Dede:Ndaj nesh gjykim
me dy standarde.
“Ankesën që ne bëmë e anashkaluan. Të paktën ta kishin diskutuar”
Irgis Hysenaj
Tirana është e pakënaqur me mënyrën si trajtohet nga organet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Klubi akuzon se ka sjellje të dyfishtë, të cilat janë shtuar në javët e fundit. Rasti i fundit ka të bëjë me mënyrën se si është trajtuar çështja e lojtarit serb Ivan Gvozdenoviç. Bardheblutë kishin bërë ankesë, pasi sipas tyre lojtari ishte gjykuar me karton të verdhë në mënyrë të padrejtë, por kjo nuk është marrë fare parasysh nga Komisioni i Disiplinës, që nuk e ka diskutuar fare si çështje. Dhe një veprim i tillë ka nxehur drejtuesit e bardhebluve, të cilët kanë vendosur që ta ankimojnë këtë çështje.
Dede
Trajneri i bardhebluve, Nevil Dede, ka qenë i pakënaqur me mënyrën sesi klubi është trajtuar. “Nuk më takon mua të flas, por vërej një gjykim me dy standarde për klubin e Tiranës. Ne kishim bërë një ankesë në Komisionin e Disiplinës për futbollistin e ekipit Ivan Gvozdenoviç, pasi është ndëshkuar me karton të verdhë në mënyrë të padrejtë. Por kjo ankesë nuk është marrë parasysh, pasi nuk është trajtuar fare në Komisionin e Disiplinës”, - u shpreh Dede. Sipas teknikut, KD duhet që ta trajtonte çështjen, pavarësisht vendimit që do të merrte. “Nuk e kuptoj dot këtë mënyrë të vepruari ndaj nesh, pasi që të gjitha klubet kanë të njëjtat të drejta. Le të merrte komisioni çfarë vendimi të dëshironte, por ta merrte në shqyrtim kërkesën tonë. Nuk arrij ta kuptoj se përse kjo sjellje ndaj klubit të Tiranës. Këto qëndrime aspak të drejta, është e disata herë që na ndodhin” , - vazhdoi ai.
Ankimimi
Tirana nuk është dorëzuar dhe ka vendosur që të ankimojë kërkesën për heqjen e kartonit të verdhë të futbollistit Ivan Gvozdenoviç. Pasi kjo çështje nuk u shqyrtua në KD, të njëjtën ankesë ata e ribënë në këtë komision. Klubi bardheblu pretendon se vendimi është dhënë në mënyrë të padrejtë dhe kartoni duhet që t’i hiqet. Gjithashtu, Gvozdenoviç është një prej lojtarëve titullarë të ekipit dhe prania e tij në fushë në takimin e radhës ndaj Vllaznisë i duhet Dedes. “Ne e kemi ankimuar vendimin në Komisionin e Disiplinës dhe jemi në pritje të një përgjigjeje”, - u shpreh drejtori teknik Alban Tafaj.
Rasti
Gjyqtari i takimit dha karton të verdhë për Gvozdenoviçin, ndërsa futbollisti po përpiqej që të niste me shpejtësi aksionin në takimin ndaj peqinasve. Ndeshja ishte në barazim 1-1. Ndërsa topi doli jashtë, mbrojtësi u afrua që ta merrte atë, pasi pa edhe shenjën e arbitrit anësor se rivënia i takonte Tiranës. Por për kryesorin, ishin lojtarët e Tiranës që e nxorën topin jashtë. Gvozdenoviç nuk e pa vendimin e arbitrit kryesor, pasi ishte me shpinë, ndërkohë që po përplasej me një lojtar të Shkumbinit për t’i marrë tij topin. Dhe nisur nga kjo, arbitri i ndeshjes e ndëshkoi atë me karton të verdhë, për sjellje antisportive. Por për bardheblutë, ky ndëshkim është i padrejtë dhe ata synojnë që nëpërmjet ankesës së bërë, FSHF-ja ta heqë dënimin dhe t’i japë mundësi lojtarit që të luajë në takimin e radhës.
Pakënaqësitë
Bardheblutë, kritika
gjykimit të
gabuar
Në klubin kryeqytetas ka të tjera pakënaqësi me gjykimin e bërë në takimin kundër Shkumbinit. Ato nisin që me takimin kundër Besës, ku Tirana u mund e vazhdoi më pas edhe në sfidën e fundit ndaj Shkumbinit. Kryeqytetasit fituan 1-3, por pretendojnë
se goli i pësuar ishte në pozicion jashtë lojë, ndërsa Pejiçit iu anulua një gol. Drejtori teknik, Alban Tafaj, u shpreh para ca ditësh se ka disa ndeshje që klubi po penalizohet nga gjyqtarët. “Nuk arrij ta kuptoj se përse bëhet kjo gjë dhe çfarë kanë me ne si klub”, - deklaroi ai. Bardheblutë kanë pasur pakënaqësi edhe më parë me gjykimin që u është bërë atyre në kampionat. Pas humbjes së pësuar në Kavajë, shefi i klubit u shpreh se rezultati i takimit ishte i paravendosur.


