos mbrojtësin përballë brazilianit. Del Neri po mendon për formacionin titullar që do të ndeshet me Interin të dielën në mbrëmje. Kielini do të luajë sërish në krahun e majtë të mbrojtjes për të dueluar me Maikon, ndërsa ka disa dyshime në mesfushë dhe sulm. Markizio ose Martinez dhe në sulm Matri nuk preket, ndërsa janë në balotazh Del Piero-Toni. Për sa u takon zikaltërve, duhet të rishihet në fushë formacioni që ka mposhtur Romën: Zaneti në vendin e Kivu. Në Sulm Eto-Pacini dhe Shnejder mbrapa tyre. Historia e Xhixhi Del Nerit si trajner është e përbërë nga shumë momente të vështira dhe pak të lehta, aventura të vuajtura, rezultate të mëdha dhe të paparashikuara, disa ndalesa dhe në fund, në moshën 60-vjeçare, Juventusi: një vlerësim për karrierën më shumë se një mundësi e lehtë. Të dielën në mbrëmje Del Neri do të sfidojë teknikun, historia e të cilit është totalisht e kundërt me të tijën: menjëherë lart, menjëherë në drejtim të skuadrës së madhe pa një eksperiencë në kategoritë inferiore ose në skuadrat e nivelit të dytë. Dhe pikërisht kundër Leonardos, trajneri i Juves do të provojë të realizojë arritjen që do të ndryshonte sezonin dhe objektivat e bardhezinjve.

Kubica flet: Do të rikthehem më i fortë
Piloti i Formulës 1, Robert Kubica, nuk mund të heqë dorë nga garat, edhe atëherë kur dergjet në shtrat me fraktura të shumëfishta në trup. Polaku, i cili më vonë gjatë ditës do t’i nënshtrohet një operacioni për të ngjitur kockat e legenit, dha një intervistë të shkurtër për të përditshmen “La Gazzetta dello Sport”. ”Gishtat funksionojnë, i ndiej. Edhe krahu funksionon, por tani duhet të më operojnë dhe vetëm më vonë do t’a di me siguri”, deklaroi Kubica, shumë i kthjellët, pavarësisht se ndodhet nën efektin e qetësuesve. ”Më vjen keq për atë që ndodhi, por nuk mbaj mend asgjë. Di vetëm ato që më ka thënë agjenti im Daniele Morelli. Erdhën prindërit e mi nga Polonia, por përsëri u kthyen, sepse nuk mund të rrinin më gjatë. Më vjen keq sidomos për nënën, të cilën e kam bërë të vuajë shumë me këtë aksident. Kam pak dhembje, por më japin qetësues dhe pas operacionit të fundit, do të nisë numërimi mbrapsht për rikthimin tim në pistë. Pas këtyre aksidenteve përmirësohesh. Më kishte ndodhur më parë edhe në vitin 2007, pas goditjes në Kanada, ku aftësi dhe motivacione të reja dolën në pah. Pas kësaj ngjarje, jam i sigurt se do të kthehem më i fortë si pilot. Jam i bindur se mund t’ia dal të rikthehem brenda vitit dhe krahun e djathtë e ndiej më mirë tani se sa kur përpara shtatë vitesh më përplasi një i dehur me makinë”. Nga krevati i tij, Kubica shpjegoi edhe përse zgjodhi të garonte në një garë reli. “Edhe unë e kam pyetur veten ps duhet ta bëja, por të shërben për stërvitjen në Formulën 1, të ndihmon në përqendrimin. A do të garoj sërish në reli? Të shohim”. Në fund, një koment për vizitat e shumta. “Ishte diçka e bukur të shihja Briatore-n, një njeri i shkëlqyer. Pastaj, nga pilotët kanë ardhur këtu Alonso, Lopez, Petrov, Alesi, Liuzzi. Diçka e bukur, pasi në botën e Formulës 1 asnjëherë nuk je në gjendje të kuptosh realisht fytyrën e vërtetë të njerëzve”.

Mesfushori brazilian deklaron se fitorja është e domosdoshme

Viali dhe Melo: Interi i fortë, por fiton Juvja

Juventusi pret Interin në derbin e Italisë dhe Felipe Melo i ka idetë e qarta: "Kjo ndeshje mund të ndikojë në moralin e skuadrave po aq sa në klasifikim". Një ditë nga përballja e shumëpritur, mesfushori brazilian deklaroi se fitorja është e domosdoshme "për klasifikimin dhe për një rivalitet që ka ardhur duke u rritur në vitet e fundit".
Deklarata
"Kjo kundër Interit është një ndeshje shumë e veçantë", shpjegoi ish-futbollisti i Fiorentinës. "Është derbi i Italisë dhe mund të ndikojë në moralin e skuadrave po aq sa në klasifikim. Humbja mund të të lërë përtokë, kurse fitorja të të ngrejë lart. Ne po stërvitemi mirë dhe fort, pasi duam ta fitojmë këtë përballje me çdo kusht". Juventusi vjen në sfidën e së dielës nga fitorja e bukur 3-1 në fushën e Kaljarit dhe synon të ruajë vazhdimësinë, për të lënë pas periudhën e vështirë në javët e fundit. "Suksesi në Kaljari na rifuti në garë për një vend në Champions dhe tani duhet të luftojmë në çdo ndeshje. Është e vështirë të thuhet deri ku mund të arrijmë, por ne do synojmë të shkojmë sa më lart", nënvizoi mesfushori bardhezi.
Viali
Ish-sulmuesi i famshëm i Juventusit, Xhanluka Viali, beson se bardhezinjtë do të dalin fitimtarë nga “Olimpiko” ndaj Interit. Duke folur për derbin e Italisëm Viali tha se “besoj se Interi do të luajë më mirë, por Juvja, ndoshta me pak vështirësi, do të arrijë të fitojë. Suksesi në Kaljari i ka ridhënë moral skuadrës dhe është akoma e mundur të arrihet vendi i katërt”. Ndërsa lidhur me punwn e Del Nerit, Viali tha se “Marota dhe Del Neri po punojnë mirë: viti i parë është gjithmonë ai më i vështiri, duhet të ketë durim. Matri? Më pëlqen, ka pasur një impakt pozitiv. Për sa i takon Del Pieros, e kam mik dhe jam i lumtur që është afër rinovimit. Por vetëm një vit dhe jo më shumë”, ka përfunduar ish-sulmuesi i Juves.

Liverpool, Dalglish optimist për Ligën e Kampionëve

Trajneri i Liverpol Kenny Dalglish ka harruar shumë shpejt largimin e Fernando Torres, i cili regjistroi transferimin rekord te Chelsea për 58.5 milionë euro, duke u shprehur optimist se skuadra e tij do të sigurojë një biletë për në Ligën e Kampioneve sezonin e ardhshëm. Aktualisht Liverpool renditet në vendin e shtatë të kampionatit anglez, ndërsa jashtë garës për titullin kampion objektivi i vetëm është një vend në zonën Champions. “Skuadra ka gjetur ecurinë pozitive dhe të gjithë lojtarët janë të vetëdijshëm për objektivin e mbetur në këtë sezon. Ka shumë ndeshje për të luajtur. Nuk do të jetë e lehtë, por unë jam optimist se do të sigurojmë një vend për në Ligën e Kampioneve”, ka bërë të ditur Dalglish, i cili pret rikthimin në formën më të mirë të kapitenit të skuadrës Steven Gerrard. Ky i fundit po rikuperohet nga dëmtimi në gju, ndërsa sipas trajnerit rikthimi i tij do të forcojë akoma më shumë skuadrën. "Sigurisht ne presim që Gerrard të kthehet sa më shpejt. Ai është shumë i rëndësishëm për skuadrën”ka thenë tekniku skocez, i cili ka mbrojtur edhe një herë merkaton e Liverpool, që largoi Fernando Torres për të blerë sulmuesin uruguaian Luis Suarez dhe atë anglez Andy Carroll.

Allegri: Ibra-Pato, ende jo në 100%

Trajneri i Milan-it, Massimiliano Allegri, theksoi se ndihet i qetë, pasi asnjëherë nuk kishte menduar se çështja e titullit mund të arkivohej kohë përpara fundit të kampionatit. ”Kampionati është i gjatë, duhen ende dhe shumë ndeshje, ndërsa në Itali nuk ka ndodhur kurrë që një skuadër të fitojë titullin që dy muaj përpara”, deklaroi trajneri i kuqezinjve, në një intervistë të botuar në “La Gazzetta dello Sport”. “E dinim që Inter-i do të rikthehej të luftonte për titullin. Napoli po bën një kampionat të shkëlqyer, ndërsa Roma është ende në luftë. Gjëja e vetme që duhet të bëjmë tani është të ruajmë qetësinë dhe të përballojmë sa më mirë këtë fazë vendimtare të sezonit”. Në lidhje me përshtatjen e lojës së Pato-s me atë të Ibrahimovic-it, Allegri shtoi: “Duhet të luajnë ende bashkë që të kuptohen shkëlqyeshëm, por jam i kënaqur edhe me rendimentin e tyre aktual. Ibra thotë se është i lodhur? Nuk ka patur kurrë një ndeshje pushim, do të habitesha nëse s’do të ishte kështu”. Ndërkohë, gjatë ditës, në Milan Channel folën edhe brazilianët Pato e Thiago Silva, të sapokthyer pas zhgënjimit të humbjes me Francën në miqësore. ”Inter-i? Ne jemi në krye të kampionatit dhe mendojmë vetëm për kampionatin tonë. Me Ibran kam raporte shumë të mirë dhe fjalët për probleme janë tërësisht të pavërteta”, deklaroi Pato. ”Frika nuk ekziston në fjalorin tonë. Është e vërtetë që ata kanë rikuperuar disa pikë, por ne jemi ende në krye të renditjes dhe ajo që duhet të bëjmë është të mbetemi të përqendruar e të vazhdojmë në këtë rrugë”.

Messi: Nuk kam rivalitet me Ronaldon

Ylli i Barcelonës, Lionel Messi thotë se nuk ka aspak rivalitet mes tij dhe yllit të Real Madridit, Cristiano Ronaldo. Të dy lojtarët kanë shënuar nga 24 gola në La Liga këtë sezon dhe të mërkurën mbrëma u përplasën në miqësoren ndërkombëtare mes Argjentinës dhe Portugalisë, ku po të dy shënuan nga një gol. "Nuk ishte një ndeshje mes Barcelonës dhe Real Madridit ose mes Messit dhe Cristiano Ronaldos. Ne nuk garojmë me njëri tjetrin për të parë se kush është lojtar më i mirë, ne bëjmë këtë për të ndihmuar ekipet tona", ka thënë Messi.

Giovinco: Ndaj Milanit, pa frikë

Lojtari i Juventusit, i cili është huazuar te Parma, Sebastian Giovinco u ka bërë thirje bashkëlojtarëve të tij që të mos frikësohen nga Milani. Parma, e cila është katër pikë larg zonës së rënies në Serinë B, ndeshet të shtunën me Milanin i cili është kryesues i Serisë A, por që nuk ka rritur të fitojë në dy ndeshjet e fundit. "Ne do të shkojmë që të luajmë ndeshjen në mënyrën tonë, pa ndonjë frikë", tha Giovinco për faqen zyrtare të Parmas, parma.com.

Përditësimi E diel, 13 Shkurt 2011 20:41