Home Sport Trajneri Nevil Dede ka kritikuar ekipin dhe e ka përkufizuar lojën si pa identitet

Trajneri Nevil Dede ka kritikuar ekipin dhe e ka përkufizuar lojën si pa identitet

E martë, 16 Nandor 2010 13:07 Irgis Hysenaj
Shtyp pdf

“Humbje e turpshme, gabuam të gjithë”

“Duhet të na vijë keq për veten dhe tifozët. Të nxjerrim mësime e kjo të mos përsëritet më”

 

Irgis Hysenaj

 

 

Trajneri i Tiranës, Nevil Dede, e ka cilësuar të turpshme humbjen e pësuar ndaj Vllaznisë. Për numrin një të stolit, fajtorë të këtij dështimi janë që të gjithë, duke filluar që nga ai. “Një Tiranë pa shpirt, pa ngjyra e pa identitet”, - kështu e ka përkufizuar ai ekipin në përfundim të ndeshjes. Sipas teknikut, në sfidën e luajtur në “Qemal Stafa” ishte një Tiranë që luajti pa shpirt dhe pa identitet. Dede tha se ekipi kishte punuar shumë që të ndërtonte një të ardhme të suksesshme, por që në vend të kësaj mori një zhgënjim.

Kritikat

“Është një humbje e turpshme, duke filluar që nga unë i pari për të vazhduar tek lojtarët e tjerë. Nuk ka nevojë për koment. Ishte një pjesë e parë pa dëshirë, pa grintë, pa grup”, - ishin fjalët e para të trajnerit të Tiranës, pas përfundimit të takimit. Numri një i stolit bardheblu u shpreh se ishin gabimet e bëra nga lojtarët në fushë që sollën edhe ndëshkimin. “Dy golat i pësuam pasi bëmë gabime. Në rastin e parë humbëm topin, kurse në të dytin, pas një mosmarrëveshjeje mes mbrojtësit e portierit”, - vazhdoi ai.

Zhgënjimi

Dede ka mbetur mjaft i zhgënjyer nga rezultati i marrë në “Qemal Stafa”. Teksa skuadra po përgatitej për të arritur maksimumin, pasi synon titullin kampion, ka marrë një goditje të fortë në shtëpi. “Është me të vërtetë për të ardhur keq, pasi i ramë me shkelm një pune për të cilën po përpiqeshim shumë që të ngjiteshim shkallë-shkallë. Duhet që të na vijë keq për veten dhe për tifozët. Duhet patjetër të nxjerrim mësime, që e gjithë kjo të mos përsëritet më”, - tha tekniku. Tirana kishte pesë mungesa në këtë takim, por për Deden kjo nuk shërben për të justifikuar rezultatin. “Ne kishim mungesa në këtë ndeshje, megjithatë nuk dua që të justifikohem me këtë fakt. Mirëpo kur ke mungesa detyrohesh që të bësh zgjedhjen më të mirë. Ndaj, fajtori i parë jam unë, pastaj vijnë futbollistët. Por në një nivel si kampionati shqiptar, ku nuk ka ekipe me diferenca të mëdha, gjërat duhet të ishin ndryshe për ne”, - përfundoi ai.

.................

Përditësimi E enjte, 18 Nandor 2010 18:23