Home Kulture NË BYSHEK ME PEIZAZHIN PIKTORESK

NË BYSHEK ME PEIZAZHIN PIKTORESK

E martë, 23 Nandor 2010 22:48 PËLLUMB GORICA
Shtyp pdf

PËLLUMB GORICA

Udhëtimet jashtë qëndrimit të përhershëm, aq me shumë në bukuritë natyrore, janë të këndshme sa kur kthehesh nga atje, të duket si një ëndërr, po më i çlodhur e i qetë se ditët e tjera.

Ishte ftesa e miqve poetë nga qyteti Elbasanit, dhe dëshira për të kaluar çaste kënaqësie në Byshek, në një ndër mjediset më piktoreske të krahinës së Shpatit. Kur udhëton me poetë sikur heq nga supet ca nga hallet e me gëzim lëshohesh me hare në peizazhet e monumentet natyrore, me ndjesinë e bukur të metaforave poetike. Udhëtimi drejt tij është kënaqësi. Bysheku ndodhet në një zonë disi të pyllëzuar, 7 km nga qyteti i Elbasanit.

Rruga për atje ndjek rrjedhën e kundërt të lumit Shkumbin, ku natyra ka krijuar një luginë të bukur me fshatra të sistemuara, biznese, shtëpi të reja, toka të mbjella me bimë bujqësore e pemë frutore. Përtej luginës, përfund një pylli me plepa, shelgje e rrape,  që në këtë stinë gjethe-zverdhur, rrjedh lumi Shkumbin. Tutje nga lindja mali Bukanik të shfaqet madhështor dhe të afron pamje të tjera të mrekullueshme e të papërsëritshme. Ai këtu është i menjëhershëm në ngjitje e që i rri si mburojë kësaj lugine. Ecim, duke soditur natyrën e thithur ajrin e stinës me aroma frutash. Kushdo që vjen nuk mund të ndodh që kjo bukuri mahnitëse të mos i lerë mbresa të pashlyera. Rrapet që rriten në këtë zonë janë tipar i veçantë dhe janë një pasuri, ashtu siç është një tjetër karakteristikë e këtij vendi, uji i pastër e i ftohtë që rrjedh nga shumë burime. Ne vazhdojmë të ecim dhe larmia e peizazhit e bënë më interesant udhëtimin tonë. Koha është e bukur me një qiell të kaltër dhe diell, sikur kjo ditë kishte vendosur të na e bënte dhuratë. Çatitë e shtëpive ngjyra -ngjyra shndrisin nën rrezet e diellit me një ndriçim të rrallë. Një flladi i lehtë të përkëdhel fytyrën. Kalojmë rrugës dredha - dredha dhe përpara të shpaloset me tërë bukurinë e saj të rrallë qendra piktoreske e Byshekut: një mrekulli e natyrës me një sharmë të veçantë dhe mahnitës. Ndërtimet e vjetra të qendrës turistike janë të shëmtuara dhe të lëna në mëshirë të fatit, të zhgënjejnë  e paksa të shuan befasinë.  Me të ballafaqohesh sapo zbret nga makina. Ndërsa rrotull tyre lokale të tjera kanë rrethuar këtë qendër. Është ajo çka përbën mbresën e parë sapo shkel këtu në këtë vend të bekuar. Po ashtu aty ndjen pushtetin që ka natyra e bukur teksa prek me sy tej e tej një mori drurë rrapesh madhështorë të zgavruara, që mezi i pushtojnë 5 burra. Pranë tyre, i sistemuar në vija e kanale gurgullon uji i ftohtë që rrjedh pa pushim nga të çarat e një shkëmbi të hirtë,  duke shpërndarë përreth currila të arta me një bimësi ujore. Duke rrjedhur më tutje krijon turbulenca e pastaj tretet ngadalë nëpër zall drejt lumit Shkumbin. Më befasojnë dhe magjepsin pamje të tilla të peizazheve të bukura e sidomos të monumenteve të gjelbra të natyrës, që kanë vlera historike. Mundohem që me aparatin fotografik t’i fiksoj në celuloid e të mbeten në memorien dixhitale për brezat. Veçse në vjeshtë, uji i pastër, që rrjedh prej të çarave të shkëmbinjve ngjyrë gri e që merr me vete gjethet e zverdhura e të rëna të drurëve pranë rrapeve shekullorë të larta e të moçëm me format e tyre të zgavërta i sodit me kënaqësi. Lumi Shkumbin, që rrjedh pak metra më poshtë, dhe që është ca i fryrë nga shirat e këtyre ditëve, dëgjohet që larg me mërmërimën e tij këndshme. Bashkë me fëshfërimën e rrapeve ai të freskonë akoma më shumë.

Fakti është se këto drurë madhështor rrapesh kanë histori të çuditshme që ende tregohet edhe sot. Ajo zë fill tek e ashtuquajtura mbjellje e rrapeve si hunj. Dikur në këtë vend mendohet se ka egzistuar një vend ku pushonin udhëtarët e kuajtë dhe këto rrape mendohet se janë hujtë ku janë lidhur kuajtë dhe me kalimin e kohës u zhvilluan. Sigurisht nuk mund të rrish pa kujtuar diçka nga historia e vjetër e Byshekut. Një vendbanim i vjetër, që në shekujt e parë të pushtimit turk është njohur me emrin Bozursek. Me ndryshimet e mëvonshme etimologjike mori emrin Byshek. Sipas hulumtimeve të historianëve të krahinës, Bysheku, në mesjetë ishte një fshat i madh me shtëpi afër njëra - tjetrës, ku macja hidhej aq lehtë nga njëra çati te tjetra në të gjithë fshatin. Është vendi ku janë shpalosur ngjarje të rëndësishme historike. Këtu janë zhvilluar beteja më të përgjakshme të cilat i njeh historia e kësaj krahine.

Bysheku në çdo stinë të mrekullon me çlodhjen, qetësinë, argëtimin. Duhen vlerësuar këto mrekulli natyrore e mahnitëse për kënaqësinë që u dhurojnë adhuruesve. Është një kënd vërtet shumë i veçantë, të thotë Ahmet Mehmeti, miku ynë poet, por edhe studiues pyjesh. Këtu, ajri i pastër, gjelbërimi pa kufi kontraston dukshëm përballë ajrit të ndotur dhe betonimit pa kriter të qyteteve tona. Dhe banorët vendas sigurisht janë krenar me këtë bukuri që u ka falur natyra me koloritin dhe ndërthurjen e objekteve, por neve na duhet ta mirëmbajmë. Bysheku është i pëlqyer jo vetëm nga banorët e rrethinave, por sidomos për banorët e qyteteve të Elbasanit, Peqinit, Cërrikut, Tiranës. Në stinën e dasmave, ata, që lidhin kurorë, vijnë këtu e vazhdojnë të shpalosin traditën pagane të pagëzimit, të pastërtisë së çiftit me ujin e këtij burimi dhe të kenë si kujtime të ditës më të bukur të jetës së tyre pamjet piktoreske të Byrshekut. Por më madhështor Bysheku duket në Ditën e Verës, festës më tradicionale të trevës së Elbasanit,  i preferuar nga moshat e ndryshme. Dhe këtu në këtë mbretëri qetësie e peizazhi mbresëlënës shijuam çaste të mrekullueshme me miqtë tanë, një drekë të këndshme në mjediset përrallore të një lokali të rregulluar me shije, duke të ofruar një pushim dhe pamje të tjera të mrekullueshme, por edhe zbavitje për çdo shije. Kryesisht aty gjeje një shërbim të kulturuar dhe ajo që është me rëndësi, të gjithë përkujdesjen për mysafirët. Kaluam kështu një ditë të tejmbushur me përshtypje, çaste mbresëlënëse në këtë natyrë piktoreske me bisedat për librin e ri të poetit Verjon Fasho, për poezinë, historinë, pasionet, udhëtimet dhe miqtë. Në këtë temë gjetëm edhe shkas për humor të çiltër me dëshirën për të ardhur sërish këtu.

Ja vlen të shkosh në çdo stinë të vitit në Byshek, të shijosh freskinë e mëngjeseve, puhizën e mbrëmjeve, të vështrosh me kënaqësi monumentet e gjelbra të natyrës, rrapet shekullorë dhe ujin e ftohtë.

Përditësimi E mërkurë, 24 Nandor 2010 21:34