Home Politike Kush humbi?!

Kush humbi?!

E enjte, 26 Maj 2011 07:59 Aurora ALLUSHAJ
Shtyp pdf

Kanë kaluar tashmë dhjetë ditë nga momenti i zgjedhjeve lokale ne Shqipëri dhe akoma po presim të dimë kush humbi. Për ne që jetojmë jashtë vendit dhe informohemi me anë të internetit, në faqet zyrtare te mediave elektronike është e vështirë të kuptosh kush është informacioni i saktë. Tashmë edhe mediat shqiptare janë ngjyrosur thuajse të gjitha me ngjyra partiake.Lexojmë të epur për të ditur se kush në të vërtetë ka humbur, por për të kuptuar një gjë të tillë është shumë e vështirë. Ndërsa lajmet në web vërshojnë lumë, arrijmë të krijojmë një mendim tonin. Kush humbi?

Humbëm ne, humbi populli, ai që tashmë është mësuar të humbasë gjithmonë. Karrigia nuk do të ngelet boshë sido që të shkojë kjo histori. Koha ka treguar se “ata” janë aty të gatshëm për tu ulur. Do të ulen të lodhur nga premtimet elektorale, premtimet që do ti kenë harruar akoma pa i bërë. Dhe prapë jemi ne që humbëm, ne, studentët, të papunët e së ardhmes.Ndërsa po shkruaj këto rreshta lexoj se në Tiranë po behet “NAMI” për një grusht vota më shumë. E ç'të jetë vallë, pse të acarohemi, kjo nuk është asgjë?! Na gënjyen, na varfëruan, na vranë...ç'ju ka ngelur tjetër të bëjnë. Tashmë është e pranueshme ç'do gjë. Tirana po zien nga politika por askush nuk kujtohet të kthejë kokën në trotuar dhe të numërojë sa fëmijë barkëbosh kanë dalë të kërkojnë lëmoshë. Askush nuk shikon sa familje nuk arrijnë të mbyllin muajin me ato pak të ardhura që kanë. E ç'të shohin ata kur sytë ju janë zënë nga dëshira për pushtet?! Ata janë aty të numërojnë votat e manipuluara, votat që Shqipëria nuk ju dha. A ka turp më të madh se ky? Nuk di me çfarë lloj kurajoje kërkojnë të vjedhin, kërkojnë akoma të përdhosin shqiptarët. Nuk kuptoj se si nuk ndihen në faj nga gjithë këto mashtrime këta “sahanlëpirës” të moderuar.Ne duhet të përfaqësohemi nga persona që na japin besim për të ardhmen, stabilitet politik dhe mbi të gjitha mirëqeverisje. Nga persona që termin “demokraci” nuk e shprehin pa ditur kuptimin thelbësor te saj. E ardhmja duhet të jetë ndryshe, ndoshta ka ardhur koha që të kemi një ndryshim tërësor në politikë, ka ardhur koha e të rinjve. Momenti i atyre që kanë shumë për të dhënë për vendin e tyre por nuk lejohen nga figurat aktuale të politikës. Në 21 vitet e fundit janë po të njëjtat figura, po të njëjtat premtime të pambajtura kurrë. Nuk u lodhën shqiptarët nga thirrjet histerike liderave? Nuk kanë nevojën e një ndryshimi? Nuk ndihen të lodhur nga gjithë kjo katrahurë e krijuar, nga gjithë këto premtime boshe?Militarizmi politik ndihet shumë në këto ditë pritjeje. Edhe këtu jashtë vendit midis të njohurish bisedat a para që zgjojnë grupet shoqërore janë të karakterit politik. Shpesh mendoj ndoshta është në ADN e shqiptarit një fenomen i tillë. Të gjithë jemi gati të ngrihemi të revoltuar pas liderave politik në momentet që ata kërkojnë ndihmën tonë. Dhe akoma për të njëmijtën herë në historinë e popullit shqiptar nuk e kemi kuptuar dhe nuk do ta kuptojmë se “Kush humbi”...