
“Mund të largohem nga ekipi. Këto ditë do flas
me drejtuesit e klubit dhe do të vendos”
Irgis Hysenaj
Alban Bushi mund të largohet nga Tirana.
Dëmtimi i pësuar në takimin kundër Vllaznisë është aq i rëndë, sa mund ta
detyrojë lojtarin që të qëndrojë tre muaj larg fushës së blertë. Por për këtë i
duhet që të bëjë terapi të vazhdueshme. Ish-sulmuesi i kuqezinjve po e mendon
mirë nëse ai do të vazhdojë të jetë pjesë e bardhebluve, ose do të largohet nga
futbolli. Kjo pasi te kryeqytetasit ka të rinj, të cilët mund t’i shërbejnë
ekipit dhe u nevojitet hapësirë për të treguar veten. “Në ditët në vazhdim do të
flas me klubin”, - bëri të ditur sulmuesi. Futbollisti u afrua te Tirana pak
ditë para fillimit të kampionatit. Atij iu deshën disa javë që të rikuperohej,
ndërkohë që është aktivizuar në katër takimet e fundit. Ish-sulmuesi i ekipit
tonë kombëtar u shpreh, se vinte te Tirana për ta ndihmuar atë që të realizonte
objektivat sezonalë.
Dëmtimi
Një përplasje e fortë e ndodhur në fund të
pjesës së parë, në takimin kundër Vllaznisë, ka dëmtuar lojtarin e bardhebluve.
Nga kontrolli i bërë, rezultoi se dëmtimi ishte serioz. “Kam dëmtuar rëndë
meniskun, si dhe kam një tërheqje të ligamentit. Nga ajo sa kam folur me mjekët,
kam dy rrugë për t’u rikuperuar: e para është që të bëj operacion, ndërsa e dyta
të bëj terapi të vazhdueshme, si rezultat i së cilës mund të jem në fushë pas dy
ose tre muajsh. Por ende nuk e di se çfarë do bëj”, - u shpreh Bushi për
Panorama Sport.
Vendimi
Ish-sulmuesi i
Kombëtares po mendon që të largohet nga klubi kryeqytetas. Kjo pasi atij do t’i
duhet kohë që të riaftësohet. Qëllimi i tij ishte të ndihmonte skuadrën në
kampionat, por nisur nga situata si dhe nga prania e lojtarëve të rinj që mund
ta ndihmojnë Tiranën, ai mendon të largohet për t’u lërë atyre hapësirë. “E kam
me dy mendje për atë se çfarë do të bëj në të ardhmen. Mund edhe të largohem nga
Tirana. Do të flas me drejtuesit e klubit këto ditë dhe do shoh se çfarë do
vendos. Fakti që skuadra nuk ka pretendime për titull dhe prania e lojtarëve të
rinj janë një shtysë që unë të mos luaj më. Sidoqoftë, për këtë do vendos në
ditët në vazhdim, pasi të flas edhe me drejtuesit e klubit”, - përfundoi
sulmuesi.
..........
Trajneri i Tiranës nuk po shikon ndryshime te
Tirana. I ndodhur në këtë situatë, ai ka vendosur t’u japë më shumë hapësira të
rinjve. “Nuk ka më të pazëvendësueshëm të Tirana. Deri tani kam duruar, por
kështu nuk vazhdohet. Në dy vjet nuk kam parë vijueshmëri në ekip. Ndaj gjykoj
që është momenti t’u jepet hapësirë futbollistëve të rinj”, - tha Nevil Dede.
Pavarësisht emrave të njohur, 24 herë kampionët nuk po u rikthehen dot kohëve të
dikurshme. Nisur nga kjo gjendje dhe njëkohësisht nga afrimi i rinjve, tekniku
ka vendosur që t’i përfshijë ata më shumë në ekip.
Objektivat
Trajneri i bardhebluve shprehet se humbja që
pësuan në takimin e javës së 11-të kundër Vllaznisë i dëmtoi shumë në arritjen e
objektivave. “Ishte një ndeshje që na dëmtoi shumë. Kishim mundësi të mira, por
ia komplikuam gjërat vetes. Diferenca me kryesuesit e kampionatit është rritur,
për rrjedhojë na janë vështirësuar gjërat. Por meqenëse kemi ende shumë ndeshje
përpara, kjo na justifikon disi”, - u shpreh Dede, i cili shtoi se prapëseprapë
te Tirana objektivat sezonalë nuk kanë ndryshuar. “Kampionati është i gjatë për
titullin. Kurse sa i përket Kupës së Shqipërisë, është një trofe që e duan shumë
ekipe të kampionatit dhe për ne është kryesor”.
Përgjegjësitë
Tekniku i Tiranës ka qenë i pari që ka marrë
përsipër përgjegjësitë për humbjen e pësuar. I pyetur nëse po tregohej shumë i
ashpër me veten, ai u përgjigj. “Nuk mund të them që s’e kam bërë unë merkaton e
ekipit. Nuk mund të them që te Tirana s’ka probleme. Është trajneri i pari
përgjegjës për një rezultat të gabuar. Më pas vijnë futbollistët. Megjithatë,
unë nuk dua që të ngarkoj me përgjegjësi lojtarët”, - theksoi Dede. Në fakt,
qëllimi i tij është që të ulë tensionin brenda skuadrës. Ai u ka kërkuar
lojtarëve që këtë situatë ta kalojnë me fitore ndaj Elbasanit. “Tashmë kjo
ndeshje ka kaluar. Lojtarët duhet që të mbajnë përgjegjësitë e tyre në ndeshjen
e radhës. Ne gabuam dhe kjo na kushtoi, prandaj nuk duhet që ta përsërisim më”,
- përfundoi ai.