Klubi bardheblu do të ketë dy mungesa në qendër të repartit difensiv, për shkak të kartonëve
Tirana, alarm në mbrojtje
Në sulm pas dëmtimit të Bushit, rikthehet dyshja Plaku-Pejiç. Rikuperohet edhe Abazaj
Irgis Hysenaj
Tirana ka probleme me mbrojtjen, para takimit me Elbasanin, që do të luhet ditën e nesërme. Në ekipin kryeqytetas nuk do të jenë Andi Lila dhe Tefik Osmani, për shkak të kartonëve. Kjo ka bërë që trajneri Nevil Dede të “arnojë” repartin difensiv, duke risjellë në qendër Dushkun dhe Sinën, ndërsa në krah të djathtë Entonio Pashajn. Para sfidës ndaj Elbasanit, që do të luhet ditën e nesërme, bardheblutë po përjetojnë një presion të madh, pasi një dështim i radhës do të fuste në krizë ekipin. Ndërkohë që dëmtimi i sulmuesit Alban Bushi rikthen Plakun në sulm.
Formacioni
Në sfidën kundër verdhebluve, Dede pritet të luajë me skemën 4-4-2. Në portë do të vazhdojë të jetë Ilion Lika. Ndërkohë që në mbrojtje, në krahun e majtë, rikthehet serbi Ivan Gvozdenoviç. Lojtari bëri pushim një ndeshje, për shkak të kartonëve të marrë. Si pasojë e mungesës së Lilës dhe Osmanit prej kartonëve, tekniku pritet që të hedhë në qendër të mbrojtjes Dushkun dhe Sinën. Një gjetje e detyruar kjo, pasi në tri javët e fundit, tekniku i kishte besuar në qendër të mbrojtjes Lilës dhe Osmanit, ndërkohë që Dushku ishte lënë në pankinë, ndërsa Sina në krahun e djathtë. Në mesfushë, pritet të jetë që nga minuta e parë, në krahun e djathtë, boshnjaku Zizoviç. Ndërkohë që në qendër do të luajnë Lilaj dhe Karabeci. Në të majtë, nga minuta e parë pritet të aktivizohet Abazaj. Futbollisti e ka kaluar dëmtimin që kishte pësuar javën e kaluar dhe është i gatshëm për Deden. Por, një mundësi mund t’i jepet edhe talentit Mario Morna. Ndërkohë, në sulm rikthehet Plaku. Dëmtimi i Bushit i ka dhënë mundësinë lojtarit që të rimarrë vendin e titullarit. Sulmuesi kishte tri takime që nuk po aktivizohej prej minutës së parë. Plaku po vuan mungesën e golit, pasi në 11-të takime të zhvilluara, ka shënuar vetëm një herë, në ndeshjen e javës së dytë kundër Flamurtarit. Dhe së bashku me Pejiçin do të ketë mundësinë, por edhe detyrën e vështirë, për të nxjerrë Tiranën nga situata jo e lehtë ku ndodhet.
Analiza
Bardheblutë kanë zhvilluar ditën e djeshme analizën për sfidën e humbur ndaj Vllaznisë. Trajneri ka kërkuar që zhgënjime të tilla të mos përsëriten më, si dhe u ka kërkuar lojtarëve që të rregullojnë gjithçka në sfidën e radhës ndaj Elbasanit. Dede është shprehur se futbollistët s’duhet ta humbasin besimin, por të zbatojnë detyrat dhe të përqendrohen në takimin e radhës. Pavarësisht zhgënjimit të marrë, në humbjen në shtëpi nga Vllaznia, klubi kryeqytetas nuk mori asnjë masë ndaj lojtarëve.
Morina
Tekniku i bardhebluve ka gjetur një tjetër lojtar. Bëhet fjalë për Mario Morinën, 18-vjeçar, që luan me ekipin e të rinjve. Sipas gjasave, në takimin e radhës, mund t’i jepen edhe pak minuta lojtarit në fushë për të provuar veten, nisur nga nisma e fundit e Dedes për të sjellë në ekip “gjak të ri bardheblu”.
Takimi
Sfida midis Tiranës dhe Elbasanit pritet të luhet në stadiumin “Qemal Stafa”, në orën 13:00, ditën e nesërme. Takimi i javës së 12-të është shumë i rëndësishëm për bardheblutë. Aktualisht, ekipi kryeqytetas ndodhet në vend të pestë në renditje, me 15 pikë të grumbulluara, ndërsa Elbasani në vend të fundit