Home Sport Kryeqytetasit mposhten në shtëpi nga shkodranët 2-0

Kryeqytetasit mposhten në shtëpi nga shkodranët 2-0

E martë, 16 Nandor 2010 12:44 Irgis Hysenaj
Shtyp pdf

Vllaznia fiton pa probleme

ndaj një Tiranë zhgënjyese

Vajushi e Sinani i japin fitoren skuadrës kuqeblu

 

Irgis Hysenaj

 

 

Vllaznia u është rikthyer sukseseve duke mundur Tiranën në shtëpi. Një humbje që zbret me këmbë në tokë skuadrën kryeqytetase. Në një ndeshje të dominuar nga shkodranët, bardheblutë nuk mundën që të kërcënonin rivalët e tyre. E Vllaznia merr kështu tri pikë të rëndësishme dhe shkon në vendin e pestë në renditje. Nga ana tjetër, humbja e pësuar i vështirëson gjërat për 24 herë kampionët e vendit, të cilët kishin mundësinë më të mirë për t’iu afruar kreut. Ata synonin titullin kampion, por me zhgënjimin e pësuar në shtëpi u duhet që t’ia nisin gjithçka nga fillimi. Me pesë mungesa në formacion, skuadra e drejtuar nga Dede nuk arriti që t’i godiste dot kuqeblutë gjatë gjithë ndeshjes. Pejiç qëndroi shumë larg portës, ndërkohë që Bushi u shfaq fare pak. Kurse Plaku rrezikoi, por prapë goli është larg për sulmuesin. Nga krahët i riu Tushe dhe Zizoviç nuk arritën që të krijonin aksione të rrezikshme, pasi mbrojtja kundërshtare e vendosur mirë theu çdo sulm. Vllaznia, nga ana tjetër, me të riun Vajushi dhe me Sinanin rrezikoi vazhdimisht. Bardheblutë bënë gabime gjatë takimit, rrjedhojë e të cilëve qenë dhe dy golat e pësuar. Shkodranët e zgjidhën fatin e takimit në 31 minuta, kur sulmuesit Vajushi e Sinani shënuan në portën e mbrojtur nga Ilion Lika.

Pjesa e parë

Në minutat e para, të dyja skuadrat kanë bërë një lojë të fortë në mesin e fushës, ndonëse miqtë kanë qenë dominues në këto dyluftime. Gocaj, Nallbani e Belisha kanë qenë nismëtarë të aksioneve sulmuese, ndërkohë që Vajushi e Sinani kanë rrezikuar vazhdimisht. Bardheblutë janë treguar të paqartë në mesin e fushës. Me Tushen në të majtë e Zizoviçin në të djathtë nuk kanë mundur që të depërtojnë në zonën kundërshtare. Karabeci në një formë jo të mirë së bashku me Babajn nuk kanë arritur që t’i ndalin shkodranët. Kështu, pas një marrje të topit që mbahej nga bardheblutë, Gocaj ka pasuar për Vajushin. Sulmuesi me shpejtësi është futur në zonën e rreptësisë dhe përballë Likës nuk ka gabuar. Pas 14 minutash ka ardhur dhe goditja e dytë për bardheblutë. Sinani ka shënuar pas një asisti të dhënë nga Vajushi. Dede, duke parë që skuadra çalon, ka bërë një ndërrim taktik. Ai ka nxjerrë nga loja Babajn dhe ka futur Metanin në anën e majtë të mbrojtjes. Sina ka kaluar në të djathtë, ndërsa Pashaj ka marrë vendin e Babajt. Por edhe kjo lëvizje nuk ndryshoi shumë në lojën e bardhebluve. Shkodranët janë mbrojtur mirë ndaj një Tirane që e ka të vështirë të rrezikojë.

Pjesa e dytë

Në 45 minutat e dyta të takimit, Dede ka bërë ndryshime në sulm. Fut në lojë Plakun dhe nxjerr Bushin. Ndërkohë që Josa i beson formacionit të fillimit. Me futjen e Plakut, Tirana është bërë më agresive. Megjithatë, skuadra është larg golit, ndërkohë që kuqeblutë janë më të sigurt në fushë. Në 30 minutat e fundit, loja ka prodhuar tensione. Një goditje me bërryl e Lilës ndaj Vajushit nxeh gjakrat, ndërkohë që lojtari i kthen reston pak minuta më vonë. Në fushë ka acarime, ndaj Josa vendos të bëjë ndryshime, pasi i trembet ndonjë ndëshkimi. Dede hedh në fushë Silagailisin dhe nxjerr Pashajn. Letonezi pozicionohet në qendër të mbrojtjes, ndërsa Lila del para në mesfushë, aty ku Tirana vuan më shumë. Josa freskon mesfushën dhe sulmin, ku fut Kaçin për Gocajn e më pas Hasanin për Vajushin. Por rezultati i ndeshjes, me gjithë rritjen e agresivitetit nga Tirana, nuk ndryshon. E kështu, Vllaznia ka fituar sërish në kryeqytet.

...................

Përditësimi E enjte, 18 Nandor 2010 18:26