Xhafaj: I pakënaqur me humbjen
Ka shënuar sërish edhe në takimin e javës së 13-të, por Flamurtari nuk arriti që të fitojë. Dhe për Daniel Xhafajn goli nuk ka vlerë për tri pikët. Sulmuesi i kuqezinjve nuk ka dashur që të flasë shumë pas përfundimit të ndeshjes. Ja si i është përgjigjur ai pyetjes së gazetarëve: “Shënova, por jam i pakënaqur që humbëm”. Xhafaj ka bërë një ndeshje të mirë edhe në sfidën e djeshme ndaj bardhebluve. Ai ka arritur që të barazojë shifrat në minutën e 57-të, duke ndëshkuar ish-skuadrën e tij, Tiranën. Por gëzimi i lojtarit dhe kuqezinjve është shuar, pas pësimit të golit të dytë në minutën e parë shtesë. Lojtari vazhdon që të kryesojë listën e golashënuesve më të mirë në kampionat, me 10 gola të shënuar. Xhafaj ka qenë aktiv gjatë gjithë ndeshjes së djeshme. Në pjesën e parë ishte disi më në hije, por në të dytën rrezikoi disa herë. Sulmuesi mori disa herë Gjatë ndeshjes sulmuesi pati mbështetjen e tifozëve kuqezinj, të cilët thirrën në kor emrin e tij.
Dyshja e sulmit bardheblu rrëfehet pas golave dhe fitores
Pejiç dhe Plaku, dyshja që gjunjëzoi vlonjatët
Plaku: Jam i lumtur. Kam vuajtur për gjetur këtë gol
Irgis Hysenaj
Kishte vuajtur 77 ditë për një gol. Dhe e ka gjetur atë. Sërish ndaj ekipit që shënoi golin e parë të sezonit, Flamurtarit. Sulmuesi i bardhebluve, Sebino Plaku, është zhbllokuar më në fund pas një periudhe të gjatë mundimesh. Ndërkohë, kroati Pero Pejiç vazhdon me ecurinë pozitive. Pas golit të djeshëm ka shkuar në kuotën e 9 golave, që nga nisja e kampionatit. Dyshja e sulmit bardheblu i ka dhënë kështu fitoren Tiranës ndaj grupit që ka mundur të gjitha skuadrat më në formë të kampionatit, duke rikthyer optimizmin se është pretendente për titullin kampion.
Plaku
Gëzimi ka qenë i madh për Plakun, pasi ka gjetur sërish golin me Tiranën. “Jam i lumtur që arrita të shënoj dhe që ne morëm një fitore në këtë ndeshje. Kam vuajtur shumë për të gjetur golin. Kam kaluar një periudhë të vështirë, por arrita që të zhbllokohem”, - tha lojtari pas ndeshjes. Sulmuesi shtoi se ai po kalonte një periudhë të vështirë. “Shumë njerëzve u ka ardhur mirë që unë shënova, sikundër shumë të tjerëve s’u ka pëlqyer që ky gol erdhi ndaj Flamurtarit. Mirëpo kjo është puna ime, që të realizoj gola”, - nënvizoi ai. Interesant është fakti që dy golat e këtij sezoni, Plaku ua ka shënuar vlonjatëve. “Nuk e di. Është shumë i çuditshëm ky fakt. Ndoshta është një koincidencë”, - përfundoi sulmuesi i Tiranës.
Pejiç
Sulmuesi Pero Pejiç e ka quajtur shumë të rëndësishme fitoren ndaj Flamurtarit për ecurinë e mëtejshme të skuadrës. “Jam i kënaqur që fituam ndaj Flamurtarit. Ata kryesojnë të parët në renditje dhe kjo fitore është me shumë rëndësi për ne. Tani do të shkojmë në transfertë, ku do të përballemi me Bylisin, e më pas do të luajmë sërish në shtëpinë tonë”, - deklaroi kroati pas takimit.
Sipas futbollistit, skuadra ka treguar se është një pretendente e fortë për titull. “Ne gjithmonë kemi luftuar për titullin kampion. Me tri pikët e marra, gjërat janë rregulluar edhe më shumë për ne. Tani diferenca me vendin e parë është vetëm 7 pikë. Ndërkohë që kemi ende mjaft ndeshje për të luajtur. Por duhet që të jemi të përqendruar e të vazhdojmë kështu”, - u shpreh Pejiç, i cili ka shënuar dhe vazhdon të ndjekë Xhafajn në garën për golashënuesin më të mirë. “Për mua gjëja primare është që të fitojë Tirana. Më pas vijnë golat e mi. Kjo është detyra ime, që të shënoj. Sot shënoi Xhafaj, shënova dhe unë. Do të vazhdoj ta ndjek, por në fillim na duhen fitoret për ekipin”, - tha lojtari. Dhe në fund, kënaqësia për golin e Plakut. “A ju thashë herën e kaluar që Sebino do të shënonte ndaj Flamurtarit? Më bëhet qejfi për të, sepse po kalonte një periudhë që nuk po e gjente golin”, - përfundoi sulmuesi.
11 gola
kanë realizuar së bashku sulmuesit Pejiç dhe Plaku. Kroati është golashënuesi i bardhebluve, me 9 gola të realizuar, ndërsa Plaku ka bërë vetëm dy.
Lila
“Fitorja në kohën e duhur, treguam se cilët jemi”
Futbollisti Andi Lila u shpreh se fitorja ndaj Flamurtarit ka treguar forcën e vërtetë të bardhebluve. “Kjo fitore na ka gëzuar të gjithëve, sepse ka ardhur në momentin e duhur. Mundëm skuadrën kryesuese, e cila ka fituar ndaj disa pretendentëve për titull. Në fushë u pa forca e vërtetë e skuadrës”, - deklaroi Lila pas takimit. Sipas lojtarit, skuadra ka vepruar si një grup i bashkuar dhe për këtë ka ndikuar edhe qëndrimi i drejtuesve të klubit. “Ka pasur angazhim maksimal, kjo edhe për faktin se presidenti i skuadrës na ka qëndruar afër”, - shtoi ai. Lojtari bëri një paraqitje të mirë në takimin e djeshëm, ndërkohë që nuk u shpëtoi kartonëve të verdhë.
Merkato
Menaxherë kroatë për Lilën, Lilajn e Dushkun
Andi Lila, Sabien Lilaj dhe Erion Dushku kanë qenë lojtarët më të fokusuar në ndeshjen e djeshme Tirana-Flamurtari. Sipas informacioneve të sigurta në shkallët e stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”, kanë qenë të pranishëm edhe dy menaxherë kroatë, të cilët janë interesuar ekskluzivisht për këta futbollistë. Pas ndeshjes nuk ka pasur asnjë deklaratë të këtyre të fundit për lojën e treshes së Tiranës, por gjithsesi ai që pritet më së shumti që të largohet nga klubi bardheblu është mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila. Për këtë të fundit ka pasur dhe vazhdon ende të ketë një interesim edhe nga dy skuadra turke, ajo e Sivasporit dhe Buçasporit. Të dy klubet kanë çuar më parë vëzhgues për ta ndjekur lojtarin dhe me gjasa do tentojnë që ta marrin që në merkaton e janarit.