Home Sport Tirana/ *Sulmuesi flet për gjendjen e tij aktuale, të ardhmen dhe pasionet jashtë fushe

Tirana/ *Sulmuesi flet për gjendjen e tij aktuale, të ardhmen dhe pasionet jashtë fushe

E martë, 07 Dhetor 2010 17:07 Irgis Hysenaj
Shtyp pdf

Rrëfehet "piktori" Plaku*

"Shqipëria ka talente, por ata nuk menaxhohen si duhet. Këtu sot je më i
miri, nesër s'të njeh askush"

Irgis Hysenaj

Sebino Plaku ka nisur sërish të shënojë. Pas 11 javëve "thatësirë", sulmuesi
i Tiranës ka realizuar ndaj Flamurtarit dhe më pas një dygolësh në miqësoren
e së shtunës ndaj Kamzës. Ai është i kënaqur me paraqitjen aktuale. Madje,
flet edhe për bashkëpunimin në sulm me kroatin Pero Pejiç. Në një intervistë
për "Panorama Sport", lojtari rrëfen për pasionet e tij, kohën e lirë dhe
futbollin botëror.

*Sërish dy gola në miqësore, pas atij ndaj Flamurtarit. Shenjë e mirë kjo
për Plakun...*

Për çdo futbollist, pra jo vetëm për mua, kur shënon gola që të gjithë të
vlerësojnë, të duan dhe bëjnë tifozllëk. Dhe ndodh krejt e kundërta kur ti
nuk arrin të gjesh golin. Vetë ndihesh keq dhe mbi ty vërshojnë kritikat.
Momentalisht ndihem mirë. Prapë shënova në miqësore. Shpresoj që të vazhdoj
kështu dhe të mos përjetoj më ato ndjesi që i pata pra dy javësh. Gjërat
kanë ndryshuar në ekip. Kur luajmë të gjithë bashkë si grup dhe me
njëri-tjetrin, është më e lehtë që të shënosh.

*Dyshja me Pejiçin... ai vazhdon garën për "Këpucën e Artë", ndërsa ju duket
sikur punoni pak më shumë për të...*

Kam folur me Pejiçin. Unë zbatoj detyrat e mia në fushë. pastaj është
trajneri ai që vendos se kush sakrifikon më shumë në fushë dhe kush më pak.
Ne duhet të luajmë si grup i bashkuar nëse synojmë që të kemi rezultat. Për
individualizmat, është tekniku që i shikon dhe që vendos.

*E ardhmja. Flamurtari vazhdon që të jetë i interesuar?*

Unë kam folur në telefon me lojtarët e Flamurtarit. Kam marrë urime për
golat dhe kemi biseduar. Por vetëm kaq. Nuk kam pasur asnjë kontakt me
drejtuesit e këtij klubi. Unë kam një kontratë me klubin e Tiranës dhe do ta
respektoj deri në fund atë.

*Skuadra që ju pëlqen më tepër?*

Jam tifoz i Milanit. Gjithmonë e kam mbështetur këtë ekip. Por aktualisht
futbolli më i bukur në fushë është ai spanjoll. Dhe ndeshja e fundit midis
Barcelonës dhe Realit të Madridit e tregoi këtë.

*Lojtari që do të veçonit nga futbolli botëror?*

Nuk kam ndonjë futbollist që do të doja ta veçoja. Më shumë vlerësoj ekipet,
të cilat luajnë bukur futboll dhe në fushë bëjnë një lojë kolektive.

*Ç'mendim keni për futbollin shqiptar? Ju keni luajtur më parë në Norvegji.
Mund të bëni një krahasim?*

Në futbollin shqiptar ka një problem të madh për sa i përket mënyrës së
trajtimit të lojtarëve. Këtu futbollistët nuk trajtohen ashtu siç ndodh në
klubet e huaja. Në Shqipëri, sot je lojtari më i mirë, ndërsa nesër
harrohesh e nuk të pyet kush. Në Norvegji, ku unë kam luajtur, futbollistët
trajtoheshin si idhuj. Bëhej shumë punë për sa i përket marketingut të tyre.
Mendoj se me një menaxhim më të mirë gjërat do të ishin ndryshe.. Këtu ka
shumë talente, por që nuk po arrijnë të tregojnë veten për shkak të
menaxhimit. Kam vënë re se një futbollist shqiptar, kur shkon për provë has
më shumë vështirësi sesa ata maqedonas, serbë apo kroatë. Dhe lojtari
shqiptar mund të ketë aftësi më të mira se këta të fundit. Mirëpo problemi
është imazhi që ka futbolli shqiptar jashtë vendit. Në klubet e huaja
shikohet si joprofesionist. Dhe për këtë ka ndikuar edhe paraqitja e ekipeve
tona në Kupat Evropiane, si dhe dyshimet për trukime. Të gjitha këto i
vështirësojnë gjërat.

*Ku e mendoni veten, nëse nuk do të ishit bërë futbollist?*

Të them të drejtën, nuk më ka shkuar në mendje një gjë e tillë, për arsye se
këtë punë kam bërë gjithmonë. Por ndoshta do të isha bërë piktor, ose
tatuazhist. Një nga pasionet e mia është edhe shpejtësia, kështu që mund të
isha bërë edhe pilot në garat e makinave "Go Cart". Më vonë mbase mund të
arrija edhe më shumë.

*Objektivi që i keni vënë vetes dhe doni ta arrini?*

Gjithçka synoj, varet nga ecuria. Jam një njeri me këmbë në tokë. Synoj që
të jem më mirë se këtu ku jam aktualisht.

*Jeta e natës për Sebinon?*

Nuk jam tip që dal shumë, pasi nuk më pëlqen të ekspozohem. Kam qejf të
shijoj gjërat e mia, me miqtë e mi. Nuk jam tip për të cilin po të pyesësh,
të thonë që Sebinon e gjen aty apo këtu. Nuk jam frekuentues i jetës së
natës.

Përditësimi E martë, 07 Dhetor 2010 17:15