ALBERT Z. ZHOLI
LUFTAR PAJA
Shënime, të dhëna, kronika, opinione mbi një artist të rrallë
Mirmengjes i dashur Albert!Nje dite te bukur te dhuroj edhe pse larg dhe nuk me njeh ,por e di qe me shikon buzeqeshjen aq te dlire qe te largon cdo brenge e mall,miresine time qe aq bukur e tregoj ,çiltersine e veshtrimit perhere te gjalle,syte e mi plot drite me aq harmoni tiparet shkrire,i degjon hapat e mi aq te sigurta,me ritem, te ngrohta,e ndjen aromen e nje femre gjithe hijeshi,te gjitha me burojne embelsiht nga zemra ime fisnike ! Eshte nje zemer qe me dashurine dot s'luan! Te perqafoj e te dergoj zjarrin me puthje qe me jep ti! Entelaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaaa
Pershendetje Albert! Me erdhi keq sot qe mengjesit tim dhe dites time i mungoi mesazhi jot!Eshte kaq prekese te mendosh se si shiu dhe kjo dite gri te deperton mendimet ! Por eshte edhe kaq prekese te mendosh se si kaq shume gengjeshtra ka kjo jete ,sa njerezit harrojne te shohin yjet qe ndriçojne jeten,qe ndriçojne erresiren! Solomoni thote nje njeri ne njemije mbetet miku yt perhere ,ne dite me diell ,ne shi ,ne bore dhe ere!!!!!!! Te uroj nje dite te bukur ! Te perqafoj nga larg Entela!
Pse ike? Doja te bisedoja me ty! Gjithcka qe pershkruan dhe dergon ne vargje rreth meje jane mese te verteta.Edhe une qe po te shkruaj tani jam e vertete ashtu si nje ne nje mije ,ashtu si eci sikur kam diamante,ashtu si gjurmet qe le e qe nuk fshihen kurre ,si e the edhe ne vargje,ashtu si gjithcka qe ti njeh dhe imagjinon per mua ! Per te gjitha keto une te puth fort fort dhe te perqafoj pafund!Per te gjitha keto eshte arsyeja pse bisedoj ,pse te respektoj dhe te kuptoj kaq mire! Si ka mundesi te une? Te puth dhe te uroj nje pasdite te bukur ashtu si e deshiron! Nga larg Entela
si eshte frymezimi im qe behet muzike,si eshte zeri im qe behet parfum?
Mirmengjes i dashur Albert!Eshte i bukur mengjesi im kur vargjet e tua prane teje me kane sjelle!Me syte nga qielli i dimrit ,ku dita eshte gri dhe deshirat jane nje mister,do te mendoj gjate per ty ,do te doja te isha nje gote vere!Ne endrra prek trupin ,ne mendime krijon mrekulli,nga lumturia dhe shpirti im vjen i gezueshen ne sy!Te puth Entela
Te flasesh me mua do te thote "pafundesi"! Te ndjesh aromen time do te thote "femer",te me puthesh do te thote "jete",te me shohesh ne syte e mi do te mbetesh aty!Malli nje enderr e marre,por si ta besoj...?Te perqafoj fort Albert dhe malli eshte aty,dhe fjalet shuhen aty,dhe syte mbyllen aty...!
Ndjenja merr fluturim nëpër yjesi,
si flutur krahëshkruar lëshon bukuri,
me ngjyrën e qiellit e lyej si gjerdan,
shpirtin ma ndez, ma bën si vullkan.
Mirmengjes Albert! Ne kete mengjes mrekullisht te qarte te uroj nje muaj te mrekullueshem!Largesia te ben te enderrosh ,te sjell ne mendje aroma ,fjale ,tinguj buzeqeshje ,qe nuk i di nga ç'shpirt i bukur jane krijuar dhe pse kane hyre ne vargjet e tua!!!???Pse duhet ti jetosh,ndoshta per nje emocion te paharrueshem qe te deperton thelle ne shpirt dhe te thote:-Po jetoj! Qofsh gjithmone i etur!!!!! Te perqafoj Entela!
e di historine e mbretit qe mbante ne kafaze shume zogj,dhe kur i leshoi mbajti vetem nje(shkurt ),imzot i tha sherbetori po ate pse nuk e le te lire ,e jo tha eshte me i miri ky do te rrije ketu ne kafaz
Nuk ka varg ,pushtet as fjale per nje femer qe ti ende se ke pare por qe malli te ka marre!Te perqafoj nga larg Albert
E di dhe çdo varg i joti me deperton mendimet,me jep lumturi.Nuk e di se cfare jam une per ty?Por meritoj çdo fjale te bukur dhe cdo varg ku une jam aty dhe fjalet dalin nga shpirti,jam aty edhe ku rrezet e diellit depertojne kur dita eshte gri... ! Do te doja te te shkruaja me gjate por tani s'mundem se kam sh. pune.Te flas me vone Albert.Te perqafoj !
date 16 ora 18 ne Teatrin Kombetar promovimi i monografise se Luftar Paja
HYRJE
E kam njohur aktorin e madh Luftar Paja (personalisht) në vitin 1993, kur jetoja në Greqi. Aty realizova dhe intervistën e parë me të cilën mbeti shumë i kënaqur. Që nga ajo, kohë me të dhe familjen e tij, u bëmë miq. Edhe me dy djemtë e tij, Sokolin dhe Gazin, kam mbajtur lidhje të vazhdueshme, pa diskutuar për gruan e tij, Qamilen, e cila ka qenë dhe mbetet një nga gratë më aktive të emigracionit shqiptar në Greqi.
Por ju konfidoj se gjeta belanë. E para, sepse figura e tij me një galeri të pafund karakteresh e kishin bërë mjaft popullor. Sa herë lëvizje me të ishte e pamundur të rrije i qetë. Takime, përqafime, biseda në çdo hap. Të lëvizje nga një vend në tjetrin duheshin të paktën dy orë.
Luftari si Luftari, s’ia prishte askujt. Linte punët e tij, apo harronte shumë porosi kur takonte miqtë e tij të shumtë. Edhe ndonjë gotë nuk e kursente. Më linte të prisja, me orë të tëra. Takimet i shtynte. Kur më takonte e më gjente të mërzitur, më shihte me ato sytë e tij të kaltër, imitonte një nga personazhet tij të dashur, një batutë dhe ja, ku plaste e qeshura dhe mërzia arratisej si retë pas furtunës. Por ka pasur dhe çaste tensioni. “Me femrat e popullit nuk të rri gjuha! Ndërsa për biografinë tënde goja të bën mëk-mëk!” Ishte shprehja më e përdorur prej meje, kur nxehesha. Si ta gjeje ndryshe me Luftarin! Më duhet të kuptoja që ai ishte njeri dhe kishte hallet e tij, ndoshta ishte i detyruar t’i përshtatej takimeve me njerëzit, sepse kjo është detyra e njeriut publik. Fansat e donin vetëm të qeshur, si në skenë. “Eh, të gjithë mendojnë se unë s’kam halle”, përsëriste ai shpesh. Por nuk bën përjashtim as ai nga shqiptarët e tjerë për më tepër nga artistët, që në Shqipëri bëjnë pjesë në shtresën e intelektualëve, që jo rrallë nuk e kanë fjollë me qeveritë dhe institucionet. Djali i tij, Gazi, sa herë që e takoj më thotë : “Mos e lër të qetë! Ka zemër të madhe, por nuk njeh disiplinë. Për të, të gjithë njerëzit janë njëlloj.”
Në qershor të vitit 2005-s më çoi në fshatin e tij të lindjes, Gorishovë. Në prag të fshatit ndaloi makinën dhe pasi zbriti, mori të tatëpjetën. Unë avancoja mbi katër rrotësh ndërkohë që ai çapitej në këmbë me trupin e tij paksa të shkurtër, fytyrën simpatike e cila të ngazëllen menjëherë sa e sheh. Fliste, tregonte, zgjaste duart. Kujtesa e tij ishte e përsosur. Më kallëzonte një ngjarje për çdo pemë, shtëpi, njeri, sokak, portë. Psherëtinte, tek tregonte. Jetonte me kujtimet duke i sendërzuar ato si t’i kishte pranë. Hapte krahët dhe merrte frymë thellë. Lotonte. Nga hyrja e fshatit deri në shtëpi kaluan rreth tri orë. Sa kish zgjatur rruga Tiranë-Gorishovë. Në vatrën e tij, ku jetonin vëllezërit me familjet, atmosfera ishte më e ndezur. Bridhte dhomë më dhomë, dilte në avlli, përkëdhelte me dorë pemët, gardhin dhe oborrin. I fjaloste vëllait për fqinjët, bagëtinë, shpezët, pemët, rakinë e sivjetme… “Drekën shtrojeni në kuzhinën e vjetër”, - urdhëroi të vëllanë, që as nuk pipëtiu. Dihet që fjala e Luftarit ishte kuvend për të gjithë, jo vetëm se është vëllai i madh i familjes, por dhe artisti që ngriti aq lart llagapin e Pajove.
Rakinë e ka pijen e preferuar. Si të gjithë fshatarët e shijon me gjithë fuqinë e shpirtit. Pasi e provon, i fshin buzët me mëngën e dorës. Nuk e ka problem ta provojë atë të uruar edhe pse kanë kaluar 10 palë buzë para të tijave. Qejf ka Divjakën, lokalin e Ali Kalit ose qebaptoren e Hamdi Rekës në Tiranë.
“Aaaa, këtu dhe mbretërit tundohen”, përsërit menjëherë sa thith ajrin e freskët të pishave, erën e detit dhe shijon peshkun e freskët të Karavastasë. Në Divjakë dhe në shumë zona të jugut, sidomos Myzeqe, Mallakastër, Labëri etj., e presin sikur të ishte “mbreti” i tyre dhe në fakt, për gjithë atë zonë ai mbetet patriarku i skeçit myzeqar. Ka prekur çdo fshat, çdo shtëpi kulture, çdo zonë, duke ngritur në skenë figurën e një artisti të spikatur, një mjeshtri që me punën dhe shpirtin e tij e ka merituar plotësisht emrin “Artist i Popullit”.
Një figurë poliedrike kjo e Luftarit, që ndërsa e takon përditërisht, të duket një njeri i dashur, i thjeshtë, muhabetçi, por në skenë shpërthen përmasat e vërteta. Atje duket se nuk bën asnjë kompromis përveçse me zotësinë e tij, duke arritur të realizojë personazhin që merr përsipër në përmasat reale.
Albert Zholi
FALËNDERIM
Falënderoj gjithë dashamirësit e mi që kanë kontribuar në botimin e këtij libri. Në veçanti falënderoj z.Baftjar Zeqaj dhe z.Albert Caçi të cilët mundësuan sponsorizimin e plotë të librit, duke treguar bujarinë dhe fisnikërinë e tyre. Falënderoj zotërinjtë Kozma Cuko dhe Genci Resuli të cilët kanë kontribuar në pasqyrimin cilësor të fotove dhe z.Pëllumb Dervishi me filmimet. Falënderoj kolegët që kanë bashkëpunuar gjatë 45 vjetëve të mia në skenë, që nga lëvizja amatore në Cakran, Patos, po ashtu dhe ata me të cilët bashkëpunova në qendra pune, shkolla, etj… Falënderoj kolegët e teatrit “Bylis”, për bashkëpunimin 35-vjeçar, gjithashtu dhe kolegët e Teatrit Kombëtar me të cilët punova mbi një dekadë. Falënderim special për autorin e këtij libri, z.Albert Zholi, që me qetësinë e tij, punoi me përkushtim deri në përfundim.
Djersën dhe mundin 45-vjeçar në skenë, ia kushtoj: prindërve të mi të urtë, familjes sime të dashur e cila më ka rrethuar me dashuri të jashtëzakonshme, bashkëshortes sime Qamile, që me përkushtimin e saj ma ka bërë më të lehtë krijimtarinë artistike. Por në këtë gamë falënderimesh dhe përkushtimesh, do të ndalem pak, duke u kërkuar ndjesë të sinqertë prindërore, pasi në çaste të caktuara s’u kam qëndruar pranë: Pra, falënderoj me dashurinë më të madhe prindërore, me dashurinë e zjarrtë që të ndez dhe të bën të ndiesh plot gaz, fëmijët e mi: Nikoletën, Sokolin dhe Gazin, por si gjysh të cilit lotët i rrjedhin në emër të dashurisë së pa komentuar kur ndjen aromën e tyre qumështore, kur i merr në prehër (dhe të zgjasin jetën) nipërit dhe mbesat Eni, Rejnaldi, Also dhe Natalian e vogël.
Mirënjohje në vend të një homazhi
Regjisorëve të mi të parë, pedagogëve dhe kolegëve që nuk jetojnë më:
Ndrek Beltoja, Llazar Verrija, Pjetër Gjoka, Andrea Malo, Selman Vaqarri, (regjisor dhe pedagogë), Nestor Pogaçe, Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Thimi Filipi, Stavri Shkurti, Ilia Shyti, Jani Riza, Dhimitër Greku, Tili Koçi, Llazar Moja, Isuf Maloku, Lefteri Sillo, Hatiqet Siqeca (Bendo), LLazar Doko, Dhimitër Jano, Llazo Polo, Mikel Kufo, Ndini Bardhi, Mehmet dhe Shpëtim Muka, Ali Goxhaj, Ferdinand Radi, Leonidha Prifti, Mico Sopiqoti, Shpresa Memo, Veli Dogani dhe në mënyrë të veçantë, dy personazhet e dashur të fshatit tim Zyber Ali Abdullaj dhe Shyqo Beshaj. Veçoj Mësuesin e Popullit Kristaq Shtëmbari i cili me dashamirësinë e tij më ka ndihmuar në mënyrë të sinqertë në mbarëvajtjen e krijimtarisë sime si dhe intelektualin e talentuar Pipi Mitrojorgji.
Drejtuesit gjatë karrierës:
Ylvi Ganiu (Agalliu), Tili Koçi, Idajet Bushi, Llambro Llaguri, Llazar Moja, Thoma Meco, Arqile Lici, Neritan Alibali.
Bashkëpunëtorët krijues në vite:
Dionis Bubani, Spiro Comora, Nikolla Mullisi, Naum Prifti, Qamil Buxheli, Kujtim Shehu, Vilson Gjoça, Flamur Laro, Miço Kallamata, Polikron Kotini, Tasim Aliaj, Stefan Pina,Pashko Lako, Pëllumb Kulla, Nevruz Sinani, Maku Pone, Llazo Polo, Filip Cakuli, Paulin Selimi, Teodor Laço, Gafur Shameti, Vangjel Kozma, etj…
Falënderoj regjisorët dhe kolegët që kanë bashkëpunuar me mua gjatë periudhës 45-vjeçare:
Pëllumb Kulla, Koço Papadhopulli, Roland Roshi, Guliem Radoja, Leka Bungo, Arqile Garo, Ilir Bezhani, Dervish Biba, Mehmet Xhelili, Pirro Mani, Gëzim Kame, Anton Qesari, Andeta Radi, regjisorin rumun Mihai Manolesku, Viktor Gjika, Muharrem Fejzo, Dhimitër Anagnosti, Vladimir Kasa, Spartak Pecani, Ismail Zhabjaku, Fehmi Oshafi, Guri Koço, Nevruz Sinani, Agron Begaj, Kadri Numani, Rronjë Mihaj, Ahmet Numani, Fiqiri Shametaj, Violeta Bendaj, Gjena Malo, Fatbardha Lamçe, Sybi Memushi, Luan dhe Ollga Malaj, Ballëm Iljazi, Hysen Çobani, Fuat Boçi, Kujtim Jorgaqi, Xhuljeta Kulla, Todi Llupi, Hasan L. Bregu, Arqile Lipe, Vasil Vaso, Arqile Lici, Fatmir Xhelili, Hajrije Rondo, Roland Trebicka, Pavlina Mani, Marjeta Ljarja, Suela Konjari, Luiza Xhuvani, Yllka Mujo, Vangjel Toçe, Naun Shundi, Ahmet Pasha, Anastas Kristofori, Bujar Asqeriu, Agim Qirjaqi, Xhelal Hoxha, Zoi Papa, Sofika Hodo, Natasha Sela, Ferit Hoxha, Brunilda Hoxha, Engjellushe Daja, Miti Nushi, Robert Hoxha, Aleksandër Prenushi, Ismail Janina, Hasan S. Bregu, Shpëtim Shehu, Hateme Ruzhdia.
Punonjësit e prapavijës:
Pano Kondo, Nesti Cini, Dilaver Muka, Engjëll Boriçi, Xhemal Kelmendi, Thanas Tite, Kristaq Dumi, Harilla Konomi, Kiço Como, Nuzet Golemi, Myfit Saliaj, Sotira Papa, Ariste Gjini, Edmond Dashi.
Luftar Paja
1. FIERI DHE PËRMBAJTJA E TIJ
Qarku i Fierit përfshin rrethin e Fierit, Lushnjës dhe Mallakastrës. Në këtë qark ndodhen 6 bashki, përkatësisht: ajo e Fierit, Patosit, Roskovecit, Lushnjës, Divjakës, Ballshit dhe 36 komunat. Rrethi i Fierit dhe ai i Mallakastrës shtrihen në jug të Ultësirës Perëndimore, përfshijnë krahinën e Mallakastrës e pjesën jugperëndimore të Myzeqesë deri në Adriatik. Mbizotëron relievi fushor dhe kodrinor. Rrethi i Lushnjës shtrihet në Shqipërinë Perëndimore, në Ultësirën Perëndimore.
QYTETI I FIERIT
Fieri shtrihet në jug të Ultësirës Perëndimore, 18 km larg Adriatikut në lartësinë 20m. Historia e qytetit të Fierit është e lidhur me rezervat e naftës e të gazit, megjithëse qyteti i sotëm është themeluar nga Vrionasit, bejlerë të Beratit, si qytet tregtar në shekullin XVII. Prania e serës, e substancave të cilat digjeshin dhe e gazit natyror janë dokumentuar që në shekullin I e.r. nga Dioskoridi, historian i antikitetit në Materia Medika. Straboni, një tjetër historian, duke shkruar rreth shekullit I e.r., pohon këtë gjë: “Një fshat i vogël në fillim, Fieri nisi të popullohet në mes të shekullit XVIII. Me ndërtimin e një ure guri që lidhte dy brigjet e lumit Gjanica. Fieri u kthye në qendër tregtare për prodhimet bujqësore, duke u zgjeruar deri në mes të rrugëve që lidhnin Durrësin, Vlorën e Beratin dhe, duke përdorur skelën e vogël të Pirgut në Seman. Nga gjysma e dytë e shekullit XIX-të u ndërtua buzë Gjanicës, rruga e pazarit që e zotëruan bejlerët Vrionas nga Berati. Ndërmjet dy luftërave botërore, industria e naftës mori zhvillim, duke sjellë edhe mirëqenien në banorët e zonës. Nën mbretërinë e Zogut, fushat e naftës ranë pak nga pak nën zotërimin italian. Pas Luftës së Dytë Botërore, ato u zgjeruan më shumë, por teknologjia e nxjerrjes së “arit të zi” mbeti mbrapa. Sot, ka programe të ndryshme të shoqërive shumëkombëshe për kërkimin e naftës në tokë dhe në det. Fieri është qendra më e madhe e tregtisë dhe e industrisë në zonën e jugut. Qyteti ruan pak gjurmë nga ndërtimet e vjetra të stilit otoman, me përjashtim të dy shtëpive të mëdha të Vrionasve - sot biblioteka e qytetit - muzeu dhe kisha ortodokse. Fieri ka një popullsi prej 80 236 banorësh dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 7,2 km2. Në Fier ka qenë e përqendruar pjesa më e madhe e industrisë. Aty ka qenë uzina e nitrat–amonit, u ndërtua Termocentrali elektro-energjetik TEC-i, zhvillohet industria ushqimore, industria e naftës, industria mekanike. Fieri ka teatrin e njohur “Bylis”, Galerinë e Arteve Figurative, Institutin e Studimeve Gjeologjike të Naftës. Pasuria kryesore është nafta dhe gazi që nxirren në Marinëz dhe Cakran. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar mjaft vendbanime prehistorike dhe qendra të periudhës ilire si Cakrani, Bylisi, Margëlliçi dhe qyteti i rëndësishëm Apolonia. Kjo zonë është e njohur për traditat e rritjes dhe prodhimit të ullirit. Në qytet veprojnë 1 631 biznese, prej të cilëve 869 janë në fushën e tregtisë, 86 janë me karakter prodhues, 295 në fushën e shërbimeve, 246 në fushën e transporteve, 49 janë ambulatorë. Qyteti ka 16 kopshte fëmijësh, 15 shkolla 8-vjeçare, 7 shkolla të mesme.
Numri i popullsisë: 80.236 banorë
Sipërfaqja: 7,2 km2
Vendndodhja: Në juglindje të Shqipërisë
Dega kryesore e ekonomisë: Industria e nxjerrjes dhe përpunimit të naftës, transporti, tregtia.
Biznese: 1 631
KOMUNA CAKRAN
Numri i popullsisë: 16 285 banorë
Sipërfaqja: 86,3 km2
Vendndodhja: Në jug perëndim të Shqipërisë
Dega kryesore e ekonomisë: Bujqësia, frutikultura.
Biznese: 113
Cakrani ndodhet në jug të Fierit dhe përmbledh 12 fshatra: Cakran, Cakran i Ri, Floq, Buzëmadhe, Hambar, Varibop, Vjosë, Kreshpan, Gjorgos, Vreshtas, Gorishovë, Gjonc. Vendbanimi i lashtë i Cakranit i përket neolitit të mesëm dhe kultura e tij përfshihet në kompleksin adriatik-egjean. Gërmimet e bëra në vitet1969-1970 kanë zbuluar vegla pune prej stralli, guri, kocke dhe briri, mokra, furra për qeramikë dhe një tip banesash të nëndheshme e gjysmë të nëndheshme. Në zonën e Cakranit është edhe fortifikimi i vogël para urban i Mashkirezës i shekullit VI-IV p.e.r. Me të fillon qyteti i Gurzezës në një kodër mbi Cakran, që u krijua në shekullin IV- p.e.r., i rrethuar me mure kuadratike në një sipërfaqe prej 17 ha. Më 1978, aty u gjet një thesar me 2 500 monedha bronzi nga Apolonia, Oriku, Dyrrahu, etj. Këtu u hap shkolla e parë shqipe për krahinën e Mallakastrës më vitin 1908. Në tokat e saj mund të prodhohen drithërat e bukës, pambuku, kultivohet ulliri. Ka 16 285 banorë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 86,3 km2, prej të cilëve 49,58 km2 janë tokë bujqësore, 14,68 km2 janë kullotë. Ushtrojnë veprimtarinë e tyre 113 biznese, nga të cilat 68 janë me karakter prodhues, 7 janë me karakter ndërtues, 15 janë në fushën e shërbimeve, 10 në fushën e transporteve, 3 janë ambulatorë. Komuna ka 7 kopshte fëmijësh, 10 shkolla fillore, 6 shkolla 8-vjeçare, një shkollë të mesme.
* * *
Në këtë krahinë me tradita ka lindur Luftar Paja. Teatri “Bylis” e futi në rrugën e vështirë të një karriere të shkëlqyer. Por, Gorishova, fshati i lindjes, i dhuroi natyrshëm magjinë...
2. ARTISTI PËR VETEN, FAMILJEN DHE SHOKËT
Jam krenar për origjinën
Kur kthehem pas e përpiqem të kujtoj se ç’qe e gjitha kjo rrugë që kam përshkruar, më duket se ngjan me një vorbull të madhe. Ajo, që është qendërza e artë, e qëndrueshme dhe gjithnjë e pranishme tek unë, është Gorishova. Tek ndalem para ndonjë të sapo njohuri e rrekem të përshëndetem me të për të gjetur ura të përbashkëta komunikimi, gjithnjë ndiej krenari tek i rrëfej prejardhjen time. E kam pasur nder të madh dhe pse ndonjëherë shqiptarët ndiejnë droje tek deklarojnë se janë me origjinë fshatare, ndërkohë që kërkojnë gjithnjë të vishen me qyrkun e një “qytetari të rëndomtë”. Unë jam gorishovas dhe e ndjej gojën plot kur përmend vendin e lindjes. Sepse kujtimi i parë i jetës i përket atij fshati të përbërë nga 500 shtëpi me 7 lagje që kanë ndër lak njëra-tjetrën e mes të cilave rrjedh si një sy prej zane përroi i Gorishovës. E mbaj mend veten time të vogël, me sytë që shkreptinin zjarr, flokët e zinj, mbathur me pantallona të shkurtra tek vishja opingat e fugoja pas miqve të mi. E ata, pas dhenve në luginat ku drejtonim bagëtitë, me qentë balashë të stanit, me hostenët më të mëdhenj se trupat tanë, ndërsa këqyrnim fshatin të pështjellë me kurora ullinjsh, vreshta të harlisur me kopanë të pjekur rrushi, me pyllin e dendur me koçimare nën fletët e mëdha të frashërit që përngjasonin me pëllëmbë të vrazhda fshatarësh. Andej nga bridhnim ne, shihej si në pëllëmbë të dorës zona e Vjosës me dritëhijet që dukeshin e zhdukeshin pas kodrave, malet që akoma mbanin mbi kresë jorganin e dëborës, fushat e blerta, qielli i cili dukej se e ngrije mbi krye dhe mund të fluturoje sapo të hapje krahët. Ndoshta ky është vegimi më i bukur i jetës sime. Ndjesia se mund të shpalosja krahët dhe të hidhesha matanë, larg atyre kodrave, maleve dhe pyjeve më bënte trimosh, kureshtar të jashtëzakonshëm. Sot e di se çfarë është. Dëshira për të përqafuar hyun e vetvetes dhe për të gjetur identitetin tim. Dhe pse sot jam i bindur se pas çdo rrugëtimi që do mund të ndërmerrja, do kisha dëshirë të kthehesha përsëri në vendlindje, me zakonin e një zogu shtegtar, të një njeriu i cili kthehet te toka e tij e ndjen në deje erën e ngrohtë të baltës, aromën e luleve të bajameve, zilkat e dhive, këmborët e deleve, bisqet e pranverës, ngjizjen e djathit në napat e njelmëta dhe jargavanët që zvarriten pemëve. Çdonjëri prej nesh e gjen parajsën e shpirtit të vet, aty ku ka rrënjët e jetës së tij…
Kur jam vetëm…
Më ndodh shpesh të jem vetëm në shtëpi. I ulur në divan, rri e shoshit kujtimet e mia të cilat më shfaqen të qarta sikur t’i kem jetuar dje. Më duket vetja sikur bredh në Beharaj ose Kremenaraj, Bregas ose Dautaj, duke më ardhur pas gumëzhima e zogjve ndërsa shtrihem në shtratin e butë të përroit, që gushtit kthehej në një kërce të butë rëre. Kujtoj 11 fshatrat që gjithnjë ëndërroja t’i shihja nën krahët e zogjve fluturakë si një gjerdan i zbukuruar mbi qafën e fushave plot jeshillëk. Nuk mund të harroj kurrë erën e njelmët të bajameve dhe tufat e manushaqeve brishnjare që mblidhnim në fusha, apo zgavrat e ullinjve ku fshiheshin insekte të argjendta të cilat fluturonin ngadalë mbi ajrin e pastër. As kërcitjen e paharrueshme të kërcunjve në vatër, kur dëbora zbardhte 12 fshatrat rreth e rrotull, mardhjen e trupit, ndërsa lagesha kokë e këmbë rrugës për në shkollë dhe trupi im, që terej nga lagështira nën rrezet e energjisë së moshës. Nuk mund të harroj as erën e mirë të kulaçit të ngrohtë, që ashtu i shoqëruar me një copë djathë nape, ishte shpeshherë vakti ynë i mëngjesit.
Fëmijëria ime shtegtare
Kam pasur një fëmijëri shtegtare. Të lidhur me vende të reja, zakone dhe tradita shqiptarësh të cilat janë ngjizur fort me mishin dhe gjakun tim. Kjo, sepse im atë, duke qenë ushtarak, i është dashur të transferohej nga një vend në tjetrin, duke rimorkiuar gjithë familjen pas tij. Kjo ka pasur të mirën dhe të keqen e vet. E mirë, sepse isha një djalë shumë kureshtar dhe më pëlqente të krijoja miq të rinj. Asnjëherë nuk e kam pasur të vështirë të bëj për vete të tjerët dhe, në njëfarë mënyre të jem “komandanti” i miqve të mi. Anën e keqe të medaljes, sepse i kam dashur dhe i dua shumë njerëzit. Për fat, nuk i kam harruar kurrë dhe i kam takuar në faza të ndryshme të jetës. Kur nëna më thërriste, si të gjithë fëmijët e vegjël, bëja sikur nuk dëgjoja, sepse adhuroja lodrat dhe më pëlqente të isha “komandanti” i shokëve i cili jepte kontributin e tij në çdo gjë. Ime më, është grua shumë e dhimbsur. Nuk më ka rrahur kurrë, sepse ajo për vete është rritur jetime dhe na konsideronte si dritën e syve, dhe atëherë kur i është dashur të çirret nëpër lagje për të më mbledhur në shtëpi. Por pavarësisht këtyre mëkateve, e mbaj mend veten djalë të edukuar, që nuk shkoja në kopshtet e botës, përveç rastit kur rrëmbeja bashkë me shokët ndonjë kërriç të cilit i punonim qindin. Ime më ishte një grua pa shumë pretendime, me atë fjalorin e saj, ndonjëherë qesharak, tek përmendte baballarët e saj, Baba Ali, Baba Turhan, si të gjitha gratë e Jugut, që përdorte të gjithë zotat e saj për të mos e zgjatur dorën edhe atëherë kur ia kisha sjellë në majë të hundës… Kujtimet e atyre viteve hyjnë e dalin në mendjen time si karvanët që hynin e dilnin në udhët e thata të Gorishovës sime. Ashtu si, fundi i fundit, ka qenë e gjithë jeta ime: Ikje dhe ardhje, brenda atij fshati ku pati fill historia e jetës sime. Një histori sa e çuditshme aq dhe e bukur të cilën po përpiqem ta ndajë me ju...
Lindja
Kam ardhur në këtë botë në dhjetor të vitit 1941. Një kohë e vështirë, ku krismat mbisundonin gjithkund dhe Shqipëria ishte zhytur në kaos. Nëna ime e quan shumë normale lindjen time, sepse ashtu vinin në jetë shumë fëmijë të kohës së luftës, mes batareve dhe dushmanit ndënë këmbë. Kam lindur pa salltanetin e maternitetit, por më ka pritur nënë Besija, një mami popullore e cila priste gjithë fëmijët e Gorishovës së atëhershme. Babai im nuk ishte i pranishëm për të dëgjuar piskamën e djalit të tij të parë, sepse luftonte me çetat territoriale të qarkorit të cilat sapo ishin formuar. Nëna më ka treguar se babai erdhi në shtëpi një natë pasi kisha lindur unë me disa burra që u mikpritën në shtëpinë tonë të thjeshtë për të vënë emrin e djalit. Atë prag muzgu, u bë një festë me bukëvale. Ishte zakon në fshat, që për lindjen e fëmijës të gatuanin miell gruri të përzier me sheqer dhe gjalpë, për të festuar ardhjen e një fëmije në këtë botë. Dy miqtë e babait ishin Faik Ahmeti dhe Hasan Tragjasi. Kur babai u tha atyre se do të kishin nderin t’i vinin emrin të birit, patjetër që krisi koburja dhe në vlerësim të kohës dhe të idealit që i kishin vënë vetes, më quajtën Luftar. Dhe kështu mbeti emri im. Një emër i cili u prit shumë mirë dhe gjatë gjithë jetës, këtë emër e kam mbajtur me krenari ashtu siç jam krenar edhe për origjinën time. Sot, shpeshherë e gjej veten duke u grindur me gazetarët kur më thërrasin Luftëtar, sepse duket se më ndryshon kuptimi i emrit që kam. Dhe, duke u kthyer te dita e lindjes dhe e emrit, mund t’ju them se ashtu siç ishte zakon që familjet të gëzoheshin shumë për ardhjen e një djali, sepse e mendonin si një pushkë më shumë për ardhjen time në jetë, u gëzuan me kuç e me maç, sepse im atë, Ganiu, ishte djalë i vetëm dhe me një djalë në derë trashëgohej mbiemri, që në gjuhën fshatçe i thoshin: “nuk iu shua kandili”. Një gëzim i madh, që më pas nisi të bëhej i zakonshëm me shtimin e familjes. Pas një viti lindi Mit’hati, më pas Asqeriu, motra Afërdita, Luani, Gavroshi dhe e fundit, Bardha. Vënia e emrit të vëllait të vogël më takoi mua. Siç mund ta mendoni të gjithë, në atë kohë isha fëmijë dhe isha duke lexuar “Gavroshin me shportë në dorë” që ecte mes plumbave. Ia them babait dhe merakli siç ishte pas llagapit të trimave, pranoi menjëherë. Por kujtoj dhe një ditë zie kur poshtë hijes së bajames gjeta vëllanë tim të vogël, Jonuzin. Ishte duke u kotur nën hijen e pemës, një pasdite zhegu në një shtrat të sajuar me lecka e litarë kur e gjeta të vdekur. E dëgjoj dhe tani në membranën e veshit piskamën e tmerrshme që lëshova para nënës tek i kallëzoja tërë tmerr se vëllai i vogël nuk merrte frymë. Mbaj mend trishtimin e nënës, sytë që iu lëngëzuan dhe nuk iu thanë tërë jetën për fatin e tij të panjohur. Gjëmën që përjetuam në shtëpi dhe vogëlushin e vdekur i cili priste të kallej në dhé dhe nuk kallej. Një trishtim që asnjëherë nuk i kam dhënë shpjegim dhe që ka mbetur brengë e zemrës sime. Vdekja është sa e mistershme dhe e dhimbshme për çdokënd, po për një fëmijë është e pakuptueshme. Në atë kohë e kujtoj veten tek imagjinoja tim vëlla të ngjallej përsëri, tek vraponte dhe dihaste i lumtur mes gjindjes së tij. Dëshirë që kurrë nuk m’u realizua dhe pse atëherë nuk e kuptoja ç’ishte vdekja, si shuhej shpirti nga forca e gjalljes, ç’ishte fryma e jetës. Ishte koha kur pleqtë na rrëfenin çdo ditë se jeta njerëzore mbikëqyrej nga një forcë e mbinatyrshme, Zoti, që ne as e kuptonim dhe as nuk i vinim dot nofka. Vetëm se më ngjallej një frikë dhe terror brenda qenies sime si të kisha një turrë nxemjeje diku brenda shpirtit e cila më paralizonte këmbët.
Familja, gjeni dhe im atë
Më pëlqen shumë të dëgjoj përvojat e njerëzve dhe herë pas here e gjej veten duke e bërë një copë rrugë për dy-tri orë të mira. Qaj hallet me njerëzit. Më çudit fakti që gjithsekush nga ne shqiptarët e ka në majë të gjuhës kureshtinë e origjinës nga vijmë, duke të pyetur për kuç e për maç. Rrimë e flasim për gjyshërit, prindërit tanë dhe shprehjet e historitë burojnë. Dikush, një ditë, po më shpjegonte se psikologjia tregon se përvojat e fëmijërisë sonë kanë ndikuar në krijimin e personalitetit tonë, dikush tjetër mendon se është gjeni e dikush tjetër, se është vetë personi. Ne shqiptarët, që jemi rritur me mentalitetin komunist për shumë vite me radhë, u bindëm se ishim prodhim i partisë dhe udhëheqësit tonë. Por unë kam qenë dhe jam i bindur se në formimin e një njeriu ka të bëjë shumë familja dhe gjeni. Personalisht gjenin e humorit e kam trashëguar nga prindërit e mi. Të dy ishin qenie me humor. Nga nëna, mendoj se kam trashëguar batutën popullore dhe mendjemprehtësinë e përgjigjes. Nga babai, ndoshta kam marrë forcën e fjalës dhe autoritetin, gjë të cilën e kishte të padiskutueshme. Ai më ngjasonte me një vigan dhe me një hero të luftës, por me tipare shumë njerëzore. Kujtimet e mia të fëmijërisë me të lidhen kryesisht me metodat e edukimit, që çuditërisht në çdo familje shqiptare, i kanë takuar të parit të familjes, babait. Çdo natë, ai do na grumbullonte rreth vetes dhe do na bënte moral. Na mësonte të ishim të kujdesshëm, të bëheshim të mirë, të disiplinuar, punëtorë. Mbi të gjitha kishte merak ndershmërinë. Im atë nuk rrinte shpesh në shtëpi, sepse puna e detyronte të udhëtonte me shërbime, por ishte burrë babaxhan, dhe pse atëherë ishte në modë që prindërit duhej të ishin autoritarë dhe nursëzë. Gjithsesi, unë e adhuroja kur ai, me atë stilin e hollë dhe të sinqertë, më tregonte për njerëzit e rinj që kish njohur, për këndvështrimet e tij ndaj ngjarjeve të cilat ndodhnin asaj kohe në fshatrat tona, për të ardhmen, për transformimet që koha-kohës arrinin deri në Gorishovë. Me tim atë kam pasur një lidhje shumë të bukur dhe, në njëfarë mënyre, kam qenë gjithnjë nën vëmendjen e tij. Ndonjëherë ankohesha se mbi mua binin të gjitha ngarkesat e vëllezërve të tjerë, siç ndodh shpesh me djalin e madh. Kontradikta që davariteshin nxitimthi sepse e dija që për tim atë familja ishte gjithçka. Ai ishte jetim, biri i një fshatari që kishte lindur në Gorishovë, por për shkak të vdekjes së parakohshme të nënës kur ishte çilimi, 4 vjeç dhe rimartesës së të atit vendosi të largohej në Hekal, duke u rritur nga dajallarët e tij. Njerka, njëlloj si te gojëdhënat e lashta të shqiptarëve dhe atij do t’i tjetërsohej në gogol. Mendoj, se për shkak të përvojës së tij të hidhur, ai e quante familjen gjënë më të vyer. Një faktor më shumë për ta dashur dhe respektuar tim atë. Përveç meritave të tij personale ishte: njeri i fortë, i guximshëm, muhabetçi, autoritar, i mbyllur; një komandant që çdo gjë e organizonte suksesshëm. E kaluara e tij rrihte si një çekan i fortë mbi të. Gjithnjë më ka bërë përshtypje fakti se ai u largua nga i ati dhe nuk foli kurrë me të në gjallje, siç nuk u kthye në fshatin e tij të lindjes, derisa ai vdiq. Ganiu (im atë) e donte shumë punën dhe nëse kam ngrënë ndonjë dackë prej tij, e kam ngrënë pikërisht për çështjen në fjalë. Që adoleshent ai do rropatej në kazanët e serës në Selenicë dhe më pas do aktivizohej me luftën, në njësitet guerile. Do ishin shokët e tij të luftës, që do bëheshin njerëzit më të afërt për të, aq sa unë i kujtoj me përpikëri: Hazbi Lamçja, Baftjar Jonuzi, Ahmet Beshaj, Ismail Dino, Vangjel Leskoviku, që u hidhte dhe fall, Gjysho Lulaj e Mane Sinani nga Kreshpani. Më kujtohet herë pas here, që më përkëdhelte kokën me dorën e tij të fortë dhe ndërsa e bënte këtë ledhatim do më jepte dhe pak edukatë gratis. Ishte në natyrën e burrave të zonës ta bënin këtë në një mënyrë krejt të natyrshme sikur me ato fjalë të të transmetonin gjithë mençurinë e botës. Kur vdiq i ati, ai u kthye në shtëpinë e tij në Gorishovë, bashkë me një vajzë halle, dhe ajo jetime. U kthyen në konakun e tyre, në një vatër ku qaheshin hallet e gjithë fshatit. Kur kjo e fundit u martua, mendoi dhe për vëllanë e lidhur për shpirt dhe i gjeti si grua një vajzë tjetër jetime. Bënë një dasmë të vogël në shtëpinë me gardhishte me baltë, ku ishte ngritur në këmbë vetëm një dhomë, një korridor dhe një kuzhinë e cila dallohej prej së largu se ishte një shtëpi modeste që e klasifikonte tim atë te fukarenjtë e fshatit. “17-të, ditë e enjte, vjeshtë e mesme 1940”, është shkruar në sepeten e nënës sime dhe kjo datë është fiksuar sakaq në mendjen time si data e artë e martesës së tyre. Si njeriu që kish përjetuar një fëmijëri të hidhur, të rritur nëpër dyert e botës, im atë do të besonte shumë te familja e tij dhe, gjithë dashurinë e tij të cunguar do dinte ta përcillte në familjen e krijuar me shumë dëshirë dhe vullnet. Një format të cilin e gjej ende shumë të fortë te vëllezërit e mi dhe te modelet familjare që ne ndërtuam në jetën tonë. Të gjithë vëllezërit kanë ndjekur shembullin e tij, në mënyrë të padiskutueshme dhe kanë qenë të suksesshëm. Komunikimi ishte arma më e fortë e jona dhe vëllazëria. Kemi qenë të lidhur shumë ngushtë me njëri-tjetrin e babai dhe pse ka vdekur, ka mbetur përsëri njeriu i fuqishëm që na udhëheq në problemet familjare që ne kemi sot, pavarësisht se mungon fizikisht. Me urtësinë e tij, mënyrën si i diskutonte gjërat, pa e ngritur zërin, por duke u ballafaquar guximshëm dhe me njerëzit më të mençur, ai për mua ka qenë një shkollë më vete, ndoshta shkolla më e madhe e jetës sime.
Çka sundonte në familjen tonë ishte respekti dhe toleranca. Një lloj hierarkie natyrale, që te ne fëmijët, transmetohej ëmbëlsisht nga mëma. Një grua e mençur, punëtore, e dhënë pas familjes dhe e përkushtuar pas saj deri në madhështi. Sot e kësaj dite më kujtohen gatimet e saja, mënyra si i tollte byreqet, si fluturonte te bagëtitë, si pastronte shtëpinë dhe sajonte gjithçka. Një bletë punëtore. Gjatë kohës kur unë rritesha, rrallë më ndodhte që të gjente kohë për të më përkëdhelur, sepse punët e fshatit nuk të linin shumë tangërllëqe të tilla, por e mbaj mend buzët e saja tek na ceknin në gjumë, ndërsa shtriheshim nëpër mindere, tek endej natën për të kontrolluar nëse i kishim akoma shtrojat mbi trup dhe kur thurte trikot tona deri në të gdhirë, strukur në një qoshe të shtëpisë. Nuk e di sa orë flinte ajo grua. Asnjëherë nuk e kam kuptuar se ku e gjente gjithë atë forcë dhe energji për të çuar përpara familjen e saj, me vështirësitë e mëdha të fshatit dhe mungesat që shoqëronin jetën tonë të përditshme.
Një jetë me trasta në krahë
Jam bërë i madh për të kuptuar gjithçka në periudhën e pasçlirimit. Për kontributet e tij në luftë, babanë do e thërrisnin të ishte pjesë e policisë së zonës. Vetëm në vitin 1946, me Reformën Agrare, do i jepnin të drejtën të kthehej në shtëpinë e tij, pasi gjatë luftës beu ia kishte rrëmbyer atë. Ka qenë i dhimbshëm fakti se si gjatë luftës me trasta në krahë tim atë e përzunë nga shtëpia e tij, për shkakun e vetëm se po kontribuonte me rininë e tij që t’i sillte vatanit lirinë. Bashkë me disa fshatarë ndërtuam një shtëpi me baltë e kallamishte përgjatë një rrëpire, afër pyllit ku jetuam për pak vite gjatë luftës. Një shtëpi, që me të vërtetë më rrëqeth kur e kujtoj. Aty kam kaluar vitet e para të fëmijërisë, të mirëseardhjes sime në jetë. Nuk e di nëse jam ndjerë ndonjëherë fajtor pse isha aq i varfër edhe pse koha ishte e tillë, ku problem ishte sigurimi i bukës së gojës dhe nuk kishte shumë pikëpyetje, apo krahasime me të tjerët. Shtëpia jonë, që me fitimin e luftës ia morëm beut, përmblidhte 3-4 dynymë tokë, ishte e stolisur me rrush, bajame, shegë, mana dhe caracë të cilët në gjuhën vendase i quanin goxhamisha. Të gjitha rrethinat ishin të veshura me hardhi rrushi të bardhë, serinë eregjel dhe rrush korith. Kishim një lopë të cilën e mbanin sa për qumësht. Më kujtohet se në ato vite te stallat e beut u strehuan dhe ca muhaxhirë, që kishin ardhur nga Tepelena. Njëri prej tyre ka qenë Ali Bënça ose Ali Lazja. Ai ishte një nga figurat e shquara të naftës. Po në atë shtëpi ka jetuar edhe violinisti i talentuar Et’hem Qerimi. Kam kaluar dy-tri vite fëmijërie me Et’hemin në atë vend. Mjeshtëria, talenti dhe eleganca e tij si violinist më kanë mbetur në mendje. Kur u bë reforma, në tokën tonë ishin ngritur edhe disa stalla ku beu mbante lopët në atë kohë dhe ato mbetën ashtu siç ishin. Ish hapur një pus në cep të shtëpisë të cilin e vumë në funksionim shumë vite më pas. Fillimisht merrnim ujë në pusin e Beshajt dhe më kujtohet se shpeshherë e ngarkonim në kuaj ose mushka, një punë që të nxirrte djersët çurg e që shumë herë kënaqeshim kur si detyrë i ngarkohej vëllamit tjetër. Nga viti 1946 im atë shkoi në një kurs 1 vjeçar të policisë në Tiranë. U kualifikua si oficer dhe e emëruan në Patos. Përkohësisht do vendoseshim në një fshat afër tij, në Rrerës. Mbaj mend si nëpër ëndërr shpërnguljen me një karvan 8 kuajsh dhe që na ka shoqëruar një fshatar deri në qafën e Rrerësit, ku im atë kishte marrë një dhomë me qira në shtëpinë e Rrapo Agos. Kujtoj si vegim të largët, por të paharruar, se Rrapoja kishte një nënë që e quanin Hyrije. Një grua zemërflori. U stabilizuam aty dhe, duke qenë se isha në moshë fillova shkollën te xhamia e Rrerësit. Në atë kohë familja ime përbëhej nga babai, nëna dhe tre vëllezër. Asqeriu sa kishte lindur dhe Mit’hati ishte dy-tre vjeç. Isha në moshën kur hapej një dritë e re për mua: shkolla. Në fshatin Rrerës, xhamisë i kishin marrë një dhomë dhe e kishin sajuar si mësonjëtore. Kam bërë klasën e parë aty dhe kam pasur disa moshatarë të mitë si Sherif Brokën, Antoneta Nikolla (Papa) Ferik Kasa, Lefter Sinani, Dashamir Hajne, Xhevat Ademi të cilët u bënë shokët e klasës sime të parë. Ndërtesa, për fat, ndodhej vetëm 200 metra larg nga shtëpia dhe ky mund të konsiderohej fat për kohën e atëhershme, duke menduar se rrugët në raste shiu ktheheshin në këneta. Mirëpo për të arritur te shkolla më duhej të rrugëtoja afër një vendi të shenjtë, një shkëmb ku njerëzit ndiznin kandila me vaj, se në atë kohë nuk kishte qiri. Aty gratë faleshin dhe njerëzit besonin se ishte vend i bekuar. Në ag, ndalnin plakat e luteshin me ato fytyrat e tyre të rrudhura dhe të rreshkura nga vitet, në drekë, ndalnin gratë e reja me ato futat e tyre shpeshherë të rreckosura dhe pasditeve, burrat me kostume ngjitur pas trupit, këmishët e lëtyrta dhe kasketat e shtypura pas kokës. Të gjithë hidhnin lekë atje. Mbaj mend se një ditë, një moshatari im më shtiu në mendje të rrëmbenim ndonjë monedhë fshehurazi për të blerë sheqerka. Më kujtohet si tani se e kundërshtova tërë bindje. Vetëm ideja se mund të bëhesha hajdut, më drithëronte gjymtyrët. Babai na edukonte që të shihnim punën tonë, të lodheshim shumë, të derdhnim djersë dhe kurrë të mos merrnim gjënë e tjetrit. Por miqtë, kur je në një moshë delikate të qorrollepsin mendjen. Dhe unë, 7 vjeçar, me dëshirën e gjithë fëmijëve për të poseduar para, u marrosa nga ky ves. Rrëmbyem nga një monedhë dhe pasi e futëm fshehtazi në xhep vajtëm në shkollë. Çoç na u duk, ama. E mbaj mend shokun tim që u ngrefos si gjel deti ndërsa unë si gjel kokoshi. Ngrefosje që na doli nga hundët sepse kur u kthyem nga shkolla na priste aty si pincë kujdestari i vakëfit të cilit ndokush i kishte spiunuar për dy çunat e vegjël që kishin përvetësuar lekët e vakëfit. Me fytyrën e tij si qeramikë e papjekur, me gishtin tregues të shtrembëruar nga dobësia dhe disa pufka kalloje dhe me fjalorin e tij të mallkimit na tmerroi, aq sa ika duke u dridhur në shtëpi. Më çaleshin këmbët dhe tani, kur e kujtoj tmerrin e të dridhurat që kam pasur, më kap një shtrëngim në zemër. I kallëzova prindërve për Salon dhe kur i hapa barkun se ç’kisha bërë, ata më detyruan të kthehesha menjëherë të dorëzoja lekët, pasi t’i kisha kërkuar falje. Pleqtë, që ishin të pranishëm dhe më dëgjuan, pëshpëritën nën zë se kisha bërë gjynah të madh, duke më frikësuar me shprehjet se vakëfi të ngrin dhe të tjetërson si njeri. Unë isha kërthinjë dhe me atë botën time imagjinoja kushedi se çfarë transformimi do pësoja. Dru, gur, kërcidhe. Kafshë brejtëse. Çfarëdolloj dreq transformimi kam imagjinuar në atë çast. Fjalët e atyre pleqve, aq shumë kanë ndikuar tek unë sa mund t’ju them se, ndonëse e mbaja veten për djalosh trim dhe të prapë, çdo ditë pas atij vendimi të mallkuar për të futur një monedhë në xhep, tmerrohesha kur kaloja në atë copë rrugicë. Më telikoseshin këmbët çdo herë dhe gati sa nuk më shpëtonte shurra mbi pantallona. Frikë të cilën e kuptuan edhe prindërit e mi dhe që prej asaj dite më shoqëronte nëna deri sa dilja përtej vakëfit.
Por pavarësisht kësaj ndodhie që më lidh me fshatin e Rrerësit, mendoj se ai ka qenë një vend ku unë kam njohur për herë të parë shkollën. Ndonëse fëmijët shpeshherë e shohin si pengesë disiplinimin që të jep ky institucion, për më tepër ne fshatarët që harboheshim në lodra pa fund, në shkollë nisëm të mësonim gjëra të reja. Gjëra të cilat shkonin përtej fshatit tim, historive, bëmave, përtej Patosit që në atë kohë më dukej si qyteti më i madh, më i bukur dhe më gjiganti në botë. Shkolla ishte çelësi që do të më bënte të udhëtoja me fantazinë time, që të mund të deshifroja një libër dhe të njihja historinë e botës së pafundme. Mund t’ju them se, në kohën kur unë kam shkuar në shkollë, ishin vitet e para të pasçlirimit. Vite ku fjala rindërtim ishte në majë të gjuhës dhe ku pjesa më e madhe e njerëzve akoma nuk e kishin marrë veten nga lufta. Për brezin tim të shkonte në shkollë ishte luks edhe pse unë nuk mbaja në dorë një çantë me libra siç e kanë të gjithë fëmijët e klasës së parë sot. Kisha vetëm një dërrasë të zezë ku shkruaja me shkumës të cilën e merrja gjithnjë me vete, të mbrojtur nga një këllëf prej lecke që më lehtësonte transportin e saj. Ajo për mua ishte dhe fletore dhe çantë dhe libër. Në atë kohë nxënësit nuk përdornin as penë dhe as bojë. Me shkumësa bënim kërrabat, shkronjat ose veprimet dhe më pas i fshihnim me fshirëse lecke.
Por, edhe pse në kushte të vështira dhe me shumë mungesa, kureshtja më shtynte ta kisha qejf atë gjë të re e cila po hynte në jetën time dhe quhej shkollë. Kam pasur mësuese një grua mbi 40 vjeçe e cila e kishte emrin Gjenovefa, që për vetë faktin se ndenja pak me të, sot nuk arrij dot ta përcaktoj se ç’mësuese ishte.
“Kapanonet e Zeza”
Kur babai na kallëzoi se duhet të largoheshim përsëri, keqardhja mbretëroi në jetën tonë. Në fshatin Rrerës u miqësuam me fqinjët tanë dhe mbi të gjitha, me moshatarët e mi. Por keqardhja ishte vetëm faza fillestare që më pas u përmbys nga kurioziteti. Patosi në atë kohë ishte me të vërtet një qytet shumë i zhvilluar. Duke qenë një vend nafte, aty kishte shumë specialistë nafte italianë dhe rusë të cilët përbënin për atë kohë zonën e Bllokut të qytetit. Ndonëse ishte e ndaluar të kopjoheshin, të huajt ishin atëherë ikonat e fëmijërisë sonë dhe pse shpeshherë ne çuditeshim nga mënyra si mbanin flokët, si visheshin, si silleshin dhe ç’jetë kryenin. Veprime, që shumë herë, ishin objekt bisede dhe në vitet e mëvonshme kur do ishim të rinj dhe më të interesuar për këto çështje.
U vendosëm në disa shtëpi që i quanin “Kapanonet e Zeza”. Ato ishin ndërtesa të mbuluara sipër mbi çati me letër katërma. Kapanonet ishin dy rendëshe njëra me pamjen nga rruga dhe mbi ato ndërtesa gjatoshe, që të kujtonin vetëm depo ushtrie, ishin vendosur vilat. Kohë më parë, aty banonin italianët dhe me arratinë e tyre u vendosën specialistët sovjetikë të naftës. Mbaj mend si nëpër ëndërr edhe shpërnguljen e specialistëve italianë që punonin për naftën në Patos.
Sigurisht, që bashkë me familjen tonë, u vendosën aty dhe shumë familje të tjera ushtarakësh. Siç ishte zakon atëherë, çdonjëri prej tyre do ishte i pajisur nga një tufë kalamaqër, sepse në atë kohë lindnin shumë fëmijë. Ishin vrarë shumë bijë nënash në luftën për liri dhe atdheu kishte nevojë për rigjenerim. Ndaj dhe u bëmë mjaftueshëm për të furnizuar një klasë.
Në shkollën e Kapanonit kishim mësuese Areti Papën (Nito), një vajzë trupvogël që shkumësin e prekte me shumë delikatesë dhe shndrinte nga pastërtia. Më kujtohet se shpjegonte shumë mirë dhe ishte shumë e dashur me fëmijët. Shija e saj femërore më joshte jashtë mase dhe me afinitetin që kishte si femër të detyronte të ishe i vëmendshëm. Ndoshta ishte femra e parë që ne djemve na bëri të ëndërronim për modelin e një femre në jetën tonë të mëvonshme. Por ndërsa shkolla më pëlqente, gjithashtu dhe mësimi, nuk mund të mos përmend faktin që ishte dhe një vend argëtimi i hatashëm. Kisha aftësinë t’i mblidhja shokët rreth vetes sepse isha i lëvizshëm dhe trim. Koha në të cilën jetoja unë ishte e vështirë se nuk kishte parqe lodrash. Ato mundoheshim t’i sajonim vetë e të bëheshim shkencëtarë prej hallit. Rrëshqitësen që shumë prej fëmijëve e kanë lodër të zakonshme në parkun e tyre në Tiranë ne e kishim krijuar me mjete rrethanore. Si? Ndodhej një pjerrësirë aty te shkolla. Ne i derdhnim ujë nga sipër dhe rrëshqisnim me thembër deri poshtë, duke u mbuluar kokë e këmbë nga balta. Ishim të lumtur e të kënaqur nga kjo lojë dhe pse kushtet rrethanore na detyronin të ktheheshim në jevgjitër e po të na shihje, na xixëllonin vetëm sytë plot xhixha.
“Po ç’je katandisur kështu more mistrec!”, bubullinte nëna nga pas, duke më qortuar me gjithë fjalorin e grave të kohës kur kthehesha në shtëpi. Fjalor ku ishte normale të shpëlaheshe nga mortja, nga marrja e dreqit, nga hapja e gropave e kushedi e sa të tjera. Kishte të drejtë. I duhej të kalonte rrobat në govatë, për më tepër, që në atë kohë veshjet ishin aq të pakta dhe sapunët ishin të shtrenjtë, për më tepër që nuk gjendeshin kollaj. Mospërfillja e moshës më shtynte që të nesërmen t’i harroja qortimet e nënës dhe mendja të më prodhonte lojëra të tjera akoma më të rrezikshme.
Pranë kapanoneve ku ne jetonim, ndodhej ndërmarrja “Rruga Ura”, me punëtorët që përkujdeseshin për sheshet e puseve. Në orën 3 pasdite, ata linin punën. E mbaj mend si tani fishkëllimën e gjatë dhe çjerrëse që më ngjethte mishtë fillimisht, se nuk isha mësuar, por që më pas, për nevojat e ditës nisëm ta përdornim si kambanën e qytetit. Në orën 6 lajmëronte punëtorët, në 7 zyrtarët, në orën 14 punëtorët kur linin punën dhe në orën 15 binte sirena përfundimtare e administratës. Mbusheshin udhët e Patosit me vargje punëtorësh, veshur me kostume gri të mbushura me njolla të murrme që me ikjen e tyre linin pas vetes shumë gropa kur bënin bazamentet e puseve. Si dhe disa vagonë të ndryshkur me të cilët transportohej dheu i puseve. Atëherë merrnin udhë fantazitë tona dhe mjetet e tyre të punës ne i shfrytëzonim për nevojat tona. Mblidhnim vagonët e braktisur dhe pasi u mbulonim vrimat e bulonave me baltë argjile kërkonim të lundronim me to në gropat e mbushura me ujë. Gjatë lundrimit arrinim deri te mesi i gropave, sepse një të shpuar që bënin ato, ngaqë balta shkrihej dhe mbusheshin tumllas me ujë. Përsëri shkonim qull në shtëpi. Mbaj mend njëherë, që më kërkoi llogari babai: “Ku je qullur kështu ti? Sot dielli shkëlqente shtatë pashë!” E dija që mund t’i ishte ankuar nëna, sepse e kisha përsëritur disa herë radhazi, ndaj sajova shpejt e shpejt se kaluam nga ullinjtë dhe rashë në një grope me ujë. Ai sigurisht nuk e besoi rrengun tim, ndoshta sepse kisha ulur sytë në tokë, isha skuqur. Mendoj se asnjëherë në jetën time nuk e kam përdorur lojën si aktor se kam qenë i drejtë. Ai më futi një pëllëmbë dhe unë i përmenda gjithë emrat e shokëve me të cilët kisha lozur dhe ç’kishim bërë. Kështu që më doli dhe e fshehta e lojës te gropat e ndërmarrjes. Babai u tmerrua sepse në ato gropa përflitej se ishin mbytur fëmijë. Qortimet dhe urdhrat e prera të tim ati më bënë ta braktisja atë lloj loje, por unë nuk lija kusur dhe bashkë me miqtë e mi vendosëm të eksploronim ofiçinën e Centralit dhe të Mazarentit. Nisëm të gjenim hekurishte, rrotulla dhe të sajonim lodra nga më të pamenduarat. Ishte koha kur energjitë i kishim të pashtershme dhe duhej medoemos që të hapnim shtigje për t’i derdhur nga vetja.
Një vjershë për Stalinin
Isha fëmijë i hedhur, i shkathët, por dhe me mësime kam qenë mirë. Me vajzat të cilat bënin si komandante e kisha keq punën. Nga koha e fillores më janë skalitur ca shenja nëpër trup. Njërën e mbaj mend shumë mirë. Në kohën e pushimit vajzat vizatonin ca katërkëndësha me një kryq në mes dhe me një pllakë guri hidheshin nga njëri kuadrat te tjetri. Ajo që e nxirrte petën jashtë kuadratit pa e vënë këmbën në tokë bëhej fituesja. Realizonin dhe një lojë tjetër, që quhej shtëpi me bukagjella, ku vizatohej një shtëpi, sajoheshin pak orendi dhe vajzat bënin si amvisa. Si fëmijë trazovaç që isha u hodha njëherë papritur në mes të lojës. Vajza më e madhe, që luante rolin e nënëmadhes, më dha një të shtyrë te cepi i murit, që rastësisht qëlloi gur i thepisur e m’u gdhend një shenjë e mirë në kokë. Më rrodhi gjaku vu dhe për fat ma pushoi një plak, duke ma presuar me duhan të grirë. Vazhdoj ta kem edhe sot e kësaj dite një vizë të gdhendur mbi ballë. Prindërit nuk e vranë shumë mendjen kur më panë të lyer me gjak, madje më thanë: “Mirë ta bëri, se i ke ngacmuar vetë.” Plagën ma qepi infermierja e Patosit, Neta. Ndenja një javë pa shkuar në shkollë dhe ajo që më vinte më shumë keq ishte, jo se isha vrarë dhe do më mbetej një shenjë për gjithë jetën, por se si ajo feçka mendjemadhe më kishte shtyrë me paturpësinë më të madhe, duke shitur mend se kishte pasur të drejtë. U bë ajo! Gjatë asaj kohe më rrëmbente inati dhe ndonjëherë doja t’ia shkulja flokët e t’ia jepja në dorë! Por ndonëse më vinte inat, në jetë nuk kam qenë hakmarrës. Kam qenë njeri që i kam dashur të tjerët dhe jam munduar t’i kuptoj dhe në mendjemadhësinë dhe kapriçot e tyre.
Si rrjedhim i rezultateve në shkollë, në fund të vitit u zgjodha fatos i dalluar dhe u caktova të përfaqësoja klasën time në klubin e Qafës ku organizoheshin koncertet e fundvitit. Aty më mbeti në mendje regjisori i parë, Ndrek Beltoja, që kishte një palë gjyzlykë, një hundë butaforike dhe një palë mustaqe të ngjitura bashkë dhe sa i vinte ato luante me kitarë dhe këndonte parodi. Mësuesja më caktoi të recitoja një vjershë për Vitin e Ri. Sigurisht, programi shkollor nuk lejonte që ti të lexoje, por, duke qenë nxënës i shkathët vjershën ma mësoi mësuesja. Ishte një vjershë për Stalinin të cilën e recitova në rusisht. Interpretimi im i parë, mbaj mend, që u prit me shumë duartrokitje. Si dhuratë më dhanë një kovë. Kova kishte të vizatuar anash një fytyrë butaforike dhe ishte mbushur plot me portokaj. M’u duk një dhuratë shumë e madhe dhe e paparë. E ku ishim mësuar ne fëmijët me dhurata të tilla?! Mund të them se jam lëvduar shumë me atë kovë përpara miqve dhe të afërmve. Në atë koncert më spikati Ndreka dhe i tha mësueses që të më regjistronte në rrethin e fëmijëve sepse kisha prirje aktrimi. Ndrek Beltoja me këtë këshillë, por mbi të gjitha me karizmin e tij, do të bëhej njeriu më i dashur i jetës sime. Regjisori i parë me të cilin kam pasur fatin e madh të takohem e të punoj. Një njeri të cilit i kam shumë borxhe artistike. E kam përmendur disa herë, deri tani, zhvillimin e Patosit. Është e vërtetë se ka qenë kështu. Në Patos ka pasur një vëmendje shumë të veçantë ndaj artit sepse ishin specialistët e huaj. Plus ishte koha që shteti i kushtonte vëmendje shkollave dhe një vëmendje të veçantë, argëtimit. Ajo që ishte dhe pjesa më interesante e kësaj qyteze naftëtarësh ishte kinemaja e qytetit që shpejt u bë vendi im më i preferuar. I rehatuar në një poltronë dhe para teje ndodhte një ngjarje me njerëz të vërtetë, që vraponin, jetonin, këndonin, qanin e mallkonin, duke të pasuruar shpirtin me diçka të jashtëzakonshme. Aty servirej jeta si një përrallë. U dashurova si i çmendur pas kinemasë. Por isha i vogël dhe nuk kisha mundësi financiare për të ndjekur gjithë filmat që doja, ndaj shpesh më është dashur të hyj tinëz. Më kujtohet se përpiqesha gjithë natën të gjeja ndonjë strategji të veçantë për t’u fshehur poshtë poltronave nga operatori dhe vetëm kur të fikeshin dritat të dilja për të shijuar çastet e mrekullueshme të filmit. Por jo gjithnjë ia dilja mbanë. Përgjegjësi i kinemasë ishte një operator, i quajtur Dhimo Vrushi dhe, Dhimua ishte një njeri shumë i rreptë. Nuk i afronte fare fëmijët. Shpesh detyroheshim të hynin nga dritarja e shkollës, meqë kinemaja ishte pranë murit të saj. Mbaj mend se njëherë kam hyrë nga dritarja për të parë filmin “Lulja e Zambakut” dhe më ka rrahur paq sa ta mbaj mend. Atë ditë bëra shurrën në pantallona. Isha vetëm 8 vjeç.
Por ndonëse u frikësova, kinemanë nuk e braktisa kurrë. Nuk mund të them se ishte si ndodhia e një viti më parë kur unë rrezikova të kisha shenjtët kundra vetes. Kur e mendoj sot atë dëshirë fëminore më duket e çuditshme. Por më e çuditshme më duket dalldia e Dhimos. Të bësh të vdekur një fëmijë sepse ka kërkuar të shohë një film. Kohërat kur jam rritur unë ishin të vështira dhe për sa i përket marrëdhënieve të mitur-të rritur. Të rriturit të rrihnin paq menjëherë sa t’i shkelje një rregull. Për ta ligji ishte mbi gjithçka, le më pastaj të flasim për argumentin e marrëdhënieve mësues-nxënës. Në kohën time, mësuesit të dërgonin te lofatat, të porosisnin të këputje një degë, ta qëroje dhe t’ia dorëzoje atij. Më kujtohet se mësues Niko më ka goditur për herë të parë me thupër sepse nuk rrija urtë dhe ngacmoja shokët e klasës.
Por ne ishim mësuar me këtë lloj “diktature” ndaj mendoj se mësuesit kanë qenë shumë të mirë siç i mendoj me mendjen e sotme për sa i përket përgatitjes së tyre. Le të ishe sa të duash i pavëmendshëm, por forma se si shpjegonte mësuese Aretia të bënte të vëmendshëm se s’bën. Patjetër që me kalimin e kohës i kam vlerësuar shumë raportet e mia me mësuesit. Zakonisht mësimi merrej me shumë seriozitet dhe sot, kur mendoj se nxënësit venë në shkollë me një mungesë të theksuar serioziteti, e vras shumë mendjen për të ardhmen e brezit të nesërm shqiptar.
Ndjesia e kundërshtisë
Në fund të vitit 1952 u shpërngulëm nga Patosi sepse im atë u transferua përsëri. Ndenjëm pak kohë në Vlorë dhe më pas babanë e caktuan në një postë kufiri në Seman të Fierit, në bregdet. Isha fëmijë dhe ishte normale që pushtohesha nga ndjesia e kundërshtisë. Ishte gati-gati rebeleske mënyra se si unë reagoja kur tim ati do i vinte një transferim i ri. Bërtisja, qaja dhe e kam parasysh dhe tani fytyrën time të ngrysur, një mënyrë që kur më vjen ndërmend më kujton gjithnjë kruspullosjen e vetullave të babait tim, një ndërthurje degësh në vjeshtë. Kisha të drejtë. Mësohesha me një vend, me shokët e mi, ambientin përreth dhe më dukej se gjithçka do ndryshonte. Dhe pse, realisht, nuk e kam pasur aq të zorshme përshtatjen. Ai ishte oficer dhe në atë kohë duhet t’i bindeshe se s’bën urdhrave të partisë! Na caktuan të jetonim në shtëpinë e Gori Dhimës. Gori ishte një motorist i cili punonte në makinën e miellit, ishte njeriu më me influencë dhe më i kamur i zonës. Ne ishim katër fëmijë dhe ishim bërë një familje me 6 veta. Na futi Këshilli në mënyrë të dhunshme në shtëpinë e këtij të fundit se më parë kishin caktuar një familje tjetër tek ai dhe, për shkak të kontradiktave me ta, ai i kishte marrë zët familjet e oficerëve. Mirëpo ishte urdhër dhe urdhrat e partisë në kohën në të cilën jetonim duheshin zbatuar medoemos. Më kujtohet që nëna ime i fliste çdo ditë zonjës së shtëpisë: “Mirëmëngjesi!”, “Mirëmbrëma!” Ajo nuk denjonte t’i kthente përgjigje. U desh pak kohë që ata ta kuptonin se ç’familje ishim dhe të afroheshin vetë. Mendoj se arsyet kryesore ishin këto që do rendis më poshtë. U afruan me ne sepse nëna ime gjeti gjuhën e përbashkët të amvisërisë. Fqinja u bë kureshtare për sa i përket gatimeve të brumërave me të cilat nëna ime ishte zanatçije e paarritshme. I dridhte petët e byrekut kaq hollë sa bëheshin të tejdukshme dhe ndonjëherë fshehurazi, me kureshtinë time prej fëmije, unë i hapja me duar dhe ajo fije e hollë mielli dhe uji ngjanin me një cergë të bardhë, që ndonjëherë rrëmujshëm më ngjitej në fytyrë si harta çamçakëzi nga nxitimi për ta vënë në vend. Zonja e shtëpisë i afrohej nënës sime t’i vidhte zanatin. Por pati dhe një faktor tjetër që e shtrëngoi më shumë miqësinë mes familjeve tona. Mbaj mend, që kur ne shkuam me pushime në fshat, njëri prej fëmijëve të Gorit, Kristaqi, fëmijë goxha trazovaç, zvirdhet në dhomë nga dritarja. Për shkak të profesionit, babai ruante në një sepete në dhomë automatikë dhe rreth 300 e ca fishekë sepse ushtarakët ishin në gatishmëri. Ne e dinim se ai kishte armë dhe fishekë, por nuk i preknim kurrë. Kristaqi, pasi mori fishekët shkoi në fushë, mblodhi kashtë, i vuri në mes të kërthinjave dhe më pas kalli luftën botërore të Semanit. U fsheh pas shkrepave për t’iu gëzuar zjarrit dhe shkreptimave. Imagjinoni çfarë qameti u bë, në atë vend që cilësohej si zonë ushtarake, për shkak të afërsisë me detin dhe pyllin, zonë e vigjiluar 24 orë në 24 për shkak të arratisjes së diversantëve. U shkaktua një alarm kaq i rëndë në zonë sa erdhën njerëz të lajmërojnë babanë tim në fshat. Ai u nis urgjentisht në Seman dhe gjeti këshillin e fshatit të zemëruar. Kishin izoluar të atin, duke e detyruar që të paguante fajin e të birit, duke e klasifikuar edhe si kulak. Im atë, pasi foli mirë për Gorin, e liroi dhe mendoi t’i zëvendësonte ata fishekë me të tjerë. Ky gjest unifikoi dy familjet tona. Shkoi miqësia deri aty sa çfarë hahej në familjen tonë, hahej edhe në shtëpinë e tyre. Duke përfituar nga kjo klimë miqësore, mua m’u dhurua një biçikletë. Djali i madh i Gorit, Uani, kishte një biçikletë italiane “Bianka” së cilës i ishin ngrënë fare gomat. Nuk kishte gomist në atë zonë ndaj diskun ia mbushnim me letra të lidhura dhe mblidheshim një tufë kalamajsh pas saj, duke u përpjekur të rrinim mbi dyrrotësh në ato kushte, kur ishte tejet e vështirë mbajtja e ekuilibrit. Arritëm deri aty sa e copëtuam fare. Të mendosh që rrugët ishin të pashtruara, të mbushura me gropa dhe me një pluhur verdhash, duket gati-gati e pamundur të marrësh leksionet e para të biçikletës. Por vështirësitë ia shtojnë bukuritë një qëllimi që i ke vënë vetes.
Peripecitë më të mëdha të asaj periudhe janë lidhur edhe me shkollën, që e kisha një orë e gjysmë larg dhe rruga kalonte mes për mes Lumit të Vjetër, “Lumit të vdekur” të Jakov Xoxës. Në dimër nuk kishte rrugë dhe balta arrinte deri në gju. Babai im i kishte mundësinë të më blinte çizme, por për shkak të llucës, baltoseshin dhe mbusheshin me ujë. Rruga kthehej në kënetë dhe unë isha i detyruar të shkoja në shkollë si gjithë fëmijët e tjerë, zbathur, me pantallona të përveshur deri në gju. Dimrat në ato zona ishin shumë të ashpër dhe mund të them se në këtë aspekt ka qenë një fëmijëri shumë e hidhur. Për t’u mbrojtur nga shiu, babai se ku kishte blerë në Vlorë një mushama për t’ia shtruar tavolinës. Ishte një mushama e bardhë me katrorë gri. Brenda ishte me push dhe jashtë me lustër. U detyrua nëna të ma sajojë si pelerinë që të mbrohesha nga shiu kur veja në shkollë. Ishte e gjatë dhe me krahë. Unë e vishja dhe dallohesha me të një kilometër larg si dhia mes dhenve, siç e kemi ne një shprehje. Vetëm unë kisha një pelerinë të tillë ndërsa nxënësit e tjerë qulleshin kokë e këmbë. Më kujtohet, që të gjithë më shihnin si të çuditur dhe për t’iu përafruar nivelit të tyre, e hiqja dhe bëhesha dhe unë ujë, si të gjithë vërsnikët e mi. Tek unë gjithnjë ka mbizotëruar kjo ndjenja kolektiviste, ndoshta sepse ishte pjesë e edukimit në familje, por edhe e kohës. Më dukej vetja si djali i beut dhe për mua, ky ishte një status i papërballueshëm. Nuk e ndieja veten mirë kur shikoja shokët e mi Prendi Shqepën, Themiun, Nasi Vojën, Lili Sollakun e shumë të tjerë, zbathur, vetëm me këmishë, në palcën e dimrit ndaj mora vendim të prerë: të mos e vishja më kurrë!
Mësimet i doja shumë. Por duke qenë tip i shkathët i mbaroja shpejt dhe më mbetej goxha kohë e lirë për të jetësuar fantazinë time. Në atë vend kishte shumë varfëri dhe nuk ushtrohej asnjë aktivitet jashtë klase. Gjithçka ishte vetëm përshtatje me mjedisin, me jetën baritore dhe të thjeshtë që bënin fshatarët. Në zonën e Semanit përdoreshin qerret për të nxjerrë dru nga pylli të cilat i shisnin në pazar. Shpesh i qepesha të zotit të shtëpisë. Dhe më vonë, kur u shpërngulëm në familjen e Vangjel Shqepës, me djalin e tij, Themiun, merrnim qerren dhe shkonim të bënim dru. Shpejt u bëra mjeshtër në ngarjen e karros me qè. Një zanat që kishte mjeshtërinë e vet sepse varej si duhet ta përdorje hostenin. Përveç druve isha kureshtar për çdo gjë që bëhej rreth e rrotull meje. Ndoshta xha Llazi e kishte studiuar mirë natyrën time, kur më caktoi mes gjithë fëmijëve të tjerë një detyrë: t’i zbusja kërriçin e gomarit dhe t’i mësoja paksa qytetari. “Merre një çik këtë kërriçin andej nga bregdeti dhe mësoje”, më tha ai dhe unë e mora seriozisht këtë detyrë. Të më shihnit me sa seriozitet e tërhiqja kërriçin në rërë, do habiteshit. Unë isha as sa gjysma e lartësisë së kërriçit, por kisha një forcë të jashtëzakonshme dhe një dëshirë të madhe për ta bërë kërriçin njeri. Më kujtohet si tani dëshira dhe besimi i madh që kisha ndërsa e tërhiqja 1 km e gjysmë derisa e çoja në rërë. I vija si samar shalën e kalit. Sa herë kam rënë nëpër ferra dhe çirresha gjak, nuk numërohen. Kushedi sa herë më tërbohej kërriçi, por aman, arrita ta zbus e t’i bëj shkollë. E lidhja pas një qerreje dhe, që ai të ecte revan, ia lidhja këmbën e parë dhe të prapme me një litar. Kështu që, deshi s’deshi, kërriçi u mësua të ecte revan. Dhe arrita ta urtësoj. Por nuk isha dhe aq trim i madh! Semani kishte shumë gardhe, shumë toka private të mbuluara me kufij dhe ishin disa shtigje, kapërcyell që të çonin shkurt nga njëra shtëpi në tjetrën. Njëherë kur u hodha në kapërcyell, gjeta një zvarranik, një gjarpër shigjetë. Ishte shumë i frikshëm, një nga ato lloje, që të lidhet përreth trupit dhe të fshikullon. Barkun e kishte të verdhë dhe sipër ishte kaltërosh. Ishte një çast i tmerrshëm për mua. Për fat nuk e kuptoi praninë time dhe ia hodha paq. Qe fat i madh që nuk më preku. Por, pas kësaj mora një frikë të jashtëzakonshme dhe nuk shkoja dot pa shoqërues. Kjo, sepse gjarpërinjtë ishin me shumicë në atë vend se kishte shumë pyje në ato vite dhe shpyllëzimet nëpër fusha nisën nga viti ‘56 e prapa. Por, m’u arratis shpejt frika e gjarprit vetëm se mësova të mos i kapërceja më gardhet.
Pushimet e verës në atë vend ishin të mrekullueshme dhe kishin shumë larmi. Më kujtohet që në verë e linim të gjithë si fshat dhe shkonim për ngjala dhe peshk. Në Seman, deti futej në breg dhe formonte disa hauze të vegjël, rezervuarë, ku ne kapnim ngjala dhe peshk. Përdornim një metodë shumë të veçantë, turbullonim ujin me rrahje duarsh, ngjalat vinin në sipërfaqe dhe pasi i kapnim, i hidhnim në breg. Kënaqësi ishte kur zije ngjala, sidomos në Kërrnicë, ku ndodhej një oaz deti i shkëlqyer. Më pas, ngjalat dhe peshkun e piqnim në prush dhe i hanim tërë neps. Kujtoj me nostalgji shokët e peshkimit Liu dhe Andre Monen, Kozma e Mina Sinanin, por komandant kishim Miti Loshin.
Gjatë atyre kohërave, ajo zonë ishte krejtësisht e pazhvilluar, e virgjër. Fshatarët e linin të kulloste bagëtinë pa barinj dhe kishte kope me buaj të egër, lopë dhe kuaj me duzina. Kur do krijohej ferma në Fier, atyre anëve erdhi një mjeshtër i quajtur Llaz Toska i cili, hipur mbi kalë futej në pyll dhe i nxirrte tufat e kafshëve të egra në shëllira. I ndiqte kaq shumë kuajt me vrap sa ata telikoseshin, binin në tokë dhe më pas i hidhte lakun. Ishte mjeshtër për të kapur dhe për të zbutur kafshët e egra. Mbaj mend, që shumë njerëz tregonin për historira me kafshë, dele të shqyera nga ujqërit e plot të tilla. Në shtëpinë e Semanit na erdhi një kushëri i nënës, pakëz i çakërdisur nga trutë, beqar, Koçi e quanin, e babai një ditë me shaka i tha të merrte ca çarqe dhe të zinte ndonjë ujk ose çakall. Një ditë të bukur ai erdhi i ngarkuar me nja 15 çarqe për të zënë kafshë të tilla. I vuri ato në rrugicat ku kalonin dhe njerëzit. Një ditë kur shkoi t’i kontrollonte, kishte zënë vërtet një çakall, por në një tjetër kishte kapur një lopë. I zoti kaloi atje me qerre dhe po mos ta kishte shkrehur qerrja çarkun, do prangoste atë. Babai e përzuri kushëririn pas kësaj ndodhie sepse nuk do bënte dava me fshatin. Mori lëkurën e çakallit Koçi dhe iku nga sytë këmbët. Mirëpo gjatë kohës që ndenji më kish marrë me vete dhe më mësoi të ngrija leqe dhe gracka dhe e mbyta gjithë pyllin me gracka të tilla. Zija mëllenja, shapka e shumë shpendë të tjerë. Le më pastaj, kur vinte koha e bostaneve, shalqinjve dhe pjeprave. Bëheshin të mëdhenj e të shijshëm aq sa dhe tani kur i kujtoj, më lëshon goja lëng. Ajo zonë ka qenë gjithnjë e përmendur për frute të tilla. Por, ndërsa ditët e Semanit ishin të paharrueshme, darkat ishin tmerr nga mushkonjat. Si të gjithë banorët e zonës edhe ne kishim gjetur një sajesë primitive. Digjnim bajga bagëtie në oborrin e shtëpisë. Në atë kohë flinim mbi krevate me hunj, që i mbulonim me napa. Këtë metodë përdornin edhe ushtarët e postës së kufirit.
Varfëria dhe ëndrra për shkollën
Një muzg vere, kur arrita në kuzhinë, im atë qe ulur mbi një stol në sallonin me çimento, pranë nënës. Unë dihatja nga rendja, ndërkohë që vëllai im i vogël jargavitej pranë derës.
- Ulu, pak bir!
- Çfarë ka ndodhur?
- Asgjë, mos u shqetëso!
- Kam bërë ndonjë faj?
- Jo. Jo. Dëgjo bir! Ti je djali i madh i shtëpisë dhe ke si detyrë të ndihmosh babanë si krahë pune. Kam biseduar me brigadierin dhe do nisësh të punosh te shpyllëzimi.
- Baba, ti e di se kam qejf të vazhdoj shkollën.
- E di, e di bir. Por e bën më vonë. Kemi nevojë për një krah më shumë. Kjo është detyrë!
Nga mënyra se si t’i impononte gjërat im atë, ula kokën dhe pohova. Nga viti 1956 ishim larguar nga Semani. Tim atë e zuri reforma e çmobilizimit të ushtarakëve, ligji 9000. E kishin caktuar nëndrejtor në fabrikën e orizit në Vlorë, por rrugës kishte takuar, kryetarin e kooperativës, Dano Feçorin i cili, gati-gati e kish urdhëruar të kthehej në fshatin e lindjes. Dano Feçori ishte si Kutuzovi, me një sy të mbyllur me një xham të zi, me një llastik që i perimetronte kokën. Ndonëse fshatçe ishin munduar të krijonin disa kushte ekonomike për babanë, duke i siguruar bonuse me vaj dhe drithë, familja jonë ishte shtuar në numër dhe kishte nevojë për një krahë më shumë. Pas punës si përgjegjës i Vatrës së Kulturës me zgjedhjet e reja, babanë, e kishin caktuar nënkryetar të kooperativës. Kështu, pa shijuar pushimet verore, që aq shumë më pëlqenin se hazdisesha nëpër çuka e pellgje, më duhej të punoja në nxjerrjen e kërcunjve. Kishin nisur shpyllëzimet dhe norma e një dite ishte nxjerrje e tetë kërcunjve. Një punë ku duhet t’i grahje kazmës me gjithë fuqinë. Duhet ta gërmoje thellë tokën sepse më pas në ato vende do kalonte traktori dhe rrënjët nëse nuk ishin nxjerrë mirë, zinxhirët prisheshin. Mbas ca kohësh më hoqën nga ajo punë dhe më çuan në një kaminë gëlqereje. Më pas më caktuan të bëja vandakë me shkurre. Duheshin bërë 40 vandakë për ditë pune, që i lidhnim me gjineshtër. Një tmerr i vërtetë!
Çdo ditë, luaja viktimën para nënës dhe babait sepse shpirti im e dinte se ç’hiqte. Nuk isha i prerë për punë bujqësie, unë. Brenda gjoksit fshihej diçka që qante dhe dëshpërohej më shumë se duart që më ishin mbushur me vraga dhe çuka kallosh. Ndonëse ditën e nisja me humor dhe energji, aty mes pyllit, që dita me ditë shkurtonte floknajën e saj të gjelbër, mendja më fluturonte tjetërkund. Nga Gorishova çdo ditë shihja moshatarët e mi, që largoheshin me një çantë në kurriz nëpër shkolla. U ziliqepsa shumë kur ikën dhe tre miqtë e mi të ngushtë dhe ruajta çastin kur babai ndenji për 15 ditë me shërbim në Korçë dhe sajova një rreng. Ndoshta më të guximshmin dhe të duhurin për të ardhmen time. Nëpërmjet shokëve arrita të gjej seksionin e arsimit në Fier. Dija se aty punonte një fshatar i yni, Teki Sadiku, një burrë i shkëlqyer, që më pas u bë “Mësues Populli”. E mashtrova atë pa teklif, duke i thënë se më kishte dërguar babai për t’më gjetur një shkollë. Ai më kërkoi dokumentet, që unë nuk i kisha. Duke hequr të paditurin, ai më sugjeroi shkollën elektrike të Kuçovës, ku nxënësve në atë shkollë u jepnin rroba për të veshur dhe një mijë lekë në muaj se bënin praktikën te puset e naftës. Vendosa menjëherë të studioja në shkollën elektrike. Më pëlqeu si shkollë, por mbi të gjitha më erdhi mirë për atë një mijë lekëshin. Bashkëfshatari më dha një letër dhe u nisa në Kuçovë vetëm me rekomandimin e Tekiut. Aty gjeta një nëndrejtor shkolle, të liruar nga aviacioni. Ishte mësuar me diktatin dhe pasi i dhashë letrën, ky i fundit më tha se rekomandimi nuk më pinte ujë. Shtrydha mendjen. M’u kujtua një shok i babait, që ishte caktuar kryetar dege në Kuçovë, me të cilin kishim qenë komshi. Gënjeva xhaxhi Hamdiun se më kishte dërguar babai të më ndihmonte për shkollën. Pasi i tregova ç’më kishte ndodhur, ai mori në telefon drejtorin e shkollës. Me ndihmën e tij u integrova mes një gjenerate nxënësish të cilët do vazhdonin shkollën elektrike. Ia dola! Nuk thotë kot populli: “Më mirë një mik se një çiflig…!”
Telegrami
Në klasë ishin 23 nxënës dhe unë rezultova i 24-ti. Isha 17 vjeç dhe isha harruar kaq shumë mbas gurgulesë së shkollës, sa kishin kaluar plot 8 ditë larg fshatit tim pa çuar asnjë lajm në familje. Të afërmit ishin vënë në alarm se nuk kishin dijeni se ku ndodhesha. U dërgova një telegram. “Jam shëndoshë e mirë. Jam regjistruar në shkollë.” Babai ia behu që të nesërmen të më gjente. E mbaj mend si tani fytyrën e tij të inatosur, vetullën e rrëzuar si pjergull mbi sy.
- Ma punove pas shpine!
- Baba, po të ndihmoi një mijë lekëshi i shkollës, jam i gatshëm të ta jap. - I shqiptova tërë turp dhe pse e dija shumë mirë se ishte një premtim bosh. Ato lekë ishin për kolinos e sapun, të domosdoshme për higjienën personale të çdo të riu. Kur i bëra atë fytyrën e mbushur tërë faj, me faqet që m’u skuqën nga turpi, ai s’e bëri më të gjatë dhe më dha lejen.
- Ki mendjen, të më nderosh! - Nxitoi ai të më jepte një këshillë që nuk e mbajta dot dhe aq gjatë. Ndonëse e kisha shumë qejf arsimimin isha në moshën e aventurave. Moshë, kur mendja të punon vetëm te qejfi dhe te lojërat. Një prej atyre ditëve kur fluturoi paksa qejfi dhe përkushtimi fillestar kushedi se çfarë i shkollës që ke fituar, i pëshpërita shokut të klasës të bënim një ndeshje andej nga fusha e sportit “Naftëtari”. Kaq u desh që flaka e dëshirës të shkreptinte dhe llafi të shpërndahej si rrufe vesh më vesh. Djemtë u bënë bashkë me njëri-tjetrin dhe lamë orën e mësimit. Me të arritur në fushë u rreshtuam dhe filluam lojën, dhjetë këndej e dhjetë andej, me një top futbolli në stadiumin e qytetit. Vetëm një nga nxënësit i cili çalonte, nuk luante. Ai ish ulur mbi fushën me bar e kundronte çalltisjen tonë nga një fushë në tjetrën. Kur ishim në kulmin e lojës, çalamani pikasi nëndrejtorin e konviktit i cili kish ndalur me një zis riportabël te dera e stadiumit që burbulliti si rrufe: “Aty qëndroni, mos lëvizni…!” Të gjithë u shpërndamë si laraska të trembura nga një guralec. Rrëmbyem nga një rrobë, ç’na kapi dora në gardh dhe ia mbathëm me të katra në shkollë. Lënia e mësimit ish marrë vesh nga të gjithë. Ishim pleksur në një telash të paparë. Nëndrejtori, një burrë i gjatë me nofull të zhvidhosur nga inati na rreshtoi si të burgosur para shkollës. I vuri gishtin tre të tjerëve, bashkë me mua, duke na lajmëruar se ishim të përjashtuar. Ndërkohë që të gjithëve iu kanos se atë ditë nuk kishte bukë për ne. Mund të ushqeheshim ku të donim. Nuk di ta përshkruaj me fjalë zemërimin që na pushtoi kur foli për perizën e detyruar. Na dogji më shumë se përjashtimi. Zorrët na grinin, por situata ishte fyese dhe poshtëruese. Atë pjesë të jetës sime gjithnjë e kam përngjasuar me jetimët e filmit “Lulëkuqet mbi mure”. Ashtu kokë ulur, me rrjetëzat e zhulit mbi fytyrë e qafë, kërkonim mirëkuptim. Shkuam të flinim pa ngrënë. Në orën 11-të të natës një të ngritur dhe shkuam te shtëpia e një pedagogu që ishte xhaxhai i Filip Çakulit, sekretar partie dhe një burrë shumë i mirë. Që të gjithë si klasë në oborrin e tij. I ramë derës. “Hë mo ç’keni?” - na priti ai me fjalorin e tij minoritar. I treguam se nëndrejtori i konviktit na kish lënë pa ushqim. I lamë të kuptonim se kishim bërë gabim që kishim ikur pa leje nga mësimi, por nuk meritonim të dënoheshim me agjërim të sforcuar. Pasi na bëri moralin e duhur, sekretari na urdhëroi të niseshim për në shkollë se do vinte ai. Por nëndrejtori kishte porositur rojën që të mos lejonte të futej asnjë nga klasa jonë. U mblodhëm me njëri-tjetrin para derës së hekurt dhe nisëm të këndonim këngën partizane: “Bashkohuni shokë me ne në çetë”. Bërtisnim dhe kërkonim ushqim. Sekretari i partisë na çoi në mensë, po nuk kishte asnjë kuzhinier. Rrëmbyem si të babëzitur bukë, marmelatë, gjalpë, i përlamë të gjitha. Në këtë kohë, arriti i nxehur nëndrejtori i shkollës të cilit sekretari i partisë i mori erzin në sytë tanë: “S’ke të drejtë të lësh fëmijët pa bukë! Ti ke të drejtë të marrësh masa me rregullore, po fëmijët pa bukë nuk ke pse i lë!” Morëm zemër nga përkrahja që na dha sekretari. Situatë përkrahjeje që nuk zgjati shumë. Të nesërmen u mblodh këshilli pedagogjik dhe u vendos njëzëri që katërshja iniciatore duhet të sillte prindërit, përndryshe do përjashtoheshim. Unë kisha shumë frikë nga babai, për më tepër, se ai nuk kish qenë dakord që unë të vazhdoja shkollën. Ndaj më duhej të sajoja ndonjë rreng për t’ia hedhur. Duke baritur për të gjetur ndonjë zgjidhje këmbët më çuan në një fshat aty afër, që quhet Perondi. Shoh një plak nja 75 vjeç, që po kulloste një dhi. Pasi e përshëndeta i thashë se isha nxënës në teknikum dhe më kishin përjashtuar nga shkolla. Nisa të derdh dhe nja dy-tre pika lot për ta bërë më tragjike situatën. Plaku u prek. I thashë të vinte të bëhej si gjyshi im, sepse babanë e kisha të paralizuar dhe nuk ngrihej nga shtrati. Gjyshi i përkohshëm u tregua i gatshëm. Plakut nisa t’i tregoja gjithë të dhënat e mia, gjëra që ai i harroi shpejt, për shkak të sklerozës.
- Si e ke emrin?
- Luftar.
- Si? Myftar?
- Luftar.
- Mirë, Myftar. Po vij, po çfarë të them?
Përsëriti ai disa herë gjatë rrugës. Ia stërthashë nja njëzet herë emrin tim. Më pas drejt e në teknikum, të dy të kapur përdore. Sa vumë këmbën pranë ndërtesës u përballëm me nëndrejtorin i cili nxitoi si xhandar të më hakërrehej në fytyrë:
- Rrugaç, çfarë do këtu!
- Ja, kam sjellë gjyshin.
Plaku ia nisi avazit të vet duke u shprehur rroma për toma, me një leksik ku çdo vëzhgues i vëmendshëm mund të lexonte dukshëm shenjat e fjalamanisë pleqërore. Nisi të fjalosej për thatësirën e asaj vere, se si ishte terur bari dhe dhia që kulloste e mundonte shumë. Më pas nisi të llafoste për rakinë që kish dalë e paktë sikur dreqi të kish pirë mushtin e rrushit. Nuk harroi të ndalej te fëmijët që largoheshin në qytet dhe pleqtë që braktiseshin sikur unë të mos i kisha mësuar asgjë. Nëndrejtori u lodh duke e dëgjuar dhe kërkoi t’i jepte fund bisedës duke m’u drejtuar përsëri mua:
- Pse e mundove plakun këtu, apo sepse sillesh si rrugaç.
- E kam sjellë nipçen të ma edukoni, jo të ma shani! - Iu hakërrye plaku, duke thënë gjënë me vend që i rrodhi natyrshëm. Nëndrejtori u zbut dhe më porositi ta përcillja gjyshin me makinën e tij.
-Jo, jo mos u mundoni. E kam afër shtëpinë.
Nxitova ta ngrija nga takëmet plakun se po e katranoste muhabetin dhe e përcolla duke e mbajtur për krahu.
Për fatin tim të mirë dhe këtë radhë ia kisha hedhur.
Jeta konviktore
Të jetuarit në konvikt ishte një mrekulli më vete. Ishim të lirë, të pavarur nga familja, pavarësisht se në atë kohë disiplina ishte ligji numër një. Unë isha mësuar që në fshat të ngrihesha pa gdhirë, sepse kur punoja më duhej të isha në orën 6 në punë. Në shkollë ngrihesha çdo ditë në orën 7, kryeja tualetin e mëngjesit, vishesha dhe nxitimthi shkoja në mensë. Çdo mëngjes në tavolinat e gjata servirej një çanak me çaj të nxehtë, një copë bukë e madhe, e zezë, një copë djathë dhe marmelatë molle ose fiku. Më pas të gjithë vëllazërisht nxitonim drejt shkollës teknike, duke i vënë ndonjë stërkëmbësh humbamenove të shkollës ose duke komentuar atë çka na servirte e papritura. Mësuesit e shkollës teknike ishin të rreptë dhe fytyrëngrysur. Ishte metoda autoritare ajo që sundonte në të gjitha shkollat shqiptare të kohës. Vendi ishte në kulmin e miqësisë me rusët dhe metodat moskovite ishin eksportuar edhe në sistemin shkollor shqiptar. Kërkohej me çdo kusht disiplinë, rregull, bindje dhe nënshtrim. Mësuesi im i preferuar ishte ai i fizkulturës. Quhej Pipi Vallja. Ishte një sportist shumë i mirë dhe kishte edhe aftësi të tjera përveç komunikimit vëllazëror. Më mësoi xhezin në ato mbrëmjet e veçanta të pallatit të kulturës “18 Tetori”, një vend të cilin unë kisha nisur ta frekuentoja me shumë dëshirë. Aty ishte një kor të përbërë prej 150 vetash, që kishin mbaruar jashtë shtetit. Ishin inxhinierë të diplomuar në vende të ndryshme të demokracisë popullore në vendet e lindjes, kryesisht: Bashkim Sovjetik, Çeki, Rumani sepse Kuçova ishte qendra më e rëndësishme e naftës dhe aktiviteti artistik ishte shumë i zhvilluar. Profesori i fizkulturës drejtonte grupet artistike të shkollës dhe ishte një dirigjent dhe xhezbandist i shkëlqyer. Unë luajta rolin tim midis të tjerëve dhe, dua të them se jam shumë modest kur them që spikata, por jo sa të bija në sy në Kuçovë. Isha një nxënës që merrja pjesë me dëshirë në të gjitha aktivitetet e zhvilluara nga shkolla, por aktivitetet ishin të nivelit diletant. Menjëherë pas mbarimit të shkollës u emërova në Patos si teknik elektrik në ndërmarrjen e telefonave që kishte nafta. Më kujtohet se me rrogën e parë që mora bleva ca rrush e ca kumbulla, do me thënë i bëra lekët rrush e kumbulla dhe për në shtëpi s’më mbeti kokërr leku. Për t’u justifikuar sajova dhurata për fejesa, martesa, ditëlindje deri dhe 500 lekë për luftën në Vietnam. Përveç se rriteshe dhe ishe më i pavarur edhe ekonomikisht, kënaqësia më e madhe ishte fakti se në atë vend pune ritakova Ndrekë Beltojën, kripën e gjellës së Patosit. Profesionistit të cilit i rridhte humori vetvetiu dhe gjithnjë kishte punëtorë që i lypnin të bënte ndonjë numër dhe ai nuk përtonte kurrë. Na shkrinte së qeshuri. Por nuk harroj edhe këshillat të cilat nuk m’i kursente asnjëherë dhe që kishin gjithnjë lidhje me talentin që ai mendonte se unë zotëroja. Në vitet për të cilët flasim, Estrada e Peshkopisë fitoi shumë emër dhe midis të tjerëve në trupën e saj kishte një talent i cili quhej Azis Ndreu, një krijues shumë i mirë i rapsodive. Debutimin tim serioz në atë, që unë do e bëja profesionin tim të jetës, e realizova me rapsoditë e Azis Ndreut. Për moshën që kisha, pata shumë sukses. Isha thjesht imitues i tij, sepse me atë artist nuk më lidhte asgjë. Pata sukses dhe spektatori më priti shumë mirë. Me disa partnerë të talentuar si Adem Ruka dhe Sokrat Robo ndërtuam një spektakël dhe shëtitëm gjithë Jugun e Shqipërisë. Ishte hera e parë që ngjitesha në një skenë të rriturish. Iu hap nami kësaj shfaqjeje sa drejtori i industrisë së naftës, që ishte nga Dibra, kur pikasi një dibran mbi skenë më thërriti në zyrë. Unë isha natyrë e krisur dhe nuk e kisha problem të bëja shaka me drejtuesit dhe të futesha në rol. Mendoj se ky ishte origjinaliteti im.
- A dibran je?
- Po.
- Nga ç’vend i Dibrës je?
- Jam nga Zalldardha.
Ai arriti deri aty sa nuk e kuptoi fare që unë isha një imitues i dibrançes sepse origjina ime ishte mallakastriote. Dhe më foli për Azis Ndreun. Më pyeti nëse kisha ndonjë lidhje me të dhe unë e gënjeva se e kisha dajë. Klubi i kulturës “Mustafa Matohiti”, që më vonë u bë pallat i kulturës, kishte një aktivitet shumë të dendur artistik në atë kohë sepse qyteti i naftës ishte më i rëndësishëm se Fieri. Specialistët ishin rusë dhe mbizotëronin brigadat e famshme ruso-shqiptare. Aty pashë për herë të parë ansamblin rus “Beriozka”. Por ndërsa kisha nisur hapat e parë në karrierën time artistike nisën dhe pengesat.Në vitin 1962 më nisën kontradiktat me kryeinxhinierin e ndërmarrjes ku punoja, në elektrik-telefona të naftës. Ai më thirri një ditë në zyrë e më tha: “Ti djalë i mbarë ose mbaj profesionin e elektricistit e përkushtoju atij ose mbaj pallatin e kulturës!” Vendosa prej hallit të punoja turni i tretë, që të isha i lirë gjatë ditës sidomos pas dite në pallat, por edhe kjo nuk ishte zgjidhje. Ia shtrova problemin drejtorit të pallatit në atë kohë, Ylvi Ganiut (Agalliut) për të cilin ruaj respektin më të madh. Ai me këshillat dhe sugjerimet e tij më ndihmoi si një prind i mirë. Pas shumë rrahje mendimesh dhe debatesh u gjet një zgjidhje: si artist amator i dalluar m’u dha mundësia të shkoja në studion 1 vjeçare që u hap në Tiranë, pranë Teatrit Popullor, ku kam pasur profesorë Andrea Malon, mjeshtër i skenës, Selman Vaqarrin dhe për të folurën skenike Pjetër Gjokën. Në kurs njoha nga afër ikonat e artit skenik, të mëdhenjtë si: Naim Frashëri, Kadri Roshi, Mihal Popi, Sulejman Pitarka, Kujtim Spahivogli, Sandër Prosi, Violeta Manushi, Prokop Mima, Margarita Xhepa etj. Nga gjithë frekuentuesit, u dallova pak më shumë se 27 të tjerët dhe vetëm unë e vazhdova fushën e artit ndërsa një pjesë e tyre u larguan ose debutuan në klube amatore. Kursi 1 vjeçar më ndihmoi në pikësynimet e mia. Tashmë ëndrra ime ishte të bëhesha një artist profesionist. Një mënyrë për të ushtruar talentin në nivelet më të larta.
Themelet e së ardhmes
Me mbarimin e studios në qershor të vitit 1963 u riktheva në Patos plot energji të reja profesionale. Kisha nisur të ngrija themelet e së ardhmes. Tashmë më shumë se kurrë e ndieja se do bëhesha artist. Një rrugëtim tejet i vështirë. Aq më tepër, për një njeri pa shumë përkrahje. Kushtet e vështira të jetesës, larg familjes sime e cila jetonte në fshatin tim të lindjes dhe mentalitetet që ekzistonin i kapërceva me vullnetin dhe pasionin që kisha për artin. Si fëmija i parë që isha, babai kishte shpresa të mëdha tek unë. Ai dëshironte që të martohesha sa më shpejt të ishte e mundur, sepse në fshat ishte e zakonshme të formoje familje herët. Më propozoi që unë të studioja një vajzë kooperativiste e cila mblidhte pambuk në fushë dhe në qoftë se do të më mbushej mendja, do ndërhynin të ma bënin me shkuesi. Sigurisht, vajza nuk më hyri në sy, sepse zemra ime e kishte zgjedhur vajzën që donte. Pas shumë debatesh dhe qejf mbetjesh nga ana e prindërve, që zgjatën gati një vit, arrita t’i bind me propozimin tim. Unë kisha relativisht një kohë të gjatë që njihesha me bashkëshorten që kam edhe sot. Ndaj duheshin rregulluar punët për ta bërë lidhjen zyrtare. Familja e saj nuk kishte dijeni. Kisha frikë se mos vajzës që doja do i plandoste në shtëpi ndonjë shkues, ndaj iu drejtova personalisht vjehrrës së ardhshme e cila për fat, ishte punonjëse e pallatit të kulturës që unë frekuentoja. Pasi ishin pjekur kushtet e njohjes me të dashurën dhe kishim vendosur, që ishim tërësisht për njëri-tjetrin, bleva një qeskë me qershi dhe iu drejtova nënë Xhemiles, se kështu e thërrisnim ne atë për moshën që kishte, në prag të pensionit. Pasi përtypëm ca kokrra qershi duke i shijuar i thashë:
- Nënë Xhemile, si shumë më lavdëron ti mua, e ke me gjithë mend, apo ma bën qejfin kot?
Ajo mu përgjigj:
- Lum si ajo nuse që do të marrë ty!
- Ashtu them dhe unë por nuk kam guxim t’ia them.
- Po pse e ke gjetur? Më thuaj mua, se të ndihmoj unë.
- Ia thua, ia thua, po nuk është dhe aq kollaj. Janë punë me spec këto!
- Është e lehtë që ç’ke me të, për djem të sërës tënde. Po ia ke vënë syrin ndonjërës, thuaj nënës ti. Apo e ke këtu në pallat?
- Në pallat nuk është, por ka njerëz të saj që punojnë këtu.
- E kush na qenka këtu e s’ma thua?
Në një çast me kokrrën e qershisë në dorë gruaja nisi të mërmëriste me zë të ulët punonjësit e Pallatit të Kulturës. Befas, u fikën dritat nga një defekt elektrik. U bë errësirë e plotë. Atëherë mora guximin dhe ia thashë tullë:
- Dua vajzën tënde.
Ndryshoi menjëherë atmosfera. Në terr, nënë Xhemilja psherëtiu me një eh të fortë dhe nuk u ndje hiç, deri sa u pamë në dritë me një çehre të transformuar kryekëput. Unë i çliruar deri diku, ndërsa gruaja me trupin okllai, m’u kthye tërë seriozitet:
- Prandaj ke ca kohë ti që më vërdallosesh dhe më takon dy-tri herë në ditë…!
- Sa ta thonë të tjerët, më mirë po ta them vetë.
- E ke gabim more djalë. Vajza është akoma e vogël dhe nuk ka mbaruar ende shkollën.
- S’ka gjë! Ajo është maturante dhe unë do e pres një vit.
- Të lutem mos m’i bjerë vajzës në qafë se kam një mijë halle, nuk kam vajzë për të fejuar, unë. - Më turfulloi ajo, e s’më dha as dorën kur iku si veri, duke u shfajësuar se ishte bërë vonë.
Sigurisht që puna e martesës nuk është e lehtë për askënd. Të gjithë kanë kleçkat e tyre. Mbas këtij takimi m’u acaruan marrëdhëniet me nënë Xhemilen dhe më filluan presionet. E dashura më qortoi që isha nxituar duke ia deklaruar dashurinë time të ëmës, ndërkohë që babai më nxiste nga ana tjetër, të arrinim objektivin që kish ai, të fejohesha me vajzën kooperativiste të cilën kishte zgjedhur për mua. Bashkë me djalin e hallës sime që punonte në një ndërmarrje të naftës, me të cilin isha konfiduar për punët e zemrës, vendosëm t’i bënim një ftesë babait tim, se ai e kish dajo, të na vinte për një vizitë. Erdhi babai dhe pasi hëngrëm një drekë të bollshme, dolëm për shëtitje nëpër qytet. Plani ishte paramenduar nga ana ime që e adhuruara të kalonte para nesh si rastësisht. Në çastin që ajo kaloi, djali i hallës i tha babait: “Si të duket kjo vajza?”. Babai ndali këmbët dhe m’u drejtua mua: “Ah qafira! Prandaj më thirrët këtu në Patos ju. Paskeni pasur plane të fshehta. Si vajzë duket e mirë, por qenka pak si ezmere”. “Por edhe ne nuk jemi shumë të bardhë!”, ia preu djali i hallës. Edhe babai sikurse vjehrra me ton të prerë na u drejtua: “Mos u nxitoni! Duhet pyetur mirë për familjen. Gruaja është për jetë, nuk është plaçkë tregu. Ehu, sa kritere duhet të përmbushë!” Por ndonëse prindërit na këshillonin, kriteret kishin kohë që ishin përmbushur prej ndjenjave tona. Pas shumë debatesh e konsultimesh arritëm në konsensus se e fejuara duhet të mbaronte vitin e fundit të gjimnazit dhe unë dhashë fjalën e burrit që do e prisja. Një pritje jo pak e lehtë sepse patëm një konflikt që lindi nga vëllai i të fejuarës sime sepse ky i fundit nuk donte që motra e tij të fejohej me një djalë i cili banonte në fshat. Por ne i kishim dhënë fjalën njëri-tjetrit dhe në mes ishte dashuria. Ai bënte presion që unë të mos përfundoja me të. U acaruan marrëdhëniet në mënyrë të atillë sa unë u detyrova ta rrëmbeja pa dasmë dhe ta bëja gjithçka fakt të kryer. Kështu që vendosa ta rrëmbeja dhe shkova te dajo në Elbasan. Dajua mori të gjitha masat, sepse dhe nga gjendja ekonomike isha pak hollshëm. Ai ishte oficer dhe më bëri dhëndër me kostumin e tij sepse kishim pak a shumë të njëjtin trup. E kompletuam nusen me të gjitha veshjet dhe pajën që i takonte dhe mbas 11 ditësh hapëm dasmën në fshat se nuk donim t’i ulnim autoritetin. Më e bukura ishte se në atë ceremoni që organizuam në Gorishovë mori pjesë motra e nuses (kunata) me gjithë burrin sepse ata nuk ishin dakord me mendimet e të vëllait, pra kunatit. Dasma kaloi për bukuri. U poq mish në hell, rakia u derdh lumë dhe këngët e vallet zgjatën për disa net me radhë. Vazhdoi dhe disa vite të tjera moskomunikimi me kunatin, se me vjehrrën dhe njerëzit e tjerë hynim e dilnim e shkonim shumë mirë. Mbas shumë kohësh u bind edhe ai se unë nuk isha ai që mendonte dhe u pajtuam. Në këto ujëra ku kristalizohej e ardhmja e familjes sime erdhi çasti që unë të përgatitesha për ushtar, dhe pse kisha marrë një vendim shumë të rëndësishëm.
Ushtria dhe shtati im i vogël
Një kërkesë që erdhi rastësisht. Si i ri pëlqeja shumë degë të artit në Patos dhe punoja si xhezbandist në një lulishte. Një natë të bukur vjen atje për darkë komandanti i batalionit të sigurimit të ushtrisë, Diko Zeqo. Më spikati si djalë të shkathët dhe në një pushim më pyeti: “A e ke bërë ushtrinë?” I thashë të vërtetën. Isha vetëm19 vjeç. Ai më urdhëroi të bëhesha gati për ushtar sepse unë do isha daullexhiu i repartit të tij. Pasi më shënoi emrin, në gusht të 63-it më sollën letrën për të bërë ushtrinë në Tiranë. Në Degën Ushtarake më shoqëruan disa surpriza të këndshme. Por historia më simpatike ishte me ushqimet që marrin me vete rekrutët e rinj nga shtëpia. Të gjithë kishin ardhur të pajisur me trastat plot revania, pula dhe qofte. Si tip veriu që isha s’pranova të merrja asgjë me vete dhe gjithë ditën mbeta pa ngrënë e pa pirë. I premtova njërit se do ishim bashkë në repart, ndaj duhet të bëheshim shokë të ngushtë që aty dhe i përlava zogun, byrekun dhe revaninë, më pas atë e caktuan në Konispol ndërsa mua në Tiranë. Kam ndenjur dy ditë duke qylylepsur në trastat e botës. Dhe më pas, kur mbaruan sahanët, nisa të ushqehesha me ingranazhe dhe kuleç 5 lekësh. Reparti ku më caktuan ishte ai i shoqërimit. Unë nuk isha adap për atë repart sepse të gjithë djemtë që caktoheshin aty ishin mbi një metër e 70 cm të gjatë të cilët përbënin trupat për pritjet e delegacioneve dhe për përcjellje kortezhesh. Të gjithë ata që kanë kryer ushtrinë e dinë se një ushtar sa shkon në kazermë duhet të pajiset menjëherë me veshjen ushtarake. E bukura ishte se nuk kishte uniformë të përshtatshme për mua. Unë i doja çizmet 39 ndërsa atje numri më i vogël që gjendej në magazinë ishte 43. Për fat, rastisa një palë çizme 40 dhe i vesha me dopio pece ndërsa pantallonat me stof sovjetik më vareshin mbi çizme, duke më bërë kopjen e Shvejkut. Siç i themi ne me gjuhën popullore, isha tamam ushtar rrumpalle. Një figurë shumë karagjoze për repartin që ndodhej në Laprakë dhe ishte i një rëndësie të veçantë. Rastisi, që në ditët e para, erdhi te ne për kontroll gjenerali i ushtrisë, Petrit Dumja të cilit i mbahej pak goja dhe, para tij u rreshtuan të gjithë ushtarët e rinj. Kur më pikas mua mes gjithë atyre viganëve më urdhëroi të bëja 5 hapa përpara. “O Diko, çfarë e ke këtë këtu ti mo…?” E pyet ai i çuditur me një fytyrë të shtypur sikur t’i kish kaluar mbi tipare një tank. “Lëre lëre, se është daullexhiu i repartit”. Nuk ka nevojë për shumë tru të imagjinosh si ngjaja unë në krahasim me ushtarët e tjerë. Ata, gjatësi viganësh, ndërkohë që unë arrija një pëllëmbë mbi kërthizë. Më inkuadruan në togën e shoferëve dhe si elektricist që isha, më dhanë radrizatorin e karikimit të makinave, që ishte një repart gatishmërie për makinat e Ministrisë së Mbrojtjes. Ju e dini se në atë kohë bëheshin goxha përgatitje dhe për paradat. Ishte pak fyese për mua sepse kur bëheshin përgatitjet e radhës për parakalimin e vitit 1964, të gjithë ushtarët u inkuadruan, ndërsa unë, një qeros dhe një biçim tjetër jashtë standardit dolëm jashtë formacionit të paradës. Siç e dini, djemtë e rinj duan pak të zbuten deri sa t’ia marrin dorën dhe t’i përshtaten jetës ushtarake. Për mua, ajo përshtatje ka qenë paksa e ndërlikuar. Duke qenë natyrë e lëvizur kisha me shumë qejf organizimin e qyfyreve, ndaj ndodhte dendur që njërit prej ushtarëve t’i jepja garuzhdën e gjellës, tjetrit t’i jepja kapakët e kazanëve dhe vetë të imitoja bandën e paradës e të sajoja ndonjë gjullurdi për t’i bërë ushtarët të buzëqeshnin. Kujtoj si tani një çast të atillë kur na kap gafil Dikoja dhe na futi në burg. Aty gjeta 30 ushtarë. Ç’të bënim, djem të rinj, na ziente gjaku në deje ndaj i organizoj të gjithë të luanim Biz. Ia nisëm. Mirëpo u bë shumë vapë brenda dhe iu lutëm ushtarit që ishte roje të na hapte derën se po mbyteshim. Ne vazhdonim me qejfin tonë, duke bërë qyfyre dhe kaluar kohën, kur në një çast erdhi komandanti dhe na kapi përsëri mat. I turfulluar nga inati m’u kanos në fytyrë se do kalbesha në burg. Atë çast dikush bërtiti: “Ku është ushtari i baterive?” “Jepja çelësin!” Më bërtiti komandanti. Si shfrytëzues i situatave të papritura manovrova dhe i thashë: “Unë e jap çelësin, por atje prishet cikli. Ai aparati ka një shigjetë që mund të shpërthejë dhe të bëjë dëme në gjithë repartin”. Flisja me kaq shumë seriozitet, sa komandanti që thoshte se nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë këtë muhabet, filloi të binte në rrjetë. I thashë të pyeste toger Ndrekën, një njeri që më donte me kokë. Komandanti më urdhëroi të ikja të mbaroja punë me baterinë dhe të kthehesha prapë në burg. Iu betova se duhej vëmendje 24 orë. “Në qoftë se nuk është kështu si thua ti, do të kalbë në burg!”, bërtiti ai pas krahëve të mia. Të parën punë që bëra ishte të dorëzoja baterinë dhe mora toger Ndrekën në telefon për të rënë dakord, që dhe ai të ishte në fjalët e mia. Të nesërmen, Dikoja thirri Ndrekën dhe ky e bindi se kisha të drejtë sepse bateritë ishin shumë të rrezikshme. Komandanti më thirri në zyrë dhe më tha se nuk e kisha gënjyer ndaj dhe më shpërbleu me tri ditë leje. Leje që guxova përsëri ta shkelja. Ndenja 4-5 ditë në shtëpi dhe u bë alarm gjithandej. E kalova si e kalova dhe këtë herë situatën duke manovruar. Mbas tri-katër ditësh më doli Dikoja në shteg e më tha se kishte 5 metra stof gup dhe më porositi se mos ia shisja me ndonjë vend. Gjithsej donte 11 mijë lekë për stofin. I thashë atij se duhet të shkoja andej nga vendlindja se mos e merrte ndonjë fshatar. Dhe ai më dha leje. E mora copën dhe kërcita e ika përsëri në shtëpi. Ia dhashë stofin një fshatarit tim që do martohej dhe qepën të dy, burrë e grua, nga një kostum. I mora dhe njëmbëdhjetë mijë lekët me ndonjë dymijë lekësh tepër që më shkonte rruga dhe shpenzimet dhe ndenja 11 ditë në shtëpi për qejfin tim. Kur shefi i sigurimit e kish pyetur ku ishte ushtari, Dikoja kishte harruar. Kur arrita në repart zëvendësi i togës më paralajmëroi se këtë radhë do e paguaja shtrenjtë. Shkova direkt në shtëpinë e Dikos. Kishte një nënë shumë të mirë dhe komandanti flinte gjumë në drekë. I dhashë lekët të shoqes dhe i thashë se ishte bërë problem andej nga reparti. Sigurisht që me marrjen e lekëve gjendja u qetësua paksa dhe pasi m’u bë mirë e mirë procesi dhe më bënë për ujë të ftohtë, ia dola t’ia hidhja. Me komandant Dikon u lidha shumë kur reparti ynë do merrte pjesë në një konkurrim teatral me të gjitha garnizonet e tjera të ushtrisë. Duke qenë njeri me shumë pretendime na paralajmëroi se duhet të fitonim me çdo kusht. Na liroi nga të gjitha përgatitjet ushtarake dhe detyrimet e tjera duke na lënë të përgatiteshim vetëm për shfaqjen. “Nëse nuk fitoni, do shpërndaheni një në Pukë, njëri në Shkodër e tjetri në Konispol.” Kështu ushtarët u detyruan të derdhnin gjithë talentin e tyre për të bërë një punë të mirë. Përgatitëm një dramë të Kapllan Resulit me regjisor Vasillaq Zariun. Emrin, personazhi im e kishte Kajtaz Doraj, një kapter që mbante tri grada. Shkuam te rrobaqepës Çeti dhe ai më vuri tri fije mbi spaleta. E vumë në skenë me shumë dëshirë dhe pse pjesëmarrësit ishin njerëz me pak përvojë. Më kujtohet se u mblodh i gjithë reparti në kinoklub si të ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme. Përpara në sallë u ul komandanti dhe pas tij në rresht të gjithë oficerët. Gjatë pjesës, ishte një skenë ku kapter Kajtazi i thoshte banakierit: “Xha Jani, ma mbush një dopio..” E merrte Kajtazi dopion dhe e derdhte drejt e në gurmaz. Më pas i porosiste një dopio tjetër banakierit. E më pas disa të tjera. Ndërsa Kajtazi dehej, u dëgjua zëri i komandantit me atë timbrin e tij të ashpër: “More qen bir qeni...! Ke detyrë delikate... Do të marrë armiku sekrete, mos pi!” Një shprehje që shkaktoi ilaritet në sallë. Mbasi erdhi çasti i dehjes komandanti bërtiti: “Na, na, na, ta futi armiku... Stop! Fillojeni dhe një herë nga e para” Aty fillova të bëhem i besueshëm dhe të gjithë nisën të më shihnin me sy tjetër. Mirëpo humori ishte pjesë e natyrës sime dhe unë e bëja atë dhe jashtë skenës. Më kujtohet si tani, një ditë, kur ushtarët baritnin në qejfin e tyre në kohë të lirë, dikush lante pecet në lavanderi, oborri ishte plot sepse kishin ardhur ushtarët e rinj. M’u tek mua dhe pasi gjeta një ushtar të ri paksa flegmatik e urdhërova: “Hajde këtu. Shko i thuaj borizanit t’i bjerë borisë për bukë” Shkoi ky, e gjeti borizanin te lavanderitë dhe i transmetoi porosinë. Në raste të rralla, borizani mund të devijonte nga orari, vetëm kur bënim ndonjë aktivitet në qytet, kur vinte ndonjë personazh i rëndësishëm. Borizani u përgjigj: “Thuaj kapterit se e di vetë orarin.” “Marrsh, të paraqitet tek unë!”, ngula këmbë unë me zë të prerë. Vete ushtari përsëri dhe borizani i ra shkurt, duke luajtur sinjalin e bukës që në gjuhën tonë shoqërohej me fjalët: “Shoku ushtar nënoficer merr gavetën shko për gjellë”. Unë kisha vendosur ta vazhdoja lojën deri në fund. Ushtarët e rinj u mblodhën në vendin e rreshtimit, ndërkohë që ushtarët e vjetër pasi panë se kush i komandonte, u ulën në stola pa vrarë shumë mendjen. Dhashë komandën “Batalioni gati!” dhe filloi kënga “Mitralieri gati po qëndronte, në motor në pozicion... etj”. Pasi e komandova unë repartin, ata u nisën. Mirëpo, që të arrije në mensë, duhet të parakaloje medoemos para komandës. Kujdestari që kishte shërbimin atë ditë ishte duke kontrolluar gjellën në mensë kur Dikoja doli në dritare dhe tha: “Ç’është kjo ushtri si e Haxhi Qamilit!” Unë e dëgjova shprehjen e tij, pikasa gjithashtu dhe nervin inatçor që i krikëlliu mbi ballë dhe nga frika u struka tek arkat e parashutistëve. Ai thirri kapterin, i tërhoqi vërejtje atij dhe si përfundim, doli fajtori dhe rrëfeu të vërtetën. Por ai nuk e dinte emrin tim sepse ishte ushtar i ri. U rreshtuan të gjithë nënoficerët dhe ai i kalonte në kontroll. Fajtori kallëzoi se porosinë ia kishte dhënë një kapter i shkurtër. Një ushtar i quajtur Flamur Selmani i dha fund meselesë: “Mos u lodhni o burra, se është Luftar Paja.” Dhe këtë radhë shkurtësia ime më kishte vënë në evidencë. Bëra ç’bëra, unë dola dhe duke vajtur me hap ushtarak i thashë: “Shoku komandant, kapteri Kajtaz Doraj si mbas urdhrit tuaj, paraqitet”. “Kapteri i sat ëme!”, më tha ai duke më shqyer spaletën e duke më hequr një gradë. Përfundova prapë në burg. Përgjithësisht, ne si repart bënim kokrrën e qejfit, sepse shoqëronim vetëm delegacionet dhe quheshim forcat e privilegjuara të ushtrisë. Por pati një çast që me të vërtetë u sikletosëm. Në kohën që në repartin tonë erdhën parashuta dhe nisën të na urdhëronin të gërmonim poligone. Atëherë kuptuam se ne do ishim ushtarë që do stërviteshim dhe në hedhjet me parashutë. Shqetësimet tona vërtetoheshin sepse nga ajo kohë reparti ynë fitonte normën 9 të ushqimit dhe në periudhën që në Shqipëri ishte krizë, ne loznim me topat e gjalpit e me ushqimet që hanim. Shqetësim që të gjithë ushtarët ua përcillnin prindërve të tyre, shumë prej të cilëve ankoheshin, sepse nuk i kishin sjellë fëmijët e tyre të hidheshin nga aeroplani. U bë një mesele goxha e komplikuar të cilën drejtuesit e kapërcyen, duke i premtuar prindërve se gjithçka do ishte vetëm për të mësuar. U formuan skuadrilje me nga 9 ushtarë. Në Shqipëri erdhën disa avionë të vegjël rusë “Podva”, me dy krahë, avionë që më pas regjimi i përdori për spërkatjen e fushave me pesticide si dhe për zjarrfikëse. Më kujtohet, që na çuan në Rrashbull të Durrësit, gati-gati si duke na detyruar me forcë. Merrte pjesë dhe shefi i shtabit i asaj kohe, Petrit Dumja, që me autoritetin e tij i deklaronte ushtarëve se kishin bërë betimin dhe sot atdheu i kërkonte këtë përkushtim. E kujtoj me tmerr atë ditë. Më kujtohet një ushtar nga Mallakastra, Ibrahim Serjani, që ishte 1 metër e 90 i gjatë dhe kur dha komandën major Shabani, u hap dera dhe ai urdhëroi: “Ushtar Serjani, gati për nisje!” Ushtari vuri duart në hekura dhe pëshpëriti: “Për baba Azis Hekalin, nuk hidhem!” I dhanë një shkelm bythëve Ibrahimit, dhe ai ra. Unë që isha pas tij mendova: “Të dalë ku të dalë! Kur s’pyetën për Ibrahimin, alamet trupi kush do pyesë për mua.” Mbylla sytë dhe u lëshova. Për fat hedhja doli me sukses. Ishte një lartësi rreth 800 metra. Por mund t’ju them se ndonëse ka qenë një nga çastet kur brenda vetes sime jam ndjerë dhjaks, me atë veprim për shumë vite më pas jam mburrur. E kalova ushtrinë me shumë peripecia, por edhe me shumë kënaqësi. Sot e kësaj dite ruaj mbresa shumë të mira për Diko Zeqon. Ai i donte shumë ushtarët edhe pse kërkonte shumë nga oficerët. Të gjithë e donin sepse ishte njeri shumë popullor dhe po ta krahasosh me Komisarin Memo, ai ishte komandant Rrapoja.
Kooperativa dhe ëndrra për skenën
Mbas ushtrisë u ktheva prapë në Patos. Një vend që më është kthyer si qyteti im i lindjes sepse kam pasur përkrahjen e shumë njerëzve të kësaj qyteze, sidomos të drejtorit të Pallatit të Kulturës, Ilvi Ganiut. Ai më ka ndihmuar jo thjesht për interesat e tij dhe të institucionit, sepse isha me vlera për atë punë, por më ka ndihmuar dhe si një prind, sepse më donte për shumë arsye: për cilësitë artistike, por edhe për sjelljen time, si i ri që isha. Mendoj se është një nga virtytet më të mëdha që të duash të ardhmin, dhe ai ishte nga ata të paktë njerëz që i donin të rinjtë e talentuar me gjithë shpirt. Ai ka ndërhyrë në të gjitha instancat që unë të qëndroja atje ku kisha qenë, sepse një kryeinxhinier të cilin e kisha epror e nuk ishte tifoz i artit, më kishte paralajmëruar disa herë para se të shkoja ushtar që të mbaja njërën dhe jo të dyja profesionet, sepse nuk i kryeja dot siç duhet. Kur u riktheva nga ushtria, kryeinxhinieri qëndronte përsëri në të njëjtin post dhe, të them të drejtën, më frikësonte ky fakt pasi ai ma kishte bërë benë. Ndërhyrjet e dashamirësve të mi e mundën qëndrimin e tij arrogant dhe unë fillova përsëri punën në ndërmarrjen elektrike dhe njëkohësisht angazhohesha në pallatin e kulturës. Vazhdoi kjo bashkëjetesë e vështirë me inxhinierin rreth një vit, mbas së cilit doli një emergjencë. Zona e Cakranit kishte interes për mua sepse fillonte elektrifikimi dhe duhej realizuar shumë shpejt. Kishin nevojë për specialistë që të instalonin rrjetin elektrik, ndaj dhe kërkesës iu përgjigja pozitivisht. Zona e Cakranit ishte një zonë shumë e gjerë, atëherë, me 22 mijë banorë dhe ishte një nga kooperativat më të përparuara të vendit. Meqenëse ishte zonë naftëmbajtëse u krijua mundësia që kjo zonë të bënte elektrifikimin e para. Fillimisht hezitova sepse mendoja se do mbetesha në fshat. Për më tepër se gjatë kësaj kohe doli një vendim që të deklasuarit të shkonin në fshat dhe ata që ishin me cen biografie u degdisën pa dëshirën e tyre në fund të dynjasë. Unë nuk isha njeri me cen, por di, që disa hamendje në atë kohë rreth personit tim nuk u kursyen. Edhe pse unë e dija se nuk shkoja me atë etiketë. Gjithsesi unë e doja vendin nga i cili e kisha origjinën, për më tepër, që elektrifikimi i fshatrave ishte një nga punët më të mira të cilat u bënë në Shqipëri. Mendoja kohën e fëmijërisë sime, ku pjesët më të mëdha të punëve në muzg bëheshin me kandil të ndezur ose llamba me vaj dhe m’u duk normale që unë të isha një nga ata njerëz të cilët do sillnin zhvillimin në këtë zonë. Shkova në Cakran, në dispozicion të komitetit ekzekutiv të Fierit. Pavarësisht misionit madhor që kisha, unë isha mësuar me tjetër temp pune, aty se gjeta dhe u mërzita shumë, sepse isha i pasionuar pas artit. Më dhanë 12 elektricistë që t’i komandoja. Nga përvoja e mëparshme që kishim me naftën, ku kisha hasur jo pak vështirësi, elektrifikimi i fshatrave më dukej shumë i lehtë, sepse nuk kishte atë proces teknologjik që ushtroja në Patos. Gjëja më e rëndë e asaj pune ishte instalimi i një koke kablli, 6 kilovolt që bëhej me kabëll të armuar. Kërkonte teknikë të lartë dhe vëmendje që të mos sillte defekte. Nuk toleroja kurrë për sigurimin teknik. Si përgjegjës kisha detyrë t’i orientoja dhe t’i vija në punë sepse kishim vetëm shtrirje linjash dhe instalime. Mbasi e vura punën në vijë, nisa ta ndieja më shumë boshllëkun e aktiviteteve artistike. Unë nuk jam një njeri i cili është mësuar të vrasë miza. Më duhet të shpikja patjetër diçka, përndryshe do çmendesha.
Në zonën e Cakranit kishte shumë njerëz të shkolluar. Rashë në kontakt fillimisht me intelektualët e fshatit tim, Gorishovës, ku kishte mësues, ndonjë ndihmës mjek dhe agronomë. Kryeagronomi, Hysen Çobani, një shkencëtar i vërtetë, një burrë me pamje kolosi, ishte shumë i pasionuar pas artit. Ai më krijoi kushtet për të pasur pas vetes një grup krijuesish. Novruz Sinani gjithashtu ishte një mësues i talentuar dhe na ndihmoi për të bërë librete shfaqjesh. Talenti i tij i kapërceu kufijtë e zonës dhe u bë i famshëm në vitet e mëpasme dhe për estradat e rretheve. Më pas, ishin Agron Bega, Fiqiri Shameti, Violeta Bendaj etj. Krijuam një sektor të mirë muzike që e drejtonte Miço Sopiqoti, i cili sot nuk rron më dhe përfitoj nga rasti ta kujtoj. Ishte njeri i palodhur dhe nëpërmjet bashkëpunimit të tij si organizues, timit si interpretues dhe të tij si muzikant, duke kërkuar edhe ndihmën e skenografit të estradës së Fierit, Dilaver Muka, të regjisorit Llazar Verria, që ishte i pasionuar pas punës, arritëm të krijojmë një trup estrade që pa frikë konkurronte me trupën profesioniste të qytetit. Me këtë trupë konkurruam në takime kombëtare të kooperativave bujqësore në Gramsh ku u nderuam me çmim të parë. Një eveniment shumë i rëndësishëm për fillimet e karrierës sime. Nga pjesëtarët e trupës, u nderova unë me medalje të shkallës së parë dhe dy të tjerë me të dytën dhe të tretën. Kjo i dha një impuls të mirë punës sonë dhe, dua të them, që pas atij suksesi kooperativa na krijoi disa kushte lehtësuese. Fundi i fundit kjo estradë ishte një gazetë humoristike që i shërbente vetë emrit të fshatit. Por jo gjithnjë gjenim mbështetjen e kryesuesve. Rutina e punëve të bujqësisë bënte që ndonjë kuadër kryesor të mos ishte tepër i interesuar. Por kryeagronomi na ndihmonte të fitonim edhe betejat që mund të dukeshin të humbura. Ia nisëm me program të rregullt dhe e mbanim me programe të shumta jetën artistike të asaj zone. Mund të përmend shfaqjen “Të ecim me kohën”, ku u vu theksi te të metat e kooperativistëve të thjeshtë, por edhe të administratës që drejtonte jetën e fshatit. Humori që ne bënim, ishte goditës e më kujtohet, se kur erdhi kryetari i kooperativës për të ndjekur shfaqjen tonë, e vërejta në rreshtin e parë që ngrysi vetullat. Kur mbaroi shfaqja, kryetari më tha: “Kush t’i ka dhënë këto të dhëna që administrata jonë nuk punon. U bëtë ju të na kritikoni!” Në atë kohë ekzistonte opinioni që estrada është gazetëfolësja e partisë. Ajo duhet t’i shërbente partisë sepse ishte një institucion në shërbim të saj. I thashë se kjo gazetëfolëse ishte thumbuese dhe nxitëse. “Ik! - më tha. - Nuk kemi nevojë për estradën tënde!” Kryetari i kooperativës nuk ishte nga ata intelektualë që e kishte me shumë qejf kulturën dhe unë këtë e dija mirë. Por atëherë isha djalë i ri, u nxeha dhe që nga ai çast dola jashtë. Me nervat e të riut shava vendimet që kisha marrë në jetën time, duke bluar me mendjen time se kisha ardhur në një vend injorantësh e kështu me radhë. I riu si veriu. Mbas shumë e shumë debatesh, të luturash të pjesëtarëve të trupës dhe këmbënguljes së kryeagronomit realizuam një takim tjetër me kryetarin dhe ai aty më ngjiti nofkën “nevrik”. “Gjithsekush duhet të mbrojë punën e tij. Hiq ndonjë gjë andej dhe vazhdoje estradën”, përfundoi ai, një gjest që për shokët e mi u quajt goxha tolerancë. Kështu, për hir të censurës së kohës, që në vendet ku jetonim, ndonjëherë ishte më e egër se ç’duhej, hoqëm diçka nga libreti dhe vazhduam shfaqjet për disa kohë, rreth 14 muaj. Ndodhi më pas, që atë kryetar e hoqën dhe sollën një të ri. Por unë isha bezdisur nga gjithë ato barriera dhe kërkoja të ikja. Për më tepër se më kish ardhur në vesh se andej nga Parku i Fierit kishte pasur disa interesime për mua. Më duhej të largohesha, por firma e shpërnguljes ishte në dorën e Dano Feçorit, që ne e thërrisnim xha Dano. Unë kisha lidhje gjaku me të nga nëna dhe e thërrisja dajo. Ai ishte një personazh shumë simpatik. Ishte njeri me reputacion të madh në zonë sepse kishte 35 vjet drejtues i organeve të pushtetit. Duke qenë burrë i drejtë, i mençur dhe praktik e donin të gjithë, sepse nuk ishte nga ato zyrtarucët që fuste njerëz kot në burgje. Edhe kur shkaktoheshin sherre, me metodën e pajtimit i vinte kapak grindjeve. Kur kishte rrahje, ai i merrte një e nga një pjesëtarët në zyrë dhe pastaj u thoshte: “Nga jeni ju? Po gruan ku e keni marrë? Po mirë, nuk ju vjen turp kur njerëzit të marrin vesh se u rrahët. Hajde jepni dorën!” Me mua i kishte muhabetet mirë se i shkonte puna e elektrikut fjollë, por ishte shumë parimor e nuk bënte kollaj lëshime. U bënë ndryshime dhe në fshatin tim të lindjes u caktua Sulo Cakrani si kryetar kooperative. Ai ishte specialist i mirë bujqësie, por në ndryshim nga i mëparshmi, ishte person liberal. Suloja nuk donte t’ia dinte për punë, pinte kafe dhe fërnet nëpër kafenera dhe shpërndarjen e punës ua linte anëtarëve të kryesisë dhe vetë nuk prishte qejf. Merreni me mend vetë, me një administrim të tillë të punës pa një mbikëqyrës kompetent situata në Gorishovë normal që do bëhej çorap. Në fund të vitit Suloja mblodhi kryesinë, duke u shprehur se Dano Feçori do jepte llogari para njerëzve. Unë punoja në Cakran, me shtëpi isha në Gorishovë, ndaj merrja vesh çdo gjë që ndodhte atje. Erdhi çasti që xha Danoja do jepte llogari në Cakran dhe bëra ç’bëra mora pjesë dhe unë. Ju kam treguar shume rreshta më parë se ai kishte fatkeqësinë të kishte një sy me të cilin shihte mirë dhe tjetrin e mbulonte me një xham të ngjitur me leukoplast dhe në katër pika kishte nga një shenjë. Filloi xha Danoja para 700 vetëve të lexonte fjalimin e tij me temën: Raporti i kryesisë së kooperativës për vitin ‘66 dhe perspektivat për vitin 1967... Sapo filloi dikush tha: “O xha Dano, sa i bie për ditë pune?” Por ai vazhdoi pa teklif. Kur erdhi puna te projektvendimet, ishte dhënë urdhër nga qeveria për ngritjen e objekteve social-kulturore që kooperativistët pas pune të laheshin në banjë dhe lavanderi në mënyrë që të rritej përmirësimi i higjienës së fshatit. Ai nisi të shpjegonte se kryesia kish vendosur të ngrinte një banjo-lavanderi në Cakran dhe një në Gorishovë për vitin që do vijonte. Mirëpo ishin 12 fshatra të tjerë që nuk mund të kishin sipas këtij plani, banjo-lavanderi. Me të drejtë e kërkonin të gjithë. Kur mbaroi raporti, nisën pyetjet e kooperativistëve. U ngrita unë si përfaqësues i një grupi që kish marrë pjesë në atë mbledhje vetëm për gallatë.
- Dëgjova nga raporti se do hapen banjo-lavanderi. Po në Varibobë nuk do lahen kooperativistët?
Tjetri ia priti: - Atje kalon kanali i Vjosës.
- Mirë në verë kanë kanalin. Po në dimër? Pastaj Kreshpani? - Vazhdova unë ngacmimet.
- Dhe në Kreshpan është rezervuari.
Një tjetër ia priti: - Jo, e kanë prishur rosat.
E pa xha Danoja se ishte krijuar ilaritet dhe ia futi një shprehje nga ato populloret e tija që i nxirrte vetëm kur nervat i lëshonin zjarr:
- Kush është ai dreq nga fundi, që ha mut dëng dëng?!
Të gjithë shpërthyen në të qeshura dhe mbledhja mbaroi aty se e humbi krejt seriozitetin. Dikush i tregoi më pas se ishte nipçja që ia prishi mbledhjen. Unë në fakt kisha krijuar një diversitet me të sepse doja të ikja prej aty, sepse më kishin kërkuar dhe xha Danoja nuk më firmoste fletë-largimin. E kisha bërë gati kërkesën që priste vetëm firmën e tij. Erdhi rasti që ai u nxeh edhe më shumë me mua për këtë veprim dhe unë i thashë se meqë nuk më donte mund të më firmoste dokumentin dhe unë do largohesha nga kooperativa dhe pa pëlqimin e tij. Por ai nuk u bind. Në këtë kohë më kishte kërkuar parku i Fierit. Ani pse ika me një shok me motoçikletë pa e pasur firmën. Me pak debate, për mungesë dokumentesh, drejtori i Parkut më punësoi dhe në vitin 1967 u caktova në repartin e elektroautit. Nisa të aktivizohesha me estradën e Fierit ndërkohë që me trupën amatore të Parkut organizuam një shfaqje e cila mori çmim të parë në Durrës, në takimin e ndërmarrjeve simotra të Republikës. Në takimin e Durrësit u njoha me ikonat e humorit si Aleko Prodani, Haki Spaho, Zef Deda, që në atë kohë ishin në fillim të shkëlqimit dhe famës së tyre. Kur mbarova atë shfaqje, më kërkuan nga Komiteti Ekzekutiv të jepja kontributin tim edhe në estradën e Fierit. Para se të shkoja në estradën profesioniste të qytetit unë i vura kusht që të më bënin pashaportizimin se ndryshe nuk pranoja. Ata kishin nevojë për mua dhe bënë çmos që unë të pashaportizohesha, kështu që, në shtator të vitit 1967 u ligjërova si qytetar i Fierit. Qytet i cili për mua është gjithçka. Unë atje krijova emrin tim prej artisti dhe duartrokitjet e spektatorëve të këtij qyteti më ndjekin edhe sot nga pas.
Ditët e dashurisë së madhe
Kur u njoha me gruan time, unë nuk e kisha formuar akoma personalitetin artistik të cilin kam sot. Unë isha një elektricist, si të gjithë punonjësit e naftës në atë kohë, kisha hobb-in tim, ndërkohë që ime shoqe ishte gjimnaziste. Ne fillimisht e simpatizuam njëri-tjetrin nga ato njohjet që u bënë aty nëpërmjet të ëmës së saj dhe shoqërisë që krijuam. Pra, ishte aktiviteti im në Pallatin e Kulturës që më përballi me dashurinë e jetës sime. Më vonë, me martesën do krijoheshin mes nesh marrëdhënie të tjera. Gruaja më adhuroi për rrugën që kisha marrë dhe nuk kishte komplekse se unë isha artist. Nuk kam vuajtur asnjëherë nga xhelozitë apo hamendësimet e sëmura. Ajo është gëzuar për sukseset e mia dhe më ka mbështetur. Madje dhe në çastet e vështira, që nuk kanë qenë pak. Siç ju përmenda më sipër, për shkak të kushteve të mia, ajo u detyrua që nga Patosi të vinte e të jetonte në fshat. Një vendim, që nuk qe aspak i vështirë për të. Ajo kishte një personalitet të fortë, ishte shumë punëtore dhe me njerëzit e mi ka shkuar jashtëzakonisht shumë mirë. Kanë ndodhur raste, që unë nën prizmin e punës artistike, kam neglizhuar detyrimet familjare dhe ajo mund të jetë irrituar dhe ka ndezur ndonjë debat. Por ishin konflikte të parëndësishme. Nuk kanë pasur ndonjë bazë reale. Ne artistët kemi pasur raporte profesionale me shumë aktore femra. Ime shoqe nuk ka vuajtur kurrë nga komplekse xhelozish, sepse dhe nëse ndonjë ka pëshpëritur, nuk i ka marrë kurrë si të vërteta sepse e dinte me kë kishte të bënte. Unë mendoj se të jesh artist duhet të ndërtosh një personalitet të lirë dhe të pavarur nga kufijtë që të vënë të tjerët. Por mendoj se gjëja më e rëndësishme, është të kuptosh se brenda një njeriu fle profesioni dhe rrjedha normale e njeriut, një jetë e zakonshme si jeta e shumë të tjerëve. Shpesh njerëzit i paragjykojnë artistët sikur ata kushedi se ç’bëjnë dhe, shumë herë ndodh t’i ngatërrojnë me personazhet që interpretojnë. Paragjykime që lindin nga aftësia e tij në interpretim ose më saktë, nga gjenia e tij. Sa më i aftë të jesh aq më shumë do identifikohesh me personazhin që interpreton dhe, personaliteti yt do të përzihet me të duke dyzuar gjithçka.
Streset e strehimit
Transferimi në qytetin e Fierit pati nga pas edhe problemin e strehimit. Për shtëpi, drejtori i Parkut më dha fjalën, se do më jepnin kur të mbaronte pallati me punë vullnetare. Gjatë gjithë kësaj kohe unë isha inkuadruar në shtëpinë time në fshat dhe ikje-ardhjet e mia ishin të përditshme. Bitisi një pallat me punë vullnetare, nisi tjetri e tjetri e tjetri dhe unë nuk mora. Me ndërhyrje dhe miqësira më dhanë një dhomë në bodrum te “Bincat” e Nikollaq Notit, në lagjen 15 Tetori. Dhoma ishte dy shkallë nën nivelin e tokës dhe mund ta merrni me mend se unë i futa plaçkat në mes të lagështirës më 67-ën dhe kur i nxora pas dy vjetësh, dollapi ishte kalbur nga lagështira. Atë kohë familja ime ishte zgjeruar vetëm me një fëmijë, vajzën, Nikoleta. Më pas me ndërhyrjen e fortë të ish-nënkryetarit të asaj kohe, Ramadan Hoxhës, u bë e mundur që një hyrje e cila ishte në dispozicion të arsimit dhe kulturës të më jepej mua. Në fakt nuk ishte veçse një dhomë që e liroi një mësues. Hyra atje me familjen time dhe kjo histori u shoqërua me shumë peripeci. Sepse kishte shumë presione nga plaka që jetonte aty. Plaka ishte një grua nja 80 vjeçe, gjirokastrite. Quhej Naxho Idrizi dhe nga inati që kishte me komitetin nuk na përfillte fare. Ishte grua fillikat, pa fëmijë dhe pa njeri që në qytetin e saj i quajnë kallogre. Kur hyra në apartamentin e saj i vura detyrë gruas ta bënte doemos për vete. Plaka le të thoshte ç’të donte, por ajo nuk do shqepte gojën dhe vetëm do e përshëndeste plot mirësi. Do tregohej gjithnjë e gatshme ta ndihmonte për të larë ndonjë rrobë ose për të hekurosur. Një afrim që qëlloi mesele e vështirë. Kur ne e përshëndesnim plaka nuk denjonte të na kthente hiç përgjigje, vetëm mua më fliste maja-maja. Por unë i kisha vënë vetes detyrë se duhet ta bëja për vete, medoemos. Një ditë kur hyra në korridor i thashë gruas:
- Ç’kemi! Si është plaka? Mos ke bërë gjë llafe me të? Nëse ke bërë dhe gjysmë llafe me plakën dil nga shtëpia pa të zbuar unë! Këtu ka rregulla! Dy veta do dëgjohen: Naxhoja dhe Luftari!
Unë isha i sigurt se ajo më përgjonte pas derës. S’vonoi shumë dhe plaka për një fshesë që kishte lënë në banjë i kish thënë gruas sime: “Të vijë djali im dhe ta tregoj unë qejfin ty!” Filloi kështu të më fliste “Si je e si shkon?”, dhe më pas kur vija për drekë merrja pjatën e gjellës e shkoja dhe e konsumoja me Naxhon. Kështu u miqësuam me të aq sa i besuam njëri-tjetrit dhe çelësat. Ndenja në apartamentin e Naxhos deri në vitin 1970. Në ‘70-ën lindi djali i madh, Sokoli dhe tashmë rrisja dy fëmijë me një dhomë. Shkoja shpesh në komitet për zgjerim por ata nuk më jepnin asnjë lloj sqarimi. Unë isha aktor dhe kisha nevojë për më shumë hapësirë dhe komoditet. A mendoni dot se si mund të përgatitesha unë për rolet e mia. Arrita që çdo katër ditë të shfaqesha në komitet, duke i dhënë porosi herë njërit e herë tjetrit nga punonjësit të ma shikonin me përparësi këtë situatë. Ishte periudha kur u vështirësua situata me plakën. Krejt papritur asaj iu shfaq kanceri. Sigurisht që i ndenja shumë pranë. Deri në Tiranë e çova për ta vizituar, por ajo vdiq pas tre muajsh. Kishte një nipin e saj nga Gjirokastra, që u interesua dhe i bëri varrimin në Tiranë. Dhoma e saj u mbyll dhe u krijua një komision nga komiteti që vendosën të dërgonin një çift tjetër pleqsh për të jetuar në shtëpinë e plakës. Unë ndërhyra por ata nuk dëshironin të ndryshonin vendimin e tyre. Vazhdoi konflikti me zyrtarucët e komitetit deri më ‘71-in. Erdhën disa herë për të ndërhyrë dhe si përfundim pata fat. Bëja stazhin e partisë në atë kohë në Fier dhe për të mos u larguar nga Estrada më kishin dhënë qendrën e zërit të qytetit, duke e përshtatur me zanatin tim si elektrofonist. Stazhi zgjaste 3 vjet. Erdhi puna dhe u bë një konferencë partie në Fier dhe i dërguar nga Komiteti Qendror ishte Hysni Kapo. Një natë, përpara konferencës, ai ndoqi një shfaqje estrade ku unë mbaja mbi shpatulla rreth 85 % të programit dhe i kisha bërë përshtypje me një skeç. Kur më pikasi mua në sallë, ndërsa po instaloja mikrofonat, sepse zhvillohej plenumi i partisë në Fier, më thërriti me emrin e personazhit:
- Hajde këtu ti Rako Billa. Ishe artist i mirë, ti!
- Si urdhëron! - iu përgjigja unë.
- Si kalon? Si shkon? Çfarë problemesh ke?
- Faleminderit shumë që më pyet për problemet që kam.
Dhe nisa dhe i tregova se si i kisha punët e mia personale, se si me familjen time jetoja në një dhomë dhe përmenda dhe kalvarin me komitetin e strehimit që kërkonte të më plaste në apartament edhe dy pleq të tjerë, duke ma kthyer banesën në një azile pleqsh. I tregova se kisha dy fëmijë.
Ai u fjalos me kryetarin e Komitetit, duke e kritikuar se do i zgjidhnin hallet e Fierit me atë dhomë e kuzhinë, që sipas tij më takonte mua. E urdhëroi t’i sistemonte pleqtë në një vend tjetër dhe të vinin në dispozicion dy dhoma e një kuzhinë për artistin, sepse kisha dy fëmijë.
Situata që pasoi ishte shumë e këndshme. Siç ndodhte atëherë, në kohën e monizmit, të kishe mbështetjen e një të rëndësishmi, ndryshonte kryekëput situata. Mua më kishin dhënë ultimatumin të liroja dhomat ndërkohë që kryetari i komitetit të qytetit, Dhimo Kuri më mori vetë personalisht në telefon:
- Alo! Jam kryetari i Komitetit. Luftar Paja je?
- Po.
- Komiteti vendosi që të japë një dhomë e një kuzhinë në atë hyrje ku je.
- Faleminderit shumë Komitetit, shoku Dhimo.
- Hajde të marrësh fletën.
- Çfarë është sot, shoku Dhimo?
- E martë.
- E martë, e mërkurë, e enjte, e premte, e shtunë, e diel. Nga e marta tjetër, po të jem këtu, do vij të marr vendimin.
Ndërkohë, unë i kisha bërë punimet në shtëpi, isha rehatuar me kokën time dhe apartamentin po e shfrytëzoja sipas qejfit.
Gëzimi më i madh, kur bëhesh baba
Të bëhesh baba është një ngjarje e veçantë. Përgjithësisht ne meshkujt i perceptojmë me krenari dhe jo me pak ankth. Në kohën time ndjenjat e kësaj ngjarjeje nuk përjetoheshin dhe aq hapur sepse baballarët duhet të ekspozonin vetëm anën e rëndë dhe burrërore të këtij evenimenti. Por kanë qenë ngjarje të rëndësishme në jetën time. Artisti ka ndjeshmëri të lartë në përjetimin e ngjarjeve të shënuara dhe pa dyshim që ditët kur bëhesh baba janë përvojat më të bukura dhe për mua. Fëmija e parë më lindi në 6 maj të vitit 1967 në Patos. Një stinë ku jeshillëku sundonte gjithkund e qielli ngjante me sytë e ndritshëm të një fëmije. Lindi vajzë dhe e quajtëm Nikoleta. Vendosja e emrit të saj u ngjiz prej një personazhi shumë interesant. Në atë kohë ishte një nga organizimet e Radio Televizionit, mbaj mend Festivali i Pranverës ku merrte pjesë një këngëtare që mua më pëlqeu shumë. Quhej Nikoleta Shoshi. U bëra tifoz i saj për këngën që këndoi. Lindja e vajzës u prit si një mrekulli nga të gjithë sepse merreni me mend edhe babai im me nënën kishin gëzimin e parë të shtimit të familjes. Unë isha vëllai i madh dhe vëllezërit e motrat u gëzuam pa masë. Një fëmijë i vogël është gjithnjë një mire se ardhje për një familje me shumë anëtarë. Nuk i hymë fare konceptit pse lindi vajzë, apo djalë. Kështu që u gëzuan të gjithë familjarët, farefisi dhe unë vetë. Mbas një farë kohe, në vitin ‘70-të lindi Sokoli. Djalit ia ngjiti emrin im atë. Babai im ishte një njeri me temperament shumë të çiltër, një njeri që bënte vetë humor e kur lindi Sokoli u gëzua jashtë mase dhe mbaj mend si tani fjalët e tij: “Do t’i vëmë një emër kreshnikësh”. Djemtë me emrin Sokol, ai i imagjinonte si djem të fortë, të fuqishëm, inteligjentë. U përforcua kjo dashamirësi e babait se ai u bë një tip i shkathët, i madh dhe me trup më të mirë se ne të tjerët. Kur bëja fjalë ndonjëherë me babanë ai më thoshte gjithnjë: “Vetëm djalin mos ma ngacmo!” Për të nipçja ishte mjalti i mjaltit dhe e ka pasur shumë merak. Dhe kur u vendosa me shtëpi në Fier, ai ma mbante djalin në fshat. Kur Sokolit i duhej të shkonte në kopsht, ai më kundërshtonte duke më thënë se djali duhet të mësohej me jetën e fshatit. Dhe në fakt unë fëmijët i kam çuar shumë shpesh në Gorishovë dhe ua kam ushqyer shumë dashurinë për vendlindjen time. Dhe ata flasin me shumë simpati për fshatin e babait të tyre. Ndërsa fëmija i tretë ka një kujtim shumë të bukur në vënien e emrit. Gazi ka lindur më 27 shtator të vitit 1978. Në atë kohë unë kisha një rol episodik tek filmi “Gjeneral Gramafoni”dhe ndodhesha në Korçë për xhirime. Kadri Roshi nga simpatia që kishte për mua i propozoi Viktor Gjikës që artistin e Fierit ta vendoste të flinte me të në të njëjtën dhomë në hotel. Dhe unë rrija me të. Mirëpo, për disa artistë si unë, në atë kohë, ishte ëndërr të rrinte me Kadri Roshin, sepse ishte një vlerë e madhe kombëtare. Ai më trajtonte shumë mirë për faktin se ishim të dy me origjinë mallakastriote, ai nga Ballshi dhe unë nga Gorishova. Ia thoshim së bashku ndonjë kënge labe në kohën e lirë. Këngë që i kemi demonstruar dhe te filmi “Këshilltarët” me Kadriun dhe me grupin e aktorëve të tjerë. Ishim pra, me xhirime kur unë kisha gruan shtatzënë për herë të tretë. Një natë, u mërzita shumë se në film ishte planifikuar të xhiroheshin episodet e mia kur më arriti telegrami: “Bashkëshortja është në gjendje jo të mirë dhe është gati për të lindur”. Kur Kadriu më pyeti pse kisha varur turinjtë i thashë se më kishte arritur telegrami. Vete Kadriu dhe i tregoi Viktor Gjikës që të më jepte leje të shkoja në Fier se kisha gruan sëmurë dhe të më jepte dhe makinë. Shkoj në Fier në kohën e duhur, pikërisht gjatë kohës që djali vinte në jetë. Atë natë u gjendën në maternitet babai me vëllezërit sepse ishte një ngjarje e rëndësishme për familjen tonë. Unë isha me nxitim, por ata patën kohë të më pyesnin për emrin. Babai më propozoi t’i vinim emrin Spartak. Pohova me kokë dhe ika. Kur arrita në shesh xhirim i qerasa gjithë artistët me llokume. Siç ishin zakonet, kur i tregova për lindjen e djalit, njëri kapte çelësat, tjetri lugët. Më pyetën për emrin dhe kur i thashë Spartak, Kadriu më tha t’ia kisha vënë Gazmend. U tregova i gatshëm të kthehesha prapë dhe të nesërmen me makinë shkova në Fier dhe i thashë babait se ia kisha bërë qejfin herën e parë, kur ai i kishte vënë emrin djalit të madh, ndërsa tani do i bëja qejfin një artisti të madh. “Kadriu kishte qejf ta quante Gazmend dhe dua që djali ta ketë emrin nga ai.” “Me gjithë qejf!”, u përgjigj babai dhe kështu u vendos. Më pas Kadriu erdhi për darkë në Fier dhe u bë nuni i Gazit. Ishte thuajse një rrugë e përcaktuar aveniri i tim biri. Gazin e kanë thirrur për një film në moshën 4 vjeçare ku ka luajtur me Reshat Arbanën dhe Sotiraq Cilin në rolin e një fëmije te filmi “Rikonstruksioni”. Por ishte dhe ambienti ku ai u rrit që e edukoi me një frymë të tillë. Kudo që shkonim në turne ne artistët i merrnim fëmijët me vete sepse s’kishim ku t’i linim. Dhe pse gruaja ime kishte profil tjetër profesional përsëri fëmijët tanë ngryseshin dhe gdhiheshin në teatër. Ndaj i hyri në gjak kjo punë. Në ‘82-in luajti rolin e një fëmije me top dhe më ka treguar që e ka takuar Kadriun i cili e ka përkëdhelur dhe që atëherë miqësia vazhdoi të thellohej dhe Gazi të mbante korrespondencë me aktorin e madh edhe kur ai jetonte në Greqi. Unë, duke parë shkathtësinë e djalit, duke parë qejfin që kishte për të parë filma me kukulla, dëshirën për të parë çdo lloj shfaqjeje në Fier, nuhata se ai kishte shumë pasion për të. Kërkesat e mia ndaj fëmijëve kanë qenë që ata të ndiqnin rrugën të cilën kam ndjekur unë. Në fund të fundit, qëllimi i një prindi është të formësojë një model, që do e ndjekin dhe pasardhësit. Nuk mendoj se është e tepërt ose e dhunshme që një baba të preferojë që rrugën e tij ta ndjekin edhe fëmijët, sepse gjatë jetës sime nuk më ka sjellë ndonjë shqetësim kjo rrugë. Ndaj edhe doja ta aplikoja këtë dëshirë te fëmijët e mi. Por me kalimin e kohës kam kuptuar që gjithsecili duhet të ndjekë dëshirën e tij në jetë në mënyrë që të bëhet i lumtur. Për fat Gazi e kishte talent punën e artit. Sot jam i kënaqur sepse kam një vajzë e cila ma dëgjoi këshillën time. Nikoleta u bë me shkollë të lartë, mori një djalë ashtu siç e dëshiroja unë dhe dua të them me shumë krenari që unë kam një vajzë dhe dhëndër të cilët kanë 22 vjet që janë të martuar, kanë dy fëmijë dhe bëjnë një jetë, e them me plot gojën, të shkëlqyer. Nuk mbaj mend ndonjëherë si prind të më jetë ankuar vajza për dhëndrin ose anasjelltas. Kjo është gjëja më e dëshiruar për një prind. Kënaqësia më e madhe është se dy fëmijët e tyre, kanë marrë një rrugë për t’u admiruar. Mbesa ime e madhe sot është një studente e shkëlqyer në Athinë, për shkencat shoqërore. Ndërsa djali është një nxënës i shkëlqyer në shkencat ekzakte, midis të tjerave dhe një futbollist i talentuar në një nga ekipet e të rinjve në zonën ku ata jetojnë në Greqi. Kjo është kënaqësia më e madhe se ata demonstrojnë vetëm vlera dhe është kënaqësi kur bisedon për argumente të ndryshme, sepse këta fëmijë jo vetëm që i janë përkushtuar mësimeve, në shkollat të cilat frekuentojnë, por në sajë të kujdesit të prindërve i janë përkushtuar dhe ndjenjës patriotike. Është shumë e vështirë që të jetosh në një vend të huaj dhe të mos kesh një ndjenjë patriotike. Këtu përfitoj nga rasti të prek edhe një ngërç që shumë herë i kap shqiptarët në emigracion. Unë, personalisht nuk e shoh me vend që ata prindër të cilët jetojnë në Itali, Greqi apo Amerikë të mos i kushtojnë kujdes fëmijëve për t’i transmetuar traditën, gjuhën shqipe dhe zakonet tona. Ata, për mendimin tim, nuk kanë gjë në dorë te fëmijët. Po kështu dhe djali i madh i cili është djalë shumë i talentuar dhe me një intuitë të mrekullueshme. Kam një merak në lidhje me të. Ai djalë me gjithë të dhënat që ka, mund të ishte bërë një artist shumë herë më i mirë se unë, por kishte një ves, ishte i shpërqendruar. Kur bie në kontakt të parë me të, dallohet menjëherë për shpirtin e tij artistik dhe dhuntinë e tij të lindur artistike. Megjithatë dhe tani që është në moshën 38 vjeçare i është përkushtuar mekanikës. Ecën mirë, dhe me gjithë shpërqendrimet e jetës së tij, sepse, duke e thënë troç, nuk më ka dëgjuar në këtë pikë, sot ecën mirë. Mangësitë e tij mundohet t’i përforcojë te fëmijët. Me sa shoh djali i madh i tij është në binarët e duhur dhe i është përkushtuar shkollës. Djali im, (i tretë nga fëmijët), që tashmë e njeh e gjithë Shqipëria, është Gazmend Paja. Ai ka qenë dhe është më i stabilizuari në disa drejtime. Është djalë i vëmendshëm dhe i kujdesshëm në lidhje me porositë e mia si profesionist në sferën të cilën ai ka përqafuar. Më ka dëgjuar me vëmendje dhe rezultatet deri më sot i ka shumë të mira. Ka nisur të shpaloset me aftësitë e veta.
Gjatë jetës sime unë i jam përkushtuar marrëdhënieve me fëmijët e mi. Zgjedhja që kam bërë unë ka qenë fakti që fëmijët t’i trajtoj si shokë. Të jemi realistë, në kohën që ndodhën transformimet edhe unë si gjithë prindërit pata meraqe të mëdha. Sepse Shqipëria u mbërthye nga kaosi, nuk kishte më rregulla dhe ligje dhe anarshia ishte e dëmshme për brezin e ri. Ndoshta gjatë kësaj kohe e kam tepruar ndonjëherë me porositë që u kam dhënë fëmijëve, duke parë bëmat që ndodhnin rëndom në jetën e përditshme nëpërmjet kronikës së përditshme televizive e cila përcillte te të gjithë shqiptarët vrasje, probleme të drogës, prostitucionit. Unë preokupohesha shumë nga këto skandale madhore dhe tehun e kam përqendruar në shumë aspekte. Mirëpo, si ndonjëherë, që bëhen edhe gabime të pavetëdijshme, unë kam qenë ndonjëherë më i rreptë seç duhet.
Mes ëndrrave në qytetin e Fierit
Siç e dini, 8 km në perëndim të qytetit të Fierit ndodhet një nga qendrat e qytetërimit antik: Apolonia. Në shekullin III p.k., në Apoloni ishte ngritur një nga teatrot më të mëdhenj të Ilirisë, në shkallaret e së cilës mund të uleshin rreth 7000 spektatorë dhe, që nga ajo faqe kodre përballë Adriatikut ndiqnin lojën e aktorëve dhe të korit. Tradita e krijuar vazhdoi deri në shekullin e V-të pastaj për arsye që dihen, ajo u ndërpre për të rinisur vetëm pas 22 shekujsh.
Në vitin 1971 në qytetin e Fierit krijohet Teatri profesionist, ndërkohë, që për koincidencë në rrënojat e Apolonisë vetëm një muaj më vonë, arkeologët Aleksandra Mano dhe Burhan Dautaj zbuluan teatrin e dikurshëm. Ndërkohë që për emërtim u zgjodh një emër po nga antikiteti, ai i qytetit Ilir të Bylisit. Kjo gjë u bë për disa arsye. Së pari, emrin Apoloni e mbanin shumë subjekte social-kulturore në qytetin e Fierit. Së dyti, rrënojat e qytetit të Bylisit ndodhen në fshatin Hekal të Mallakastrës dhe atëherë kjo krahinë ishte pjesë përbërëse e rrethit të Fierit. Së treti, edhe në Bylis, që kishte qenë dikur një nga qendrat kryesore ekonomike dhe shoqërore të Ilirisë së jugut, kishte ekzistuar një traditë teatrore e cila ishte përfaqësuar nga ekzistenca e një teatri më të madh në përmasat se ai i Apolonisë.
Teatri në Fier i ka fillimet e tij mbi baza amatore. Ai nisi me iniciativën e një grupi të rinjsh të pasionuar ndaj kësaj gjinie dhe në kushtet e indiferencës së mbështetjes nga shteti, mungesës së ambienteve dhe publikut të kulturuar. Pikënisja e tij do të ishte viti 1933, kur në lokalin e Zeko Kokës, një grup zanatçinjsh dhe arsimtarësh shfaqën të parën vepër skenike në një ambient të improvizuar. Ajo ishte komedia e autorit Kristo Floqi e titulluar “Do të vras veten”. Jo pa qëllim u zgjodh kjo vepër teatrore, pasi Kristo Floqi ishte autori më i dashur dhe i pëlqyer i kohës. Veprat e tij shquheshin për humor, përmbajtje kombëtare dhe fshikullim të dukurive negative. Regjisori i parë i trupës teatrore ishte mësuesi Llaqi Kola, i diplomuar në shkollën normale të Elbasanit i cili ishte marrë me teatër gjatë viteve të studimit. Ndërsa trupa përbëhej nga aktorët amatorë: Sokrat Pogaçe, Jorgji Koshovari, Jorgji Panda, Sotir Argjendari, Jorgji Kovaçi, Nasi Bogo, etj.
Pas suksesit të parë, kjo shoqëri teatrore shfaqi në vitin 1935 me mjaft sukses dramën e autorit Foqion Postoli. Në vitin 1937 ajo u paraqit me dy vepra skenike: komedinë “Fe dhe kombësi” të Kristo Floqit dhe komedinë e Molierit “Doktor pa dorashka”. Gjatë kësaj kohe grupi teatror do të zhvillonte edhe turneun e parë artistik në qytetin e Beratit ku shfaqi komedinë e sipërpërmendur “Fe dhe kombësi”. Në vitin 1938 autoritetet e shpërndanë këtë grup meqenëse në radhët e tij kishte anëtarë të cilët dikur kishin marrë pjesë në Kryengritjen e Fierit (1935) dhe ishin simpatizantë të ideve komuniste, të cilat konsideroheshin të rrezikshme për regjimin e kohës. Kështu, me këtë prolog u mbyll etapa e parë e zhvillimit të teatrit në qytetin e Fierit. Pas Luftës së Dytë Botërore, shteti shqiptar për qëllime nga më të ndryshmet ndërmori dhe hartoi një strategji politiko-kulturore, ku rëndësi të veçantë i jepte edhe teatrit dramatik.
Në këtë nxitje dhe interesim nga shteti, me përvojën e krijuar në etapën e parë dhe aktorë të ardhur nga teatri partizan, në Fier rinisi veprimtarinë teatri dramatik i shtëpisë së kulturës. Do të ishin 21 aktorë amatorë të cilët nën drejtimin e regjisorit Llazar Verria, hodhën bazat e artit dramatik në Fier. Të tillë ishin: Nestor Pogaçe, Ndrek Beltoja, Muhedin Pleshti, Marika Kallamata, Hamza Pleshti, Sila Kordhishti, Lake Panajoti, Harilla Roshi, Omer Haxhia, Stavri, Pirro e Terezina Gjerazi, Sila Kaleshi, Veniamine Muço, Tashko Lako, Leonidha Prifti, Syrja Minarolli, Violeta Bakalli, Fuat Boçi, Sotiraq Xoxa, Liri Mitri, etj.
Nga kjo veprimtari u nxitën që t’i kushtoheshin aktrimit dhe të bëheshin aktorë të njohur në rrafshin kombëtar disa individualitete nga qyteti i Fierit si:Marika Kallamata, Albert Verria, Ahmet Pasha, Aleksandër Pogaçe, etj. Një kontribut të shquar në shtëpinë e kulturës dhanë dhe regjisori Pirro Mani, drejtuesi i muzikës Ismail Balla dhe koreografi Hamza Minarolli
Aksionet artistike
Mbaj mend se kur më emëruan në estradën profesioniste të qytetit të Fierit, usta Niko më tha: “Tani ike, na le. U rrite me përgjegjësi, por mos harro grason se ajo të dha dorë të madhe.” Dhe unë për shumë vite, gati një dekadë mora estradën e parkut në patronazh, punë të cilën e bëja me shumë dëshirë. E quaja veten familjar të parkut, jo vetëm se kisha punuar aty, por edhe për faktin se njerëz si Niko Çaçi meritojnë nder e lavdi dhe duhet t’ua shpërblesh me përkushtim. Plus dhe faktit që në parkun e Fierit “Vangjel Rusku” gjeta dashamirësinë e të gjithë punonjësve. Në atë ndërmarrje firmosnin në bordero plot 700 persona dhe pse ju thashë se ruaj mbresa të veçanta nga krye kontrollori i automjeteve, i ndjeri Niko Çaçi. Nikoja e ndiqte estradën e parkut çdo natë në shfaqje, sidomos në aksionet artistike, që organizoheshin në mënyrë të shpeshtë në shkallë kombëtare. Në park gjeta artistë të talentuar si: Llazo Polo, Lirim Zhupa, Kujtim Mema, Agim Halo, Bukurie Zhupa, Ilia Lulo etj. Vlen të theksohet kontributi i çmueshëm i Piro Gjerazitit cili ishte drejtues i talentuar, por xhelozitë në art e kishin lënë magazinier në park. Me shumë respekt kujtoj dashamirësinë e drejtorit të parkut, Gaqo Konda.
Por dhe në Estradën e Fierit, për fatin tim të madh, gjeta një ekip shumë të mirë. Midis të tjerëve gjeta regjisorin Llazar Vërria të cilin e njihja shumë mirë sepse ai më kish ndihmuar dhe me grupet amatore. Llazari ishte njeri shumë dashamirës dhe profesionist. Jam shprehur dhe nëpër intervista ose opinione personale për figurën e tij të ndritur sepse realisht ai ishte regjisori i Estradës së Fierit, por mbahet edhe si një nga krijuesit e Teatrit të Kukullave në shkallë kombëtare. Në estradë takova Nestor Pogaçen, një aktor i shkëlqyer i cili, për fatin e tij të keq, doli shumë shpejt në pension, në një kohë kur televizioni shqiptar akoma nuk kishte lulëzuar, ndaj nuk pati fatin të njihet nga masa e gjerë. Por bashkëkohësit e dinë shumë mirë kush ishte ai dhe ia njohin vlerat, duke e klasifikuar ndër aktorët me përmasa kombëtare. Po kështu një mbështetje të fortë gjeta dhe nga Kujtim Jorgaqi, Koço Papadhopulli, Fuat Boçi dhe Isuf Maloku e shumë e shumë të tjerë, që përbënin një kolektiv të përkryer. Por ka një shprehje populli që thotë se jo gjithçka në fillim është trëndafila dhe lule. Çka tregon se fillimi në teatër ishte mosbesues ndaj meje. U përhapën fjalë ku përmbajtja ishte: “Po na sjellin një amator.” Kishte dhe nga ata që shtonin tagjinë e thashethemeve me shprehje të tilla si “Po na sjellin një fshatar.” Personalisht i kapërceva këto paragjykime jo me pak keqardhje dhe zhgënjime dhe pse e dija, që ndonjëherë kishin shkak mosnjohjen, por te një pjesë përmbanin dhe doza inati. Përgjigja më e mirë ndaj ziliqarëve dhe inatqarëve ishte t’i përkushtohesha punës dhe ashtu bëra. Që në materialin e parë të estradës, që ishte një skeç parodi, spikata me interpretimin. Fitova duartrokitjet e para të spektatorit si profesionist dhe aty fillova të ngrohesha. Duke punuar vetë në sektorin e elektrikut, duke njohur mirë klasën punëtore, unë njihja deri në detaj problemet që takoheshin në ndërmarrje në lidhje me burokracinë, me shpërdorimin e interpretimit të ligjeve në marrëdhënie të punëtorëve me ndërmarrjen, ndaj dhe hallkat burokratike të organikave spikatnin në atë skeç. Ishte një material ku gjithsekush gjente të shkrirë veten e tij dhe problemet e kohës. Kështu që, mbas disa javësh në festivalin e Durrësit ku do konkurronin estradat profesioniste, realizuam një repertor ku unë merrja pjesë për herë të parë me një numër bllok të estradës Profesioniste. “Punojmë dhe vigjilojmë” titullohej pjesa. Për të përgatitur këtë shfaqje filloi një punë intensive sepse ishte konkurrim kombëtar, plus dhe trupa kishte interesin të paraqitej sa më mirë. Detyrimi ishte i shumëfishtë, duhet të prezantohesha siç duhej, por ishte dhe një provë për mua. Kam punuar pa pushim, duke mos vënë re orare. Realizova 3-4 materiale që më nderuan në atë periudhë dhe që në një farë mënyre më vunë vulën. Sepse krahas estradës profesioniste unë punoja me amatorët në Patos, Cakran, sepse pavarësisht se u inkuadrova si profesionist, unë nuk isha i regjistruar në organikë. Borderonë e firmosja në vend tjetër. Në muajin nëntor të vitit 1969 u bënë disa vlerësime për aktorët dhe midis të tjerëve fitova dhe unë. Ishte një sadisfaksion i madh sepse u dekorova me medaljen “Naim Frashëri” të shkallës së parë si aktor i humorit, një medalje lavdiplotë që më inkuadroi te të përkëdhelurit e skenës. Ata që shiheshin me sy tjetër, por që duhet të punonin çdo çast, çdo ditë për të ruajtur piacën e krijimtarisë. Gjatë viteve ‘70-të numëroj vetëm ngjitje në karrierën time të interpretimit. Një periudhë e artë sepse kam interpretuar në shumë komedi. Mund të veçoj komedinë e Kujtim Shehut “Portreti” e cila kishte në qendër një piktor. Ai kishte realizuar disa punime personale dhe për të marrë honorare nga ndërrmraja e tij sajoi një piktor të rremë. Mund të veçoj gjithashtu materialin “Hapi sytë e zezë” një shfaqje tjetër shumë e suksesshme.
Gjatë kësaj kohe nisi të konsolidohej puna jonë me trupën dhe më vonë nga vitet 70-të ndryshoi çdo gjë në Estradën e Fierit në drejtim të cilësisë sepse ardhja e Pëllumb Kullës qe një rastësi e favorshme për kulturën e qytetit tonë. Për të marrë Pëllumbin në Estradën e Fierit u kapërcyen shumë peripecira sepse në atë kohë bëhej një luftë e ashpër për sa i përket problemit klasor. Pëllumbi cilësohej si i deklasur edhe pse pas diplomimit u emërua në teatrin e Vlorës. Por Komiteti i Partisë nga teatri e kishte çuar në guroren e Kaninës, për shkak të biografisë së keqe. Ndërsa Estrada e Fierit ishte ngritur në vitin 1957, ngritja e Teatrit Profesionist të Fierit, siç e përmenda më sipër, përkoi me vitin 1971. Teatri përmblodhi në vetvete shumë forca të kualifikuara. Disa aktorë kishin ardhur nga Instituti i Lartë i Arteve dhe disa të tjerë u tërhoqën nga bazat amatore. Ne kemi punuar në një kohë kur gjithçka mbi teatrin, estradën dhe kulturën vendosej nga Komiteti i Partisë. Më kujtohet se gjatë kësaj kohe sekretari i Partisë së Fierit, Ismet Cibaj, një njeri shumë dashamirës ndaj artit, kërkoi të zgjidhte kuadrot më të mira për kohën. E keqja ishte se ai nuk shkonte dakord me sekretarin e parë. Sekretari i parë kishte kontradikta, xhelozira dhe ai në pamje të parë dukej si njeri mendjemadh, por kur ngulte këmbë për diçka e bënte punën siç i thoshte mendja. Shpesh për kontradiktat e tyre e pësonin artistët. Cibaj mori nga Vlora, Leka Bungon, regjisor në teatrin e Vlorës. E mori me rastin e krijimit të teatrit dhe e emëroi regjisor. Kështu që Bungos i takon nderi të jetë regjisori i parë themelues i teatrit të qytetit. Inaugurimi i teatrit u bë me “Hijet e natës” së Vedat Kokonës, me bashkëpunimin e trupës së estradës ku bënte pjesë Nestor Pogaçe, Kujtim Jorgaqi, Nardi Poro, Hatixhe Bendo dhe Antigoni Golemi etj. Në shfaqjen inauguruese unë nuk mora pjesë. Pas kësaj drame vumë në skenë komedinë “Fejesa” të Çehovit, ku unë interpretoja rolin kryesor, Llomovin, ndërsa Hatiqeti luante rolin e Natasha Stepanovës dhe Nestori kishte rolin e Çubukovit. Ajo komedi na shkoi shumë mirë dhe unë realizova një personazh që u prit me duartrokitje nga spektatori. Meqenëse puna në teatër dhe estradë po vihej në binarë të sigurt, me ndërhyrjen e Leka Bungos u kërkua që estradën të vinte dhe ta drejtonte Pëllumb Kulla. U bënë shumë përçapje të shoqëruara me shumë pengesa. Fillimisht e morën Pëllumbin për të vënë në skenë një numër të vetëm të estradës dhe numri i parë me të ishte shfaqja “Revistë”. Ajo doli një shfaqje shumë e pëlqyer dhe skena kishte një dekor të bardhë, shumë simpatik. U shpenzua në fakt dhe pati rezultate shumë të mira. Mbaj mend se kam qenë shumë i shkathët dhe atë sezon realizova një skeç me shumë rrezik, ku interpretoja shefin e sigurimit teknik të ndërmarrjes. Skeçi quhej “Masat e Rakos” dhe ai ishte një shef parullash. Kur vinin dhe i ankoheshin punëtorët: “S’kemi siguri nga vinçi” ose “ Prizat s’kanë kapakë”, shefi nuk merrte masa, por mjaftohej vetëm me tabela ndalesash. Pra, kur punëtorët i ankoheshin se prizat nuk kishin kapak, ai shtonte një tabelë ku shkruhej: “Kujdes! Prizat nuk kanë kapak.” Ruhuni këndej, ruhuni andej! Ndodhi që kur shefi i sigurimit teknik shkoi për të bërë një punë mbi vinç me një mekanizëm, u rrëzua nga maja e skenës para publikut, duke u varur. Kështu nisën të talleshin punëtorët me Rakon. Kishte batuta shumë të bukura kur shefi thoshte: “Aman më shpëtoni se po bie ca nga ca…” në një çast, me marifet rrëzohej këpuca në tokë, më pas kollarja kapej me një tel, binin gjyzlykët. Deri sa erdhën punëtorët dhe e shpëtuan. Skeçi pati shumë sukses dhe unë zgjodha një të folur në atë kohë që i përshtatej minoritetit. Thosha unë: “Me vjen shume keq per punonjesi te pararoja qe jen si ju, te me ben mua kritika per sigurimi tekniku dermarrja”. Kjo e folur shkaktoi shumë ilaritet aq sa u fut çështja në kallëpet politike dhe më porositën se duhet ta hiqja imitimin e minoritarëve sepse nuk ishte mirë të trajtonim në estradë mënyrën e të folurit të një minoriteti të vlerësuar. U detyrova ta ktheja në gjuhën e zakonshme. Shfaqja bëri jehonë në gjithë republikën dhe erdhën ta ndiqnin në Fier shumë artistë, specialistë të teatrit nga i gjithë territori shqiptar. Ata e vlerësuan shfaqjen me shumë entuziazëm dhe që aty mori udhë përpjekja e madhe që Pëllumbi të vinte në mënyrë përfundimtare në estradën e Fierit. Siç e thashë pengesat biografike zgjatën jo me ditë e me javë por me vite. Ishte një paradoks i madh se ai bënte punën ndërkohë që emrin kërkonin të mos ia vinin në afishe. Gjithë meritat i viheshin libretistit. Me shumë mundim e tërhoqëm në estradë, por në organikë nuk u regjistrua kurrë si regjisor, por si aktor. Në këtë kohë shpërtheu më keq xhelozia. Disa materiale që ishin vënë në trupën e Vlorës nuk kishin pasur sukses ndërkohë që aty morën hov sepse Pëllumbi ishte shumë i aftë për atë punë, për më tepër se në estradën e Fierit gjeti shtratin e nevojshëm të aktorëve. Aty ishte Nestor Pogaçe, ishte Fuat Boçi, Todi Llupi. Ai tërhoqi familjen nga Vlora dhe Xhulin, që e kishte bashkëshorten e tij, e bashkoi me trupën tonë të estradës. Pastaj rrethin e aktorëve e zgjeroi emërimi i aktorit të palodhur Sotir Stefa dhe i artistit ekspresiv e simpatik Arqile Lipe. Në fund, trupa e bë me e konsoliduar me ardhjen e tij nga Patosi, të Hasan Bregut i cili u bë partneri im më i spikatur në një varg komedish si te “Çobo Rrapushi me shokë”, “Oh, ç’luftë e ngatërruar!” dhe një sërë pjesëzash të tjera ku “Telefoni i ri në shtëpi” ishte më e shquara. Kështu, trupa jonë u bë më e konsoliduar. Merreni me mend, na ngjitën edhe epitetin “Gjashtë vëllezër dhe një motër” sepse ishim shtatë individualitete të ndryshme që përbënim bërthamën e estradës. Mua më kujtohet se disa ambiente u zilepsën aq shumë, sa Komiteti i partisë së Vlorës kuturisi e dërgoi në Fier një letër, ku shkruhej: “Sa parti janë në Shqipëri? Është partia e Punës apo një parti në Vlorë dhe një në Fier? Partia në Vlorë e merr tjetrin e çon në gurore ndërsa partia e Fierit e merr dhe e bën regjisor!” Me shumë peripeci zbutnim këto ngacmime dhe kapërcenim vështirësitë. Kur kaloi një farë periudhe, plasi problemi i Plenumit të Katërt për problemet e artit dhe kulturës. Ai goditi çdo gjë. Siç ishte “Njollat e murrme” ku u prek egërsisht Mihallaq Luarasi dhe Kujtim Spahivogli, por edhe shumë artistë të tjerë. Në Fier u vu një dramë “Historia e një vajze”, që u diskutua shumë dhe u mbajt qëndrim politik ndaj Leka Bungos të cilin e degdisën në prodhim. Regjisorin e caktuan të pastronte zinxhirët e traktorëve. Në këtë situatë nuk mund të kërkonim vendosjen përfundimtare të Pëllumbit si regjisor, sepse u morën masa drastike. Sekretari i parë pati konflikt të madh me sekretarin e propagandës. U desh të vinte Ramiz Alia në Fier, i ngarkuar nga Enver Hoxha, për të sqaruar situatën, se po vihej një dramë me pikëpamje revizioniste në Fier. Më e bukura ishte se Ramizi kërkoi libretin e dramës në shtëpinë e pritjes dhe ai u xhindos kur pa në faqen e parë të interpretëve që rreshtohej një personazh me emrin Kurva. Sa e pa këtë cilësor, nuk e lexoi fare më tej, por e hodhi dramën tutje duke thënë: “Ç’janë këto marrëzira kështu!” Filluan spastrimet edhe në Fier. Ismet Cibën e çuan punëtor në Fierzë, Leka Bungon punëtor në ndërmarrjen e naftës, sekretarin e partisë së teatrit e shkarkuan. Për njëfarë kohe mbetëm në heshtje. Puna bëhej por emri i regjisorit nuk vihej gjëkundi. Nga viti 1975 e prapa filloi një farë rehabilitimi si në heshtje i figurës së Pëllumbit, për të vënë ndonjë shfaqje me dy-tri emra, si biçim regjie kolegjiale. Teatri dhe Estrada formuan trupën, “Bylis” dhe suksesi erdhi në rritje. Një angazhim i madh për ne ishte Koncerti i Vitit të Ri. Mobilizoheshin gjithë vitin trupat me pjesët më të zgjedhura për t’i paraqitur në televizionin shqiptar në Natën e Vitit të Ri dhe mendoj se Estrada jonë është prezantuar shumë mirë në këto spektakle.
Jeta në ambientet artistike
Por nëse të jesh artist është diçka madhore, mund të deklaroj se të punosh në një trupë teatrale nuk është e lehtë. Ambientet artistike janë të mbushura me xhelozi, këndvështrime personale. Miku më i madh i imi në estradën ku punova shumë vite ka qenë spektatori. Ndërkohë, që miqtë vinin shkallë-shkallë. Mund të duket çudi, por unë kam pasur një mik të cilin më vonë nuk e kam quajtur vetëm të tillë, por vëlla e shkuar vëllait. Ai nuk ka pasur profilin tim, ishte polic, më saktë inspektor rrugor në Fier. Ishte nga Peqini dhe quhej Hasan Deliu. Hasan Deliu ka qenë një nga katalizatorët e mrekullueshëm të mitë, që më thoshte troç si kisha interpretuar në skenë. Më donte me gjithë shpirt dhe atë e kisha një barometër. Për mua ka qenë miku dhe vëllai më i ngushtë. Pastaj mikun tim të mirë brenda trupës kam pasur Todi Llupin i cili ashtu si Hasan Deliu m’i ka bërë vërejtjet pa dorashka. Por unë i quaja më të sinqerta vërejtjet e Hasanit se ato të Todit që e kisha partner në skenë.
Shpeshherë flitet për xhelozi në ambientet e artit. Nuk mendoj se ekzistonte vetëm te ne. Xhelozia gëlon në të gjitha qarqet artistike. Megjithatë unë di të them se njerëzit për kontributet që kam dhënë, me mua kanë qenë dashamirës.
Drama “Vitet e paharruara”
Në vitin 1975 vumë në skenë një dramë të quajtur “Vitet e paharruara” që Sheri Mita e pat shkruar sipas romanit “Para agimit” të Shefqet Musarajt. Unë luaja rolin e Dautit, një tregtar. Shfaqja u ndoq me shumë interes. Nisëm të bënim edhe turne me të, mirëpo shfaqja në Gramsh u bë sebep për shkarkimin e sekretarit të parë të Komitetit të Partisë së rrethit. U morën masa sepse punëtorët tanë të skenës kishin harruar një portret të Hitlerit i cili ishte sa një vitrinë e madhe, që kornizonte një lloj platforme rrotulluese ku sa fillonte shfaqja, aktori Shpëtim Shehu rrotullohej me dorën mbi skenë dhe në këtë kohë dilte dhe portreti i Hitlerit të cilin ky e përshëndeste. Ky portret ka pasur historira dhe në qytetin tonë sepse kishim një të sëmurë psikik ne në Fier, Isoja, që nuk kish roje ta ndalte, brofte në sallë kur t’i donte qejfi në mes të shfaqjes, në fillim, në fund. Aq delirant ishte për figurën e Hitlerit sa në çastin kur kthehej xhirevolo-ja, ia niste Shpëtimi të merrte pozicionin dhe të thoshte fjalët e personazhit: Hajt Hitler! Shpërthente Isoja: Hajt! Hajt! Hajt!
Salla oshëtinte nga ilariteti që sillte jehona e Isos. Isoja e kishte idhull Hitlerin.
…Pra, siç e nisa më sipër, në Gramsh tabloja e diktatorit të famshëm arian u harrua nga punëtorët e skenës dhe ndodhi që asaj nate plasi një furtunë aq e fortë sa u thyen xhamat e Pallatit të Kulturës së Gramshit dhe punonjësit atje, me mjete rrethanore zunë boshllëkun e vitrinës prej xhami me telajon në fjalë. Ata e menduan si një telajo normale, pa ditur se ajo do t’i hiqte ofiqet të zgjedhurve të partisë në Gramsh. Kur të nesërmen populli i Gramshit u ngrit dhe me sabah u nis për punë të gjithë kundronin çuditshëm Hitlerin që përshëndeste në bulevard. Mesele që fluturimthi u delegua deri te sekretari i parë i Partisë, Enver Hoxha i cili në një vepër të tij e vendosi këtë episod real, duke komentuar: “Ç’është ai sekretar i parë që nuk sheh se Hitleri përshëndet punëtorët kur shkojnë në punë”. Çështja u fry deri aty sa shkarkuan drejtorët dhe sekretarin e parë e internuan.
Por ka qenë një pjesë që ka mbarsur edhe historira të tjera. Unë kisha rolin e Dautit në këtë shfaqje dhe më kujtohet që aq shumë mbresa na la kjo histori sa dhe më pas nuk na pushonin gajasjet. Fillonte të na ngacmonte gulçimi që në pjesën e katërt, kthehej në një të qeshur kolektive e cila bëhej një furtunë e papërmbajtshme. Më kujtohet se pasi qeshëm natën e parë, të nesërmen në mëngjes u mblodhëm dhe diskutuam si trupë për këtë çështje, duke theksuar faktin që s’kishte lezet, spektatori të paguante lekët dhe ne aktorët të mos e merrnim seriozisht punën dhe t’ia këpusnim si pa gjë të keqe të qeshurës. Morën zotim se nuk do ndodhte më. Por sa nisi sekuenca e katërt ia plasi fillimisht Pëllumb Kulla, më pas Muhamet Sheri, ndërsa unë qëndroja me shpinë nga spektatori ndaj edhe po të qeshja nuk merrej vesh. Natën e dytë u përsërit e njëjta gjë. Nuk e kam diskutuar ndonjëherë këtë aspekt, por ndonjëherë krijohej ilaritet edhe kot, ndaj nëpër skena e qeshura mezi mbahej. Je aktor, por të mbërthen e qeshura dhe nuk di ç’të bësh. Dhe kjo ndodh edhe te “Portokallia”. Është sëmundje profesionale. Siç po thosha natën e tretë e qeshura u ripërsërit prapë. Të nesërmen, në mbledhje, unë si burrë i mirë u ngrita dhe deklarova i krekosur:
- Nuk na nderon kjo sjellje. Ne ta kemi për turp. A më keni parë mua të qesh ndonjëherë?
- Pse nuk qesh ti? - U habitën aktorët e tjerë.
- Unë nuk qesh. Edhe kur më vjen ajo e uruara, fus dorën në xhep. Jam njeri i kontrolluar. Në çastin që më vjen e qeshura unë prek majën e gjilpërës me kokë që mbaj në xhep dhe shpoj mishin. Kur te cek në mish nuk të qeshet më…! Aq u desh. Në darkë të gjithë duke më vërejtur mua nëse do e fusja dorën në xhep dhe e qeshura shpërtheu më keq. Deri sa e morën seriozisht këtë punë dhe filluan kritikat, autokritikat dhe analizat e njëri-tjetrit. Por ishte një gjendje që u stabilizua më vonë. Kështu që ka pasur çaste komike, pikërisht kur drama kishte tragjedi të mjaftueshme brenda.
*
Takimi me Çobo Rrapushin
Në përgjithësi pjesëtarët e familjes sime njihen si njerëz me humor. Që nga gjyshi, por edhe babai transmetonin një humor të pëlqyeshëm në fshat. Edhe nëna, gjithashtu. E pyesin njëherë nënën se si e ka nisur Luftari këtë estradën... E, ajo u përgjigj: “Oi, ou të keqen nëna... si e nisi ashtu e bitisi, rrenga-denga me ca këmborë e ca zile”. Personalisht humorin kam qejf ta gjej në popull. Një peshkim paksa i vështirë sepse halli im është komedia jote. Në qoftë se nuk do të gërmosh për personazhin që do të luash në skenë, do të mbetesh i thatë. Unë kam vrojtuar shumë tipa e personazhe të cilët kanë ekzistuar dhe kam marrë atë që më ka interesuar. Kështu, te “Konitat”, “vodha” mënyrën se si i lëvizte këmbët një personazh real, te një tjetër mënyrën si e dridhte duhanin, te një i tretë se si luante kokën. E kështu, duke e furnizuar me njohjen personale e duke marrë atë çka duhet nga të tjerët, i pres kostumin vetes sime.
Në këtë kuadër mund të them se roli i cili më ka lodhur më shumë ka qenë Çobo Rrapushi, sepse për atë rol mora rrugën për në Smokthinë, m’u në zemër të Labërisë së Vlorës. Brodha nga një mik te tjetri, mes fshatarëve të kësaj krahine, që dallohet për mikpritjen e saj. Po dhe role të tilla tek “Këtu paska konita”, “Luftë e ngatërruar”, në filmat “Gunat përmbi tela”, “Ëndërr për një karrige”, “Gurët e shtëpisë time”, Këshilltarët”, “Gjeneral Gramafoni” kam studiuar personazhet jetësorë. Çobo Rrapushi ishte një nga rolet që jam angazhuar më shumë se çdo herë. Ishte e para herë gjatë praktikës sime si aktor estrade që më ngarkohej një rol i tillë me përgjegjësi, një personazh qendror i cili do përshkonte tej për tej spektaklin tonë. Kuptohet që është ndryshe të realizosh një figurë të dhënë në një skeç ose qoftë në një pjesë ose komedi me një akt dhe krejt tjetër të japësh një personazh qendror ose një hero gjatë gjithë shfaqjes.
Periudha gjatë të cilës zhvillohet ky personazh ishte aq e plotë, saqë fare mirë mund të përbënte dhe subjektin e një romani ose të një komedie të plotë. Por ndërsa romani dhe komedia kanë përparësitë e tyre në këtë drejtim, skena e estradës ruan gjithnjë kufizimet e veta. Këto kufizime e vështirësojnë punën time sepse kemi të bëjmë me raste të tilla të shfaqjes në bosht, apo si në rastin e Çobo Rrapushit, bëmat e të cilit fillojnë që nga vitet e zjarrta të luftës Nacional Çlirimtare e deri në ditët tona.
Për realizimin e figurës simpatike e poliedrike të këtij personazhi më dolën përpara disa detyra jo fort të lehta. Së pari: njoha mirë veprën e autorit Shefqet Musaraj. Dhe kjo vepër ishte e gjithanshme. Jo pak, por 50 vjet krijimtari. E hedhur në letër në periudha të ndryshme, por të lavdishme të historisë së popullit tonë. Jo vetëm në prozë, por edhe në poezi, publicistikë. Dhe gjeta njërën gjini më tërheqëse se tjetrën, njërën vepër më interesante se tjetrën. Gjuha e autorit përbënte çështjen e dytë të cilën duhej të zgjidhja gjatë punës përgatitore. Këtu dua të theksoj se gjuha e shkrimtarit Shefqet Musaraj është ndër më të pasurat e autorëve tanë. Është një gjuhë e lidhur fort me thesarin popullor dhe me koloritin e krahinës, kolorit të cilin shkrimtari e njeh dhe e shfrytëzon siç duhet.
Së treti, si nga vepra, ashtu nga gjuha e pasur e autorit duhet marrë aq sa lejon libreti i një shfaqjeje estrade me kufizimet që përmendëm më sipër. Ishte pra, një provë që i kapërcente rolet e mia të realizuara deri atëherë në skenën e estradës nga ana ime.
Unë kisha lexuar shumë nga Shefqet Musaraj, por këtë radhë, m’u desh të studioj vëmendshëm gjithë veprën e tij, që për fat e gjeta lehtë në të gjashtë vëllimet e lidhura e të botuara atyre viteve.
Më duhej të ndalesha kryesisht në dy vepra të mirënjohura të shkrimtarit, novelat “Isha unë Çobo Rrapushi” dhe te novela tjetër “Unë Mato labi konservator”. Këto pra, do të ishin dhe materialet bazë mbi të cilat do të ngrihej e do të bënte përpjetë edhe spektakli ynë.
Disa nga vetitë, bëmat, sjelljet dhe episodet nga jeta e Mato Labit, në rastin tonë duhet t’i viheshin Çobo Rrapushit. Ky njehsim i dy heronjve të mirënjohur, nuk ishte më aq i lehtë, siç mund të duket në shikim të parë. Vetë personaliteti i këtyre dy heronjve e bënte dhe më të vështirë përpjekjen time. Nuk ishte fjala as për t’i satirizuar dhe as për t’i parodizuar ata. Humori i tyre dhe qëndrimi ndaj tyre do të ishte plot dashuri e ngrohtësi, siç është në jetë dhe qëndrimi ynë karshi njerëzve tanë të mirë e të shtrenjtë. Të metat dhe pasojat e tyre gjithashtu nuk duhet të nënvleftësoheshin. Kjo do të ishte një pjesë tjetër e ekstremit e cila do ta dëmtonte shumë si shfaqjen ashtu dhe idetë që do të ngrinte ajo. Po ashtu figura e Çobo Rrapushit do dilte me dobësi të theksuara, që vende-vende, mund të merrnin edhe theks ideor. Pasi u njoha më mirë me veprën e autorit dhe në veçanti me të dy novelat e sipërmendura, m’u desh të punoja dhe më tepër me gjuhën.
Këtu më ndihmonte së tepërmi fakti që, siç thashë dhe më sipër, e njoh gjuhën e krahinës së Labërisë. Por dihet se është tjetër gjë ta njohësh dhe ca më ndryshe ta përdorësh atë gjatë gjithë shfaqjes. Për këtë m’u desh të takoja e të bisedoja me veteranë e të moshuar të krahinës, për t’i pasur më të qarta nuancat e kësaj gjuhe, theksimet, mënyrën e të folurit nga afër për tema të ndryshme bisede etj. Unë dhe më përpara kam pasur dhe i kam vlerësuar kontakte të tilla, po kjo s’do të thotë se me kaq mjaftonte.
Gjuha e popullit, si gjithë gurra pa shterim e tij, është në ecje, në zhvillim. Begatia e saj është aq e madhe, saqë nuk mund të themi se u konsumua ose varfërua me një spektakël të tillë, me një komedi ose me një roman, qofshin këto dhe ndër më të mirët.
Por puna përgatitore nuk mund të merrte fund me zgjedhjen e këtyre detyrave. Njohja e periudhës historike gjatë së cilës shtrihej edhe ndërtimi i libretit të Pëllumb Kullës ishte po aq e domosdoshme. Më duhet të mësoja më shumë për Luftën Nacionalçlirimtare, për periudhën e pasçlirimit, për tatimet e jashtëzakonshme, shpronësimet, për reformën agrare, për kolektivizimin e bujqësisë, e të tjera. Tani i kishte ardhur radha punës me regjisorin. Këtu puna u fut në një disiplinë shkencore të vërtetë. Unë kam punuar gjatë e në veçanti me regjisorin Kulla. Vetë ngarkesa ime ideo-emocionale e psikike e kërkonte domosdoshmërisht këtë gjë. Dua ta theksoj këtë pasi mjaft nga ne aktorët e estradës, pak punojnë me zbërthimin e rolit. Ka, në përgjithësi, një koncept frenues në këtë drejtim. Disa janë të mendimit, se nuk ia vlen të zbërthesh një rol që zgjat vetëm tri minuta në skenë. Por ja që duhet. Se kur vjen puna, t’i interpreton, por nuk di çfarë të theksosh, cilën fjalë a shprehje të vësh më në vëmendje? Dhe kështu, të ikën roli nga duart ose ecën në një vijë horizontale si shumë skeçe të cilët as të ngrohin e as të ftohin. Për këtë arsye materiali duhet të zbërthehet thellë dhe sikur ai të jetë vetëm një faqe apo më pak.
Kur ke arritur të realizosh këtë e ke më të lehtë të vendosësh pikat mbi i! E di se ku dhe si do të dalësh. Kështu, unë, nga fragmenti i “Epopesë” di mirë se ç’qëndrim duhet mbajtur me krerët e Ballit. Qe e vërtetë se ende nuk ishte hapur vëllavrasja, por ama dihej se ku do t’i shkarkonte mushka drutë për rrugën që kishte marrë Balli. Të qe për një luftëtar si Çobo Rrapushi, ballistët e donin kokës, po ja që Çoboja ishte partizan dhe jo luftëtar komit, ai i nënshtrohej disiplinës së Partisë Komuniste.
Fare ndryshe shtrohet çështja në qëndrimin pas lufte me kulakët dhe të deklasuarit, siç është fjala, episodi i Rrapos me Seit Efendiun. Këtu tashmë lakrat ishin ndarë njëherë e mirë. Dhe në këtë mosqëndrimi është i hapur: luftë pa pajtim me reaksionin dhe mbeturinat e tij. Në këto raste aktori e ka më të lehtë interpretimin dhe realizimin e figurës. Interesant është dhe qëndrimi me Xhezon, Dadanë, Ramadanin e me të tjerë personazhe gjatë të cilit Çobo nuk është aq i lehtë, siç mund të duket në shikim të parë. Çobon e kritikojnë. Po kush e bën këtë? Njerëzit e tij më të afërt, shokët dhe shoqet e luftës, me të cilët kishte fjetur nën një velenxë, kishte pirë ujë në një pagurë. Me këta Çobo Rrapushi nuk mund të mbahet rëndë ose t’u shkrehet me të metat që ata i vënë në dukje, me apo pa takt. Sado me sedër dhe një burrëri disi patriarkale, ai thellë në vetëdije e kupton që ka faj. Nuk do ta japë menjëherë veten, por kjo s’e le të kuptojë se ka për të ngulur këmbë në të tijën. Dhe kthesa vjen fare logjikshëm, me natyrshmëri dhe jo e kërkuar. Tek grindja me shoqen, Dadanë, Çoboja kalon dy çaste kryesore: në fillim kritikues parimor dhe më pas i kritikuar. Roli është tërheqës. Por këtu duhej pasur kujdes, të mos kapërcehej sensi i masës, të mos parodizohej një figurë kaq e dashur për publikun. I tillë, po ca më interesante, zhvillohet figura e Çobo Rrapushit në skeçin mbi indiferentizmin.
Edhe këtu lidhja është po ajo. Madje në shikim të parë duket se ka një paralelizëm: nga kritikues në i kritikuar. Por nuk është ashtu. Çoboja këtu i jep vetë shkëndijën kritikës ndaj tij. Ai e vazhdon diskutimin me një autokritikë të sinqertë e të merr mendjen. Po ç’e do se puna shkon ca më larg nga ç’e kishte pandehur Çoboja. Tani dikush kërkoka të mbahet qëndrim ndaj Çobos. Hajde dreq hajde, mendon Çobo Rrapushi, ku e patëm dhe ku na doli.
Megjithatë, pasi qesh me ironi, ai ngrihet dhe e përcakton vetë masën, si për Dadanin e shthurur dhe liberal, ashtu dhe për indiferentizmin e tij. Ja, ky është qëndrimi i sinqertë i njeriut të ditëve tona.
Çobo Rrapushi ecën me kohën, ecën së bashku me shokët dhe njerëzit e tij. Dhe ja, ku na del me një aspekt tjetër.
Asiston në një provë të grupit të estradës në fshat. Ulet në një karrige, tymos llullën dhe shikon. Diçka nuk vete. Diçka duhet ndrequr, diçka duhet të plotësohet. Prova ka ngecur. Prania e Çobos duket sikur e bie gjithë këtë pështjellim. Aktori dhe regjisori duhet ta heqin qafe me marifet Çobon, por ai nuk shkulet nga istikami. Ai e di pozicionin e tij. Aq sa papritur merr dhe zjarr. E di se Brezhnjevi në të vërtetë nuk është ai i Rusisë, po djali i Delos, megjithatë e përzë së bashku me Karterin e Tenin, duke i shkelmuar dhe kapelat. Por kjo nuk e zgjidh problemin. Dhe mendohet Çobo Rrapushi. Dhe ja, ku u gjet zgjidhja. Si aktorët, si regjisori mbeten të kënaqur nga zgjidhja që Çoboja i gjeti pjesës së tyre të mangët.
Ndoshta dikush do të thotë se a e nuhati Çobo Rrapushi që skeçi stononte? Aq më shumë, ai e gjeti konkretisht defektin e aq më shumë, zgjidhjen, që në shikim të parë dukej si pa shpresë? Ky problem nuk ekziston. Çobo Rrapushi ka nuhatjen e hollë të klasës së popullit, ka përvojën e madhe dhe të pazëvendësueshme me asnjë lloj kulture apo diplome të jetës së tij prej luftëtari vigjilent.
Këto qenë disa nga çastet kyçe të përgatitjes dhe të realizimit të figurës së Çobo Rrapushit në spektaklin “Çobo Rrapushi me shokë”. A mund të punohej më mirë? A mund të punohej më shumë? Kjo as që mund të vihet në diskutim. Në letërsi dhe arte pyetje të tilla, as që mund të shtrohen. Këtë e themi për arsye se në skenën e estradave tona mbetet ende shumë për të bërë sidomos në drejtimet që u përmendën qoftë edhe shkurtimisht në këto radhë. Natyrisht shembuj të mirë dhe shumë të mirë realizimi janë dhënë në të gjitha trupat. Dhe këta nuk janë të pakët.
Deputet i Libofshës
Në vitin 1978 më propozuan si kandidat për deputet në Libofshë. Kur mora haberin ndodhesha në festivalin e Gjirokastrës me organizimin e grupeve artistike të Fierit. Isha ftuar në festival nga organizatorët, duke qenë artist i njohur. Nga mesi i festivalit erdhi dhe më gjeti shoku im i ngushtë, Hasan Deliu, që ju thashë më sipër se punonte si polic rrugor në Fier dhe më tha se duhet ta lija festivalin në mes dhe të kthehesha në Fier se më kishin propozuar për deputet. Ai kish sjellë me vete dhe një zarf ku deshifrova urdhrin se më duhet të paraqitesha në Komitetin Ekzekutiv të Fierit. Lajmi qe një e papritur e madhe, zarfi gjithashtu! Të kandidohesha unë për deputet? Ishte e çuditshme, duke menduar faktin se unë nuk isha ndonjë intelektual që kisha studiuar për ekonomik ose juridik. Unë isha një artist që kisha ardhur nga klasa punëtore. M’u duk e pabesueshme, por gjithsesi u binda. Drejtuesit e partisë më pritën me gjithë formalitetet, bënë foton dhe më dhanë një deklaratë për të firmosur nëse e pranoja ose jo këtë propozim. Nëse jam menduar ndonjë grimë ishte për faktin nëse e meritoja unë apo jo gjithë këtë nder. Sepse për ta pranuar duhej medoemos. Ishte rregull, që kur vendoste masa dhe ishte marrë miratimi në instanca, nuk mund të refuzoje. Nga e papritura, propozimi i kandidaturës m’u bë diçka e njohur dhe normal që më pas m’u duk vetja deputet me të vërtet. Dhe nisa ta bëja punën me mish e me shpirt. Siç di unë. Fillimisht u prezantova me popullin e zonës së Libofshës. Rregulli i atëhershëm kërkonte takim fshat më fshat me zgjedhësit dhe mbasi u miratuan të gjitha procedurat vazhdova punën konkrete me kërkesat dhe ankesat që kishin fshatarët. Dy janë çastet që kam fiksuar gjatë asaj kohe. Populli i Libofshës vuante për ujë dhe unë u mundova me shumë përpjekje për të luftuar burokracinë e për të siguruar bazën materiale për të çuar ujin në destinacion. Pra, për të ngritur atë që rëndom në kohët e sotme quhet infrastrukturë. Fshatçe të çonim tubat e ujit. Siç ndodh shpesh, në punët ekzekutive nuk mbretëron vullneti për t’i çuar punët deri në fund. Pasi u njoha me problemin pashë se tubat ndodheshin të shkarkuara në stacionin e trenit dhe Sekretarja e Komitetit Ekzekutiv, për një neglizhencë të sajën, nuk e zgjidhte punën sepse nuk firmoste për një makinë. U zura me të, duke e akuzuar “fajtore” që linte popullin pa ujë dhe i hyra vetë zgjidhjes së asaj pune. Shkova në parkun e Fierit dhe, pak se në atë vend kisha kredi me drejtuesit për shkak të shumë viteve të punës, e pak prej mënyrës si e shtrova problemin arrita t’i merrja drejtorit një maune dhe mora tubat dhe i shkarkova te një shtëpi në Libofshë, përkatësisht ia lashë Gori Gjergos t’i ruante. Pastaj me maune shkova te Sekretarja e Komitetit Ekzekutiv dhe i raportova ushtarakisht:
- Shoqja Sekretare! Tubat u çuan. Tani hapni kanalet.
Ajo u habit dhe më kujtohet edhe tani ngjyra e fytyrës së saj. Limoni e thartuar!
Më vonë mora pjesë në zgjidhjen e një kontradikte që kishin punëtorët me drejtorin e SMT-së, për ndarjen e shtëpive. Një mekaniku nuk i jepnin shtëpi dhe e neglizhonin. Gjithashtu më ishin ankuar dhe nja dy punëtorë që ishin mekanikë se shefi i kishte pushuar nga puna për të futur njerëzit e tij. Pra, për nepotizëm. Për këto probleme më vinin gjithnjë letra që unë i ballafaqoja. Edhe në këtë rast ashtu bëra. Ballafaqimi më ka rezultuar shumë pozitiv sepse t’i kundroje se kush kishte të drejtë dhe kush kish shkelur rregullat. Pastaj kur hiqnin një punëtor me kategori të gjashtë dhe fusnin një me të tretë arsyeja pse ndodhte nuk donte kallauz. Gjithsesi mund të them se përballja funksiononte dhe mua më ka dhënë rezultate shumë të mira në këtë punë ekzekutive.
Kandidatura e dytë dhe “kritika” e vëllait
Kur zgjedhësit e Libofshës kërkuan përsëri kandidaturën time, bashkëfshatarët e mi në Mallakastër u bënë xhelozë dhe vendosën që unë të kandidoja për Cakranin. Zonë ku kontribuova për dy legjislatura që përkojnë me vitet: 1982-86-90-në. U transferova kështu nga zona 69 në 77-ën që i takonte Cakranit. Takimet me popullin në këtë vend kanë qenë interesante. Mbaj mend edhe një situatë që krijoi shumë humor. Para se të merrja kandidaturën organizohej një takim me banorët e zonës, në mënyrë që të kuptohej se sa ishte popullariteti yt, dhe a kishte njerëz që e përçmonin emrin dhe figurën tënde si përfaqësues. Në këto mbledhje unë shoqërohesha nga një i deleguar i rëndësishëm i Partisë. Më kujtohet që ai u befasua në fshatin tim të lindjes në Gorishovë, në takimin përkatës. Pas diskutimeve të zjarrta plot lëvdata e mirënjohje një burrë nga mesi i sallës kërkoi leje. Me fytyrë të ngrysur e tërë seriozitet deklaroi:
- Nuk jam dakort për Luftarin!
Të gjithë ia plasën gazit. I deleguari u shtang. Burri vazhdoi: - Luftari ka një vit që më ka thënë për një xhaketë dhe s’ma ka dhënë prandaj nuk e dua si deputet.
I deleguari u bë kureshtar dhe pyeti se kush ishte ai njeri. Fshatarët i kallëzuan se ishte im vëlla. Fillimisht u tulat dhe pastaj ia plasi të qeshurës. Nuk mbahej më….
Tërmeti i vitit 1985
Në vitin 1985 në zonën tonë ra një tërmet. Siç ndodhte atëherë në raste fatkeqësish të gjithë i qëndronin pranë njëri-tjetrit. U morën masat e qeverisë dhe u caktuan komisione për dëmet. Mua si deputet më takoi të shkoja fshat më fshat. Më interesantja ishte kur vete në shtëpinë e babait. I pyes nëse kishte shkaktuar dëme tërmeti. Nëna më kallëzoi se shtëpia ku banonin pjesëtarët e familjes nuk kish pësuar asnjë dëm. Por shtëpia jashtë banesës, ajo që përdorej për gatim, e ndërtuar me mur prej guri, një ngrehinë gati 100 vjeçare kishte marrë një të çarë. Komisioni kishte shkruar në listë se dëmet në shtëpinë time ishin të mëdha. Pra, kishin vendosur dëmtim fiktiv, për të më bërë qejfin mua. E kishin klasifikuar si dëmtim të madh, parësor, kur në të vërtetë kishte banesa që ishin dëmtuar më shumë dhe e meritonin ndihmën. Në takimin që pata me zgjedhësit u tërhoqa vërejtje dhe u thashë se nëse komisionet në fshat kanë vepruar si në shtëpinë time nuk kishin bërë punë cilësore. Për shtëpinë e tim ati e refuzova vlerësimin sepse dëmi ishte i vogël dhe mund të rregullohej prej vëllezërve. Nuk kish pse harxhoheshin fondet e qeverisë për diçka aq të vogël.
Ato kohë jam angazhuar shumë me çështjen e asfaltimit të rrugës Fier-Cakran. Një çështje imediate që duhej zgjidhur medoemos. Por ndonëse kërkova disa herë takime me kryeministrin dhe pas shumë përplasje, nuk pata aq forcë sa kjo rrugë të bëhej. Nuk kam pretenduar se kam qenë më katolik se papa, por një gjë mund ta them me siguri dhe nuk ka kush e hedh poshtë: isha një artist që pretendonte për drejtësi dhe nuk e mendoja dot veten duke vepruar ndryshe.
Edhe pse kam qenë i zgjedhur, edhe pse kam qenë artist, para së gjithash unë kam qenë një qytetar i ndershëm i Shqipërisë. Kam përjetuar edhe unë hallet e gjithë bashkëqytetarëve të mi si gjithë të tjerët. Nuk ishte e lehtë të zgjoheshe që pa gdhirë dhe të zije radhën e qumështit ose të merrje atë kiloshen e mishit një herë në muaj, e pakot e gjalpit të cilat gjithnjë ishin me triska. Pazarin e shtëpisë e kam bërë vetë dhe i njoh gjithë rrangallat e kohës. Le më kur kujtoj familjen time në fshat. Unë të shtunën dhe të dielën, nga kushtet që kisha me familjen time të madhe në Gorishovë, transportoja 5 bukë gruri në fshat, sepse atje gatuhej bukë misri të cilën nuk e hanin as qentë. Dhe ky rit ishte i zakonshëm si kur jetoja në Patos edhe kur u transferova në Fier. Pavarësisht se isha artist unë e dija gjendjen ekonomike të familjes sime, çfarë të ardhurash kishin, çfarë fuqie dhe kapaciteti kishte familja ime për t’u ushqyer. Për të mos përmendur faktin se e mbaja pardesynë ose pantallonat gjashtë muaj dhe pas gjashtë muajve i dërgoja në fshat sepse atje ishin vëllezërit, dhe atëherë nuk kishte me ç’të visheshe.
Privilegji
Por duke qenë njeri i sinqertë dua të them se një privilegj këta të partisë ma kanë bërë. Në vitin 1986 unë u sëmura nga një kallo që m’u formua në grykë. Meqenëse isha dikush më çuan jashtë shtetit, në Austri. Më kujtohet si tani sekretari i parë i Partisë që m’u afrua me një pamje babaxhani dhe më dha një porosi të vockël, por të vockël fare:
- Ti do shkosh jashtë shtetit, se do shkosh për hall. - Unë nuk flisja. Vetëm kisha varur veshët si një qen i zënë në faj. - Shiko çfarë do shohësh andej po nuk është nevoja t’i propagandosh kur të vish!
Unë shkova në Vjenë, u mahnita me bukuritë e saj me gjithë hallin që kisha. U kurova rreth një muaj e gjysmë dhe kur u ktheva në Shqipëri, si besnik i partisë që isha, komentet për atë eksperiencë i ujdisa me propagandën dhe moralin e duhur. Duke iu shprehur dhe familjarëve se: “Kishte një jetë moderne, por ne atë jetë s’kemi ç’e duam sepse ne kemi një koncept ndryshe për jetën, ata kanë një koncept tjetër. Ata janë liberalë ndërsa ne jemi konservatorë.”
Kam deklaruar goxha slogane që na i injektonte propaganda. Normal që nuk mund të tregoja realitetin të cilin panë sytë e mi, për disa arsye. E para, sepse nuk kisha terrenin për të folur. Ishte mjedisi që ta shtypte këtë iniciativë. Por në mendimin tim qarkullonte gjithnjë ideja e përse-ve dhe e krahasimit mjeran me aktualitetin shqiptar. Përse nuk kishim edhe ne atë bollëk? Por të ngrihem unë e të dal sot si disident, t’i bie me forcë gjoksit e të ngre zërin, nuk më takon. Nuk më takon për vetë personalitetin tim. Sepse unë kam qenë i dashuruar me ideologjinë e asaj kohe. Të tregojmë realitetin. Madje, unë kam një çast në vitin 1987 kur ne me teatrin e Fierit shkuam në Ballkaniadë në Greqi. Atje mua m’u bë dhe një provokim që e dinë të gjithë bashkëkohësit e asaj kohe. Nga klasa e djalit tim, Sokolit, ishte arratisur një djalë nga Fieri. Unë pata një krizë në stomak dhe në atë çast isha i shoqëruar me drejtorin e teatrit dhe me shoqëruesin e sigurimit të shtetit, kryetar i degës së Fierit. Ishim rehatuar në holl dhe po muhabetoseshim. Më zuri një dhimbje akute dhe u palosa dysh. Shoqëruesit më këshilluan t’i kërkoja zonjës së hotelit se mos kishte ndonjë ilaç për stomakun. Ajo u tregua shumë e gatshme, më çoi në katin e dytë, ku më dhanë ilaçin. Gjatë kësaj kohe ku unë s’dija ku kisha kokën më del përpara zonja e shoqëruar nga një djalë që më pyeti në shqip:
- Më njeh ti mua?
- Jo.
- Si e ke Sokolin?
- Kush je ti që më pyet për Sokolin?
- A e more vesh që më 7 mars u arratis një djalë nga shkolla “Anton Xoxa”?
- Po.
- Ai jam unë, Shpëtimi.
- Po pastaj?
- Unë dua të di se ç’është bërë me familjen time.
- Pse ti nuk e di se çfarë bëhet me familjet e atyre që arratisen nga Shqipëria?
Djali u përkul dhe filloi të më përgjërohej ndënë këmbë. Kishte ca sy lëbyrës si balashët në hall.
- Të lutem merre këtë numër telefoni dhe jepja familjes sime të më marrë në telefon.
Zgjata dorën instinktivisht. “Edhe kjo mu desh mua”, mendova më pas, por me koklavitjen që kisha, unë s’shihja as dysheme e as tavan. Mblodha veten.
Ajo që ndodhi më pas ishte një histori shumë e çuditshme. Sapo zbrita nga kati i dytë në katin e parë më pyet shoqëruesi ynë:
- Me kë u takove?
Sigurisht që i thashë ç’më ndodhi dhe i dorëzova numrin e telefonit. Nuk e sosa dot atë numër telefoni në Fier. Nuk isha aq trimosh sa të bëja diçka të tillë. Dhe pse më pikoi në shpirt për atë djalë. Dhe pse me analizën time të mëvonshme, mendoj se ka qenë dhe ndonjë “lojë” e rrezikshme e sigurimit të shtetit. Sepse ai djalë nuk mund të vinte rastësisht aty. Nuk mund të më bëhej ajo pyetje nga sigurimi i shtetit: “Me kë u takove?” etj., etj. Por me gjithë pikëpyetjet e dritëhijet e rastit unë atë koncept kisha. Ai person i cili thotë se unë kisha ide të ndryshme, për mendimin tim, gënjen.
Rolet në kinematografi
Kontaktet e mia të para me kinematografinë i përkasin vitit 1976. Duke dalluar tek unë veçantinë e interpretimit, prirjen drejt realizimit të karaktereve, lojës realiste, regjisorët menduan të më tërhiqnin edhe në kinematografi. Një mënyrë shumë e mirë për të më dalluar mendoj se kanë qenë koncertet e fundvitit, që realizoheshin mes harmonizimit të muzikës dhe humorit dhe që përcilleshin ndoshta si ngjarja më e bukur në darkat tradicionale të Vitit të Ri te të gjithë shqiptarët, nëpërmjet Televizionit Shqiptar. Për këtë spektakël bëhej një punë intensive nga penat më të njohura të humorit, regjisorët dhe interpretuesit e estradave të rretheve, nga të cilat përzgjidhej krijimtaria më e mirë të vitit. Nga këto prezantime dinjitoze, specialistët e filmit vendosën që unë të ingranohesha në kinematografi. Një fushë që besoj se është kryekëput ndryshe nga skena e teatrit. Kur luan një rol në skenën e teatrit mund të vësh grim-maskë më shumë. Teatri e pranon makiazhin e tepërt sepse distanca me spektatorin është e madhe dhe ai nuk arrin të kuptojë lapsin në një rrudhë të faqes. Ndërsa në film ndryshon puna. Grimi është real dhe aktori duhet të jetë sa më natyral të jetë e mundur. Nuk mban dot mbingarkesa. Unë personalisht grimasat dhe gjërat e këtij lloji nuk i kam preferuar shumë. Çka do të thotë se lojën bufone nuk e kam bërë kurrë timen. Ajo që mund të them është se pavarësisht rëndësisë së roleve që kam interpretuar, kryesorë ose episodikë, mund të jem një nga aktorët e rrallë të humorit që kam marrë pjesë në 16 filma.
Preludin e parë kinematografik e kam pasur në filmin “Streha e re”. Si subjekt ai ka trajtuar kooperativat bujqësore, duke fokusuar jetën dhe punën që bëhej atje. Filmi realizohej nga dy regjisorët e rinj për kohën, Spartak Pecani dhe Vladimir Kasa, që sapo ishin diplomuar. Sigurisht që para rekrutimit të personazheve për një film artistik bëhej një kinoprovë të cilën unë e kapërceva suksesshëm. Gjatë realizmit të filmit u njoha më mirë me regjisorët, dy krijues shumë të talentuar dhe në shesh xhirim tregonim aftësitë tona, por mësonim dhe nga sho-shoqi. Për fatin tim të madh në atë film interpretonte dhe aktori i njohur i skenës, Sulejman Pitarka, me të cilin pata fatin të interpretoj, por edhe të krijoj një miqësi artistike shumë të veçantë. Regjisorët që përmenda më sipër e kishin përvojën e tyre të parë, por ishin ndër të rinjtë më premtues në kinematografi dhe në fakt kështu rezultoi dhe më vonë me krijimtarinë pasuese të tyre. Por ndonëse ishin të rinj, unë them se përfitova nga përvoja e artistëve të mëdhenj, por mendoj se dhe ata regjisorë përfituan shumë nga përvoja e Pitarkës, Pandi Raidhit, Thimi Filipit, Stavri Shkurtit, Jani Rizës të cilët kanë qenë aktorë debutues në film.
“Unë aktor i estradës të zgjidhem për kinematografi”, ishte mendimi i parë që më fluturoi në mendje, kur m’u propozua ideja për të bërë kinoprovën. Nuk dija nëse do e kryeja dot këtë detyrë. Megjithatë jo të flas për Belulin, por gjithnjë në punën time kam qenë modest dhe ajo që është më kryesorja e qëmtoja personazhin si bleta nektarin, ndërkohë që ndiqja këshillat dhe porositë e aktorëve më me përvojë, por edhe të të rinjve. Unë mbahesha fort pas personazhit dhe kërkoja me çdo kusht të përfitoja diçka nga përvoja që më ofrohej. Më kujtohet se Sula, siç i thërrisnim shkurt Sulejmanit, kur interpretonim dialogët e kur mua më humbiste euforia e skenës në kinoprova më thosh: “Ki kujdes. Kinematografia nuk kërkon gjeste të tepruara sepse del si karagjoz, pastaj.” Dhe unë, sugjerimin e Sulës, por edhe këshillat e të tjerëve i shihja me shumë përparësi dhe i bëja pjesë të vetes dhe interpretimit tim.
Pas atij filmi u përzgjodha për të interpretuar në filmin “Gunat mbi tela”. Filmi “Gunat mbi tela” flet për luftën e Vlorës, një periudhë historike ku shqiptarët i hodhën breshkaxhinjtë në det. Ai ishte një film me përmasa të mëdha për kohën. Përveç stafit të aktorëve, u rekrutuan shkolla, kooperativa, ferma, reparte ushtarake për të plotësuar dhe detajuar skenarin gjigant. Kanë ndodhur edhe shumë situata humori gjatë realizimit të filmit. Regjisor ishte Muharrem Fejzo dhe skenarist Duro Mustafaj. Regjisori, në veçanti ishte shumë i dhënë pas detajit sepse profesionin që ushtronte e kishte pasionin më të madh të jetës së tij. Ai dëgjonte dhe ndiqte të gjitha vërejtjet e sugjerimet e aktorëve, qofshin këta dhe figurantë. Kaq i madh qe përkushtimi i vlonjatëve në realizimin e këtij filmi sa skenari u diskutua dhe në qendrat e punës, sepse vlonjatët donin të shihnin pjesët e realizuara. Siç e dini, në atë kohë populli duhet të merrte pjesë dhe në projektet artistike dhe regjisorit, një ditë prej ditësh, i erdhi kërkesa se trupa të përballej me një aksh kolektiv, që qe i interesuar për figurat të cilat do personifikoheshin në luftën e Vlorës. Më kujtohet që në një nga këto përballjet u ngrit të diskutonte një grua e cila pasi pa disa pasazhe të filmuara tha:
- E pashë pjesën e kam lexuar edhe skenarin tuaj të bukur! Por, a e dini ju që aty në luftë ka qenë dhe burri im, Shaqua. Ku është personazhi që përfaqëson figurën e tij se unë nuk po e shoh…!
U përgjigjën autorët se nuk kishte mundësi të ndodhte kjo, sepse figurat më të rëndësishme të luftës së Vlorës ishin personifikuar në personazhe. Dhe pa dyshim që filluan të bënin paralelizimet e 12 kapedanëve si Osman Haxhiu, Zigur Lelo, Dule Dajlani e të tjerë me emrat e personazheve në film. I shpjeguan se personazhet realë ishin personifikuar sepse këtë detyrë kish kinematografia si art. Dhe nisën t’i përmendnin personazhin e Thimi Filipit, atë të Stavri Shkurtit etj. Gruas nuk i mbushej kaplloqja. Atëherë regjisori i thotë se Shaqoja mund të ishte figura e Velos, personazhi që interpretoja unë. Gruaja u mendua një hopëz dhe më pas u shpreh:
- Jo. Jo. Shaqua ime ka bust, nuk është si ky. Dua të më bëni një personazh me emrin Shaqo se ai ka qenë kapedan mbi kapedanët…!
Shkoi puna deri aty sa i bëmë analizë të gjithë personazheve për t’i mbushur mendjen gruas se filan personazh i ngjante Shaqos së saj.
Filmat historikë janë shoqëruar gjithnjë me debate në Shqipëri sepse ktheheshin në tema publike dhe popullata ishte shumë e ndjeshme ndaj këtyre temave. Edhe pse unë mendoj se diskutimet masive kanë qenë pjesë e kohës në të cilën jetonim. Fejzoja i përballoi me shumë durim e sukses ato punë. Unë gjithashtu e quaj si një nga filmat më të bukur dhe jam ndjerë i kënaqur sepse kam pasur partnerë të jashtëzakonshëm në atë film, nga të cilët mësova shumë.
Angazhimin tim me kinematografinë e quaj fat të veçantë në krahasim me disa artistë të tjerë të humorit sepse u njoha me përvojën dhe me punën e disa prej kolosëve të artit shqiptar. Pika tjetër kulminante ka qenë pjesëmarrja ime në filmin “Gjeneral Gramafoni”. Një film që mbante vulën e skenarit të Vath Koreshit dhe regjisorit të mirënjohur Viktor Gjika. Viktor Gjika, për mua përbën një nga majat e regjisurës kinematografike në Shqipëri. Për ta cilësuar me gjuhën e fshatarit, që unë e adhuroj, janë si një pendë qè së bashku me Dhimitër Anagnostin. Që të dy, gjithnjë për mendimin tim, janë majat dhe krenaria e kinematografisë shqiptare. Janë njerëz që e njohin shumë mirë dhe kamerën dhe regjisurën. Dhe unë jam krenar që i kam njohur personalisht dhe që kam qenë pjesë e punës së tyre. Me shumë respekt përulem dhe bëj homazh për figurën e Viktor Gjikës.
Miqësia me Kadri Roshin
Do të ishte filmi “Gjeneral Gramafoni”që do më njihte dhe më bënte mik për kokë me Kadri Roshin. Një njohje krejt e rastësishme. Unë arrita në shesh xhirim pak më me vonesë se pjesa tjetër e trupës. Më kujtohet se atë ditë nuk kishte vend në hotel për t’u akomoduar. Kadriut i kishin dhënë një dhomë të veçantë me dy shtretër. Mbaj mend që të gjithë pjesëtarët e trupës u sikletosën dhe u vunë në mendime për të zgjidhur situatën time. U hodhën në shesh disa aludime dhe zgjidhje të sajuara kur u dëgjua zëri i Kadriut:
- Kam unë një krevat të lirë. Le të vijë të flejë në dhomën time.
U bëra unë i ngrati, lulëkuqe nga turpi! Nuk e imagjinoja dot kurrë që një aktor si Kadri Roshi të më merrte mua në dhomë. Shkova në dhomën e tij me pretekstin që të nesërmen do lirohej një tjetër dhe do largohesha, duke e lënë në rehatinë e tij personale. Mirëpo në mëngjes ai më pyeti:
- Je mirë këtu?
- Po. - U përgjigja.
- Epo rri. Shkëmbejmë dhe ndonjë muhabet.
Gjatë gjithë kohës që xhironim filmin unë kam ndenjur në dhomë me të. Na shkoi shumë mbarë e mirë muhabeti. Kam edhe një kujtim shumë të bukur që ua kam treguar më parë. Kadriu u bë kumbari i Gazit. Ju kam treguar më parë, por dua ta tregoj dhe njëherë. Unë vija nga Estrada e Fierit dhe të them të drejtën isha në hapat e para të karrierës ndaj dhe kam qenë shumë i kontrolluar. Kisha gruan shtatzënë dhe vija vërdallë pas telegramit që më dëftonte gjendjen e time shoqeje dhe doja të ikja, por nuk kisha shumë konfidencë me regjisorin, për më tepër, më dukej se do prishja planet e të tjerëve. Kadriu e pikasi që unë vija si kali në lëmë ndaj kur më pyeti, i tregova ç’po ndodhte. Shkoi menjëherë të fliste me Viktorin.
- Kemi xhirime nesër! - Iu kthye seriozisht regjisori. -Nuk mundem ta bëj këtë lëshim! - Vazhdonte ai duke ndjekur planet e tij.
- Do interpretoj unë një pjesë tjetër sa të vi ky.
- Po e more ti përsipër, dakord.
Filmi e kishte këtë të mirë që fundin mund ta xhiroje në fillim. Por kërkonte një sakrificë sepse Kadriu ndërkohë që ishte përgatitur për pjesën të cilën do e xhironte të nesërmen i duhej të rrinte pa gjumë për të bërë gati pjesën e re. Unë e falënderova për këtë nder dhe më kujtohet se më tha:
- Me një djalë. Do e festojmë!
Ika në Fier dhe më lindi djali. Kur u ktheva në Korçë njeriu i parë që takova ishte Kadriu dhe më pyeti:
- Hë more! Djalë???
- Po.Po. Djalë.
- Të të rrojë Gazmiri. Gaz, hare, Gazmend.
Unë ngriva. Mendova të hartoja shpejt e shpejt një lajmthirrje dhe të ndalja njerëzit e mi të vinin emrin e djalit sepse e nuhata që kishte qejf Kadriu ta bënte këtë. Por ishte e pamundur. Në atë kohë nuk kishte celularë dhe për të çuar një lajm nga një qytet në një tjetër duhet të prisje një orë në postë. Ndërkohë që mendohesha si ta zgjidhja këtë lëmsh ai vazhdonte me të tijën:
- Ti ke gjithë ato suksese. Artist i mirë po, në kinematografi po të preferojnë. Ti je një nga artistët që ke sukses të madh këtë vit. Kështu që, quaje Gazmend, hare. Nga aty më thotë: - Ik! Vëri emrin që të thashë!
Më dha përsëri regjisori makinën e Kinostudios dhe i rregullova punët dhe me babanë. Dhe që nga ajo kohë Kadriu ka qenë një njeri i veçantë për mua. Nuk i harroj kurrsesi këshillat që më jepte ai sepse ishte një nga figurat më të ndritura të artit shqiptar. Është bërë zakon të flitet për artistët se nuk jetojnë më me superlativa. Kadri Roshi ka qenë ai personazh që ishte tepër i vështirë të merrte përsipër një rol, por kur i mbushej mendja që do merrte atë rol, ai kishte një modesti të jashtëzakonshme. Ishte një nxënës i shkëlqyer i regjisorit. Pavarësisht nga mjeshtëria që kishte, ai diskutonte çdo gjë me regjisorin dhe nëse vendosej se do e merrte përsipër, do bëhej si thoshte ky i fundit. Urdhri i Mbretit të filmit për Kadriun ishte ligj dhe ai aktor kthehej në nxënësin më të urtë të zbatimit të udhëzimeve të perandorit të skenës.
Unë nga kjo gjë kam mësuar shumë. Nga natyra ime kam qenë impulsiv në punën që bëja, por me vajtjen në film e me komunikimin me Kadriun kam nxënë jashtëzakonisht shumë, ndaj nuk ekzagjeroj kur deklaroj se gjysmën e riparimeve të karakterit tim i kam bërë nga gjykimet dhe këshillat e tij. Na ra rasti që të interpretonim së bashku dhe te filmi “Këshilltarët”. Unë interpretoja aty një rol me peshë pas rolit kryesor të Murat Bençës që interpretonte Kadri Roshi. Nën gjurmët e Kadriut, ne kemi vajtur në fshatin Hekal të Mallakastrës, jemi takuar me personazhe të gjalla të asaj kohe, jemi takuar me shumë njerëz që kanë folur për figurën e Murat Bënçës i cili realisht në histori quhej Islam Sadiku. Dhe unë, për figurën që përfaqësoja në film, kam biseduar me personazhe të atij rangu e të gjitha këto gjëra më kanë vlejtur jashtë mase. Mendoj se pavarësisht nga thëniet e thashethemet boshe që thuhen rëndom sot nëpër metropolet shqiptare, që ne bënim një art që i shërbente sundimit të qeverisë socialiste nga ana e përvojës artistike unë kam mësuar shumë. Kadriu për mua ka qenë një universitet më vete. Kur erdha në Teatrin Kombëtar gjeta një luftë të ashpër midis disa grupeve që ishin krijuar në teatër, por edhe jashtë tij. Nisi lufta mes përfaqësuesve të komunizmit dhe demokracisë, por ishte shumë e ashpër edhe lufta mes brezave. Ne që kishim shërbyer në kohën e diktaturës na shihnin me një sy jo të mirë. Në atë kohë filluan të luftonin edhe Kadriun. Arritën deri aty sa disa huliganë, që nuk kishin lidhje me artin, na kanë qëlluar edhe me gurë. Kur dilnim bashkë nëpër rrugë rastiste që thoshin: “Këta janë ata komunistët që kanë interpretuar në teatër.” Nuk na shihnin si artistë, por si kriminelë. Si njerëz që i kishim shërbyer diktaturës me devotshmëri. E kemi diskutuar shpesh herë bashkë këtë çështje me Kadriun, dhe ai ishte i idesë që të gjithë artistët i kanë shërbyer diktaturës me artin që kanë realizuar. Ishin 50 vjet të jetuara në të dhe ne kishim bërë detyrën tonë si shumë kooperativistë, mësues, mjekë. Të gjithë u ingranuan në këtë lloj makine shtetërore. Ne e konsideronim veten ingranazhe, të bënin punën që na takonte dhe na kishin caktuar. As kemi vrarë dhe as kemi prerë! Më e bukura është që me gjithë presionet e mëdha të asaj kohe, Kadriu më ka mbështetur dhe më ka thënë: “Pavarësisht nga presionet që bëhen këtu në teatër mbaje veten sepse je artist. Të takon të interpretosh në skenën e Teatrit Kombëtar”. Dhe më jepte këshillat e urta: “Ruaj sensin e masës!”, “Vepro kështu.”.
Opinioni i jashtëm për Kadriun ka qenë sikur ai ishte njeri indiferent dhe i ftohtë. Për mua ai ka qenë një njeri shumë special. Mes nesh ka pasur një miqësi të bukur dhe të ndërsjellë. Mbaj mend që në një intervistë ai është shprehur: “Ky njeri pa shkollë u bë shkolla e humorit shqiptar”. Kryesorja është se ai pëlqente tek unë interpretimin realist, pa teprime. Pëlqente masovikun, se isha një njeri që futesha me çdo lloj shtrese të popullsisë dhe isha i thjeshtë.
Ai më ka njohur me shumë shtresa të ndryshme këtu në Tiranë. Ishte si një pasaportë dhe për mua. Kur takoheshim me intelektualë ose punëtorë, prezenca e Kadriut shkaktonte një kënaqësi të jashtëzakonshme. Cilido donte të rrinte me të dhe nga kjo kënaqësi përfitoja dhe unë. Nuk jemi grindur kurrë me njëri-tjetrin. Unë se kam bërë veten kurrë të kundërshtoj Kadriun sepse nuk isha i aftë ta kundërshtoja atë. Veçanërisht për problemet artistike. E vetmja lutje ka qenë kur pinim ndonjë gotë rakie. Unë i thosha: “Këtë nuk do e zësh me dorë. Do shkojmë me këmbët tona në shtëpi dhe nuk të lejoj ta shkelësh këtë ligj.” Këtë kompetencë unë e kisha tek Kadriu. Shëndeti i tij ligështohej dhe unë kisha përgjegjësinë time.
Violeta Manushi në mendjen time
Të njëjtat fjalë mund të them për artisten e madhe Violeta Manushi. Me atë kam pasur fatin të luaj një dramë satirë “Fytyra e dytë”, një pjesë e Dritëro Agollit ku unë kam luajtur rolin e Halil Shkozës. Violeta interpretonte Zyranë dhe pjesën e përgatitëm në Fier. Violeta ishte një aktore me kërkesa të mëdha dhe me disiplinë të hekurt. Ajo i realizonte me shumë përpikëri këto rregulla dhe i kërkonte dhe nga të tjerët. “Ose do punojmë ose e lëmë”, përsëriste ajo shpesh. “Nuk turpërohemi para spektatorit!” Ka qenë një partnere që të jepte mundësi shumë të mëdha në interpretim dhe së bashku nxorëm një shfaqje shumë të suksesshme për kohën, meritën më të madhe për të e kishte sigurisht Violeta. Merreshim vesh shumë mirë me njëri-tjetrin dhe nga kënaqësia që kishte në interpretim me mua, kur organizoi një spektakël krijimtarie në Fier, Violeta më zgjodhi mua për të luajtur rolin e Malos, Postieri te “Zonja nga qyteti”. Ajo u kënaq me interpretimin dhe morëm duartrokitjet e merituara dhe për këtë pjesë.
Fati im në karrierën artistike ka qenë fakti se kam punuar me artistët më të mëdhenj të Shqipërisë: me Drita Pelingun te “Shtëpia jonë e përbashkët”, Dhimitër Anagnosti më mori pastaj te “Gurët e shtëpisë sime” e me shumë të tjerë… Nuk mund të rri pa përmendur kontributin që ka dhënë në pasurimin e figurave të mija në kinematografi, regjisori Fehmi Oshafi.
Në punishten tonë me Pëllumb Kullën
Me Pëllumb Kullën njohja ka ndodhur në vitet ‘70-të pasi u krijua teatri. Estrada tashmë ishte krijuar që në vitin1957. Shfaqja e parë me Pëllumbin, siç e kam përmendur dhe më sipër, ka qenë emërtuar “Revistë”. Një shfaqje e cila u prit jashtëzakonisht mirë dhe për kohën ishte shfaqja më me kulturë që kishim realizuar ndonjëherë. Deri para ardhjes së tij ishim mësuar disi me punë partizançe në trupë. Mirëpo ardhja e Pëllumbit na disiplinoi jashtëzakonisht shumë. Arriti deri aty, sa materialin letrar që duhet ta kishim për të interpretuar nuk na e la klishe siç ishte në libret, por na nxiti ta pasuronim dhe me literaturë ndihmëse. Ai na nxiste të studionim e të lexonim nga Çehovi, Çajupi, Buxheli, Kallamata, Agolli, Azis Nesini dhe shumë humoristë dhe shkrimtarë të vendit dhe të huaj, të kohës dhe klasikë. Unë dhe shokët e tjerë filluam t’i zbatonim me rigorozitet porositë e tij. Për këtë arsye dhe miqësia u bë më e dukshme dhe frutdhënëse. Dashamirësia dhe takti që kishte në punë na miqësoi shumë. Arriti deri aty sa u nxit për t’iu futur një krijimtarie voluminoze dhe që kërkonte një punë të jashtëzakonshme. Për të realizuar Çobo Rrapushim, Kulla kulloi sytë në rreth 2000 faqe të Shefqet Musarajt dhe e përmblodhi esencën në një libret prej 32 faqesh. E interpretuam në skenë. Aty, Pëllumbi nga dashamirësia ndaj figurës sime, arriti të kishte parasysh Luftar Pajën kur inskenoi Çobo Rrapushin dhe shkruajti direkt për Luftar Pajën. Për këtë i jam shumë mirënjohës, si Pëllumbit dramaturg ashtu edhe atij regjisor. Çobo Rrapushi e bëri miqësinë tonë të patundur. Këtu meriton të përmendet vlerësimi i vetë Musarajt që në përvjetorin e tij të fundit të lindjes, para se të ndahej nga kjo jetë, shtroi një darkë larg kamerave dhe medieve, ku mes familjarëve pat ftuar dhe katër pesë korifenj të letërsisë sonë: Kadarenë, Agollin, Shapllon, Siliqin. Një vend të veçantë në tryezë kish hapur edhe për realizuesit e Çobos së tij, Kullën dhe Pajën. Dhe aty Shefqet Musaraj ngriti me mirënjohje një dolli shumë të ngrohtë për ne.
Unë mund të them se ardhja e Pëllumb Kullës ka qenë një shkollë jo vetëm për mua, po për gjithë ekipin që ka punuar në ato vite në teatrin “Bylis”.
Ju kam treguar më sipër se ç’aventura kaloi Pëllumbi me partinë. Ai ishte djali i një të persekutuari dhe nuk e kishte të lehtë të bëhej regjisor. Nuk mund të them që unë e kam trajtuar si ballist dhe ai më ka trajtuar si komunist. Ne njëri-tjetrin e kemi trajtuar si artistë. Madje unë mund të them, që ne si artistë, kishim aq besim tek krijimtaria e Pëllumb Kullës sa i kemi dhënë dhe gjëra që nuk ua jepnim të tjerëve. Në një çast kur ne i bënim jehonë plenumeve të famshme të Komitetit Qendror për burokracinë, për ekonominë, me një porosi të veçantë miqësore të pashkruar në asnjë protokoll, të dashamirësit tonë Pipi Mitrojorgji, që ishte sekretar për ideologjinë në atë kohë, në mënyrë konfidenciale ai më thoshte: “Ju jeni anëtar partie dhe kjo organizatë. Merreni atë Pëllumb Kullën dhe lexojini buletinet për përdorim të brendshëm të partisë. Ta lexojë aty broshurën sepse aty ka probleme që duhen trajtuar flakë për flake në estradë”. Ne kështu vepronim dhe na jepte shumë rezultate për kohën. Më kujtohet që ne bëmë një shfaqje që quhej: “Kur flet klasa nuk flet burokratizmi”. Shtypi i kohës e ngriti në jehonë gjoja sikur ishte spontane. Ato ishin probleme të rrahura në KQ dhe herë pas here dilnin si opinione publike në shtypin e kohës. Ditën që mbahej plenumi dilte se do punohej në qendrat e punës, në organizata, shkolla, por edhe ne si estradë na jepej detyrë që t’i bënim jehonë plenumit. Ne atë broshurën sekrete e kalonim inkonjito te Pëllumb Kulla. Po të diktohej kjo, përjashtoheshe nga partia, që për ne mund të ishte pushkatimi më i madh politik. Ne kemi dalë me një shfaqje shumë goditëse brenda asaj jave dhe i kemi bërë jehonë plenumit për burokracinë. Të gjitha institucionet kombëtare u çuditën nga jehona flakë për flake e shfaqjes. Ne morëm hov të madh, por kjo ka qenë në sajë të taktikës dashamirëse të drejtuesve të partisë së kohës dhe vullnetit të Pëllumbit për të punuar me këtë trupë ku ai gjeti një shtrat të përshtatshëm.
Ai më ka besuar shumë role kryesore. Ne kemi qenë një ansambël krijues ku gjithsekush kishte individualitetin e vet. Role kryesore iu besuan mua, Fuat Boçit, Todi Llupit, Arqile Lipes e Xhuljeta Kullës. Kishte dhe amatorë. Aty u krijua një atmosferë pune shumë dashamirëse ndaj dhe kishte rezultate. Ndodh që krijoheshin xhelozira të pakëndshme, nga ambiciet e pafshehura dot dhe nga pakënaqësira lloj e lloj që e cenonin punën dhe trupa rrezikonte anarkinë. Por regjia dhe ne aktorët më me përvojë arrinim t’i shuanim ato lloj shfaqjesh. Kështu që, asnjë ngjarje e papëlqyer nuk e ndot historinë krijuese të Estradës së Fierit.
Pëllumbi në natyrën e vet kishte karakteristikë që gjërat i thoshte troç ashtu siç i ndjente. Kur i donte qejfi të tjerëve i merrnin për bazë e flisnin edhe ndonjë llaf. Unë kam pasur goxha nxitje të jashtme si p.sh. nga drejtues ose kryetar rrethi që më është shprehur:”Pse nuk reagon ti. U bë i deklasuari të bëhet regjisor!” I jam përgjigjur : “Unë atë detyrë kam. Unë jam aktor. Regjisori duhet të jetë dhe është më i ditur nga unë. Bagazhin më të pasur kulturor te ne e ka ai.” Por puna jonë nuk ka pasur paragjykime vetëm në lidhje me Pëllumbin. Më kujtohet që kur kemi realizuar në TV, për Vit të Ri, komedinë “Oh, ç’luftë e ngatërruar!”, unë dhe Hasani, - d.m.th., sekretari me zëvendëssekretarin e Organizatës së Partisë - kishim ca skena groteske ku dialogonim të varur kokëposhtë. Komedia qe mjaft e suksesshme. Por tjetër prisnim e tjetër vlerësime na dha partia në rreth. Kam qenë me aktorin Vladimir Muzha kur hyra në hollin e turizmit të Fierit. Sapo ishte transmetuar dhe ritransmetuar komediza në atmosferën e Vitit të Ri dhe ne po merrnim urime nga shumë njerëz për interpretimet tona vërtet të spikatura. Aty, më pikas sekretari i parë që ish edhe anëtar i Byrosë Politike. Më priti me këmbët e para dhe më kritikoi: “Hajde këtu. Nuk ke turp?! Dy artistë me emër dhe dy komunistë t’ju varë prej këmbësh një ballist! Turp!” Kuptohej se “ballisti” për të madhin e partisë ish Pëllumb Kulla. Unë ngriva për një çast, se prisja që ai të më përgëzonte. “Më falni! - i thashë. - Mua si artist më takon të bëj kriminelin, dashnorin, sekretarin, prefektin, kryetarin, punëtorin. Në skenë unë jam personazhi që interpretoj. Në jetë jam komunisti që thoni ju…” “Ik ore! Do më mësosh mua ti!” - e mbylli i pari i rrethit i zemëruar.
Artisti paragjykohej gjithsesi…
Fillimet e demokracisë
Në vitin 1990 filluan proceset demokratike. Duke qenë se jetoja akoma në Fier dhe isha i angazhuar në instancat më të larta të partisë, simptomat i kisha nuhatur dhe më parë. Kam diskutuar shumë me Xhelal Hoxhën mbi disa elemente që sipas analizës sonë po ndryshonin nga dita në ditë. Mbledhjet e partisë bëheshin më të hapura. Diskutohej për pluralizmin dhe për shumë reforma që do ndryshonin. Atëherë u kuptua që partia nuk kishte më gjëra të fshehta, por i kishte mbledhjet njëlloj si për gjithë të tjerët. Vërtet që Shqipëria ishte një vend i mbyllur, por me kampin socialist ka qenë më ndryshe komunikimi dhe, duke qenë se sistemet nisën të ndryshonin në Poloni, Çeki dhe shumë vende të tjera të Lindjes, një erë e re ndryshimi u vu në evidencë dhe në mbledhjet që ne organizonim. Me miqtë që kishim krijuar më shumë konfidencë brenda partisë diskutohej për ndryshime dhe madje hamendësohej dhe ndonjë përmbysje e shpejtë. Dihet që përmbysjen e bëri Gorbaçovi dhe ajo do sillte pasojat e veta në të gjitha vendet ish-komuniste.
Duke qenë pjesë e një brezi tradicional, dyndjet e shqiptarëve në ambasada i gjykova me shumë skepticizëm. Isha një njeri që beson shumë në ndërgjegjen e vet ndaj, duke menduar se bëja pjesë në një plejadë njerëzish të ndërgjegjshëm, dyshimin e transmetoja dhe tek të tjerët. Shpeshherë analizoja me vete: “Është një valë huliganësh apo një përmbysje?” Këtë nuk kam ditur ta dalloj qartë në atë kohë. Për një gjë isha i qartë: se Shqipëria po ikte nga binarët. Mund të them se viti 1990 për mua ka qenë mjaft i trazuar dhe nuk e kam përjetuar me dashamirësi. Thosha shpesh: “Çne ky mundim kaq i madh të shkojë kaq lehtë!” Sepse të jemi të ndërgjegjshëm, njerëzit e ndershëm në atë sistem kanë derdhur shumë djersë. A e mendoni dot sesa vullnet është dashur që gratë të shkojnë nëpër fabrika kur vinin nga një mentalitet ferexheje, burrat të hidhnin prapa shpine paragjykimet dhe t’i linin bashkëshortet e tyre në aksione. Unë kam lindur në një kohë shumë të vështirë dhe e dija se nga vinte Shqipëria dhe sa kishte ndryshuar. Gjithë ato vite kishin shkruar historinë e jetës sime. Ishte fëmijëria, rinia, familja, të dashurit e mi. Njeriu ashtu siç është i lidhur me familjen e tij është i lidhur ngushtësisht dhe me historinë e tij dhe të një brezi të tërë. Nuk është punë fanatizmi, por zhgënjimi i brendshëm te vlerat e njeriut. Mund ta përshkruaj me një hulli ku çapëleheshe prej krahësh dhe nuk besoje më tek e ardhmja, për formën se s’i u realizua ky tranzicion. Erdhi puna që të mos besonim më te njëri-tjetri. Të shihnim çdo gjë rreth nesh me dyshim, të kalonim në një analizë të thellë të gjithë asaj jete që kishim kaluar dhe shumë herë të ndjeheshim si peshku pa ujë. Me kalimin e kohës gjërat u sqaruan dhe siç thotë populli: “Më mirë vonë se kurrë!” Unë isha dakord që një ndryshim i duhej Atdheut tim, po unë nuk isha dakord me disa bashibozukë që u munduan ta shfrytëzojnë demokracinë në mënyrë të atillë që të plotësonin tekat dhe dëshirat e tyre në kurriz të lirisë së ëndërruar. Dhe këtë bindje kam edhe sot e kësaj dite. Kasta politike e çdo krahu nuk ka dhënë prova reale që kanë punuar për emancipimin e shoqërisë dhe patriotizmin. Në fund të fundit kanë kaluar 20 vjet dhe të gjithë garojnë me qëllimin e vetëm të krijojë monopole, të absolutizojnë nepotizmin e tyre dhe ajo çka është më e rëndësishmja, të kalojnë nja katër vjet pa menduar nëse merr bukë me listë apo jo ky popull.
Edhe pse ai sistem nuk i siguronte qytetarit të vet gjërat më elementare, dhe ekzistonin triskat, ai sistem kishte në themel ndjenja shumë njerëzore. Solidariteti mes njerëzve ishte një virtyt i mrekullueshëm. Dashuria në familje ka qenë shumë e madhe. Kishte disiplinë dhe më shumë siguri dhe pse është e qartë, që një shtresë e caktuar e ka vuajtur mbi kurrizin e vet persekutimin dhe ndëshkimin.
Sot përshtypja ime është stabilizuar. Personalisht nuk ndjehem keq, sepse unë di të përshtatem. Kur përshtatesh di dhe të veprosh. Në këtë aspekt, unë jam i qetë. Jam i qetë sepse kam pasur dhe kam një zanat që e kam dashur me gjithë shpirt. Zanatin e artistit, që nuk e ndryshon dot askush, sepse ai buron nga talenti i njeriut.
Parlamenti i diktaturës u shua si flakë kashte dhe, duke qenë se më shumë ishte një detyrë që më ishte caktuar nga të tjerët sesa një qëllim në vetvete me proceset e reja demokratike vendosa të mos merrja pjesë në formacione politike për zgjedhje në politikë, por të shihja zanatin tim. Por politika e re, novatore siç e quanin këta të rinjtë, na qëlloi e vjetër, prapanike madje. Në kohët e sotme kanë nisur ta quajnë LUSTRACION. Në fakt është tamam lustrim, siç mund ta quaj unë me gjuhën fshatçe. Që thoni ju, në vitin 1993, pata një përplasje me partitë e reja që erdhën në fuqi. Erdhën demokratët në krye të jetës politike të Fierit dhe një ditë prej ditësh në ato qamete që kishin mbërthyer Shqipërinë prej kreu, ku femrat degdiseshin trotuareve të botës, e skafet kishin mbytur dynjanë dhe atdheu ishte kthyer në armik për të rinjtë, marr vesh ca presione që i bëheshin drejtorit të Teatrit të Fierit, Arqile Liçit. Në një mbledhje partie, ky i fundit kishte dorëzuar çelësat e teatrit sepse e urdhëronin të më hiqte mua meqenëse kisha qenë deputet monist dhe bashkë me mua dhe Todi Llupin. Drejtori ishte njeri i mirë dhe na kish mbrojtur me gjithë forcën që zotëronte. Mendoj se duhet kurajë për të bërë të tilla veprime. Ngjarja më erdhi në vesh dhe u nervozova. Unë kisha mbështetjen e popullit dhe, më thënë të drejtën, nuk kisha menduar ndonjëherë të ecja përpara ose të bëja karrierë me mbështetjen e teserës. Ndaj falënderova drejtorin dhe hartova një deklaratë me shkrim ku vulosa dorëheqjen. Për koincidencë atë ditë që paraqita dorëheqjen, Teatri i Gjirokastrës më propozon për t’u bërë pjesë në organikën e tij. Refuzova.
Ferdinand Radi dhe komedia “8 persona plus”
Isha duke bluar me veten time gjithë inatin e një njeriu që tërë jetën punoi me shpirt për të qenë artist i mirë dhe cilësor kur pasdite, në orën 18-të tingëlloi zilja e telefonit në shtëpi.
- Kemi një komedi për të vënë në skenë. Një rol, adapt për ty.
Më shqiptonte nga ana tjetër e receptorit Ferdinand Radi ndërkohë që mendja ime ishte tym. Por u nisa për Tiranë që të nesërmen. Më propozuan rolin e Çeços në komedinë “8 persona plus”. Ardhjen në Tiranë për këtë komedi e përjetova me përgjegjësi të madhe, por mbi të gjitha me një inat të jashtëzakonshëm. Sepse Teatri ku kisha punuar për vite me radhë, më braktisi. Ai institucion, që prej vitesh ishte kthyer në ikonë të jetës sime, më e madhja dhe më e ngrohtë se shtëpia ime, më kish nxjerrë jashtë porte. Zhgënjimi qe i madh. Ajo ishte strehëza ku unë kisha kaluar pjesën më të madhe të krijimtarisë sime artistike. Vend të cilit i njihja çdo pjesëz deri në detaj. Vend ku njeriu derdh pjesën më të bukur të vetvetes. Di të them se netët e para jam gdhirë deri në mëngjes. Nuk më kaplonte gjumi sepse kujtoja çdo histori timen që më lidhte me atë skenë. Por shpejt, personazhi i ri nisi të më rrëmbente. Dhe ishte një personazh që afrohej shumë me atë çka unë dija të bëja. Kam punuar shumë me Çeçon sepse e mendova dhe si një fazë të re në karrierën time. Por dhe pse me punën time i dhashë përgjigjen e merituar gjithë atyre intelektualëve të rëndomtë partiakë që planifikuan largimin tim. Përgjigje me art dhe sukses të hatashëm. Komedia “8 persona plus” pati një histori të vetën në teatër, duke shënuar një nga sukseset më të mëdha të shfaqjeve të komedisë shqiptare. Në atë komedi dinjitoze unë luaja rolin e një fshatari. Fshatar që tregon se në Evropë nuk shkohet me llafe, por me dinjitet dhe mbi të gjitha, atje duhet shkuar si shqiptar, duke veshur kostumin që të shkon dhe jo të veshësh frak e smoking në një kohë të papërshtatshme. Këto kostume ceremoniale vishen në mbrëmje dhe ballo, por nuk mund të vishen, duke kullotur lopët apo diku tjetër.
Mund të them se në Tiranë gjeta ngrohtësinë e shumë artistëve të Teatrit. Dhe pse mllefi i inatqarëve provincialë i zgjati kthetrat deri në kryeqytet. Drejtorit të Teatrit të atëhershëm, Neritan Alibalit, i ishte bërë i njëjti provokim si drejtorit të teatrit “Bylis” të cilit ai i ishte përgjigjur: “Unë punoj me artistë. Jo me njerëz që hyjnë e dalin në parti. Nëse janë artistë cilësorë dhe më bëjnë punën, unë do i mbështes”. Që nga ajo ditë vazhdova të punoj 10 vjet të tjera në Teatër ku mora pjesë në 6 shfaqje shumë të rëndësishme.
A jam indiferent sot ndaj politikës? Njerëzit janë produkt i politikës. Sidomos ne shqiptarët që jemi në tranzicion dhe presim shumë nga njerëzit që drejtojnë vendin. Unë ndihem i pozicionuar në politikën e majtë, por struktura e majtë lufton për mirëqenien e saj dhe jo për atë të popullit. Ndaj bie ndesh me këtë frymë, jo pak herë. Partia që do ndjek deri sa të vdes do jetë ajo e interesave të popullit tim.
Jehona
Komedia “8 persona plus” bëri shumë bujë në rang kombëtar me një numër rekord shfaqjesh, por pati dhe jehonë ndërkombëtare. Shumë shpejt morëm një ftesë të veçantë në Hungari, festival që kryhej për nder të një regjisori hungarez të shquar. Ishte viti 1995. Por jehona vazhdoi shumë gjatë. Më 1996 ne vazhdonim të luanim suksesshëm komedinë “8 persona plus” dhe morëm një ftesë për të marrë pjesë në festivalin mesdhetar në Rumani. U nisëm pasdite kur dielli perëndonte përtej Adriatikut me një autobus të gjithë së bashku, si trupë. Rastisi që të ulesha pranë një sedilje me humoristin e njohur shqiptar Dionis Bubani, që do ishte dhe përkthyesi ynë në festival. Ishte një njeri i shkëlqyer, erudit e me shpirt të madh. Dionisi gjatë rrugës më bëri një sugjerim. Më thotë se ishte mirë të mësoja disa fjalë rumanisht për t’i përdorur në skenë. Pranova, sepse në atë kohë ishte bërë e modës që aktorët të cilët vinin në tokën shqiptare të mësonin fjalë ose shprehje shqip si: “Faleminderit!”, “Ju dua shumë”, etj. Kështu rrugës nga Tirana deri në Bukuresht, që zgjati rreth 20 orë, mësova rreth 20 fjalë rumanisht. P.sh., sa dilja në skenë pyesja: “Vëllezër mos keni parë një gomar të murrmë pullali. Rumanisht thuhej (Më fracilor...)” Këto fjalë rumanisht e ngrohën sallën dhe pati shumë emocione dhe duartrokitje.
Kur u largova nga Teatri Popullor
Nga Teatri Kombëtar u largova për efekt moshe. Pra, mbusha moshën e pensionit në vitin 2003, megjithatë ata më kanë ftuar gjithmonë dhe nuk më është mbyllur dera e këtij institucioni. Për ardhjen time në Teatrin Kombëtar ka ndikuar shumë i ndjeri Ferdinand Radi, që me këtë rast e kujtoj me mirënjohje, pasi e donte artin dhe vlerësonte artistët. Ashtu si gjeta mbështetje te regjisori i madh Pirro Mani i cili kishte shumë besim në personalitetin tim si artist. Kam gjetur kolegë shumë të mirë në këtë institucion, të cilët i respektoj dhe i dua shumë. Me Roland Trebickën kam luajtur në tri premiera me veprat “8 persona plus”, “Oportunesku” dhe Komedinë e Gogolit. Në fakt të dy njiheshim prej kohësh dhe kemi interpretuar së bashku dhe në filmin “Ëndërr për një karrige”. Është një artist i madh, që nuk të lë kurrë vetëm. Ai ka një karakteristikë të veçantë, që punës i thoshte punë dhe rezultatet i arrinte në sajë të një këmbënguljeje të palodhur. Më ka bërë përshtypje sepse nuk mban rezerva në vërejtjet dhe sugjerimet për partnerin. Çfarë kishte ta thoshte. Është një artist që improvizon edhe në skenë. Shpesh duhet të ishe i vëmendshëm se të befasonte me improvizimet. Njëherë, në një pjesë, më kujtohet gjatë shfaqjes në një lëvizje në skenë u pengova dhe rashë nga shkallët. Në rol interpretoja babanë e personazhit (Rolandit).
- Avash o baba! - më tha (jashtë tekstit), - se po u theve ti, nuk ka gomisteri që të ngjit.
Në këtë pjesë interpretonte dhe Luiza Xhuvani, që sa herë improvizonte Rolandi, nuk e mbante dot të qeshurën në shfaqje direkt. Unë kisha një favor se isha me shpinë nga spektatori sepse duhet të dini që e qeshura në skenë është më keq se e qeshura që të kap në varreza.
Konsideratë të larta kam edhe për Pavlina Manin. Një partnere që të ndihmon dhe je i sigurt në skenë. Tek “8 persona plus” ku unë kisha një nga rolet kryesore, Pavlina kishte rolin e krushkës. Ishte vjehrra e djalit tim. Kemi kaluar shumë mirë dhe kemi marrë dhe shumë komplimente për mënyrën si kemi interpretuar së bashku.
Pas një pauze 2-3 vjeçare erdhi radha e shfaqjes së madhe “Pjata prej druri”. Ishte viti 2004. Partner në këtë pjesë kisha aktorin e madh të komedisë dhe të dramës Sulejman Pitarkën. Ai do të luante rolin e gjyshit Loni, ndërsa unë do të luaja rolin e mikut të tij, Samiut. Regjisor kishim Gëzim Kamen. Me Sulejmanin jam njohur kur interpretova në filmin tim të parë, në vitin 1976 në Dardhë të Korçës. Sulejmani kishte bërë një pauzë goxha të gjatë në skenën e teatrit: gati 20 vjet. Por ai si një artist kolos i theu të gjitha konceptet dhe mendjet meskine dhe, në moshën 82 vjeçare kishte një memorie që të habiste dhe të shtangte. Me interpretimin e tij brilant rrëmbeu sallën dhe spektatorin denjësisht. Na vuri të gjithëve në pozita pune. Ne harronim ndonjë gjë, ai jo.
*
Shkurt 2004 një udhëtim dramatik
Ndodhem, përpara një situate të vështirë. Një nga miqtë e mi të cilin e kisha dhe kushëri, Abedin Fasko, u rëndua shumë nga gjendja shëndetësore deri në atë fazë sa mjekët vendosën ta çonin në Selanik të Greqisë. Siç dihet vështirësitë janë shumë të mëdha për t’u pajisur me një leje kalimi (vizë) ndaj u mblodhëm me dashamirët dhe po diskutonim. Unë isha i pajisur me një vizë në pasaportë ndaj dhe u vendos që ta shoqëroja të sëmurin për në spitalin “Aqepa” të Selanikut. Bashkë me dr. Petrit Baran dhe dy pilotët e helikopterit të emergjencave shëndetësore u nisëm.
Megjithëse isha i guximshëm, nuk kisha frikë nga helikopteri, sepse isha mësuar të hipja që kur isha i ri, ju e mbani mend për aventurat në kohën e ushtrisë, përsëri ndieja frikë. Kjo për faktin se kur hipëm në helikopter sedilja ime ishte ngjitur me derën, doreza gjatë udhëtimit lëvizte dhe të dukej sikur nga çasti në çast do shpërthente dera. I drejtohem pilotit, Osman Kushta, një profesionist i shkëlqyer dhe gjakftohtë në pilotim.
- Osman, kjo dera ka rrezik të hapet!
- Mos e luaj se ka shumë kohë ashtu. Nuk është hera e parë.
Ndaluam fillimisht në aeroportin “Nënë Tereza” ku vulosëm pasaportat në Rinas dhe më pas u ngritëm dhe fluturuam drejt Selanikut. Deri në Kozanë të Greqisë udhëtimi vazhdoi normalisht. Bashkë me doktor Petritin, mbanim me kurajë Abedinin, i zhytur i tëri në një gjendje të sikletshme. Befas, u shpërnda një mjegull e dendur në luginë dhe shqetësimi në sytë e pilotëve zbardhonte më keq se dendësia e mjegullës. Pilotët shkëmbenin vështrime nervoze me njëri-tjetrin, duke u siguruar të mos ngjallnin panik. Ndërlidhja me komandën e pilotimit ishte e pamundur. Atëherë, ata vendosën të ulnin helikopterin në anë të një autostrade. Hapën hartën dhe në rrethinat ku ndodheshim gjetën të hapësinuar një aeroport privat që me sa mbaj mend tani quhej “Filipojadh”. U ngritëm dhe nuk e di se sa milje jemi endur në drejtim të kundërt të Selanikut. Sakaq, ndërsa kërkonin të gjenin rrugën e duhur beh një mal dhe Osmani veproi me shkathtësi, duke e kaluar me sukses. Shqetësimi sa vinte e rritej. Aty, në qiejt e botës, ku shtëpitë dhe qytetet zhdukeshin shpejt, ankthi më kish mbërthyer të gjithin. Pilotët konsultoheshin me njëri-tjetrin, të qetë, duke përdorur gjuhën angleze. Doktori, Abedini dhe unë shihnim fytyrat e njëri-tjetrit, duke lexuar heshtjen dhe hartat e merakut që herë dukeshin e herë zhdukeshin nga fytyrat e drejtuesve të helikopterit. Pas një çasti në bazë të hartës na u shfaq një fushë në një qytezë, ku pilotët vendosën të uleshin pa lajmëruar sepse komunikimi ishte ndërprerë. Sapo avioni i vogël me helikë u mbështet mbi tokë, pranë nesh u afrua një makinë policie. Pasi u morën vesh me ministrin grek të Shëndetësisë, që kish dhënë lejen e hyrjes së helikopterit në territorin grek, na morën me shumë mirësjellje dhe na mirëpritën në ambientet çlodhëse të tyre. Pas një ore u njoftuam për t’u nisur, sepse mjegulla ishte davaritur. U nisëm të qetë dhe me shumë kurajë nisëm të ngrinim moralin e sho-shoqit me ndonjë anekdotë xhepi.
Sa u futëm në detin “Egje”, pilotët filluan të shkëmbenin përsëri vështrime me njëri-tjetrin. Mua nuk m’u durua dhe i bëra me shenjë Osmanit: “Çfarë ka?” Ai vendosi gishtin poshtë hunde në mënyrë që unë të heshtja. Rreth një çerek ore kam ndenjur si mbi hunj zjarri. Më pas ndriti aeroporti i Selanikut. Kur zbritëm të dy pilotët u përqafuan duke u shprehur: “Shyqyr që na solli karburanti”. Këtu ishte fjala për ato xhirot e paplanifikuara të harxhimit të karburantit dhe mungesa e tij në aeroportin e Filipjadhës. U përqafuam me njëri-tjetrin dhe shkuam direkt në spital. Shërbimi qe i menjëhershëm. Doktor Petriti u konsultua me mjekët e spitalit dhe u vendos, që të nesërmen, vetë profesor Tamburaj ta operonte Abedinin. Të gjithë u bindëm se me gjithë vështirësitë puna po shkonte mirë. Gjatë operacionit mbërritën edhe të afërmit e tjerë të Abedinit, vëllai Bardhyli (Bardhyl Fasko) motra e tij, Dini, shokët: Sokol Hajro, Mond Tare etj. Operacioni ishte shumë i vështirë dhe ne pritëm dy-tri ditë sepse bëhej fjalë për aortën e zemrës. Pasi u siguruam nga fjalët e ngrohta të mjekëve një pjesë e njerëzve që e shoqëronin u larguan. Aty mbeti Bardhyli dhe Dini. Por gëzimi ynë zgjati vetëm 10 ditë. Abedini ndërroi jetë dhe dëshpërimi ynë ishte i pashpjegueshëm. Gjithsesi kishim bërë një sakrificë për të shpëtuar jetën e një njeriu të mirë dhe pse jeta përdridhet në fije të perit. Por fëmijët e tij me edukatën dhe sjelljet e tyre ia mbajtën lart emrin Abedinit.
Jetët tona të përditshme
Jeta e përditshme e një humoristi është si jeta e përditshme e çdo qytetari. Jetë që ka baticat dhe zbaticat e veta, sepse në fund të fundit humoristi para se të jetë profesionist është një qytetar, një familjar, një prind, një bashkëshort, një shok. Çdo profil i analizuar në domethënien e vet. Në shoqërinë njerëzore ka dashamirësi, dashaligësi ka të mirat dhe të këqija. Kështu dhe në familje dhe në shoqëri. Nuk është se çdo gjë shkon vaj. Por humoristi ka një favor, e joshin të gjithë për atë veçanti që ka. Nga përvoja e mësuesve të mi të humorit, ose parakohësve të mi, kam vërejtur që humoristi kërkon të bëjë humor vetë, por kur të tjerët kërkojnë të bëjnë humor me të, atij nuk i vjen ëmbël. Dhe kjo gjendet pothuaj te shumë artistë të humorit. Nuk e mirëpresin humorin që bëjnë të tjerët me personin e tij, sepse i duket sikur ato i dinë të gjitha. Këtu duhet të tregohet artisti i kujdesshëm sepse njeriu nuk mund t’i dijë të gjitha.
Unë sa ngrihem nga krevati nuk dua të qëndroj në shtëpi, por duhet patjetër të kontaktoj me njerëzit. Sa hap sytë në mëngjes, gjëja e parë që bëj, kap pultin e televizorit dhe kërkoj të marr informacion se çfarë bëhet e çfarë s’bëhet në këtë dynja. Sigurisht që pika e parë e itinerarit të ditës janë titujt e gazetave. Mbasi informohem me to, e mbyll televizorin dhe kryej detyrat e mia si të gjithë njerëzit, tualetin e mëngjesit, më pas konsumoj mëngjesin. Gjatë vaktit fillestar të ditës ha vetëm një mollë nga ato majhoshet sepse më ndihmon në luftën kundër diabetit. Pas mëngjesit, shkoj në lokal dhe pi një çaj kamomili. Pas kamomilit puna e parë që bëj, bashkohem me shokët e mi të punës në teatër ose në kafen më të afërt të teatrit dhe pi një çaj tjetër. Më shumë se dëshirë për të konsumuar, është një rit për të qenë pranë miqve të mi të një profesioni. Shkëmbej me ta mendime dhe mbasi kaloj një dy orësh nën shoqërinë e tyre, siç e kam pasur zakon gjithnjë, takoj njerëzit. Kur isha në punë, më kishte dalë nami se punën e filloja në orën 9 të mëngjesit, por nga shtëpia dilja që në orën gjashtë. Mendoj se kjo nuk është modesti e tepruar. Por unë takohem me njerëzit dhe kam kënaqësinë më të madhe kur ata më shprehin shqetësimet e tyre, simpatitë që kanë për punën time. Reagimet e njerëzve më kanë dhënë tërë jetën kënaqësi ndaj kur më jepet mundësia, jam i predispozuar për t’i ndihmuar. I përkushtohem me shumë dëshirë derisa t’i zgjidh punën. Kjo gjë më ka shërbyer në jetë, sepse më ka ruajtur avenirin tim. Nuk e kam bërë me qëllimin e caktuar sepse më duhet etiketa e modestit. Unë e kam bërë sepse e kam në karakter dhe jam i predispozuar që të ndihmoj gjithë njerëzit, duke parë se në jetë kam vuajtur shumë, ndaj kam dëshiruar t’i ndihmoj dhe t’i lehtësoj sadopak dhimbjet e tyre. Unë nuk e bëj për t’u dukur.
Është një gjë e lidhur me karakterin tim. Dhe meqë ishim duke folur për zakonet e mia më pëlqen që drekën ta ha gjithnjë i shoqëruar dhe mos ta konsumoj vetëm. Ndoshta-ndoshta dhe në shtëpi kur shkoj nuk më shijon dreka vetëm, dua të kem afër gruan ose fëmijët ose ndonjë mik. Por, dhe kur jam jashtë familjes, në ndonjë restorant mua nuk më shkon dreka vetëm pa ndonjë shok. Pija ime e preferuar është rakia. Më e bukura është që nuk dua shumë si volum sepse preferoj cilësinë. Por jam dhe pak kafshë mishngrënëse. Përgjithësisht me rakinë shkoj deri në stadin e të qenit një solucion i ngopur, por vetes i kam vënë objektivin: ditën që do më merren mendtë dhe do më ngatërrohen këmbët nga rakia, nuk do e vë më në gojë. Mbas të ngrënit e kam zakon të shtrihem një orë pasdreke që mund të jetë ora 14 ose 15 e drekës. Ky zakon ka ndryshuar me kohën. Kur isha në jetën intensive të punës nuk kam pasur kohë ta respektoja këtë rit, por tani që kam dalë në pension, unë e kam kthyer në një regjim të përditshëm. Ka disa vite që e aplikoj dhe çuditërisht, e ndjej veten shumë mirë kur e zbatoj. Mbi të gjitha, fik celularin sepse në atë orë nuk dua të më shqetësoj njeri dhe më duket se rigjeneroj forcat e mia. Mbas gjumit, çohem, në qoftë se është koha për të dalë bëj një shëtitje dhe i bie Tiranës rreth e qark më këmbë sepse më duket sikur një orë e gjysmë lëvizje më këmbë tret ushqimin e drekës. Kam 20 vjet që nuk pi kafe, por vetëm çaj. Ndodh, që pasditeve nëse ka ndonjë aktivitet në teatër, ta ndjek me kureshti. I respektoj shumë ftesat që më bëjnë, ndonjë panair, shkoj në shfaqjet e Operës dhe Baletit. Në darkë kam recetën time të ushqimit: një kos me bukët e thata që në Greqi i quajnë “frikanja” dhe mbas tyre unë mund të lexoj nga ora 9 deri në 2 pas mesnate. Ky është rituali im. E ndjej veten shumë mirë me këtë lloj programi që ndjek. Zakonisht në darkë fle gjumë mbas orës 12-të.
Teatri i “Bylisit”
Unë jetoj prej disa vitesh në Tiranë, por kam një mall të veçantë për skenën e “Bylisit” të Fierit. Nuk do të them ndonjë gjë të veçantë nga ato që kanë thënë kolegët e mi. Aktori në rolet që ka bërë, ka derdhur djersë. Dashurohet aq shumë pas personazhit sa bëhet njësh me shpirtin e tij. Në 37 vjet punë artistike numëroj rreth 350 role në estradë, teatër dhe kinematografi. Meritë të veçantë për mua, kanë ato role që përmend spektatori, duke më thirrur me emrin e tyre. Të flasësh për mall është pak, sepse ka qenë skena e “Bylisit” ajo që më futi në gjirin e saj pa shkuar ende brisk në faqe dhe u largova prej saj 3 herë gjysh. S’mjafton një libër për të shprehur mallin që kam për atë skenë e sidomos për spektatorin artdashës dhe të kulturuar fierak, pa harruar kolegët të cilët i respektoj dhe i dua me gjithë shpirt.
700 role mbi supe dhe 130 premiera estrade, janë vite pune, që nuk ma kanë lodhur pasionin e artistit për figurat e humorit .
NGA PËRVOJA PROFESIONALE
Teatri apo filmi
Teatri dallon nga filmi për të vetmen arsye se në teatër një gjë që nuk e bëre sonte, do mobilizohesh e do ta bësh nesër. Në teatër mund ta korrigjosh gabimin. Në kinematografi gabimin nuk e korrigjon dot. Filmi ka lodhje më të madhe, sidomos për kohën që e bënim ne. Atëherë jetonim me kushte të vështira. Kur xhironim filmin e parë, unë ndenja 3 muaj në Dardhë të Korçës pa shkuar në shtëpi. Mjafton të përmend filmin “Gunat mbi tela” ku kemi ndenjur 3 muaj të veshur me rroba leshi dhe s’është kollaj të punosh në pikun e vapës, qershor, korrik, gusht, veshur me rrobat e leshta, shajakë, fanella dhe sipër të gjitha këtyre dhe gunën. Kini parasysh që ato mbaheshin gjithë ditën sepse njëherë përgatitej terreni, njëherë nuk vinin figurantët, njëherë do merreshin kuajt, njëherë ndriçimi. Do rrije me rrobat e leshit veshur në kulmin e vapës. Ndaj mund të them se po të mos qe deti ku pas xhirimeve kridheshim në të, deklaroj me seriozitetin më të plotë se do kishim zënë parazitë. Na i largoi kripa e detit.
Edhe faktet kanë treguar se unë jam ndjerë më mirë në skenën e teatrit. Mendoj se ndihem më familjar dhe jam më i efektshëm në teatër, në fushën e humorit. Unë kam karakteristikën e veçantë se kam preferuar skeçin e gjatë, atë të karaktereve dhe nuk kam qenë i shquar për humorin e batutës, apo humor të çastit. Unë kam preferuar humorin e organizuar, ndaj duke bërë një bilanc mendoj se kam qenë më i suksesshëm në skenë.
Të jesh aktor do të thotë të zbavitësh të tjerët dhe në të njëjtën kohë të zbavitesh edhe vet. Është një KATARSIS si për spektatorin, por në radhë të parë për aktorin. Ti rrëmben një personazh, që ka një ide, ka një fytyrë, një tip, mendime dhe veprime që nuk janë si të tuat, por profesionalisht duhet t’i bësh të tuat. Dhe atëherë i futesh lojës. Të jepet kështu mundësia për të qenë dikush tjetër, ndoshta një njeri që ti ke dashur të ishe, por në jetën reale për gjithë veçoritë e tua nuk munde të ishe dot. Dhe në skenë mund të bëhesh bukurosh, mashtrues, ngashënjyes dhe të tërheqësh gjithë femrat e botës edhe pse mund të ndodhë që jashtë asnjëra nuk të kërkon t’i fikësh më dritat. Ndoshta dhe mund të ndodhë, por për shkak të gjithë historisë tënde, moshës, familjes e prestigjit nuk i bën dot më. Por ja që ti je në personazh dhe aty ke mundësi të tregohesh garip, të mos ia varësh dhe aq shumë seksit të kundërt, mund të jesh pasanik i madh, kryetar, bos e çfarëdolloj personazhi mund të jesh. Dhe aty, mbi skenë, ti mund ta bësh luftën tënde në mënyrën më të përsosur, duke u bërë heroi i idealit. Mund të ndodhë që të japësh jetën për këtë ideal. Gjë që në jetën reale kostumet moderne ia kanë eliminuar ekzistencën, duke e quajtur rëndom, marri. Ti e ndërton personazhin në mënyrën më të mirë të mundur. Duke futur përvojën e të tjerëve, të njerëzve që kanë bërë bujë me jetën e tyre. Dhe pastaj kombinon aty filozofi, bukurinë e situatës, transformimin e thellë kostumor dhe plastik, fut nëntekstin dhe nënkuptimin, alegorinë, metaforën, humorin. Pastaj ti fut në lojë idetë e tërthorta, goditjet e fshehura dhe sheh se rreth e qark lëmit ku është ekspozuar ky arsenal, mblidhen më shumë e më shumë njerëz që emocionohen, qajnë dhe qeshin. Loja që ti ndërton me partnerët në skenë kthehet në jetë, art, biznes, e përditshme, e ndërkryer. Ai që të ndjek së bashku me ty sheh veten dhe shkrihet në të. Nëpërmjet personazhit tënd ai ëndërron bashkë me ty…
Humori-gjinia më e vështirë
Gjatë 45-vjetësh jetë artistike në skenë më është dhënë mundësia të provoj shumë gjini. Kam arritur në konkluzionin se të bësh humor dhe të jesh i besueshëm nuk është e lehtë.
Kur them kam lëvruar disa gjini, kam parasysh monologun, dialogun, pantomimën, parodinë, mikrokomedinë, komedinë, role në dramë, kinematografi etj. Kam marrë vlerësime shumë pozitive, por ajo që ka zënë më shumë vend dhe këtu kam parasysh edhe vlerësimin e specializuar të kolegëve artistë në mbarë vendin, është interpretimi i roleve të karaktereve.
Kur them që zanati i humoristit është shumë i vështirë, kam parasysh se artisti duhet ta jetojë hallin me shumë seriozitet e jo të luaj rezultatin. Suksesi arrihet nga puna, nga njohja e jetës dhe aq më mirë kur kupton lëndën e parë, cilësore që është libreti. Por dihet, arti skenik është kolektiv dhe si i tillë, realizohet edhe me kontributin e komponentëve të tjerë si: libreti, regjisura, skenografia, muzika, prapavija etj. Unë mendoj se në formimin e personalitetit tim më kanë ndihmuar shumë faktorë. Së pari, në gjenezën time si nga ana e babait ashtu dhe nga nëna kam trashëguar elemente të humorit të cilët kanë spikatur jo vetëm tek unë, por dhe te disa pjesëtarë të tjerë të familjes sime të madhe, për të ardhur deri tek Gazi, që tashmë ka fituar popullaritet. Kjo trashëgimi te ne ka ardhur në kuptimin e mirë të fjalës, bruto. Zanafillë që gjeti rrënjë dhe te dy pleqtë e talentuar të fshatit: Zyber Avdullaj dhe Shyqo Beshaj të cilët ishin shkollë më vete, për mënyrën se si e vlerësonin situatën, si e analizonin në mënyrë të rrufeshme dhe e zbukuronin muhabetin ose sofrën me një batutë që të linte pa mend. Humori popullor është pa diskutim një nga elementët bazë të formimit të një aktori. Veçanërisht ai në krahinën time, por mbi të gjitha në zonën e Jugut, ku fjala ka peshë dhe ku njerëzit e mençur, atyre që evidentohen në fis ose në fshat janë një thesar i vyer. Duhet të gjesh çelësin për të ngjizur muhabetin dhe aty zbulon një përvojë që ka ardhur nga breza dhe tradita të mëdha. Këto vlera tek unë kanë ardhur duke u përpunuar dhe elaboruar. Së dyti, ushtrimi i talentit në mënyrë të organizuar në grupet amatore, sidomos në Pallatin e Kulturës “Mustafa Matohiti” në Patos, studioja 1 vjeçare pranë Teatrit Kombëtar ose puna me intelektualët e sferave të ndryshme, ish kooperativa Cakran, për të cilat kemi folur. Pa dyshim dhe regjisorët e talentuar me të cilët kam bashkëpunuar.
Metoda artistike
Çdo aktor ka metodën e tij artistike. Metoda që shprehen nëpërmjet mjeteve artistike.
Aktori, pra dhe unë, s’krijon në tym, por ndjek një metodikë të përcaktuar, individuale dhe me mjete të veçanta personale, ndihmëse. I jep rëndësi veprimit me objekte. Kësisoj ka të bëjë shumë dhe mënyra, fjala vjen, e të mbajturit të bastunit. Mund të përmend rastin e personazhit, Cane Rrykja. Një figurë që mund të quhet klasike por që nuk i përket kohës kur unë jetoja?! Për ta interpretuar siç duhet, përdorja metodën që ma mësonin regjisorët e mirë e cila shtonte oreksin e aktorëve. Kjo metodë e vinte aktorin para detyrës së kualifikimit. Lexoja libra që më ndihmonin për rolin, publicistikë, histori, etimologji të krahinës. Njihesha me veprën dhe stilin e autorit, ambientohesha me rrethanat e personazhit. Për fat kam qenë tip sanguin. Fillimisht merresha me materialin. Po mos asimiloja tekstin, s’bëja gjë. Në tavolinë jam i mërzitshëm. Pas përvetësimit të tekstit s’më mban tavolina. Kam edhe këtë tipar: përpiqem të gjej gardërobë të përshtatshme. Le të jetë i vjetër kostumi, rëndësi ka që unë ta ndjej veten të akomoduar në të. Para se të ikë nga tavolina e punës, madje që në platformë, unë fle me rolin dhe vihem në vëzhgim të tipave. Pra, më sundon personazhi, e bëj mik shtëpie. Në një rol që trajtonte një figurë reale, jetësore, njëri prej fëmijëve të tij mbaj mend që më tha: “Rrofsh!Na ngjalle babanë.” Unë seleksionoj materialin që grumbulloj dhe kujdesem deri në detaj për intonacionin, lëvizjen, rekuizitën, etj. Mund të kem mbi 100 palë mustaqe, sepse për çdo rol i provoj gati të gjitha dhe gjej atë që më shkon më mirë.
Sigurisht mbas gjithë kësaj që përmenda e cila ka të bëjë me punë individuale nis e merr rëndësinë regjisori. Ai duhet të punojë me të gjithë njëlloj. Duhet t’i trajtojë aktorët si klloçka. Po qe se e lë një jashtë kujdesit, ai do të jetë më i dobëti. Ajo që mund të them është se gjatë gjithë jetës sime si roli kryesor dhe ai episodik për mua kanë qenë njëlloj. Një aktor që nuk nënvizon nëntekstin e domethënien e horizontalizon dhe nuk i ndërton diagramën rolit. Atëherë është krejt jashtë tij.
Mizanskena
Mizanskena ka rëndësi për aktorin. Ai duhet të kontribuojë që ajo të krijohet në kushte normale e harmonie. Mizanskena duhet të lindë së pari nga aktori. Po qe se një trupë punon me qejf, mizanskenat dalin të bukura. Pra, duhet që trupa të vijë e impenjuar. Duhet frymëzim dhe këtë duhet ta inkurajojë regjisori. Regjisori që s’të injekton frymë, të vdes. Këtë cilësi e kam parë tek regjisori rumun Mihai Manolesku kur punonim me “Oportuneskun” dhe te Pirro Mani. Detaji po të përdoret me vend bëhet domethënës. Te Magazinieri mënyra si e pija ujin ishte e veçantë dhe karakterizuese për rolin. Kisha një mbytje në grykë herë pas here dhe unë pija ujë, jo me gotë, por përdorja kanën. Edhe kjo kish një kuptim: Magazinieri donte më shumë, gjithnjë më shumë. Aq m’u bë e imja kjo mënyrë dhe aq transparente ishte, aq domethënëse dhe e ndërlikuar me spektatorin, sa në çdo shfaqje më thërrisnin nga salla “pi ujë”.
Çobo i luftës nuk ish për punë. Kur shkonte në punë mbante shtambën dhe shatin. Atëherë kur ia binte gruaja drekën dhe i thosh: “Çohu puno!”, Çobo përgjigjej: “Bukën e hëngra, shatin nuk e pashë”. Në çastin kur nxehej Çobo, në vend të merrte shatin, rrëmbente pushkën. Ky detaj shprehte jo vetëm lidhjen e veçantë që ai kishte me luftën, por edhe ndjenjën e shfrytëzimit të faktit të të qenit partizan për të përfituar privilegje të padrejta në një kohë tjetër.
Tharmi jetësor. Si e pasuron aktori veten
E konsideroj tepër të domosdoshme. Fillimisht e nisa punën mbi baza amatore, madje diletante. Por më ndihmoi kryerja e studios, pedagogët e saj. Gjithashtu gjatë jetës artistike profesioniste në Fier përfitova nga metoda e punës së Pëllumb Kullës, por edhe e ndonjë tjetri. Pikërisht këta faktorë më mësuan shumë në këtë drejtim. Sigurisht edhe përvoja ime jetësore dhe krijuese. Për zbërthimin e figurave më ka ndihmuar përvoja e njerëzve, njohja e saj. Për këtë unë nuk mbështetesha vetëm nga të thënat e gojëdhënat, as nga leximi, por kontaktoja direkt me njerëz, shëmbëlltyra të figurës skenike. Për Çobon më është dashur që të shkoj dy javë në Smokthinë të Vlorës. Aty njoha psikologjinë e labit, pashë si e çonin e përcillnin fjalën me peshë, si e ndërtonte autoritetin labi. Ata, para se të flasin e qartësojnë me veten e pastaj i japin drejtim mendimit, muhabetit. Ky lloj shqetësimi për ta realizuar këtë gjë lexohet në portretin e tyre. Këtë fenomen e pikasa në 2-3 njerëz të krahinës dhe ia vesha figurës. Bagazhi jetësor të bën të dallosh se si e pinë duhanin njerëzit. Fjala vjen, një intelektual, nga mënyra se si e bën cigaren, merret vesh që nuk di ta dredhë, ndërsa fshatari dhe kutisë i bie dy herë me pëllëmbë e pastaj e hap. Në të njëjtën kohë mban kutinë në dorë, merr fletën e hedh në të duhanin pa e hequr kutinë nga dora. Të njëjtën gjë mund të bëjë edhe me llullën. Për të përvetësuar të folurën e një minoritari unë kam ndenjur në një familje në Dropull dhe kur interpretova “Masat e Rakos” ia vesha Rakos që interpretoja, theksin e minoritarit. E bëra timen atë lloj të foluri. Kur kam vajtur me filma për xhirim nuk e kam kaluar kohën kot. Në Dardhë jam ulur e miqësuar me fshatarët, flisja e bisedoja me ta, e përpiqesha t’i imitoja. Përfitoja zakonet, mikpritjen. Pra, mbushja bagazhin me psikologjinë, zakonet, sjelljen, lëvizjen e njerëzve.
Faktori kombëtar në interpretim
Sigurisht, kur inskenonim komedinë një-aktëshe “Falur të pafalur” të Pëllumb Kullës na nevojitej riti fetar mysliman me ngjyrime jo vetëm shqiptare, por edhe krahinore. Por vështirësia qëndronte në faktin se feja, në atë periudhë në Shqipëri, ishte e ndaluar. Kishim tentuar në dy-tri raste, por ata që ishin hoxhallarë nuk na ndihmonin. Kishin frikë ta bënin. Më në fund gjeta një hoxhë në fshatin tim, që ishte 84 vjeç. Ia shpjegova djalit të hoxhës dhe i kërkova që të na çonte tek i ati. Shkuam së bashku me regjisorin. Në fillim shtypëm magnetofonin fshehurazi dhe pastaj unë fillova ta ngacmoja: “Xha Mustafanë e dua sepse kur ishte hoxhë në fëmijëri na donte shumë dhe kisha qejf kur falte syfyrin”. Unë ngulja këmbë “Aman”. Dhe nisa ta imitoja me sytë e memorien e fëmijës. Hoxha na korrigjonte: “Jo s’është kështu” dhe na e plotësonte ritin. Me marifet, ne morëm informacionin e duhur. Siç e përmenda më lart gjatë turneve nuk kam qëndruar i vetmuar dhe nuk kam përtuar të shkoj në mes të njerëzve. Më kishin caktuar të interpretoja në një skeç, rolin e një rapsodi. Kështu, kur po shkonim turne në Tropojë, i them shoferit që ishte dhëndër në Bujan: “Do na çosh te një nga miqtë e tu?”Ai m’u përgjigj: “Posi, se ka edhe një dasmë”. Kur shkuam, më bëri përshtypje një fakt karakteristik, tipar shqiptar i zonës: çiftelitë e varura në mur. Plaku i konakut, për nder të mikut, edhe ky një zakon shqiptar i mikpritjes, i tha njërit: “Or Shaban, apo na i merr atë sharki me na knu një kangë të gryte (dashurie) për njat mik që na ka ardhë prej Firit.” Në këtë fjalë unë pashë si aktor edhe cilësi të tjera me ngjyrë kombëtare e krahinore: autoritetin e të parit që të tjerët s’ia bënin dysh fjalën si edhe seriozitetin e përgatitjen sesi merrej çiftelia e se si fokusohej gjithçka te rapsodi. Një herë tjetër, për nevoja të krijimtarisë, së bashku me Todi Llupin, na duheshin zakonet e zonës për të cilën bënte fjalë materiali. Më konkretisht zakoni i tavolinës së rakisë. Shkuam në një fshat të Myzeqesë ku na ftuan për darkë te një plak. Deri diku i kisha ndeshur këto zakone, por nuk isha i sigurt. Todi rrinte i ndrojtur. Prandaj detyra jonë ishte të vepronim si të zotët e shtëpisë. Mori dollinë i zoti i shtëpisë: “Të parën për miqtë” e ngriti ai. Sipas radhës e vendit i takonte Todit ta pasonte, por ai u bllokua dhe ngriu radha e rakisë. Sipas zakonit duhej të vazhdonte rreshti. Por Todi nuk i binte asaj daulleje, sepse nuk e dinte zakonin e radhën. Për të kaluar situatën e ngecur, m’u dha mua: “Të parën, shëndetin për truallin tënd xha Ramo. Lulëzoftë tërë jetën ky truall.” Plaku u çua në këmbë, vuri dy pëllëmbët mbi kokë dhe tha: “Rrofshi o miq se këtu në kokë u kam”. Urimi im përfshinte të gjithë pjesëtarët e familjes. Këtë zakon e futa në kujtesë. Ndryshe e hedh hapin një malësor e ndryshe një myzeqar. Në këtë influencon edhe psikologjia e zonës. Unë i kam gjurmuar këto prandaj dhe figurat e mia përmbajnë tharm kombëtar e dallojnë. Nuk më vjen mirë që është lënë pas dore puna vetjake e aktorit, hulumtimi, mbushja e bagazhit, sepse kështu vjen forcimi i kombëtares në interpretim. Më 1995-ën, në një takim në Budapest, nuk më erdhi hiç mirë që shumë artistë të trupës sonë vërdalloseshin për shoping dyqaneve. Ndërkohë që më entuziazmoi trupa e Bukureshtit, sepse ishin të organizuar, pasionantë të profesionit, stërviteshin si lojtarë futbolli. Kjo stërvitje fillonte një javë para shfaqjes. Ajo lloj pune nuk i linte artistët të vinin dhjamë, por të kishin një plastikë të përkryer.
Aspirantë të demokracisë
Kemi goditur shpesh në skeçet tona plagët e sistemit monist si nepotizmin, burokracinë, globalizmin, tarafllëkun, paaftësinë. Ndoshta në këtë aspekt jemi ndër të parët që kemi inspiruar demokracinë. Le të marrim si shembull, skeçin e Koço Devoles “Globali”. Ishte koha kur në treg kishte shumë mungesa ushqimore. Dilje për t’u blerë këpucë fëmijëve, s’gjeje gjë të kam rixha, duhet të dilje me sandale në mes të dimrit! Më kujtohet, që në atë kohë Arqileja shënon bukur golin me shprehjen “filxhan” quheshin ato kupat e vogla me bisht. Ose të marrim skeçin e Pëllumbit “Tek serat” - Me mjeshtëri artistike dhe me shumë humor del se si i hiqej e drejta e fjalës punëtorit që kishte derdhur djersën, pasi dinte të fliste më bukur Kryetari që kishte dredhur zinxhirin gjithë ditën.
Por mund të kujtoj edhe komedinë njëaktshe “Farat e Shalqinit”. E Pëllumbit edhe kjo! Subjekti, shkurt: Një parcelë kish një lloj fare shalqiu që jepte prodhim të jashtëzakonshëm. Për të ruajtur farën e plotë, që vitin tjetër ta zgjeronin sipërfaqen e prodhimit edhe në shumë hektarë të tjerë, u vendos që shalqinjtë të ndaheshin nëpër anëtarët e atyshëm të kooperativës. Ata nuk do të paguanin për shalqinjtë që do merrnin, por si detyrim, thjesht, do t'i kthenin kooperativës farat. Por, belaja, qe se nuk kish aq shumë shalqinj sa t'i kënaqnin tërë familjet dhe u detyruan të futnin kriterin klasor, siç e futnin për frigot dhe televizorët. D.m.th.: shalqi do të merrnin vetëm familjet që garantonin besim, ato familje që gjatë luftës kishin mbajtur qëndrim të mirë, e tjera. Familjeve të mbetura, për t'u mbyllur gojën, do t'u jepnin pjepër. U krijuan në fshat pra, “familjet e pjeprit” e “familjet e shalqirit” Këtu qëndronte dhe thelbi i konfliktit të komedisë.
Po shënoj një pjesë të dialogut:
Brigadieri: - Jo, or shoku kryetar, jo! Le të ankohen! E po, familjes së Lame Resulit, unë nuk i jap shalqi! Ti, o kryetar, je i ri këtu e nuk e njeh. Këtij Lame Resulit, që thua ti, më '46 i shkau këmba e shkeli një nen të kodit penal. Tetë vjet brenda!… Bëri tetë vjetët e doli nga burgu. Shtëpia i kish qëlluar bri stallave të kooperativës. U them shokëve: “Priteni tani Lamen, kur të na bëjë ndonjë proçkë! Priteni këtë armik kur të na verë ndonjë zjarr, a të na bëjë ndonjë helmim bagëtish… Priteni! Ja kur ta bëjë!”… Pritëm 10 vjet!
Kryetari: - E bëri?
Brigadieri: - Jo! E as jepte shenja hiç për asi punësh!
Kryetari: - Shiko, shiko! Armik i rafinuar! Skile! E ç'bënte?
Brigadieri: - Asgjë. Ulte kokën e punonte.
Kryetari: - Punonte qerratai, ëh?! E si punonte?
Brigadieri: (me keqardhje). - Shumë mirë! E hiqte brazdën, sikur t'i kishe vënë spangon!… E pritëm sabotimin e tij edhe dhjetë vjet të tjera…
Kryetari: (i sigurt tani).- E zutë!
Brigadieri: - Jo, or jo! Ç'të zije! Ai vetëm punonte, si gjithnjë!
Kryetari: (i llahtarisur). - Nëne, nëne, me ç'armiq kemi të bëjmë! Po kur ju a bëri sabotimin?
Brigadieri:- Asnjëherë! Vdiq!
Kryetari: (i hutuar). - Vdiq?!
Brigadieri: - Vdiq, qeni, pa sabotuar as edhe një herë!
Kryetari: (i merret fryma nga befasia dhe tërbimi). - I poshtri!… Nëne, nëne, nëne! Këtij i them armik unë! Ku ta zësh këtë, more vëlla?! S'të vjedh, s'të djeg, s'të helmon! Punon mirë. Pa pa pa, sa të rrezikshëm që janë! (Befas). Po tani, bijtë e tij, bijat…?
Brigadieri: (raporton me zemër të plasur). - Për bukuri edhe ata! Punojnë kokëunjur e nuk ndihen hiç.
Kryetari: (brof i skandalizuar dhe përplas shalqirin që ka në dorë). - Ohuuu! Po pse nuk thua ti, që këta dashkan 500 vjet që ta shfaqin fytyrën e vërtetë!
Roli i arixhiut
Jam një aktor që kam marrë gjithçka që mund t’i jepet një artisti, por që ende nuk i kam thënë të gjitha. Para disa ditësh, televizioni shqiptar transmetoi një skeç të viteve ‘80 ku luaja unë. Të nesërmen një i ri që më takoi rastësisht më tha: “Ua xhaxha, ti qenke Luftar Paja që ka lozur Magazinierin? Po pse, aktor paske qenë ti?” Më vjen keq sepse jam në formën më të mirë. Me një përvojë artistike 45 -vjeçare jam i gatshëm të luajë çdo lloj roli në fushën e humorit dhe të satirës, por kam frikë se po harrohemi. Plasën nëpër teatro, duke përkthyer vepra amerikane, franceze, angleze, greke dhe italiane. Harrojnë se ky vend quhet Shqipëri, se këta njerëz janë shqiptarë. Po harrohen të vjetrit. Një ditë takova regjisorin Armando Bora.
- Ti po vë në skenë, një pjesë me një rol arixhiu. Unë nuk e di se si do e luaj ai tjetri, po pse s’ma dhe mua? - Ai shqeu sytë. - A e ke parë ti rolin e Arixhiut që kam realizuar unë këtu e 40 vjet më parë?
- E ku ta shihja! - M’u përgjigj Armando. - Në atë kohë unë nuk kisha lindur akoma.
S’m’u durua dhe i thashë: - E po mësoje or çun, se kur ti nuk kishe lindur akoma, unë “haja bukë” me arixhinjtë e Levanit. I njoh me dhëmbë e dhëmballë, ua di huqet, lëvizjet, psikologjinë, mentalitetin, aksentin.
Duket se artistët e mirë po harrohen. Nuk është fjala vetëm për mua si individ, por një psikologji indiferentizmi po injektohet te të rinjtë për të hedhur poshtë e për të lënë pas dore traditën. Pra, për të harruar çdo gjë “të vjetër” dhe me vlerë. Asgjëkund nuk po kujtohen Naim Frashëri, Mihal Popi, Marie Logoreci, Loro Kovaçi, Pjetër Gjoka, Tano Banushi, Nikolin Xhoja. Në harresë nuk po lihen vetëm të vdekurit, por edhe të gjallët. Po mënjanohet brezi i dytë që ende ka fuqi, përvojë e luk artistik si Albert Verria, Beb Shiroka, Tinka Kurti, Margarita Xhepa etj. Njeriu plaket kur plaket pasioni. Kuin vdiq 84 vjeç duke interpretuar. Të gjithë kanë në majë të gjuhës fjalën Tranzicion.Tranzicion i thua këtij? Unë i them luftë, pasi ata që e morën në dorë pushtetin më ‘91 u hodhën në sulm. Vetë kryetari i PD-së në Fier i tha drejtorit të teatrit: “Të hiqen nga puna Luftar Pajo e Todi Llupi.” Drejtori e kundërshtoi. “Po qe kështu, urdhëro çelësat. Teatri nuk është parti!” U përgjigj ai. Në atë mbledhje shumë pjesëmarrës kërkuan që ky vendim të mos zbatohej, mirëpo kryetari i partisë dha urdhër të prerë. “Menjëherë!” Të nesërmen unë i paraqita drejtorit të teatrit dorëheqjen e parevokueshme. Sa të bëhesha pengesë për të tjerët, dhashë dorëheqjen, jo se isha mërzitur nga kolektivi im artistik, por nga mënyra si politika po mbyste artin.
Ç’mund të bëjë unë në këtë moshë? Mund të bëjë shumë. Mund të interpretoj pafundësisht dhe në mënyrë të papërsëritshme figurën e babait, të myzeqarit e të malësorit. Prej tyre nuk ndahem dot. Këto role i kam për zemër. Këtu jam në pjatën time. Nga dramaturgjia shqiptare do të luaja me kënaqësi komeditë e Çajupit. Ato janë të freskëta në çdo kohë. Le më pastaj ndonjë pjesë të re, ndonjë komedi që sot nuk po e shkruan askush. Më parë thoshin: Kemi censurë, s’mund të shkruajmë dot atë që duam! Kemi kufizime, s’dalim dot nga kornizat etj., etj. Po tani që është liberta, pse nuk shkruan qerrata? Shkruaj të kam rixha! Dje, vërtetë kishte censurë, po tani të themi atë që është, s’ke censurë. Ndoshta kanë të drejtë që nuk shkruajnë. Është më mirë të interesohesh se nga hyn më lehtë maunja, nga Kapshtica ose nga Kakavija, në të gdhirë ose në të ngrysur, sa të shkruash. “Shkrimtarët”, sot merren me biznes. Ata janë bërë presidentë, firmash, tenderësh, vizash, sepse siç duket, këto punë janë më të lehta e kanë fitim më të madh. Nga letërsia e huaj do të kisha dëshirë të luaja “Ushtarin e mirë Shvejk” të Hashekut. Këtë rol e kam ëndërruar prej kohësh dhe përsëri e kam merak të madh. Jam shumë i sigurt se e luaj mirë dhe me kripë. Pas kësaj përvoje të gjatë që kam në skenë e ndiej veten në formën më të mirë për të interpretuar.
Artisti është më pak pensionist nga kushdo tjetër sepse shpirti i tij mbetet po njëlloj ndërkohë që vitet shtohen. Por mosha bën të vetën, sado që me shpirt e me zemër ne përpiqemi të jemi në formë. Por më shumë se vitet që rriten e rrudhat që shtohen bëhet problematike lufta për rritjen e pensionit që shpesh është mjeti i vetëm me të cilët rrojnë artistët, të çdo lloj kalibri qofshin. Mërzitë e pensionit që marrim ne artistet mundohemi t’i kalojmë me ndonjë histori ose barsoletë. Kujtojmë kohën tonë që ka qenë e mbushur me ngjarje dhe histori. Unë personalisht kam bërë shumë marrëzira. Më kujtohet njëherë që jam hedhur nga maja e rrapit në Vjosë. Atëherë i kam thënë vetes: “Po dole gjallë, mos e përsërit më”. Dhe kështu ndodhi. Nuk e përsërita më kurrë. Shyqyr Zotit nuk na harrojnë gazetarët. Më pyeti para pak ditësh njëri: “Çfarë do bëje për herë të parë?” Dhe si të gjithë meshkujt e këtij vendi për t’u treguar paksa maçoist i thashë se do doja të bëhesha elektricist dhe t’i prishja dritat ndonjërës. Se jam elektricist me kategori, madje! Shprehje humoristike sepse i përkas një brezi që atje ku hidhej grepi atje ngecte përgjithmonë. Nuk lejohen më këto marrëzira në moshën time! Edhe pse Shqipëria po ndryshon. Edhe veset, gjithashtu! A e keni vënë re që një nga kinematë e njohura të kryeqytetit është kthyer në bingo. Venë njerëzia e lënë lekë aty e dalin trutharë. Personalisht e urrej bixhozin dhe për fat nuk kam ndonjëri në familjen time që ta ketë për zemër atë. Mendoj se do shkoj ndonjë ditë për kuriozitet. Për të dalluar ato karakteret që nuk kanë këmbë në kokë. Për të dalluar dhe se kush janë ata që vjedhin lopët e fukarenjve. Duhet të jenë fshehur pas ndonjë xhami të zi. Njëlloj si politikanët tanë kur bredhin nëpër bulevard...
Do i shisja shalqinjtë më mirë se im bir
Unë do i shisja shalqinjtë më mirë se Gazmendi, im bir. Ju kam shpjeguar më sipër që jam kritizer ndaj vetes time, imagjinoni pak me tim bir. Për rolin e myzeqarit jam treguar dorështrënguar dhe i kam vënë vetëm notën 8-të. Unë nuk qesh kur Nasi bën për të qeshur, por peshoj çdo fjalë të tij, çdo gjest, e madje ndjek çdo lëvizje të muskujve të fytyrës. Në puntatën e dytë, i thashë: “Ik, lëre, nuk ke bërë gjë. Mos u rrëmbe nga entuziazmi i sallës dhe të kalosh sensin e masës. Po e bëre këtë, dorëzohu dhe ik!”
Përgjithësisht Gazi, e merr shumë seriozisht punën dhe më pyet shumë. Ai është në hapat e para, megjithëse unë kam vite që e kam joshur për pasionin të cilin ka ndërmarrë. E kam nxjerrë Gazin që në moshën gjashtë vjeç në skenë, në Fier. 4 vjeç ka interpretuar te filmi “Rikonstruksioni”. Më pas ka luajtur dhe me mua në një rrëfenjë “Fshatari dhe Kadiu”. Ai ishte djali im dhe ne na kishte humbur gomari të cilin e kërkonim në pyll. Që nga ai debutim, regjisori Pëllumb Kulla më porositi që të mos e lija djalin të harxhonte kohën kot, por ta nxisja të vazhdonte. Megjithatë, e mira e të mirave është që unë të flisja i fundit dhe jo i pari për djalin tim, sepse vete si ajo puna “A doni më për Belulin” Megjithatë nuk kam qejf të flas si baba i Gazit, por si artist. Mendoj se ai është në hapat e para, dhe me pak kujdes është artist që i buzëqesh perspektiva. Edhe si artist edhe si prind, i kam dhënë një porosi: “Ji kërkues në vetvete dhe mbi të gjitha ji modest, por jo modest i tepruar, se modestia të zbukuron dhe të bën me miq edhe me shokë. Hunda përpjetë, është mortja e të zot.” Deri tani, besoj se Gazi e ka marrë parasysh këtë kërkesë timen. I kam dhënë edhe një porosi si artist, që t'i shmanget bufonatës në lojë. Të jetë sa më realist dhe, kur është fjala për të trajtuar një vepër në grotesk edhe te grotesku duhet ruajtur sensi i masës. Jo humor për humor. Besoj se ai ka të dhëna të mira dhe premtuese. Humori është tepër i vështirë, jo të gjithë mund të bëjnë humor, sepse mund të jesh i zgjuar, mund të jesh njeri që studion, por në art ka disa kërkesa. Duhet të kesh një botë emocionale të besueshme, duhet të kesh një portret të besueshëm, një plastikë që të dominojë dhe këto plotësojnë nurin skenik.
Shpesh më kanë pyetur nëse e ka ndihmuar tim bir, emri im. Ndoshta! Dhe pse Gazi ka bërë një shkollë që e ka specializuar në Greqi. Në vitin 1991 shkoi në Greqi, ku vazhdoi shkollën e mesme dhe përfundoi për Dramaturgji në Athinë. Në vitin 2000 u kthye në Shqipëri. Unë edhe për arsye ekonomike, i thashë që ta mbaronte shkollën këtu në Tiranë, sepse kjo shkolla jonë është shkollë e Stanislavskit. Personalisht nuk u afrova fare në Akademinë e Arteve kur Gazi konkurroi, sepse s'kisha qejf të influenconte qenia ime si baba i tij. Ai u përgatit me të tjerë, me regjisorin Mehmet Xhelili. Megjithatë, rezultati tregoi se Gazi mes 25 konkurrentëve që dolën atë vit, u klasifikua i pari. Me një fjalë, ai e mori konkursin me meritën e tij, se po të ishte i dyti, i treti, apo i pesëmbëdhjeti, do të thoshin se e futën me hatër. Jo, Gazi mori vendin e parë. Jam tepër i kënaqur edhe nga opinioni artistik i kolegëve, i shokëve në Akademinë e Arteve, në Teatrin Kombëtar, regjisorëve, aktorëve të nderuar e nga gjithë publiku shqiptar, që më kanë thënë fjalët më të mira për Gazin. Ulet në punë me seriozitetin më të madh, gjë që është mangësi për shumë të rinj. Më vjen keq, që shumë të rinj pasi marrin diplomën, thonë se dolën inxhinierë ose aktorë. As Gazi, as ndonjë tjetër, nuk janë bërë aktorë. Edhe unë që gati e kam mbyllur karrierën, e pyes veten: A u bëra ndonjëherë aktor apo jo? Kështu që është një fushë ku sado të vraposh, nuk arrin dot kollaj. Duhet kohë dhe djersë.
Pas përfundimit të studimeve ai u angazhua në role të ndryshme, ku më i spikaturi është ai në “Lisistrata”, një pjesë teatrale shfaqur në teatrin “Bylis” të Fierit. Pjesa u vu në skenë nga një trupë teatrale shqiptaro-greke ku Gazi kishte rolin kryesor. Trupa bëri turne dhe në Greqi. Krah tij luante edhe aktorja e njohur greke, Meri Vidhalis.
Pse luajti rolin e myzeqarit?
Nga bisedat që kemi bërë, duke analizuar edhe “Portokallinë” edhe kërkesat, pasi Altin Basha, regjisori i “Portokallisë”, e ka pasur student Gazin dhe i ka bërë disa herë kërkesë për të punuar në këtë variete. Gazi rezervohej, se mendonte: “Ja të futem, ja të mos futem fare!” E pamë të arsyeshme se figura e myzeqarit në “Portokalli” nuk ishte shfrytëzuar. Nga trevat e tjera, si nga Veriu apo nga Jugu ishin interpretuar. Myzeqari, si dialekt edhe si trevë ishte i veçantë dhe mund të lëvrohej psikologjia e tij me shumë sukses. I kam thënë Gazit, se është e rëndësishme që myzeqarin ta interpretosh, por mos ta tallësh. I kam thënë se ditën që do ta tallë, atë ditë do të mbarojë. Të rinjtë kanë nevojë të ndihmohen, por edhe ne në fund të fundit, mësojmë prej tyre sepse ata e shohin me zhvillimet e kohës. Ne s'e kishim atë mundësi, sepse e kishim të censuruar shumë interpretimin, me ideologjia e gjëra të tilla. Jo vetëm Gazit, por të gjithë të rinjve u jap një këshillë, le ta marrin si të duan, por them se duhet ta marrin pozitivisht sepse e them me shumë dashamirësi, të mos spekulojnë me këtë liri kaq të madhe në art. Me një fjalë, gjella me kripë dhe kripa me karar!
Improvizimet në skenë
Ka çaste kur improvizimi në skenë është i domosdoshëm që ta nxjerrë artistin nga situata. Tingëllimi i natyrshëm i improvizimit dhe bukuria e tij varet nga inteligjenca e aktorit. Më kujtohet se po interpretonim me Neço Pogaçen dhe ai duhet të ndizte cigaren, në çast ngrihet nga salla një fshatar, drejtohet në skenë dhe gjithë dashamirësi i tha:
- Mos u mundo, na, dridhe nga i imi se e kam edhe duhan të mirë.”
Neçua u çua gjithë qetësi mori kutinë e falënderoi fshatarin e filloi të dredhë duhanin. Mirëpo gjatë kësaj kohe, partnerja, sakaq e kishte humbur fillin, kërkonte batutën. Neçua me qetësi iu kthye dhe i tha:
- Prit një herë, sa ta ndez këtë të uruar.
Drodhi duhanin dhe gjatë kësaj kohe hyri në rol me fshatarin. Pasi ndezi cigaren i tha:
- Rrofsh, qenka me të vërtetë duhan i mirë, tani ti rri dhe shiko shfaqjen dhe ne të vazhdojmë.
Sigurisht që improvizime të tilla janë të domosdoshme, ti dikton skena dhe këto e ngrenë aktorin. Dhe kur ishim, duke interpretuar “Masat e Rakos për sigurimin teknik”, më ka ndodhur një histori simpatike. Duhej të më ngjisnin me litar lart në skenë. Kur po e bënin këtë shikoj se kabllot elektrikë ishin të zhveshura. Mirëpo isha para publikut e rrezikun që më kanosej duhet t’ia thosha në mënyrë të tillë që të tingëllonte natyrshëm. I thirra punëtorit:
- O Kiço më dogje!
Kur Kiçua më uli menjëherë m’u grisën pantallonat, po shyqyr që kisha veshur kapërdinë.
Drama dhe komedia
Komedia është më e vështirë se drama. Në shumë raste aktorët e ngrenë në formë të banalizuar rolin në komedi. Dhe kjo për arsye se humori është i vështirë të realizohet. Sa më shumë hall të ketë personazhi në komedi aq më komik bëhet. Në komedi humorin, të qeshurën, e krijon rrethana, situata, ngjarja etj. Po sa janë në gjendje aktorët t’i mëshirojnë e vuajnë ato?! Prandaj është më e vështirë komedia sepse që të realizohet kjo gjendje me të gjitha elementet është më e vështirë. P.sh., servili, sa më i sinqertë të jetë në veprimin e tij, aq më qesharak bëhet. Pse?! Sepse në raport me moralin shoqëror ai vihet në marrëdhënie oponence ose më saktë spektatori i ndërton oponencë. Pra, opozita ndaj së keqes shoqërore, që është brenda karakterit të tij, e përqesh atë, e dimensionon fenomenin, pra, servilin. Por realizimi i kësaj detyrë nuk është e lehtë.
Shteti dhe trashëgimia artistike shqiptarëve
Mendoj së pari, se shteti, meqenëse institucionet në fjalë janë shtetërore, por edhe organizmat e tjera, duhet të bëjnë shumë më tepër lidhur me konservimin e vlerave të artit. S’jemi më në kohën e para krijimit të Televizionit e Radios Shtetërore, dhe jo vetëm shtetërore! Shteti duhet që këto vlera në Radio-Televizion t’i organizojë e jo t’i lërë në duar matrapazësh. Unë mora si shembull Radio-Televizionin, por vlerat mund të ruhen edhe gjetiu, p.sh., në arkivat e institucioneve, etj. Për këtë duhet ndërtuar një bazë e re ligjore, një logjike e re. Artistët disponojnë materiale, por edhe ato janë të pakta. Edhe ato mikro muze arshiva u shkatërruan. Media propagandon aktorët e mëdhenj të botës, por nuk u tregon të rinjve kush ka qenë Naim Frashëri, Mihal Popi, Adem Kastrati, Pandi Raidhi, etj. Prindërit na takojnë shpesh së bashku me fëmijët, por këta të fundit nuk na njohin për faktin sepse krijimtaria e artistëve u hallakat gjatë viteve të demokracisë. Hallakatje që u shoqërua edhe me mungesën e konservimit të vlerave. Ato jo vetëm që nuk u ekspozuan, por as u grumbulluan e arkivuan, prandaj është së pari, detyrë e shtetit ta organizojë këtë punë. Edhe artistët duhet të këmbëngulin. Të kontribuosh një jetë e të mos kesh një kasetë dhuratë!!! Dokumentacionet, arkivat e institucioneve si Radio Televizioni Shtetëror, por edhe ato private, teatrot, etj., duhet të marrin trajtimin e monumenteve të veçanta ose të objekteve të rëndësisë së veçantë sepse janë vlerat e papërsëritshme të një kombi. Nuk ka fatkeqësi më të madhe që një kolos si Naim Frashëri të mos njihet nga të rinjtë dhe të mos ketë dokumentacionin e duhur.
Cilësia artistike në kohërat e sotme
Një nga defektet kryesore, që konstatoj në ato pak pjesë shqipe të cilat vihen në skenë, është mungesa e cilësisë artistike. Një dobësi, që dhe pse kanë kaluar disa vite dhe Shqipëria ka hyrë në një sistem tjetër politik, nuk duket se është rimëkëmbur. Mendoj se dy janë arsyet themelore që sjellin këtë situatë alarmante: “mielli”, pra, dramat, aktorët e komponentët e tjerë dhe “gruaja nikoqire”, regjisori. Po të kesh miell zero bën gjithçka. E bën bukën vetë. Më pas duhet edhe regjisori, emra të cilët nuk mungojnë në teatrin shqiptar. Mangësia më shumë anon te prodhimi dhe mendoj se kam të drejtë kur them se krijimtaria e viteve të fundit është e vakët. Pjesët shqiptare që kanë pasur sukses në teatër i përkasin viteve të para të postdiktaturës kur disa dramaturgë të talentuar lëvronin suksesshëm gjininë teatrale, veçanërisht komedinë. Nuk ka më pena të reja në këtë fushë. Mendoj kështu për faktin se janë gjini të vështira, por edhe për shkak të mos angazhimit shtetëror në lidhje me teatrin, në përgjithësi. Që të shkruash një pjesë teatrale duhet një njohje e thellë e kësaj gjinie. Të rinjtë janë të pakualifikuar për ta bërë këtë gjë. Por mendoj që ndikon edhe fakti i një Teatri në tranzicion. Nuk ka konkurrencë. Edhe ato shoqata të rinjsh që ndërmarrin iniciativa në këtë drejtim përzgjedhin pjesë të huaja, duke e ditur se mund të tërheqin vëmendjen me një pjesë e cila ka bërë histori. Me këtë rast, përfitoj t’i bëj apel Ministrisë dhe pa dyshim drejtuesve të shoqërive teatrore, që të angazhojnë në projektet e tyre shkrimtarët më të mirë në gjinitë skenike, kualifikimin e specializimin e penave premtuese si edhe regjisorët. Nuk jam dakord me mendimin “Artistë të rinj-Artistët e vjetër”, “Aktorë të rinj-Aktorë të vjetër”. Dua të përmend edhe faktin që disa pena me vlerë në dramaturgjinë shqiptare kanë emigruar, duke shkaktuar një plagë në krijimtarinë e sotme. Ndikon shumë dhe indiferenca, por edhe kriza globale në lulëzimin e talenteve të reja që gjithnjë fuskohen nga penat e mëdha të dramaturgjisë botërore. Po unë përpiqem të jem optimist në këtë drejtim sepse mendoj se ashtu siç janë të gjithë grup-moshat e një populli, ashtu duhet të burojnë edhe talentet e skenës. Por në teatër duhen edhe të vjetër edhe të rinj, madje dhe adoleshentë, veç të talentuar dhe cilësorë.
Konvertimi i talentit në para
Vlerat artistike vërtet kanë pësuar tronditje të mëdha! Më duket e vjetruar çështja e organikave në teatër. Ajo i përkiste një kohe tjetër. Për kushtet e kapitalizmit duhet zbatuar parimi: “Kush më jep talent dhe sukses do t’i jap rolin!” Për hir të kësaj nuk duhen organikat. Kur ke organikë nuk merr atë që të duhet, por atë që s’të duhet! Kuti konservash mishi mbante ushtria plot në magazinë. Pra, jam për një mekanizëm të ri. Gjë të cilën Teatri nuk e bën dhe kjo për hir të shumë opinioneve ose miqësive që kanë disa aksh persona. Sipas mendimit tim, këshilli Artistik dhe regjisori duhet të përcaktojë në bazë të repertorit edhe trupën. Ai që do të zbulojë vlerat aktoriale duhet të jetë regjisori. Drejtori artistik duhet të gjurmojë forcën e mirë krijuese, kush është i talentuar, kush erdhi nga specializimi prej jashtë shtetit, cilat janë ato resurse profesionale që “flenë” te të moshuarit, por sidomos të rinjtë duhen afruar etj. Vlerat krijuese duhet të qarkullojnë, duke mos mbetur të ngurosura në trupa. Pra, ato duhet të jenë të lira e të punojnë me kontratë. Mendoj se teatri nuk ka konkurrencë dhe ka fryrje organikash gjë që nuk lejon frymëmarrjen, por vetëm mykjen e tij. Teatri duhet t’i përshtatet kohës dhe sistemit të ri që zgjodhën shqiptarët. Ka një dialektikë dhe në art e cila duhet zbatuar, në mënyrë që të evidentohen vlerat.
Banaliteti në humor
Përbën një problem me përmasa gjigante. Përmendet gjithnjë fakti që Arti dhe Kultura janë propagandë, veçanërisht në kohën e diktaturës. Por nuk përmendet fakti që Arti dhe Kultura kanë një moral të caktuar dhe përcaktojnë modele. Modele, që për një pjesë të përcaktuar të popullsisë nuk përpunohen, por serviren ashtu siç përftohen. Hyrje-dalje të panevojshme që e dëmtojnë shoqërinë njerëzore në çdo rrethanë. E edukojnë jashtë etikës normale. Duhet pasur shumë kujdes, veçanërisht për fëmijët e brezin e ri të cilëve u përcjellin modelet e servirura nga Pseudoarti sipas dëshirës.
Shkrimtarët humoristë, që shkruajnë sot, për mendimin tim, në disa raste edhe prishin punë, duke u prirur nga banalja. Fjalët banale, mund t’i kemi përdorur edhe ne, po varet se si e thua dhe kush e thotë. Me këtë dua të them se banalja s’i shkon çdo lloj personazhi dhe jo në çdo lloj vendi. Mund të japë një shembull nga komedia “8 persona plus”. Personazhi im është 70 vjeç, “krushka” ime është 60 vjeçe. Po kur ajo më irritoi aq shumë sa tha: “Ti je plak banal, ta rregulloj unë qejfin ty, se do të denoncoj, etj.”, ai iu kthye: “Prapa diellit nuk paske vajtur, vetëm nga unë hiqu, se m'u qepe si dhelpra pas boleve të dashit.” Këtë shprehje e përdor populli, s'ka vend për banale aty. Pra, është një shprehje që di se ku futet dhe kujt i përshtatet.
Mania e banaliteteve ka depërtuar edhe në kinematografi. Pa qenë nevoja, përdoret 40 herë e njëjta shprehje ose fjalë. Nuk e di, por mendoj se në kohën e sotme gjen shumë tema, që mund të bëjnë për të qeshur. Humori banal vdes shpejt. Ai mund të bëjë të buzëqeshë një shtresë të caktuar sociale, por mund të shkaktojë dhe braktisjen përfundimtare të pjesës tjetër. Humori banal nuk mbetet. Është flur.
Në këtë pikë, ndoshta do shtoja faktin se është politika ajo që sjell banalitetin. Humori, miq të dashur, sidomos ai banal, po lulëzon me sukses. Sidomos në Parlament, në kafene gjithashtu tregohen aq shumë anekdota pas çdo mitingu dhe pas çdo seance, sa nuk bëhet hesap. E kam fjalën për humorin popullor.
Partneret në skenë
Partneret në të gjitha rolet i kam pasur njërën më të mirë se tjetrën. Cilën të mburr e cilën të lë? Po edhe unë s’bija më poshtë . Të gjitha donin të luanin përkrah meje. Megjithatë s’mund të rri pa veçuar Xhuljeta Kullën e Pavlina Manin. Ndërsa tani më doli edhe një e re shumë simpatike, Zamira Kita e cila më përshtatet mjaft. Por më mbetet ende një dëshirë e pa realizuar partneriteti me të suksesshmen Zyliha Miloti. Mendoj se do të ishte kulmi i sukseseve të mia.
Me gratë më ka ngecur ndonjëherë sharra në gozhdë. Jam shumë i suksesshëm dhe i pa rezistueshëm, aq sa dhe makinës nuk i jap vetë që të mos më shohin në vend të parë. Megjithatë sharra më ngeci në gozhdë në vitin 1963 me Qamilen. Ishte gjimnaziste atëherë ajo e uruar dhe dritat në gjimnaz prisheshin çdo ditë. Unë si elektricist, veja, i rregulloja dhe pasi dilja i prishja prapë. Që atë kohë, Qamilja m’u ngjit e nuk m’u shqit.
Më kujtohet si tani zënka e parë me të. Ka ndodhur kur nuk i ktheva përshëndetjen një simpatikeje të cilën bëra sikur nuk e pashë.
JETA IME NË FAQE ARKIVASH
Regjisorë, kolegë, autorë, role
Regjisori i parë i cili më futi në rrugën e artit ka qenë një shofer, Ndrek Beltoja, në Patos. Këtë amator pasionant të teatrit, e njoha në vitin 1949. Qysh nga ai vit, atij njeriu iu ngjita nga pas. Hunda, mustaqet dhe gjyzlykët të cilat i kish të ngjitura bashkë në rolet e ndryshme, cilësia e figurave të krijuara prej tij, lanë mbresa të pashlyera tek unë kur isha djalë i ri aq sa dhe sot e kujtoj me respekt të thellë.
Talenti im spikati në konkurrimin tim të parë, në vitin 1957 me një variete në të cilën fitova çmimin e parë.
Jeta e pasur dhe intensive artistike që zhvillohej në Patos, në pallatin e Kulturës “Mustafa Matohiti” dhe sidomos ajo teatrore, gjatë viteve 1960-1968, më bënë të integrohesha e të lulëzonte më tepër talenti që ndjeja brenda vetes.
Në vitin 1968 ndodhi një ngjarje e rëndësishme në jetën time artistike. U inkuadrova si profesionist në Estradën e Fierit. Nga viti 1968 deri më 1991 kam marrë pjesë në të gjitha shfaqjet e dhëna nga Estrada, por edhe në dramat-satirë “Vitet e paharruara”, dramatizim i mbështetur mbi motivet e romanit “Para Agimit” të Shefqet Musarajt. Interpretova rolin e Halil Shkozës te drama-satirë “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit, me partnere Violeta Manushin në rolin e Zyrasë.
Në bashkëpunim me trupën e Estradës së Lushnjës, nën regjinë e Leka Bungos interpretova tek komedia “Flokë dëbore në prill”.
Më 1987 realizova rolin e Thoma Çakshirit në pjesën “Shi në plazh” të Teodor Laços, ndërsa më vonë, u angazhova në rolin e Thoma Kaçaroit tek komedia “Një budalla e gjysmë”, të autorit grek Dhimitër Psathai, me regjisor Arqile Garon.
Angazhimin në teatrin dramatik e vazhdoj ende, kësaj here në Teatrin Kombëtar. Jam ndër interpretuesit kryesorë tek komedia “8 persona plus...” e Ferdinand Radit me rolin e Çaços, kam realizuar figurën e Langadës tek “Oportunesku” të T.Mushateskut dhe së fundi, Osipim te “Revizori” (“Inspektori”- variacion) i Gogolit.
Kam vënë në skenë me trupat amatore, dhjetëra shfaqje estrade dhe teatri dramatik si p.sh.: “Një nuse për Stasin” të Teodor Laços. Për disa prej këtyre shfaqjeve jam vlerësuar me çmim në takime lokale dhe kombëtare.
Kam realizuar në teatër, estradë e film, rreth 300 figura, shumica e të cilave kryesore. Prej vitit 1970 kam marrë pjesë në të gjitha koncertet e programet e Vitit të Ri që ka përgatitur Televizioni.
Figurat më të qëlluara
- Çobo Rapushi, në shfaqjen “Çobo Rrapushi me shokë”, përgatitur me motive e lëndë nga krijimtaria e Shefqet Musarajit dhe me libret e regji të Pëllumb Kullës.
- Gani Llapa te “Rrufe nga mali”, me regji të Koço Papadhopullit.
- Ballisti Refat te “Luftë e ngatërruar”.
- Magazinier Kozmai te “Magazinieri”.
- Punëtorin lajmsjellës, tek “Kardiaku”.
- Servetin te “Servet Beu jep zgjidhje”.
(Të gjitha këto materiale janë shkruar nga Pëllumb Kulla).
- Mysafirin te “Mysafiri” i Miço Kallamatës, me regji të Roland Roshit.
Kam marrë pjesë në rreth 15 filma. Ndër rolet më të spikatura në teatrin e dramës e në film janë:
- Thoma Kaçaroi te “Një budalla e gjysmë” të Dhimitër Psathait;
- Halil Shkoza te “Fytyra e dytë”, e Dritëro Agollit;
- Kadri Kanani tek “Këshilltarët”;
- Velo Sadiku te “Guna mbi tela”;
- Koli Kola tek “Ëndërrr për një karrige”;
- Babai te “Pranverë në Gjirokastër”;
- Hanxhiu tek “Udha e shkronjave”;
- Çobani te “Gurët e shtëpisë sime”;
- Xha Braho te “Streha e re”.
Për kontribut cilësor jam vlerësuar me tri çmime të para në konkurrime estradash, ndërsa në Festivalin e Humorit në naj të vitit 1996, që u zhvillua në Tiranë, u cilësova “Aktori më i mirë i karrierës”.
Më janë akorduar edhe këto dekorata:
- Medalja “Naim Frashëri”;
- Titulli “Artist i Merituar”, në vitin 1979;
- Titulli “Artisti i Popullit”, në gusht të vitit 1991.
*
Regjizorët, me të cilët kam punuar gjatë 45 vjetëve
- Ndrek Beltoja;
- Pjetër Gjoka;
- Llazar Verria;
- Koço Papadhopulli;
- Pëllumb Kulla;
- Roland Roshi;
- Dervish Biba;
- Mehmet Xhelili;
- Ilir Bezhani;
- Guri Koço;
- Arqile Goro;
- Leka Bungo;
- Gëzim Kame;
- Pirro Mani - Mihai Manolesku;
- Andeta Radi - Ferdinand Radi;
- Anton Qesari;
- Spartak Pecani – Vladimir Kasa;
- Muharrem Fejzo;
- Fehmi Oshafi;
- Viktor Gjika;
- Dhimitër Anagnosti;
- Ismail Zhabjaku;
- Xhezair Dafa.
Aktorët jashtë trupës së Fierit me të cilët kam bashkëpunuar
1. Kadri Roshi;
2. Lazer Filipi;
3. Adem Gjyzeli;
4. Sulejman Pitarka;
5. Ilia Shyti;
6. Drita Pelinku;
7. Violeta Manushi;
8. Reshat Arbana;
9. Pandi Raidhi;
10. Thimi Filipi;
11. Stavri Shkurti;
12. Jani Riza
13. Aleko Prodani;
14. Margarita Xhepa;
15. Ndriçim Xhepa;
16. Ahmet Pasha;
17. Roland Trebicka;
18. Luiza Xhuvani;
19. Yllka Mujo;
20. Rajmonda Bulku;
21. Bujar Asqeriu;
22. Agim Qirjaqi;
23. Vangjel Toçe;
24. Naun Shundi;
25. Agron Llakaj;
26. Mehdi Malkaj;
27. Birçe Hasko;
28. Anastas Kristofori.
Shfaqjet jashtë shtetit
1. Greqi;
2. Maqedoni;
3. Hungari;
4. Rumani;
5. Kosovë;
6. Mal i Zi;
7. Turqi;
8. Itali;
3. NËPËR PARCELAT E SHTYPIT
Kur po lindte Pushteti Popullor
Shënime për filmin e ri artistik “Këshilltarët”
Gazetë e kohës
Ndërsa përgatiteshin për zgjedhjet e 20 prillit të këtij viti për këshillat e gjykatave popullore, Kinostudioja “Shqipëria e Re” na solli në ekranet e kinemave, nëpërmjet filmit artistik “Këshilltarët”, një tablo të gjallë dhe të bukur të kohës kur po lindte pushteti i ri popullor. Regjisori Xhesair Dafa, skenaristi Kujtim Gjonaj, operatori Bardhyl Martiniani, kompozitori Sokol Shupo dhe krijuesit e tjerë të filmit kanë punuar me pasion për ta transmetuar bukur atmosferën e kohës kur, në përleshje të ashpër, për jetë a vdekje, me pushtuesit dhe tradhtarët, po lindnin këshillat popullore, organet e pushtetit të ri. Kuadrot e filmit na kthejnë në vitet e ashpra të pushtetit gjerman.
Është luftë, por fshati sepse paska një pamje më të butë, më të qeshur, më paqësore sot. Fshatarët duken të gëzuar dhe shumë prej tyre marrin rrugën për te një shtëpi e vogël, por mikpritëse. Në atë shtëpi martohet Bejtoja, një djalosh jetim, që në të vërtetë, është bir i të gjithë fshatit. Është kuptimplotë dhe emocionuese që, në sofrën e dasmës, në vendin ku duhej të ishin prindërit e Bejtos, është ulur Këshilli Nacional Çlirimtar i fshatit. Është ky këshill që edhe i marton Bejton me Shpresën, ndërsa Murati (Kadri Rroshi), kryetari i këshillit, i dikton sekretarit, Abedin Kalemit (Adem Gjyzeli), vendimin për martesën e dy të rinjve, në odën e dasmës bie një heshtje plot respekt, një solemnitet imponues, që, në përfytyrimin tonë, merr forcë e vlera përgjithësuese, janë ndër vendimet e para të pushtetit të ri popullor, është populli që bën ligjin. Por, ndërsa isoja epike e këngës mbush gjithë fshatin me gëzimin e Bejtos e të Shpresës, drejt tij nxitojnë në formacion luftimi me gjermanët, të cilëve iu shërbejnë, si spiunë e udhërrëfyes, Nexhip efendiu, Neziri, qehajai i tij, e ballistë të tjerë. Nexhipi nuk mund ta durojë pushtetin e popullit. Ai po e shikon se fitorja e këtij pushteti, e popullit pra, do të thotë fundi i tij. Më se një herë ai ka provuar se sa i rëndë është grushti i popullit, të cilin Partia e ka bërë të ndërgjegjshëm për forcën e tij të pashtershme. I futur kështu në një luftë për jetë a vdekje me popullin, Nexhip efendiu, me logjikën e zakonshme të tradhtarit, e kërkon shpëtimin në bashkimin me pushtuesin, në luftë kundër atdheut. Dhe në film ky fakt merr vlerë përgjithësuese, si gjithmonë, edhe gjatë Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, klasat e pasura u bashkuan me pushtuesit për të ruajtur privilegjet e tyre si klasë dhe si individë të caktuar. Ndërsa dasma vazhdon dhe Kadri Kanani (Luftar Pajo) me shokë këndojnë e gëzojnë për martesën e dy të rinjve, gjermanët, si bisha të etura për gjak i afrohen përherë e më shumë fshatit, shtëpisë ku bëhet dasma. Është një paralelizëm plot dramacitet që flet për ashpërsinë e luftës midis popullit tonë të udhëhequr nga Partia, nga komunistët dhe pushtuesit të ndihmuar nga tradhtarët e vendit, nga bastardët e kombit. Mos nuk duhej bërë vallë dasma në atë kohë të rreptë? Këtë pyetje, që mund të ketë lindur edhe te ndonjë spektator, e bën një nga personazhet e filmit. Po Murati, kryetari trim dhe i mençur, flet me zërin e urtësisë popullore: “Shumë gjëra nuk duhen bërë në kohë lufte, po fëmijë duhen bërë. Duhen patjetër ata dhe bereqeti...” Dhe ja, ballë për ballë me armikun, por me forca të pabarabarta. Ata janë vetëm pesë vetë, të sulmuar në pabesi, ndërsa gjermanët janë shumë dhe të shoqëruar nga zagarët e ballit. Gjermanët i kapën Këshilltarët, iu vunë prangat, i arrestuan në plevicën e Nexhip efendiut dhe e kanë shumë të lehtë edhe t’i vrasin. Po, a fituan ata, në të vërtetë? Jo! - thotë filmi. Të katër burrat dhe dhëndri i ri nuk u ligështuan, nuk e dhanë veten për asnjë çast. Mitro Mullixhiu (Lazër Filipi), sapo i burgosin në plevicë shikon në ka mundësi t’u shpëtojë kthetrave të nazistëve: Kadri Kanani si gjithmonë, këndon një këngë të bukur për Bejton dhëndër, ndërsa ky fle i qetë në krahët prej ati të Muratit. Ne kemi vetën pesë burra, thotë ky me optimizëm karakteristik, ata nuk mund të vrasin të gjithë fshatin, ata nuk mund të vrasin popullin. Dhe, ndërsa pesë të burgosurit, të ndërgjegjshëm se armiku s’ka pse t’i kursejë, janë, megjithatë, të qetë, të vendosur, optimistë për të ardhmen e popullit, armiqtë, gjermanë e ballistë, janë pushtuar nga një nervozizëm që s’ka asgjë të përbashkët me gjendjen emocionale të fitimtarit. Në plevicën burg të ballistit Nexhip zhvillohet kështu një betejë e ashpër, ndonëse pa armë, beteja e idealeve të dy grupeve dhe këtu, të pestët kanë epërsi të plotë të padiskutueshme. Kënga e tyre para pushkatimit nuk është një vajtim të dëshpëruarish, por një kushtrim, një thirrje për hakmarrje. Për ta zgjeruar, në ekran, kuadrin e jetës së asaj kohe, për ta bërë më të plotë përfytyrimin tonë për forcat kundërshtare në luftë, për të na i bërë më të afërt, më realë, personazhet e filmit, autorët kanë përdorur retrospektivën. Kështu ne, spektatorët, kuptojmë më mirë edhe dramën që zhvillohet në plevicën-burg, njohim më mirë karakteret, burimin e forcës për popullin, këshilltarë e partizanë dhe shkaqet e dobësisë e të disfatës së armiqve, gjermanë e ballistë. Është nga skenat më të bukura të filmit ajo që tregon për zgjedhjen e këshillit nacional çlirimtar të fshatit me orientimin dhe kujdesin e drejtpërdrejtë të Partisë. Biseda fshatçe për zgjedhjen e këshillit është, në të vërtetë, një debat i mprehtë ideologjik. Suksesi i zgjedhjeve, që do të thotë zgjedhja në këshill i njerëzve më të mirë të fshatit, patriotë të ndershëm, që e urrenin armikun dhe ishin gati ta luftonin atë, të pjekur e të drejtë, të matur e të sinqertë, nuk ishte i lehtë. Për ta arritur atë duheshin demaskuar pseudopatriotizmi, hipokrizia e Nexhip efendiut dhe e larove të tij. Duheshin përgatitur e bërë të ndërgjegjshme masat për të marrë pjesë në qeverisjen e vendit. Këtë e bën partia me ndihmën e fshatarëve më të vendosur e më të ndërgjegjshëm për luftë kundër armikut si Murati, Abedini, Mitroja, Kadriu, e të rinjtë e fshatit. Dhe atë ditë të bukur e të shënuar, Ditën e Flamurit, u zgjodh këshilli nacional çlirimtar, që u bë me të vërtetë qeveria e fshatit. Por, duke kujtuar atë ditë e ditë të tjera të bukura këshilltarët e burgosur e të dënuar me vdekje nuk bien në vajtimin e “kohës së lumtur në mjerim”, siç prisnin gjermanët e ballistët. Përkundrazi, ata e mbajnë kokën lart, refuzojnë me përbuzje deklaratën për heqje dorë nga lufta në këmbim të një shpëtimi të turpshëm e të pandershëm, të bindur se ato ditë të bukura që ata i kujtonin me mall ishin vetëm rrezet e para të jetës së re që po agonte për popullin shqiptar, se djemtë e malit do t’ua merrnin hakun. Me një nostalgji të ëmbël e kujton Bejtoja takimin e tij me Shpresën në korijen pranë fshatit. Ideali i tyre ka bukurinë dhe çiltërsinë dhe i shkon aq shumë të gjithë mjedisit përreth - luleve, gjelbërimit, këngës së zogjve. Po ja, po afrohet lukunia e ballistëve, që duan të kapin komisarin e çetës, Beharin, dhe dy të rinjve iu duhet të shkëputen nga njëri-tjetri, jo nga turpi se po i shohin, siç mund të ndodhte në kohë paqeje, por për të lajmëruar xha Muratin dhe njësitin gueril të fshatit. Ia ka rritur mjaft vlerat filmit loja e mirë e aktorëve, në mënyrë të veçantë interpretimit mjeshtëror i Artistit të Popullit Kadri Rroshi. Murat Bënça është një tjetër sukses i bukur që i shtohet galerisë së pasur të personazheve të krijuar prej tij. Për të dhënë figurën e kryetarit të këshillit nacional çlirimtar, të përfaqësuesit të popullit gjatë kohës së luftës, Kadri Rroshi ka përdorur me mjeshtëri arsenalin e vet të pashtershëm të mjeteve artistike aktoriale, duke na dhënë kështu një hero pozitiv nga më të realizuarit, ndofta, të kinematografisë tonë. Duke e vënë veten midis fshatarëve të filmit që po zgjedhin këshillin, spektatori do të votonte pa ngurrim, si dhe ata, për zgjedhjen e xha Muratit si kryetar. Murati i urren për vdekje pushtuesin dhe tradhtarët dhe i do më shumë se veten Atdheun, lirinë, Partinë, popullin. Ai “firmos” me gishtin e ngjyer me bojë, por, kur gjermanët djegin fshatin, ndër të parat ndërtesa që propozon të ngrihen, është shkolla për fëmijët. Drejtues e këshilltar i urtë, gjykatës i drejtë dhe i rreptë, luftëtar trim dhe i mençur, baba i dashur dhe i dhembshur, Murati meriton dashurinë dhe respektin e të gjithë fshatarëve. Ai i përkëdhel flokët me dashurinë e një nëne të përmallur Bejtos dhe, vetëm pak çaste me vonë i shigjeton armiqtë jo vetëm me fjalët e mençura, por edhe me vështrimin plot urrejtje përbuzëse. Fjala e tij, e ëmbël me bashkëfshatarët, me të rinjtë e fëmijët bëhet e ashpër, shpartalluese, plot urrejtje e ironi therëse për ballistët e gjermanët. Dhe, ajo që është më e rëndësishmja, gjatë gjithë aksionit të filmit, si në ditët e bukura, kur krijohet këshilli, kur martohet Bejtoja e çaste të tjera, ashtu edhe në plevicën-burg ku pret bashkë me shokët pushkatimin e deri në çastin kur bie në humnerë i goditur për vdekje nga plumbat e armikut, figura e xha Muratit rrezaton optimizëm, besim të pashuar në të ardhmen. Është kjo, ndofta, karakteristika më e qenësishme e Kadri Rroshit - Murat, origjinaliteti dhe freskia e kësaj figure të re artistike të krijuar prej tij. Edhe artisti i merituar Lazër Filipi, na ka dhënë një figurë simpatike, të ndryshme me karakteristika të reja, nga të mëparshmet. Mitroja i Lazër Filipit është një fshatar trim, i dashur e babaxhan, me bashkëfshatarët, shumë i dhënë pas punës dhe i vendosur deri në fund për të luftuar armikun. Figura e krijuar prej tij është e thjeshtë dhe e besueshme, e ngrohtë dhe njerëzore. I suksesshëm është në këtë film debutimi në kinematografi i Artistit të Merituar Luftar Paja dhe i aktorit Adem Gjyzeli. Secili prej tyre sjell diçka të veçantë në kolektivin e katër këshilltarëve dhe zë natyrshëm vendin e vet. Adem Gjyzeli - Abedin Kalemi me mençurinë, maturinë dhe buzëqeshjen e vet dashamirëse. Luftar Paja - Kadri Kanani me optimizmin, humorin e këndshëm dhe dashurinë për këngën popullore. Natyrshëm është futur midis këshilltarëve edhe figura e Bejtos, nga aktori i ri Ndriçim Xhepa, e lëmuar më me kujdes nga regjia kjo figurë do të dilte edhe më simpatike. Filmi “Këshilltarët” është një vepër e arritur e “Kinostudios Shqipëria e re”. Ajo po shfaqet me sukses në kinematë tona, duke kontribuar për edukimin patriotik e revolucionar të masave, në mënyrë të veçantë të brezit të ri. Por filmi mund të dilte edhe më i arritur me shmangien e disa skenave të tepërta, me një gjuhë të personazheve me të natyrshme dhe në funksion të individualizmit të tyre, ka në film herë emfazë të tepruar, herë deklaratizëm. Ndonjëherë personazhet flasin sikur të kishin jetuar në ditët tona dhe të ishin rikthyer në kohën që pasqyron filmi. Ka dhe ndonjë figurë të përdorur e të konsumuar e ndonjë detaj të pa goditur si rënia dhe “udhëtimi” i helmetës gjermane në përrua, që nuk ka mundur të kthehet në simbol, siç janë përpjekur të bëjnë aktorët e filmit.
Kafe “Myzeqari”, një kafe në Athinë
Shkoj shpesh tek kafe “Myzeqari” një kafe në Athinë që sigurisht ia kam vaftisur unë emrin kështu. Bëhemi gjithsej 10 burra shqiptarë dhe grekë e ulemi të pimë nga një teke ujë të bekuar. Sapo kam ardhur nga Shqipëria dhe jam i trishtuar sepse e lashë vendin tim me disa probleme, si gjithnjë politike që me punë mendoj se do t’i rregullojmë. Ne në Shqipëri i jemi përveshur punës që Europa të mos heqë akoma siklet për ne. Ndërkohë që emigrantët shqiptarë e kanë pak keq se nuk i bëhen letrat për legalizim. 70% e familjes sime është duke u përgatitur seriozisht për këtë problem. Është kthyer në fakt, në një epidemi. Sepse mbi tavolina e karrige shoh gjithnjë karta të ndryshme në greqisht. “Janë për legalizimin” më thonë. “Bëjini, bëjini!” u them se do t’u duhen. Unë vazhdoj të punoj në Shqipëri ndërsa “lejen e krijimtarisë” e bëj në Athinë. Ndoshta kush e di! Në të ardhmen mund të luajë ndonjë rol emigrantësh dhe jam duke studiuar karaktere. Sa herë vij në kryeqytetin grek gjëra të reja mësoj. Sepse byrazerët tanë pjellin për çdo ditë karaktere. Nuk e kuptoj pse janë kaq pjellorë këtu në dhè të huaj dhe jo në Shqipëri.
Një nga miqtë e mi është Idajet Beqiri. Me të kam gjetur belanë. Sa herë që takohemi, kur na ndodh të trokasim ndonjë gotë ai më uron për Unitetin. Edhe unë kudo që vete, sa herë trokas gotën, ngre shëndenë për unitetin. Edhe në shtëpi, trak gotën dhe këtë avaz, kam.
- More burrë, po ne në unitet jemi në familje?
- Dëgjo grua! - i kthehem, - për këtë llogari kërkoi Idajetit e jo mua. Ma ngjiti që ma ngjiti...”
- Hajde gëzuar, për Unitetin ( sërishmi).
Gruaja ime, Qamilja, i ka për zemër aktivitetet e emigrantëve. Së bashku me Sofika Toporen merr pjesë në të gjitha aktivitetet e emigrantëve. Në fakt në shtëpinë tonë ne i kemi të ndara takëmet. Unë në aktivitete serioze nuk shkoj, se po të diskutoj unë ndonjë prej të pranishmëve mund të qeshë. Ndërsa Qamilja është tepër me namuz. Kam bërë të qeshë edhe veten time, ndërsa gruan time, jo. Asaj i shkojnë aktivitetet me peshë, ku flitet për gjëra të mëdha. Mua më kanë privuar nga kjo e drejtë. Edhe po të vete, do të rri jashtë radhe, ose jashtë liste... Ajo në çdo aktivitet emigrantësh është e para, por në asnjë gazetë, s’ia kam parë emrin.
Kam nisur të zgjas flokët. Jo, s’i kam rritur për ndonjë rol, por i kam lënë për qejf. Edhe gruaja kështu më thotë, “Priji!”, por unë jam burrë dhe nuk marr urdhra nga gratë. Flokët i lashë të gjata kur filluan t’i shkurtojnë pjesa tjetër e “ekuipazhit” të shtëpisë. Dua që në shtëpi edhe me flokë të kemi një masë mesatare, që t’i përgjigjet “nivelit” mesatar të jetesës. Por me flokët kam gjetur edhe një bela tjetër. Pronari ku punon djali, i ka flokët taman si unë. Dhe jo vetëm flokët. Edhe nga trupi, edhe nga surrati, more.. Një ditë u ulëm në një tavolinë dhe shikonim njëri-tjetrin me vëmendje. Ai shiko mua me habi, unë shiko atë. Unë prishja buzët, ai ngrinte supet. Unë psherëti, ai fërko sytë. Pastaj më tha:
- Jemi njësoj.
- Sikur je sozia ime!
- Dëgjo, o babi yt në Greqi, o babi im në Shqipëri, diçka kanë ngatërruar.
- Ka qenë ndonjëherë babai yt në Greqi?
- Është “arratisur” një ditë në kohën e luftës. Ia këputa kot.
-Lëre! - më thotë dhe më përqafon...
Në emigracion ka shumë vështirësi, por kalohen dhe ditë të bukura.
Beharin që shkoi ai “vëllami” im më dha çelësat e vilës në një fshat bregdetar në periferi të Athinës. Ç’e do, ç’vilë ishte... Ndenjëm 20 ditë si në përrallë. Na dukej vetja si mbret. “Ah, s’e patëm fat që muajin e mjaltit ta bënim në një vilë të tillë... - i thashë gruas. - Konita re, konita... Jo gjel fare, por edhe gjel hëne gjeje aty brenda në frigorifer. Çdo dhomë dhe korridor televizor. Po të kërceje mbi dy metra, bije në det. Qejf o qerrata! Telefon edhe në banjë. E provova edhe një herë të flisja nga banja. Pse të mos e provoja? Mbase s’më vinte më ai rast.
Gazeta “Kombi”, Athinë 17.2.1998
Kosova
Maj 1998
Kosova është në gjendje halli. Edhe unë si të gjithë artistët e tjerë jam njeri i ndjeshëm, për të mos thënë që anën emocionale e kam më të theksuar. Ndaj edhe unë si artist nuk bëj përjashtim nga këto emocione që lidhen me dramën tronditëse të cilën po kalon populli shqiptar e në veçanti vëllezërit tanë të një gjaku, kosovarët. E si mund të jesh i qetë shpirtërisht, kur sheh skena aq të llahtarshme, jehona e të cilave s’mund të shuhet dot as nga psherëtimat e as nga lotët e nënave kosovare? E si mund të jesh i qetë kur sheh masakrat më shtazarake të cilat mbajnë vulën e Millosheviçit, që kërkon të dëbojë nga trojet e tij një popull kaq të lashtë? Rrëqethem kur shoh plakun 70-vjeçar i cili loton mes kufomave që nuk janë të pakta në Kosovë. Ky është kulmi i tragjedisë së këtij populli dhe trungut amë. U mundua Millosheviçi me të gjitha mënyrat ta mposhtë popullin e shumëvuajtur kosovar, që nga mbyllja e universiteteve, Radio TV shqiptar, e gjithë institucioneve të tjera. Vrau e burgosi sa e sa njerëz të shquar, duke shkuar deri te gazetarët, artistët e shkrimtarët. Por asnjëherë s’mundi t’ua ndalë rrugën bijve të Kosovës martire, deri sa dolën malit për liri e pavarësi. Atë liri, që me pa të drejtë ua mohuan Fuqitë e Mëdha në Londër më 1913. Por nga ana tjetër, Millosheviçi nuk arriti dot kurrë të shuaj këngën, fjalën, shkollën shqipe sado ç’njerëzore t’i përdori masakrat, të cilat ua kalojnë edhe atyre të Hitlerit ndaj hebrenjve. Ai s’mund ta mposhtë dot popullin vital të Kosovës, sepse qysh në kohë më të hershme ka luftuar e po lufton për liri e për pavarësinë e tokës së tij stërgjyshore. Doja të theksoja edhe diçka tjetër: sa më shumë t’i bëhet presion popullit shqiptar nga lakenjtë e Serbisë, aq më shumë i rritet prestigji kudo në botë. Me gjithë fukarallëkun e madh, me të gjitha hallet e problemet që ka, populli shqiptar e tregoi dhe një herë shpirtin e tij fisnik e bujar, duke pritur “me bukë e kripë e zemër të bardhë” vëllezërit e tij të shumëvuajtur kosovarë. Në të njëjtën kohë, ai i tregoi Evropës dhe botës mbarë se populli shqiptar nuk është ai që është ngulitur në mendjen e disa evropianëve (të cilët po e tregojnë se sa e duan këtë popull) me ndjenja raciste.
Por ndonëse janë çaste të trishtueshme, mendoj se humori bën punë dhe në këto çaste kritike. Populli ynë e do kulturën, artin të bukurën. E mbi të gjitha, ai si në ditë të mira dhe në ditë të vështira nuk e ka ndarë humorin nga vetja. Që në kohët më të lashta, krahas pushkës ka luftuar edhe me armën e fuqishme të humorit, duke goditur dhe satirizuar gjithë anët e veset e këqija dhe gjithë ata njerëz që i kanë dashur të keqen. Mendoj se jo vetëm ne, por çdo qelizë e këtij vendi, në çastet tragjike që po përjetojnë vëllezërit tanë, duhet të mendojë si ta lehtësojë sa të jetë e mundur këtë dhimbje që po i sfilit. Për sa i përket profilit tonë, ne artistët kemi një rol të veçantë në këtë situatë tronditëse.
Mendoj se në këto çaste kaq të veçanta duhet t’i lëmë mënjanë grindjet dhe mëritë. Sepse sot më shumë se kurrë ne duhet të jemi të bashkuar. Uroj dhe shpresoj që politikanët ta rrisin nivelin e tyre dhe të mos jenë nën nivelin e popullit.
Mendoj se në këto çaste kritike dhe media po luan një rol të veçantë. Nuk kam rezerva në këtë pikë, por mendoj se është një gjë e mirë që jepen kaq shumë emisione, edicione speciale lajmesh, ardhje lajmesh të freskëta etj, etj.
A do të ndikojnë këto ngjarje te shqiptarët? Çdo çast në historinë tonë ka lënë gjurmë në jetë e në veprimtarinë krijuese. Ne kemi ditur të dalim nga situatat e vështira, paçka se trashëgimi i së keqes na ka ndjekur. Kemi njohur miqtë dhe armiqtë dhe kemi ditur si të sillemi me ta. Por jeta ecën, ajo do ta vazhdojë rrjedhën e saj, ndaj ne duhet t’i hedhim sytë drejt të ardhmes dhe jo të mbajmë kokën prapa nga e kaluara e hidhur. Në asnjë mënyrë s’duhet të zhytemi në pesimizëm, sepse në qoftë se ndodh kjo, s’do të kemi forca të ecim përpara drejt përparimit. Them se popullit tonë s’i mungojnë këto forca. Rëndësi ka të mos dekurajohemi.
Po e theksoj edhe një herë se ne duhet të jemi të bashkuar sot më shumë se kurrë. Vëllezërve kosovarë i uroj me gjithë zemër kthim sa më të shpejtë në Kosovën e çliruar, me besimin e madh te fitorja dhe vetë ata duhet të kenë besim te fitorja e tyre dhe e mbarë popullit shqiptar...
Gazeta: Pasqyra
E premte 4.12.1998
Dua të qesh, por nuk qesh dot
Është normale që një artist të ketë përzierje situatash midis trishtimit dhe optimizmit. Unë i ndiej thellë si njeri dhe si artist problemet e mëdha që po kalojmë, por nga ana tjetër, duke parë përpjekjet që po bëhen për t’u ndarë me të shkuarën e për të ndërtuar të ardhmen, nuk e fsheh optimizmin. I përshëndes të rinjtë që kanë marrë në dorë qeverinë, kam besim se nuk u mungojnë aftësitë dhe energjitë për të bërë punë të mira për këtë vend, por nuk hezitoj të shprehë dhe rezervat. I marrin ca gjëra me yrysh si të rinj që janë. Por edhe nguten. Dhe kur nguten, gabojnë. Mirëpo kur gabon një qeveritar është ndryshe nga gabimi i një qytetari të zakonshëm. Gabimi i qeveritarit rëndon mbi një popull të tërë. Dhe ne si popull kemi vuajtur gjithnjë pikërisht nga gabimet e qeveritarëve. Ja të marr dy deklarata të Majkos ditët e fundit. Një, kur tha se “Ilir Meta nuk është i korruptuar dhe se, po iku ai, iki dhe unë” dhe, e dyta, kur tha se i duhet kthyer imuniteti Azemit. Më erdhi keq dhe nuk jam hiç dakord me këto mendime të kryeministrit. Në qoftë se është i korruptuar një qeveritar, qoftë ky edhe zëvendëskryeministër, detyra e kryeministrit është të luftojë korrupsionin pa asnjë kompromis, duke mos kursyer askënd për hir të interesave të mëdha të popullit të tij. Mirëpo, në vend që të thoshte këtë Majko, tha se do ikte bashkë me Metën! Mirë, mor zoti Majko, po sikur të dalë ky Ilir Meta i pleksur me atë punën e vagonëve, atëherë, për rrjedhojë, duhet të mendojmë se dhe ti je i pleksur bashkë me të. Nuk dua ta shkoj nëpër mend këtë, domethënë që ti, si djalë i ri, të jesh i përzier me këto punë që po marrin në qafë qeveritë njëra pas tjetrës. Llafin e kam që të matesh një çikë më shumë kur bën deklarata. Kështu edhe për punën e Azemit. Ti e di që imunitetin e të ndjerit Azem ia ka hequr parlamenti në kohën që ti Majko ishe kryetar i grupit parlamentar të shumicës. Dhe ia hoqën imunitetin për një ngjarje të rëndë, që mund të konsiderohet si parathënie e grushtit të shtetit të 14 shtatorit. Mbase Azemi nuk ka pasur dorë në ngjarjen e Milotit, për të cilën kishin filluar hetimet dhe le ta thotë drejtësia fjalën për këtë. Nuk e di se si do ta gjykojnë deputetë propozimin tënd, por sepse më bren një dyshim se nuk do të japin të drejtë. Themi se jemi në demokraci dhe në demokraci pushtetet janë të ndara, aq më tepër që tani kemi në dorë Kushtetutën. Meqë erdhi llafi, po e them hapur se nuk më pëlqejnë hiç ata që thonë se punët na venë keq ngaqë nuk jemi mësuar me demokraci. Le të sjellin të tjerët sa të duan argumente, unë kam argumentet e mia dhe po të dojë le të më kundërshtojë kush. Demokracinë e kemi dashur gjithnjë dhe e duam të gjithë. Dhe Demokracia, përpara se të vinte në politikë, domethënë në partitë politike dhe në parlamentin me shumë ngjyra, ka ekzistuar në popull. Ky popull ka ditur t’i zgjidhë për bukuri hallet e tij edhe atëherë kur s’ka pasur qeveri ose kur qeveritë e kanë lënë në baltë dhe i ka zgjidhur në mënyrën më demokratike që mund të bëhet. Ja, ne në Mallakastër e në Labëri kemi traditën e Konakut, në veri i thonë Odë. Nëpër dasma e ngjarje të rëndësishme miqtë e shokët kanë zgjedhur gjithnjë një plak konaku. Domethënë punët e dasmës i kanë bërë dhe i bëjnë gjithnjë të rinjtë. Plaku i konakut i zgjedhur që në fillim të muhabetit demokratikisht nga miqtë dhe shokët, vendos për rregullin, për këngën, për dollinë dhe për mbylljen e ceremonisë. Ky plak është i respektuar nga të gjithë dhe nuk ia bën fjalën dysh njeri. Kjo nuk është aspak diktaturë. Të respektosh tjetrin e të mbash rregull, kjo për mua është krejtësisht demokratike. Kështu edhe puna e qeveritarëve tanë të rinj. U duhet një “Plak Konaku”, që t’i këshillojë, por edhe t’u heqë nga një çikë veshin kur gabojnë. Se çoku u rritet shpejt mendja atyre që marrin një çikë pushtet. Unë i kam parë se si disa, sapo janë bërë ministra ose drejtorë dhe kanë marrë një celular në dorë, mezi flasin, mesi të japin dorën, bezdisen kur i përshëndet... Unë me të tillë pushtetarë tallem, por nuk mund të qesh. Po të më pyesnin mua se kë të zgjedhin “Plak Konaku”, mund të thosha menjëherë për Dritëro Agollin. Ky poet dhe shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe mjaft popullor, mbi të gjitha një patriot i vërtetë dhe një burrë i madh i kombit, është i dashur dhe i nderuar nga shumica e shqiptarëve. Sa mirë do të ishte që edhe qeveritarët tanë t’ia dëgjojnë llafin Dritëroit ditë për ditë dhe jo ta mbajnë si stoli të partisë. S’ka nevojë Dritëroi për ta, por ata për Dritëroin. Si “Plak Konaku” Dritëroi do t’u bënte nder dhe mirë të gjithëve me mençurinë dhe urtësinë e tij. Jam i mërzitur që punët nuk po na vënë mbroth, ashtu siç i duam të na venë. Kemi tetë vjet që nuk zëmë vend, tetë vjet që hahemi dhe grihemi me njëri-tjetrin pa gjetur kurrë qetësi. Dhe mburremi se po ndërtojmë demokracinë! Të bukur Demokraci! E ç’demokraci është ajo të djegësh shkollat e të hedhësh në erë shtyllat e tensionit të lartë, të vësh flakën në fabrika, të grabisësh me maska njerëzit e thjeshtë, të shkelësh ligjin ditë për ditë dhe shteti të heshtë me një tolerancë proverbiale. Kjo nuk është demokraci! Dhe ata që i bëjnë aktet e shëmtuara dhe i shkelin ligjet e shtetit, mund t’i quash çfarë të duash, por në asnjë mënyrë demokratë. Vetëm demokratë nuk janë ata. T’i vësh zjarrin Shqipërisë e të jesh demokrat e patriot i madh?! Ja, kjo nuk shkon fare. Janë dy gjëra krejt të ndryshme. E, qeveria e ka në dorë t’u vërë fre atyre që duan ta bëjnë lëmsh këtë vend, që duan të na kthejnë në epokën e errësirës... E di ti se Çobo Rrapushi ka qenë më demokrat se demokratët e sotëm? Ja ta them unë. E kam njohur mirë Çobon unë. Ai ishte pak konservator dhe me ca huqe, e kishte qejf dyfekun, por ligjet nuk i shkelte, nuk digjte shkollat dhe nuk dinte të grabiste me maska, nuk bënte mitingje të paligjshme dhe nuk jepte konferenca shtypi, nuk dilte të të vriste natën prapa krahëve, nuk dinte të vinte tritol nëpër shtylla tensioni... Çoboja e donte dritën. Le ta shajnë ata që nuk e duan Çobon, por Çoboja nuk ka nevojë për ta. Me ata ai u mat njëherë në kohën e luftës dhe i ka mundur me turp bashkë me okupatorët. Turpi i të mundurve të asaj kohe dhe nderi i Çobos nuk po mund të ndryshojë vendet. Nuk ka zot në botë ta ndryshojë këtë fat, Çoboja nuk mund të bëhet sahanlëpirës i disa hileqarëve dhe matrapazëve qofshin këta të veshur me pushtet apo me imunitet parlamentar. E bëmë të gjithë këtë muhabet se na dhimbset ky vend dhe e duam më të mirë të ardhmen. Se nuk duam të kthehet ajo që kemi lënë pas, viti i zi ‘97... Kemi vërejtje e rezerva për qeveritarët e sotëm, por megjithatë i dua të rinjtë dhe jam optimist se gjërat kanë për të ndryshuar për mirë.
Gazeta: Repuplika
E shtunë, 9 Tetor 1999
“Fajtor është populli”
Në vitet e tranzicionit populli ynë po jeton një çast të trishtuar. Atij i kanë vjedhur pasurinë kombëtare, pronën dhe të ardhmen. Mendoj se për këtë problem fajtor është populli. Kjo, sepse atij i kanë vjedhur pasurinë, pronën, të ardhmen e gjithçka. Kohët e fundit, siç e keni marrë vesh, fajtor nuk mbetet ai që vjedh, por pikërisht njeriu i vjedhur dhe i persekutuar. Ku i gjen dot në botën e sotme, politikanë të tillë që të lënë lakuriq dhe të akuzojnë si fajtor?! E pra, në qoftë se këta lloj politikanësh nuk ekzistojnë në univers, Shqipëria i ka ata me shumicë. Ne, të gjithë kemi faj, për të vetmen arsye se po na vjedhin dhe po na grabisin përditë. Me sa duket, populli ynë është vjedhur aq shumë, saqë ende nuk dëshiron më t’ia kujtosh hajdutin.
Në kohërat e dikurshme pyetja më e zakonshme ishte: “Çfarë prodhimi ke nxjerrë gjatë 8 orëshit?” Politikanët e sotëm e kanë kthyer në moton “Çfarë ke vjedhur gjatë orarit të punës dhe jashtë saj?” Mendoj se kësaj pyetjeje i janë përgjigjur me sukses të plotë. Pra, ata nuk kanë dalë kurrë duarbosh nga karriget e pushtetit. Dhe këtu pa bërë dallim: politikanë të majtë ose të djathtë.
Shpesh gazetarët më kanë pyetur se çdo të bëja nëse do më zgjidhnin kryeministër? Që të flasim me gjuhën e popullit, kjo botë ka shumë të ngjitura dhe të zbritura, çfarë nuk bën vaki. Por që të jemi më të saktë unë nuk kam paraqitje për kryeministër. Në fisin tim, ka shkrepur ndonjë shkreptimë që ka çuar ndonjë pinjoll deri në studiues me titull shkencor për rritjen dhe mbarështimin e derrit. Por, ajo që më bën të jem krenar për profesionin tim është thënia e fundit e Bill Klintonit i cili mendon që pas mandatit të presidencës të bëhet aktor. Klintoni do të bëjë të kundërtën e Ronald Reganit që nga aktor u bë president. Kot e kishte Regani, kush e mban mend president.
Por edhe pse flitet për një tranzcion të tejzgjatur nuk jam dakord me ata pesimistë që deklarojnë se Shqipëria nuk do të bëhet asnjëherë. Unë jam kategorikisht kundër këtyre thashethemeve. Shqipëria, pavarësisht nga tragjedia aktuale, do të bëhet shumë shpejt duke fituar identitetin. Dhe këtë do ta bëjnë bijtë dhe bijat e tij, që do të kontribuojnë me një grusht baltë në sofistikimin e themeleve dhe suvatimin e mureve. Unë besoj se do të vijë ora kur vendi ynë do të rregullohet prej njerëzve me shpirt të madh. Këta njerëz, do të kenë bekimin e brezave të ardhshëm. Më kujtohet që njëherë im atë na mblodhi dhe na tha: “Do ta mbani këtë shtëpi, apo s’do ta mbani? Ju keni një shtëpi të përbashkët së cilës po i bie suvaja. Do vini të tërë nga një dorë baltë, apo do ta lini të rrëzohet për turpin tuaj?” Pra, thirrja e babait konsistonte në apelin e njerëzve të një gjaku të cilët duhet ta ndihmojnë njëri-tjetrin për rimëkëmbjen e identitetit. Konkretisht, edhe Shqipëria në këto çaste ka nevojë që të gjithë bijtë e saj, të vënë nga një dorë baltë për rindërtimin e saj, në mënyrë që muret dhe themelet e asaj të mos tunden kurrë. Ajo shtëpi që braktiset nga drejtuesit dhe bijtë e saj nuk bën kurrë prokopi.
Kam pasur një skeç unë: Canes i vjedhin lopën. Dhe shprehja: “Po ai që vodhi nuk kishte faj?” është bërë shumë popullore këto vitet e fundit. Kjo shprehje nuk qëndron për hajdutët ordinerë se ata janë në hall, se atyre të zinjve nuk po u mbetet gjë për të vjedhur... Nuk lë larua të hajë balua. Konkurrenca është shumë e madhe dhe hajdutët ordinerë duhet të kualifikohen që të arrijnë ata me shkollë dhe me pushtet. Të arrijnë te parlamenti. Ju kam folur më sipër se për një periudhë të gjatë kohe kam qenë deputet. Shpesh kur shoh parlamentin shqiptar që e heq veten për pluralist i cili miratoi referendumin vetëm me deputetët e Partisë Demokratike, instinktivisht them me vete: “More, po ky qenka parlament monist, bre!” Dhe fillova të kërkoja veten. Po unë ku jam xhanëm?! Se unë, me thënë të drejtën, jam i prerë për parlamentet moniste.
Le për role. Mendoj se është koha për “Humor parlamentar”. Unë deputetllëkut ia kam marrë dorën me kohë... Megjithëse disa nga ato figura janë konsumuar nga kolegët e mi të Estradës së Tiranës, përsëri ka dhe karaktere që unë, me një punë të lodhshme, mund t’i arrij. Po me emër se cilën prej figurave do të zgjidhja nuk e them dot, sepse kam frikë se mos i mbetet hatri ndonjërit që një herë e një kohë e kam pasur mik në Fier.
Burimi:Gazeta “Shekull”i
E mërkurë 15 mars 2000
Gjysmë ore në ekran, gallatë me deputetët
A. Qypi, D. Pushka, R. Qefliu, U. Poterja, R. Vagoni, S. Taketukja, E. Katramaja, U. Klandestini, K. Pallaska, M. Dhrahmia, P. Materiali... E kështu vazhdon një listë e gjatë me emra, renditur njëri nën tjetrin në një tabelë elektronike, në të majtë të sallës së Kuvendit Popullor. Në fakt është pothuaj fare pranë godinës së Kuvendit të vërtetë Popullor dhe, sigurisht, nuk janë kuvendarët e vërtetë, por është sidoqoftë, një kuvend dhe ca kuvendarë. Është fjala për emisionin që pritet së shpejti të shfaqet në Klan TV. Është fjala për ca aktorë, të cilëve u janë vënë ca emra të lezetshëm, e që do të bëjnë për të qeshur çdo të shtunë teleshikuesit. Është fjala për Luftar Pajën (me cilësinë e Kryetarit të Kuvendit Popullor) dhe Aleko Prodanin, Medi Malkën, Vasil Vason, Roland Trebickën, Agim Bajkon (me cilësinë e kryetarëve të grupeve kuvendarë). Është fjala për Leka Bungon i cili si regjisor dhe në disa raste si skenarist, ka mbledhur disa prej aktorëve të humorit për të realizuar me ta idetë e tij. Është fjala për një ide që kërkon të vazhdojë të dikurshmen e cila e materializuar në TVSH 10 vjet më parë, quhej “Humor Parlamentar”. Është fjala për një lloj tjetër përkushtimi të teatrit të ri privat “Rubairat”...
Para 10 vjetësh
“Një ide e imja e vjetër”, nis e tregon Leka Bungo për projektin e tij televiziv. Regjisori dhe skenaristi, duket qysh në fillim se e ka për zemër punën që ka marrë përsipër të realizojë, madje është tepër optimist për rezultatin. Por cili është fillimi i kësaj ideje, e cila, të shtunën që vjen do të jetë e materializuar në ekranin e vogël? Ka filluar në TVSH dhe protagonistë ishin aktorët e humorit të cilët të mbledhur në një sallë kuvendi, me pamje deputetësh e me batutat e tyre në gojë, thumbonin politikën e politikanët shqiptarë. Dhe pa dyshim, qe një ide që doli e suksesshme. Publiku e priti mirë. Dhe kaq ka mjaftuar që Bungo të këmbëngulë për t’iu rikthyer asaj ideje. Sakaq është në valë të punës. Orë të tëra në xhirime, madje dhe natën vonë. Prova, e pastaj xhirime, dubla njëri pas tjetrit, rikthime prapa, sa herë duket sikur diçka, sado e vogël, nuk ka shkuar si duhet. Salla e “Rubairave” është e zënë vetëm me “humorin kuvendor”.
Mes xhirimeve
“Prodani: - Landi, të kërkojnë në telefon.
Trebicka: - Mua, kush mo?!
Bungo: - Gënjen, o Landi, do që të të pijë cigare...”
Është një çast pushimi. Sapo ka mbaruar një dubël dhe aktorët duan të çlodhen pak. Regjisori nuk duket fort i kënaqur me idenë e çlodhjes, qoftë edhe për të pirë një cigare, por... Sidoqoftë, të gjithë i kalojnë me humor edhe copëzat e pushimit. E rëndësishme është që askush nuk ankohet. Duket se shija, që u jep artistëve thumbimi i kuvendarëve, është çlodhëse. “Kemi 24 orë që nuk kemi shkuar në shtëpi, jemi pa gjumë”, - thotë Bungo. Tashmë regjisori duket më i ç’tensionuar se në fillim, kur dy gazetarë hyjnë pa leje në sallë . Ndoshta ngaqë s’është regjistruar, ka dalë mirë. “Janë sigurisht më të mirët e humorit që kemi ne”, është i mendimit regjisori, duke mos bërë asnjë vërejtje, qoftë edhe për batutat që hodhën jashtë skenarit e që e bëjnë të detyrueshëm një rixhirim... “Agim Bajko ngacmon çupën”. Ankesa që i drejtohet regjisorit nga njëri prej aktorëve është për studenten e vitit të dytë të dramës, të zgjedhur për të luajtur sekretaren. Bukuroshe, bionde, tepër sensuale, sekretarja, në të djathtë të sallës, e ulur në një pozicion provokues (siç ia kërkon roli), pas një tryeze krejt të xhamtë, duket se e shqetëson Bajkon. Deputeti e ka vendin e vet fare pranë sekretares. “Landi, ndërroni vendet”, se kush ka më shumë besim tek Roland Trebicka. Ndërsa regjisori: “Do ta ndërroj atë sekretaren”. Sakaq grupi i xhirimit dhe aktorët kanë shpërthyer në të qeshura: “Ndërro më mirë të gjithë kuvendin”...
Në Kuvend
Pas humorit, rikthim në vendet e punës. Aktorët miq futen në kostumin e roleve dhe, aty për aty, lënë gallatën e bëhen kundërshtarë. Kryetari Paja i bie Zilkës... e kështu vazhdojnë xhirimet “Jemi në ditën e parë të Kuvendit”. Kështu nis emisioni i parë humoristik, për të vazhduar kështu një herë në javë me nga një ditë të kuvendit popullor. Herë do të miratohet një ligj, për shembull, ligji për heqjen e kioskave me leje. Më pas, një ligj për mbrojtjen e deputetit, kur ai bie në një gropë. Në një emision tjetër seanca plenare realizohet në traget, për faktin se nuk ka asnjë mundësi për të zbritur, qoftë në bregun shqiptar, qoftë në atë italian. Më vonë, diçka për diskutimin në Kuvendin Popullor të ligjit për puthjen...
Me Devolen
“Do të kem shumë telefonata, jam i bindur.” Por Leka Bungo nuk e ka fjalën për telefonata përshëndetëse. Ndoshta ndonjë vërejtje nga anëtarët e vërtetë të Kuvendit Popullor?! Sakaq regjisori nuk ka asnjë dyshim për faktin se emisioni i tij do të jetë më i pëlqyeri: “Për disa arsye. E para, se është humor dhe publiku e do humorin. E dyta, sepse thumbohen politikanët. E treta, sepse aktorët e zgjedhur janë nga më të suksesshmit...” Por edhe skenaristët. Veç Leka Bungos, që ka shkruar skenarët e pjesës së parë dhe të dytë, veç Vangjel Kozmait, është dhe një skenarist tjetër, suksesi i të cilit është provuar. Është fjala për Koço Devolen. Artisti ka sjellë tekstet e tij nga Amerika. “Por a nuk i mungon atij, si të thuash, miniera?” “Deri diku”, është i mendimit Bungo. “Më ushqe, që të të ushqej”, i ka thënë këtij miku nga kontinenti tjetër. Dhe nëpërmjet e-mail-it mund të zgjidhet gjithçka.
Fundjava tjetër
...Kështu, për më pak se dy javë, do të shfaqet i pari program humoristik për të vazhduar më pas rregullisht. Çdo gjë është vënë në shina. Nuk mungojnë kuvendarët (manekinët), kryetarët e grupeve kuvendare (aktorët), sekretarja (studentesha e dramës), gazetarja që shfaqet herë pas here (regjisori ka pranuar të bijën, Alba Bungon)... por nuk mungon asnjë pagesë, në mos shume e mirë, e pranueshme (rreth 60 mijë lekë për aktor, për katër emisione), nuk mungon as salla e Kuvendit, që rastësisht teatri “Rubairat” e ka shumë të përshtatshme... Mungon vetëm titulli, që ende nuk është përcaktuar, por që tani për tani, vazhdon sipas variantit të 10 vjetëve më parë “Humor parlamentar”
Molieri shqiptar “qesh” pas censurës
Molieri shqiptar, siç është cilësuar nga kritika shqiptare, Kristo Floqi, është ngjitur mbrëmë në skenën e teatrit “Bylis” Fier me “Vëllazëri e interes”, nën interpretimin e mrekullueshëm të aktorëve Luftar Paja, Fatmir Xhelili, Hajrie Rondo dhe gjithë trupës teatrore fierake. Pas një censurimi të gjatë të krijimtarisë së tij, komedia e Floqit vihet për herë të parë në skenën fierake, duke ngjallur interes të veçantë. “Zgjodha Fierin për të vënë në skenë këtë shfaqje të Floqit, pasi këtu gjej një trupë teatrore të kompletuar”. Kështu është shprehur për gazetën regjisori i kësaj shfaqjeje, Mehmet Xhelili. Komedia e Floqit, nën interpretimin e të mëdhenjve të skenës së Fierit, vjen si një bashkim në një akt të vetëm të tri komedive “Vëllazëri e interes”, “Akraballëk” & “Zi e më zi”. Pjesa e parë e komedisë mbështetet mbi temën “të kam vëlla e të dua si vëlla” ose “të dua se për ty kam nevojë, o interes”. Në të del qartë shqetësimi i autorit se varfëria dhe interesi material bëjnë atë që të zhvlerësohen cilësi si dashuria vëllazërore dhe lidhjet e shëndosha familjare. Komedia u shqua për nga dinamika e brendshme, që e bëjnë atë të tingëllojë mjaft moderne.
U duartrokitën fort nga publiku fierak interpretimi i shkëlqyer i aktorëve Fatmir Xhelili, Hajrie Rondo dhe Klajdi Marku. Komedia e dytë “Akraballëk” e merr subjektin e saj nga jeta e autorit. E shkruar në vitin 1925 prek probleme, shqetësime, mentalitete të cilat riciklohen pas dekadash dhe ngjashmëria me problemet e sotme është kaq e madhe sa të bën të pyesësh: Kaq pak kemi ndryshuar ne shqiptarët?! Në rolin kryesor është Luftar Paja. Ndërsa komedia e tretë “Zi e më zi” bazohet mbi subjektin e humbjes së bashkëshortit dhe fillimi i një jetë të re. Komedia afirmon idenë e vazhdimësisë së jetës dhe gëzimin e të jetuarit. Gjatë shfaqjes së komedisë nuk kanë munguar duartrokitjet për aktoren Hajrie Rondo dhe aktoren e re, Miola Sitaj. Ky aktivitet do të zhvillohet disa ditë në teatrin “Bylis”, nën kujdesin e drejtpërdrejtë financiar të bashkisë Fier. Pas shfaqjes, Artisti i Popullit, Luftar Paja, shprehet i kënaqur për pritjen e ngrohtë të artdashësve fierakë. “Më vjen mirë, - shprehet ai, - që publiku ka të njëjtat shije si shumë vite më parë për trupën e teatrit “Bylis”. Kjo skenë na dha krahë dhe optimizëm për vite me radhë, ndaj i detyrohemi më shumë publikut në përgjithësi me shfaqje sa më cilësore”.
Luftar Paja ambasador në Amerikë
Shumë luftë për asgjë. Diskutohet e diskutohet Edit Harxhi dhe prej disa ditësh gazetarët kanë hedhur në shesh dhe kandidaturën time. Vu-u-u-u shkrimet nëpër gazeta, duke më bërë publicitet. Të gjithë më pyesin: “Mos është shaka?”
Pse duhet të jetë shaka. Është krejt e vërtetë. Unë i plotësoj të gjitha kushtet, për të mos thënë se i tejkaloj. Nëse çdo gjë është e lirë, atëherë unë meritoj që të jem në krye të diplomacisë shqiptare në SHBA. I njohur po. Artist po. Erudit gjithashtu! I di të gjitha dialektet e shqipes dhe i imitoj sipas qejfit të gjithsecilit. Plus që plotësoj dhe kushtin e padiskutueshëm që pretendon presidenti ynë i nderuar sepse i ngjaj dhe për fytyrë Konicës. As mos dyshoni fare, unë jam komplet si Konica, duke hequr flokët. Në të gjitha këndvështrimet e tjera jam njësoj, pra, një tjetër kusht që unë e përmbush më së miri. Pastaj jam ekspert në marrëdhëniet shqiptaro-kineze, më falni shqiptaro-amerikane. Mund t’ju garantoj se hapi i vendit tonë drejt Europës nuk mund të cilësohet si një vrap kali, gomari ose pele, se nuk kemi vuxhut ne. Gomari ka dhënë prova se është më i fuqishëm në të përpjetë, ndërsa kali për fushore, se për malore e ka të vështirë. Pela është e mirë në grazhd. Për më tepër se mund të vërtetoj që nga disa anë i kemi hipur gomarit së prapthi.
Sidomos me politikanët. Dhe unë e di se kush e ka fajin!I kanë prishur rrogat e ulëta që i ka caktuar qeveria. Sepse ju e dini sa më e lartë të jetë rroga, aq më shumë mendon politikani për popullin. Nëse ka para, i krijohet mundësia që diskutimet t’i bëjë te “Sheratoni” apo në vende pak “luksoze” ku mund të përqendrohet më tepër në punë. Unë personalisht jam për rrogat e larta. Edhe pse sot e dimë dhe jemi koshientë se rrogat e deputetëve rrjedhin në vijën e parë të sulmit nga rrogat e taksapaguesve shqiptarë. Le të rrjedhin. Sepse taksapaguesit atë detyrë kanë. Ata do të paguajnë që do të paguajnë, atëherë pse këto para të mos shkojnë për njerëzit në pushtet, që ata të jenë sa më të motivuar për të zgjidhur hallet tona. Pastaj të mos harrojmë se një pjesë të madhe të kafeve të tyre, kafe t’i themi, ia paguajnë kompanitë e mëdha. Le të mos flasim për telefonat që e kalojnë tarifën 1 milionëshe. Janë të pleksura gjërat në kohën e sotme. Ia kanë gjetur marifetin këta politikanët tanë. Janë mjeshtër. Ju thoni se më kanë korruptuar dhe mua!!! Ha-ha-ha! Po çfarë thoni, o vëllezër! Nuk korruptohem unë për ndonjë gjoks pule ose eskallop. Kam pensionin që më del e më tepron për gjithë nevojat e mia. Ata me të drejtë do shkojnë në Antalia në verë dhe në dimër të bëjnë ski në Zvicër. E meritojnë se punojnë për popullin, ore të keqen! U është mërzitur Llogoraja dhe Livadhjaja. Tokat e të cilave u shqyen për t’i përlarë. E nxorën bregdetin shqiptar në ankand. Gjithë Shqipërinë e nxorën në ankand. I lumtë, more, i lumtë! Sepse janë engjëj. Kur ne votojmë për ta, na premtojnë vetëm mjaltë, sheqer e jo zeher. Na dalin djaj pas zgjedhjeve. S’kanë faj për këtë. Ku i kemi sytë ne? Të shohim mirë. Ne e kemi fajin se nuk dimë t’i zgjedhim!
Unë personalisht e kam hartuar një platformë për kandidaturën time. Do t’i liberalizoja menjëherë të gjitha vizat për në SHBA, do të zhdukja radhët e gjata para ambasadave dhe marrjen e gishtave nëpër kompjutera dhe aeroporte. Që këtu do kaloja dhe nga Greqia, ku shqiptarët të kalonin me certifikatë e jo më me pasaportë që as të mos diskutohej. E pse jo, pastaj me mikun tim të ngushtë, Berluskonin të garantoj shqiptarët edhe në Itali e gjetkë. Pastaj nuk do të diskutoja që të përfundonte jo vetëm Korridori i 8-të, por edhe ai i 10-të. Pra, shkurt do të bëja reforma pa embargo dhe do të rregulloja të gjithë shqiptarët kudo që janë. Pastaj me një benz e një sekretare bukurane do rregulloneshin të gjitha punët e diplomacisë shqiptare. Qejf o qerrata! Tërë kohën punë në ndonjë ishull të bekuar andej nga Paqësori! Ha... Ha... Ha... Ah!
Gazeta Ballkan 2006
Luftar Paja ka refuzuar Amerikën për të shkuar ambasador në Kinë
Stinën e nxehtë nuk e kam dhe me aq qejf. Të nxehtit dhe kripën nuk i duroj dot. Përpiqem kryesisht ta devijoj. Dhe këto mblidhen të dyja. Të nxehtët e verës të detyron të shkosh patjetër në detin e kripur. Kur jam në stere, më bëhet të shkoj në det nga vapa, kur futem në det, sa më lagen buzët me ujin e kripur vrapoj të shkoj në çadër. Eh, ç’e zuri dhe nuk e hoqi i ziu njeri. Por vetëm ujin e kripur kam paksa bezdi. Por kam qejf disa gjëra të ëmbla. Për mua e ëmbël është dhe rakia, dhe mishi në hell, dhe byreku. Këto për mua futen në një radhë me bakllavanë se kripën ua hedh aq sa të ëmbëlsohesh. Por verën e kam paksa inat se unë jam paksa ezmer dhe më kap menjëherë ngjyra. Marr menjëherë ngjyrën e vëllezërve të mi gabelëve (romëve). Që janë një racë dhe njerëz shumë interesantë. Janë kozmopolitë. Kanë shtëpi të lëvizshme, janë njerëz shumë të lirë, nuk vuajnë nga komplekset dhe duan vetëm qejf. Sherrin dhe politikën i urrejnë. Një klarinetë në mes të natës dhe shtohen fëmijët në të gdhirë. Me romët kam një lidhje të veçantë. Ata kudo që më shohin më thonë: “Hajde, se ti je dora jonë. Ti sikur je lindur dhe rritur mes nesh.” Dhe disa herë kam ndërruar rrugë. Jam nisur për Fier dhe kam përfunduar në vendqëndrimet e tyre. Më kanë marrë me zor dhe më kanë ulur pranë kasolleve të tyre dhe ia kemi shtruar me raki. O zot sa të sinqertë janë. Rakinë e pinë pak të dobët, por nejse. Shtrohet tepsia dhe të gjithë hamë si vëllezër ç’të na zërë dora.
Ata janë si ushtria në lëvizje. Në dimër në Fier, në verë në Sarandë, në vjeshtë në Vlorë, në pranverë në Shkodër. Ka jetë më të bukur!?
Gazetat kanë shkruar këto ditë se më kanë caktuar për t’u bërë ambasador në SHBA. E mendova mirë për më se 20 ditë dhe vendosa të mos i përgjigjem kësaj përgjegjësie popullore. Po iu fute politikës duhet të mendosh vetëm për popullin. Është përgjegjësi e madhe. Më thuaj një politikan që mendon për vete. Vetëm dhe vetëm për popullin. “Të gjithë ministrat lëvizin me këmbë, lypsarët lëvizin me makinat e tyre. Kostumet e shtrenjta firmato sot i sheh tek trupat e njerëzve të thjeshtë që nuk nxjerrin dot muajin me rrogat që marrin… Apo jo… Fukarenjtë mbajnë era livando… sigurisht djerse, ndërsa ministrat shtypen nëpër autobusë. Pra, politika është… e vështirë, prandaj refuzova të shkoj ambasador në Amerikë…” Mendova se po të shkoja në Amerikë do të hyja në bisedime më Bushin për të tërhequr ata më të varfrit në Amerikë. Por s’më doli llogaria. Po të ikin të varfrit u bie rëndësia të pasurve. Pastaj mua më vjen keq për gjithë shqiptarët: të pasur dhe të varfër. Ne jemi komb vital dhe atdhedashës. Duhet të jemi të gjithë bashkë. Në Amerikë s’mund ta realizoja ëndrrën time, duhen punëtorë të kualifikuar, me anglishte, me patentë, njerëz që shohin punën e tyre (ne shohim punën e tjetrit), seriozë (ne pa pak sherr dhe pa tralala në punë vdesim), të thjeshtë në veshje (në emër të demokracisë ne i vendosim dhe gomarit kollare), kështu që në një vend nuk mund të na linin të gjithëve. Më duket më tjetër Kina. Kina ka 1 miliard e 600 milion banorë. Ne jemi 3 milion sa lagjja më e vogël e Pekinit. Kinezët i njohin shqiptarët, ndërsa amerikanët, vetëm 500 vetë e dinin ku binte. Me Kinën kemi hesape të vjetra. Kemi qenë motra në kohën e monizmit dhe ka mundësi që ndonjë nga filmat e mi të jetë parë dhe andej nga Kina. Pastaj njihemi qysh në kohën e Luanëve. Luanët nuk harrohen shpejt. E ke dëgjuar atë këngën.... Dy luanë ka sot bota, një Azia një Europa..
Nejse... Sa të shkoj, kam ndërtuar një plan interesant që besoj se edhe kinezëve do t’u pëlqejë. Propozimi është ky: Gjithë shqiptarët të shkojnë në një lagje të Pekinit dhe 3 milion kinezë të vijnë dhe të shpërndahen në Shqipëri. Për ta është mirë se po bëjnë çmos që të hyjnë nëpër botë. Ne fitojmë. E para, bëhemi të gjithë kryeqytetas. Së dyti, si racë pjellore shumojmë racën tonë në Azi. Nga ana tjetër, Shqipëria e banuar me kinezë, do quhet prapë Shqipëri. Ne për 10 vjet bëjmë pallë në Pekin (sigurisht sa të jem unë ambasador) edhe nga ana tjetër kinezët për 10 vjet e bëjnë Shqipërinë si Pekinin. Humbëm gjë? Po edhe pekinasit do mësojnë si të shkatërrojnë, që kur të kthehen ata të cilët janë në Shqipëri, të kenë me se të merren, ta ndërtojnë prapë Pekinin nga e para. Janë ndarë gjërat në jetë. Kinezët për ndërtim, ne për shkatërrim. Se e kemi thënë: “Shqipëria me shqiptarë nuk bëhet!” Vetëm kështu mund të bëhet. Me kinezë po. Ata janë si miza e lisit, po iu futën Shqipërisë ia nxjerrin petkat varfërisë si ne të mjerët rakisë.
Sa të mbaroj detyrën e ngarkuar do e lë skenën. Sepse politika do seriozitet. Dhe unë po iu futa punës me seriozitet, nuk qesh kurrë sa të jem ambasador. Politikë do të thotë: punë, punë, sakrificë, sakrificë në emër të popullit trim liridashës që dhe pse pa bukë, qejf ka gallatën, rrëmujën dhe sallatën, rakinë, mitingjet, sharjet, fyerjet cilësitë më të vyera njerëzore. Por të ngrihen për të drejtat e tyre, pse janë pa punë, pa ujë, pa drita... kurrë. Thuaju për mitingje aty flenë... në sheshe dhe s’kanë nevojë as për dyshekë.
Por me mendje jam në Pekin. Politikanët dhe diplomatët punojnë me mendje dhe jo me vende.
Gazeta “Telegraf” 2008
Në 50-vjetorin e Estradës së Fierit
Shekulli
Diel, 28 Tetor 2007
Estrada profesioniste e Fierit mbushi dje 50 vjet. Një ngjarje e shënuar historike, artistike, jo vetëm për artdashësit fierakë, por edhe për gjithë ata që janë ushqyer me humorin i cili ka buruar nga kjo estradë. Estrada e Fierit, historia e saj, personazhet në jetë dhe në skenë, artistët e talentuar, shkrimtarët, dramaturgët e shquar, muzikantët, skenografët, drejtuesit dhe punonjësit, që kanë punuar një jetë në këtë skene, kanë ç’të tregojnë për 50 vitet e këtij institucioni. Me këtë rast u zhvillua dje simpoziumi “50 vjet me humorin fierak”, ku referuesit, si: drejtori i Teatrit “Bylis”, Robert Hoxha, ish-drejtori i parë i Estradës së Fiert, Thoma Meço, si dhe të ftuar të tjerë, dëshmuan se kjo estradë tashmë nuk i përket vetëm Fierit, por mund të quhet një pasuri kombëtare. Estrada e Fierit u ngrit si një trupë profesioniste në 25 maj 1957 me 14 aktorë, këngëtarë dhe instrumentistë. Premiera e parë titullohej “Satirë, humor, muzikë”. Ndër shfaqjet që kanë lënë mbresa te publiku i kohës, 25 vitet e para të veprimtarisë së saj kujtohet “Thumbojmë e pastrojmë”, “Nëpër fletët e historisë”, “Gaz pranveror”. Kjo e fundit u vlerësua me çmimin e parë në takimin e estradave profesioniste në vitin 1963. Në shfaqjet e tjera të suksesshme si: “Xha Llazi midis nesh”, “Gatishmëria”, “Punojmë dhe vigjilojmë”, “Objektivi”, “Midis jush”, “Çobo Rrapushi me shokë” në vitin 1980, etj., në të cilat Estrada e Fierit stigmatizoi dukuritë negative në marrëdhëniet e punës, ato në familje, nga jeta në fshat dhe përpjekja për emancipim. Spikatën skeçet “Do martojmë Malon”, “Doni më për Belulin”, “Canes i vodhën lopën”, etj. Me kohë, Estrada e Fierit u kthye në një trupë model. Ishte krijimtaria humoristike e penave të njohura si Dritro Agolli, Pëllumb Kulla, Dionis Bubani, Tasim Aliaj, Niko Nikolla, e shumë të tjerë, që i rritën vlerat kësaj estrade. Por pa harruar Punën e aktorëve të talentuar si Luftar Paja, Artist i Popullit, Fuat Boçi, Arqile Lipe, Todi Llupi, Artistë të Merituar, si dhe Xhulieta Kulla, Vasil Vaso, Sotir Stefa. Tipar dallues në estradën e Fierit ka qenë shfrytëzimi i skeçeve të gjata në formatin e komedive të shkurtra. Sipas aktorëve Luftar Paja dhe Fuat Boçi, estrada e Fierit gjatë këtyre 50 vjetëve ka pasur vështirësi, pengesa, por edhe suksese dhe maja. Në ditën e parë të festës së 50- vjetorit, u promovuan tri vëllime me krijimtarinë e autorit, emblemës së humorit fierak dhe kombëtar, regjisorit, shkrimtarit, dramaturgut dhe publicistit, Pëllumb Kulla.
Violeta Manushi përkujtohet në Fier
“Na duhej që të lotonim larg skenës së Tiranës për 1-vjetorin e vdekjes së Violeta Manushit. E vaji ynë është më i madh dhe për mungesën e theksuar të vëmendjes nga ana e institucioneve për përkujtimin e figurës së saj. Duhet të ishte MTRKS-ja ajo që duhej të organizonte këtë ceremoni përkujtimore, e jo një bashki e rrethit”. Ky është apeli që ka ardhur nga aktori Luftar Paja i cili e tha atë në emër të të gjithë artistëve në ceremoninë e 1-vjetorit të vdekjes së Violeta Manushit. Në fakt, ceremonia nuk u zhvillua në Tiranë, por pikërisht në Fier, në bibliotekën e qytetit. Në të merrnin pjesë mjaft aktorë të skenës dhe teatrit të vendit, deputetë e deputete, si dhe drejtuesit e pushtetit vendor e qendror të Fierit. Aktorët e mëdhenj të skenës së sotme shqiptare: Drita Pelingu, Margarita Xhepa, Reshat Arbana dhe Luftar Paja, pavarësisht moshës së tyre, erdhën në Fier për të përkujtuar kolegen dhe miken e paharrueshme. Reshat Arbana do të shprehej se është ndjerë mungesa e Violeta Manushit në skenë vitet e fundit. “Do të duhen ndoshta shumë vjet, apo ndoshta dhe kurrë që të rikthehet një Violetë e dytë në skenën tonë”, u shpreh Arbana. E përlotur gjatë gjithë ceremonisë ishte aktorja Drita Pelingu e cila do të ftonte për të duartrokitur pjesëmarrësit për disa minuta në kujtim të së ndjerës. Pas emocioneve të thella të jetës së Manushit, që u përcollën nëpërmjet shoqeve të saja, si dhe mjaft të afërmve e të njohurve, aktori Luftar Paja do të kërkonte fjalën e do të bënte thirrje për pak më shumë vëmendje për këto mite të skenës që kanë ikur. “Figura e Violeta Manushit nuk u kujtua në Tiranë, se atje është ulur këmbëkryq çështja “Berisha – Balla”. Figurën e saj, asnjë forcë politike nuk e përdori gjatë kohës që ajo ishte gjallë, por edhe pas vdekjes, gjithsesi, nuk do të lejohet. Asnjë forcë politike nuk duhet të lërë artin në këtë pikë dhe pa kujtesë, pasi arti është popullor, shumë më shumë se edhe politika”, tha Paja. Ceremonia e 1-vjetorit të vdekjes së Violeta Manushit u zhvillua nën përkujdesjen e veçantë të Bashkisë së Fierit. Kjo e fundit, jo vetëm që mundësoi me fondet e lëshuara zhvillimin e kësaj ceremonie, por kontribuoi edhe në promovimin e librit kushtuar Violeta Manushit me autorësi nga Zenepe Luka, titulluar “Violeta Manushi, kryezonja e skenës”.
27.07.2008 Gazeta SHQIP
Që t’i laj borxhin spektatorit, do të luaj Zhvejkun”
Në moshën 67-vjeçare, aktori i njohur, Luftar Paja, të shtunën në mbrëmje në festivalin “Apollon 2008” vlerësohet me “Çmimin e Karrierës”
Është një vlerësim, që unë e quaj djersën e dyzet viteve, një nder dhe borxh të cilin kam pasur dhe do të kem deri sa të rrojë ndaj spektatorit shqiptar. Çmimi i karrierës në “Apollon 2008” është një nder. Ndoshta nuk jam në gjendje, nuk di ta shpjegoj me fjalë, por kjo do të thotë se djersa e dyzet vjetëve është derdhur kryesisht në atë skenë në të cilën mora atë çmim, në skenën e “Bylis”. Mua m’u bë një nder shumë i madh për punën që kam bërë, veç meraku më i madh që kam është a do ta laj këtë borxh që i kam spektatorit fierak dhe atij të mbarë Shqipërisë. Ne artistët, sidomos ata që kanë një kohë të gjatë që debutojnë në skenë dhe i kanë kapërcyer dhe kornizat e guaskës dhe rrethit të tyre, kanë detyrime të mëdha se kudo që shkojmë na përshëndesin dhe kërkojnë nga ne. Kjo na bën të ndjehemi të përkëdhelur por na shtyn dhe të mendohemi. Të paktën ta zvogëlojmë atë borxh se për ta larë, nuk besoj se e bëjmë dot deri në fund se përderisa i madhi Kadri Roshi deri ditën që vdiq tha: “Më mbetet merak borxhi që s’po ia laj dot spektatorit,” atëherë kush jam unë para tij?
Me këtë fuqi dhe energji që kam, ndihem tepër optimist dhe medoemos do më shikoni në skenë. Veçse në ndodhtë ndonjë e papritur, por deri sa të jem gjallë do punoj.
Unë kam menduar disa role për veten time. Kam qejf që të mblidhemi dhe njëherë ashtu siç kemi qenë në Estradën e Fierit dhe të shkëlqejmë dhe në vitet e demokracisë si në vitet ‘80-të kur kemi dominuar skenën e teatrit shqiptar. Por e kam edhe një ëndërr tjetër, kam rolin e Zhvejkut, që duke bërë një sakrificë me moshën dhe ndonjë truk, them se do qëlloj siç duhet me këtë figurë shumë simpatike i cili ka një domethënie të madhe sepse me shumë zgjuarsi dhe mençuri pasqyron vlerat e popullit çek. Se Fierit i kam borxhe. Kjo është si puna e kredive të mëdha dhe të vogla që i marrin njerëzit. Kredinë e madhe ia kam gjithë publikut shqiptar, kredinë e vogël publikut fierak se ai më kupton dhe më fal ndonjëherë. Kam më shumë afrimitet me publikun fierak, e gjej gjuhën dhe i kërkoj të më falë ca kusure.
Megjithëse jemi në tranzicion mendoj se estradave u ka ardhur koha që të lulëzojnë.
Më vjen shumë keq, por shoh një dritare e cila do shumë mund e djersë që t’i punojnë menteshat për bukuri. Në qoftë se do të jetë predispozicioni i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, nuk ka gjë që nuk kapërcehet. Këtë e shikoj te puna që bën bashkia e Fierit me trupën e teatrit. Atje ku ka vlera, ne nuk duhet të hezitojmë dhe të propagandojmë. Është fati i madh i tyre, që artistët e mëdhenj të Shqipërisë, pohojnë që të ketë në çdo rreth një kryebashkiak si Baftjar Zeqaj. Ai bën më së miri punët dhe është artist në shpirt. Kush e ka keq me artistët, mjerë ai i shkreti, sepse artistët janë zemërgjerë, por mbi të gjitha kanë masën e madhe, kanë popullin me vete. Ndaj ju lutem qeveritarëve të çdo lloj kategorie t’i respektojnë dhe do të kërkoja nga artistët të punojnë, rrisin vlerat që të kenë marrëdhënie të mira me pushtetin.
19.05.2008
Gazeta Panorama
10 qershor 2008
Ndrek Beltojës i akordohet titulli “Artist popullor”
E kam përmendur disa herë që jam gjetje e Ndrek Beltojës. Ishte një fat i madh për mua që në fillim të krijimtarisë të dallohesha dhe të përkrahesha nga një artist i tillë, që me të drejtë është quajtur nga specialistët si Çaplini shqiptar. Jam i kënaqur që shtypi i kushtoi vëmendjen e duhur, duke i kërkuar shumë bashkëkohësve të tij detyrën për të vlerësuar një aktor të madh si ai. Ishte një nder i vonuar për figurën e tij, titulli “Artist Popullor” dhënë nga bashkia e Patosit.
Ndrek Beltoja ndërroi jetë herët e për këtë arsye ndoshta fama e tij nuk shkoi deri në “sallonet” e Tiranës, ku me gjasë do ishte vlerësuar si “Artist i Popullit”. Gjithsesi, e rëndësishme është, që ai është rikthyer tashmë në kujtesën e brezave, duke marrë një titull i cili sa e largon nga harresa, aq edhe e riaktivizon për brezat e sotëm si model e shembull artin që ai përcolli tek publiku.
Nëse sot trevat e Myzeqesë zotërojnë një institucion të artit të humorit, ndër më pikantët e humorit shqiptar, kjo i dedikohet Ndrek Beltojës, e sigurisht të tjerëve që e pasuan.
Cili ishte Ndrek Beltoja?
Ai lindi në vitin 1909, në Shkodër dhe vdiq po në datën e lindjes të vitit 1963. Që në moshë të re nisi jetën artistike në vendlindje, përkrah Marie Logorecit, për të vijuar më pas në Fier, Lushnjë, Kuçovë, Tiranë dhe Vlorë.
Ndreka dallohej si kupletist dhe si parodist. Gjithashtu ai ia thoshte dhe serenatës edhe pse vinte nga Shkodra. Ndrek Beltoja ishte një artist poliedrik. Ai i jepte gjallëri skenës dhe mbante lidhje shumë të ngushta me spektatorin. Në radhë të parë Ndrek Beltojën e favorizonte shumë aparenca, pamja e tij e jashtme, e cila provokonte humor. Ndreka ishte një kopje e Çarli Çaplinit e për këtë arsye ai mbante po atë lloj veshje si artisti i madh anglez. Ai kishte një aftësi të jashtëzakonshme imitimi, duke përcjellë me talentin e tij çdo lloj artisti dhe çdo lloj njeriu në mënyrë të çuditshme. Aftësi tjetër e tij ka qenë përdorimi i teatrit me hije, duke bërë përtej një perdeje figura të cilat shoqëroheshin edhe me zërin e tij, jo vetëm në formën e një bashkëbisedimi mes njerëzish, por edhe me kafshët. Me një fjalë ai konsiderohej si artist i lindur. Prej tij u ngjiz e më pas u zhvillua brez pas brezi humori e përgjithësisht arti myzeqar.
Humori është një nga gjinitë më të vështira të krijimtarisë
Intervistë.
Luftar Paja është një ndër artistët komik më të shquar të skenës shqiptare. Bota e tij emocionale është kaq e gjerë dhe interesante, sa kushdo në raportin aktor-spektator e kupton se nga çdo karakter i tij buron humor, ngrohtësi e mirësi. “Çobo Rrapushi me shokë” dhe “Po hajduti nuk ka faj”, janë dy nga rolet që ndoshta i kanë sjellë lavdinë e përjetshme dhe ngacmimet e tërë hapësirës mbarëshqiptare. Këto dy personazhe të veçuara (ndoshta nuk është vetëm mendimi im) janë tipa kaq karakteristik (të marrë nga masa e gjerë), saqë duket se, ato personazhe dhe ato portrete, kanë lindur enkas për të, apo ndoshta këto tipa nuk erdhën rastësisht dhe u ndalën tek ai. Nga ana tjetër e medaljes, falë aftësisë së tij për t’i interpretuar mjeshtërisht, bazuar dhe në studimin që i ka bërë vetë këtyre tipave në jetën e përditshme me të cilën ai është i lidhur ngushtësisht, ata janë bërë mrekullisht pasqyrë e njëri-tjetrit.
Në këtë këndvështrim, portreti skenik i Luftar Pajës, tregon qartazi, aftësinë për të depërtuar te personazhi, ta mishërojë atë plotësisht, duke i dhënë nuanca dhe ngjyra të tilla jetësore që nuk mund të harrohen kurrë nga spektatori.
- “Po ai që e vodhi nuk ka faj?” dëgjohet të transmetohet si pyetje te Luftari sa herë ai del xhiro rrugëve të Tiranës. Ku është magjia e kësaj shprehjeje të goditur ?
- Me këtë shprehje më ka gjetur belaja. Aq sa dhe vetë kur e mendoj, qesh. Ndonjë thotë iku dhe Luftari, ka filluar të qesh me vete. Se në këtë botë, tani të gjithë flasin me vete. Kush më pak dhe kush më shumë. Por kur qesh me vete, ndryshe se kur flet, ka diçka akoma më të veçantë. Sepse, sot vjedhja është kthyer në një ves masiv të dembelëve dhe parazitëve. Dhe t’i vësh faj në një shoqëri demokratike, pronarit dhe jo hajdutit, është diçka paradoksale. Fabula e humorit është e gjetur, e spikatur në ëmbëlsinë e të thënit bukur dhe me humor. Humori i bazuar te fjala e gjetur, e bukur, inteligjente, është humori më perfekt, më i latuar, më i saktë që të lë mbresë. Ndryshon tejet nga humori i bazuar në fjalën e keqtrajtuar apo zhargonet. Ndoshta, kjo është arsyeja, që kjo batutë është bërë kaq popullore. Hallet, problemet, shqetësimet gjejnë fjalë të rralla dhe ngjizin karaktere të spikatur.
- Shihet një tendencë sot në disa krijues të humorit për të futur gjerësish humorin politik?
- Po. Është një risi në humorin e sotëm për vetë faktin se, në monizëm thuajse nuk ekzistonte një humor i tillë. Ishte e pamundur të talleshe me një anëtar të Byrosë Politike. Ndërsa sot, rrugët janë të hapura për këtë humor. Madje, duke pasur parasysh se populli ynë trim dhe liridashës rri dhe pa bukë por jo pa politikë, ky humor gjen shumë terren. Ka shumë humor me politikanët e sotëm. Ata vetë, dashje pa dashje, të japin material të bollshëm. Por edhe në këtë rast, tejkalohet masa. Kalon masa, prishet cilësia. Raportet janë të domosdoshme në humorin kërkues. E them kërkues, pasi e kërkuara ka jetëgjatësi. E konsumuara “vdes” pas minutës që interpretohet. Rendja shpesh herë pas gjestikulacioneve të sforcuara, i heq personazhit kostumin e bukur të fjalës, interpretimit. Ky kostum, do të thosha është magjik. Magjia e fjalës është e pazëvendësueshme në një skeç. Sado të jesh një aktor i madh me një plastikë mahnitëse, pa fjalën e bukur, të ndërtuar në funksion të plastikës, skeçi ose humori do të ishte artificial, i sforcuar, duke iu shmangur lidhjes organike, plastik-ndërtim lënde.
- Me sa më lart, mos vallë mund të themi se sot humori është në krizë?
- Jo se është në krizë tamam, tamam. Por nuk është në vendin që i takon. Humori është një nga gjinitë më të vështira të krijimtarisë. Humori do studim, hulumtim, përqasje nga krijuesit. Janë shumë arsye që deri diku e kanë çuar në një farë krize humorin. Mos pasje të një tregu konkurrues, investimet e pakta në këtë lloj tregu krijimtarie, veprimtari të shkëputura, krijimtari pa kritikë, institucione të specializuar thuajse inekzistente, krijim të rretheve vicioze në mes aktorëve etj. Sot me sa shoh unë, në drejtim të humorit rendet pas sasisë, se sa pas cilësisë. Ndoshta ekonomia e tregut nuk ka arritur në atë stad, që të gjendet e duhura, por e lira, e lehta, e konsumueshmja. Si puna e fruta perimeve në tregun fshatar, të gjithë rendin te më e lira, te më e konsumushmja, ku gjurma është e papërfillshme. Koha do ta çoj në vendin e duhur humorin. Humori është bukuria dhe jetëgjatësia për njerëzit. Nuk duhet t’ia heqim këtë funksion dhe rol të cilin e ka fituar në shekuj. Edhe humori në një sistem demokratik duhet t’i përshtatet rregullave të ekonomisë së tregut “Nuk jam aq i pasur sa të blej lirë”.
- A keni bërë ndonjë plan të veprimtarisë suaj për të ardhmen?
- Askush nuk ecën pa plane sot. Pa plan është sikur të ecësh në shkretëtirë pa busull, ose më keq në pyll në mes të mjegullës. Por janë vështirë të realizohen. Këto jo nga unë. Unë i kam marrë masat e mia.
- Humori më i mirë në ç’çast vjen për Luftarin?
- Ndoshta nuk do ta besosh as ti, por as lexuesi. Ndoshta është një tekë e karakterit tim ose ndoshta një dhunti e veçantë të cilën Zoti e ka futur pa dashje tek unë. Por për të shuar kureshtjen, e them me plot gojën dhe buzën në gaz se, kur jam i mërzitur kam më shumë humor.
- Ju bëni të tjerët të qeshni. Po ndonjë ngjarje që ndoshta ke hasur që të ka bërë natyrshëm të qeshin të tjerët por edhe vetë?
- Një ditë komshija më bëri të qesh me vete, por edhe komshinjtë e tjerë që ishin prezent në oborr. Komshija m’u drejtua: “Këtu në pallat mua nuk ma var njeri, se jam grua pa burrë”. Unë i thashë do vetë të rrish beqare, apo pallati?Ajo ngriti supet, ndërsa unë, duke vazhduar përgjigjen i them: “Vëri një gur zemrës dhe martohu, që dhe komshinjtë të ta varin. Jo gabim, të të respektojnë”.
- Kush është në qendër të kritikës në humorin tuaj?
- Veset. Ato më të këqijat, që mundohen të përhapen si murtaja në shoqërinë e sotme. Ato vese që të mbysin. Në radhë të parë, të gjitha ato karaktere njerëzore që janë me këmbë në ajër. Pastaj më pëlqen t’u heq nga një kamxhik hajdutëve, kriminelëve, politikanëve gënjeshtarë, femrave lakuriqe, tregtarëve hileqarë... edhe atyre që vjedhin ...lopët e fukarenjve.
- Ç’urreni më tepër në jetë?
- Ata që qeshin kur është për të qarë dhe e kundërta.
- A jeni i kënaqur nga jeta?
- Jeta është e bukur. Ajo është me ngjyrat e ylberit dhe ne duhet t’i shohim këto ngjyra. Nuk jam dakord me ata që e shohin jetën bardhë e zi. Apo vetëm me syze të errëta. Ngjyrat e Ylberit në jetë janë familja, nipërit dhe mbesat.
- Luftar Paja emër interesant, paksa i përhapur në Shqipëri, ç’mendim keni për veten tuaj?
- Emrin e kam Luftar, por nuk kam marrë pjesë në asnjë luftë. Luftërat nuk i kam qejf. Dua paqe, gaz dhe mirëqenie për të gjithë. Luftoj më shumë për të sjellë në humor të tjerët dhe t’u heq nga mendja luftën dhe krismat. Se ne shqiptarët, në ç’do kohë, pa pak kallash dhe barot nuk rrimë dot. Na ngjiten vetë pas gishtit. Jo se i kërkojmë. Ata janë në faj, jo ne. Pra, Kallashi dhe baroti që janë dashuruar me ne dhe jo ne me ata. Pra, me shumë fjalë dhe pak peshë, Luftar Paja në jetë është Paqësor Paja. Në skenë Luftar Paja. Aty jam në luftë me vetveten. Për të arritur më të mirën. Perfeksionin. Aty luftoj deri në fishekun e fundit.
- Skenës shqiptare kohët e fundit i kanë ikur...
- (Më ndërpret)...Lëre. Është një humbje e pazëvendësueshme. Dëgjoje mirë, e pazëvendësueshme. Ikën gjigantë të tillë si Kadri Roshi, Violeta Manushi, Sulejman Pitarka, Serafin Fanko. Gjigantë të tillë janë të pazëvendësueshëm. Nuk i gjej dot fjalët, kaq e madhe është vepra e tyre. (psherëtin)
- Ndonjë plan i veçantë?
- Po. Jam ftuar nga një shoqëri udhëtimesh kozmike amerikane të bëj një vizitë në Mars dhe Hënë. Tani po stërvitem. Në Amerikë kohët e fundit “Hoolliwood” ka bërë disa skenarë me personazhe shqiptarë. Tashmë do të bëj edhe në drejtim të humorit. Por për skeçin nuk më kanë thënë ende. E kanë sekret. Sepse skenari i tillë mbetet, se ikën interesi, kurioziteti. Stërvitjen tani ë bëj në një sallë të mbyllur në Prezë. Po heq shumë, po aq sa është dhe bukur. Po, po vajta kam frikë se nuk kthehem. Kam qejf ta shoh botën nga lart. Boll e kam parë nga poshtë. Është rritur mirëqenia dhe kërkesat. Të shoh dhe ata që vjedhin gomarët përveç lopëve. Dua të më thonë... Po gomarin tim a e sheh gjëkundi? Se gomarin tim nuk po e shoh...
- Ç’mund të na thuash për burrat?
- Do flas për burrat shqiptarë. Bëtë mirë që e hapët këtë rubrikë “Ne burrat”. Është e veçanta e Telegrafit “Ne burrat”. Epo na mbytën gratë. Gratë pinë duhan, gratë uiski, birrë, verë,. Gratë bizhuteri. Gratë parfumeri. Gratë buzëkuqe. Gratë Buzuqe. Ç’do gjë në këtë botë për gratë shpiket. Mendojnë natë dhe ditë burrat e shkretë të shpikin diçka t’u pëlqejë grave. Gratë meazallah se e çojnë në mend të shpikin diçka për burrat. Na rroftë që jemi burra. Na humbi nami dhe nishani. Na mbytën gratë. Na morën frymën. Janë ndërruar rolet më duket. Ne për punë duhemi, vetëm për punë, natën dhe ditën. Po s’punuam në të dy turnet, nuk na duan gratë. Madje të punojmë me të njëjtin rendiment si natën dhe ditën. Vetëm kështu kënaqen gratë e sotme. Madje, po të punosh ca më mirë natën, merr një notë më të mirë, je më i vlerësuar. Moda për gratë, qejfi për gratë, revistat për gratë, suplementet për gratë, reklamat për gratë.... Vetëm në politikë ua marrim. S’ua hapim rrugën. Se po u lamë dhe politikën, na mori lumi i Vunoit.
Bisedoi seriozisht Albert Zholi
Gazeta Telegraf
23 Shkurt 2008
4. OPINIONE DHE VLERËSIME
Luan Paja
Të flasësh për vëllanë është e vështirë. E njohin të gjithë si Artist të Popullit. Luftari është nderuar për punën e tij, është bërë i dashur dhe është nderuar nga më i vogli deri te më i madhi. I uroj suksese të mëtejshme.
Nëna e Luftarit
Më kanë mbetur në mendje të gjitha gjërat e tij. Të gjitha lodrat që bënte. Ato që nisi, ato bitisi. Siç e nisi me rrënga-dënga, atë zanat mori. Nuk ia kam hequr veshin kurrë. Sepse fëmijët i kam pasur shumë të edukuar. Darkë për darkë im shoq i bënte shkollë. “Nga rruga në shtëpi nga shtëpia në shkollë. Mos shihni as në kopshtet e botës as në marrëzira të tjera.” Tërë jetën kam qenë e malluar për të. Kam qenë shumë e dhimbsur me fëmijët se jam rritur jetime. Luftarin e kam pasur si vëlla të madh. Ka qenë një shembull për gjithë fëmijët e tjerë. E kam parë tim bir në disa shfaqje në Fier. I bënte të gjithë të lumtur dhe kjo gjë më gëzonte shumë. Kush është ajo nënë që nuk kënaqet duke parë fëmijën e vet të gëzojë të tjerët.
Pëllumb Kulla
Është një aktor i rrallë, me zë të kadifenjtë, me sy të gjallë e të kthjellët. Është një aktor, që porsi bletët e ka mbledhur nektarin lule më lule, vëzhgim pas vëzhgimi, bisedë pas bisede, këmbëkryq pas këmëbëkryqi, me durim shembullor. Kështu ky artist i rrallë ka prodhuar mjaltin më të mirë në kosheren e shquar të trupës profesioniste të Estradës së Fierit. Karakteret e tij janë të papërsëritshëm, se janë fryt i një mjeshtërie, që sot ende është vështirë t’i gjendet shoqja. Çobo Rrapush nuk bën më nëna! Cane Rrykën nuk e harrojmë dot me ato opingat e tij për në ahur dhe me frazat e tij për parlament! Të paharrueshëm mbeten dhe ata njerëzit e veckël, se dridhen nga rrjedha që mund të marrë lufta e nuk e kuptojnë, se përse, befas, u gjendën në mes të saj. Unë mund ta krahasoja talentin e Luftarit me të shumë aktorëve të shquar, vendas dhe të huaj. Por pa teprimin më të vogël dhe pa përfillur shtrembërimin e buzëve që mund të ndeshë ky pohimi im, unë pohoj se nuk kam njohur dhe nuk kam parë, në mëmëdhe dhe jashtë tij, në skena dhe ekrane, një lojë më të përsosur në situatat e vuajtjes maksimale, nuk kam parë përfytyrim më të vërtetë të riskut të jetës, nuk di të kem ndeshur një lypës mëshire që të shkaktojë një keqardhje aq të ngrohtë se sa Luftar Paja. Për këtë pa dyshim e ndihmojnë me të tepërt dhuntitë e natyrës dhe nektari që ka mbledhur me përkushtim ai vetë e që unë ia përmenda më lart. Ai beson në mënyrë bindëse situatën e autorit, sytë e tij e pasqyrojnë mirë këtë, zëri i tij qaraman ka një pasuri nuancash që rrallë u ka dhënë natyra aq bujarisht aktorëve të tjerë. Le të kujtojmë arixhiun, kur gjermanët kontrollojnë sazexhinjtë dhe këta, ngaqë nuk dinë ku të fshehin koburen, ia lenë atë në trastë dajrexhiut kurbat. Apo “Hapmi sytë e zes” kur Luftarit i duhet të këndojë një metër larg tytës së kobures, asaj tyte të hollë që i ri para gojës si këta mikrofonat modernë të ditëve tona. Le të kujtojmë Rakon që nga çasti në çast mund të bjerë nga lartësitë e ndërtesës! Nuk harrohet roja balliste se nga tërë ata që duhet të ndalë tek postblloku, nuk di cili prej tyre është guerilas, cili gjerman dhe cili ballist. Unë shpesh me shaka thosha, që për të bërë spektakël, a për të improvizuar një skenë të tensionuar komike, nuk më duhej as penë, as letër, as tekst! Më duhej vetëm një revolver dhe sytë e Luftar Pajës! O Zot, ai ishte gjigant! Dhe asnjëherë i njëjtë! Dhe asnjëherë nuk thoshe dot se këtë figurë e kish të përsëritur. Lemëni të përmend një vuajtje më të pakët se ajo para pushkatimit: le të marrim “Telefonin e ri në shtëpi”. Le të veçojmë atë plak të mirë, që ka dalë në pension si postier dhe, tani, sapo në apartamentin e tij instalon telefonin - që atëherë ishin aq të rrallë! Në një ndërtesë gjashtë katëshe, mund të gjendej vetëm një! - Tani, postieri veteran, që duhet të pleqëronte i qetë, vete dhe troket prapë derë e më derë e kat më kat, të lajmërojë banorët e pallatit se i kërkojnë te telefoni i tij, që ai e ka lënë të hapur për ta. Vërtetësia e lojës së këtij artisti është nga më të rrallat dhe duhet pa mëdyshje mostruar për mësimdhënie në akademitë e aktrimit.
Në cilësitë që e ndihmojnë artistin të bëhet popullor është edhe marrëdhënia shoqërore që krijon ai me njerëzit e përditshëm edhe shokët e tij. E pranoj se kjo gjë nuk është nga faktorët kryesorë, pasi mund të jesh nursëz, koprrac, intrigant e servil e mund të jesh nga aktorët më në zë, nga më të mirët dhe më të dekoruarit e vendit. E megjithatë jetën e përditshme qytetare e zbukuron një natyrë si e Luftarit, një njeri dashamirës, bujar, përkrahës pa interesa, mikpritës dhe i papërtuar. I tillë pra, ishte dhe është miku im, kolegu i vyer, protektori i trupës, partneri skenik i gruas sime, Xhuljetës. Edhe në ditët më të acarta që na qëllonte të kishte familja jonë, në varësi nga temperaturat që zbrisnin nga Byroja Politike e Enver Hoxhës, Luftari, edhe pse ndjekës i përpiktë i direktivave, ishte mjaft i hapur me nevojat njerëzore që na paraqiteshin ne.
E paharrueshme mbetet një natë e vitit 1977, kur partia në teatër rikonfirmoi heqjen e të drejtës sime të botimit dhe më hoqi nga repertori dramën e porsa shkruar “Motive nga kantieri i madh” Ka qenë një nga periudhat më të vështira për ne. U bë edhe më e vështirë sepse na lajmëruan se ime vjehrrë në Kuçovë ishte sëmurur rëndë. Ishte mbrëmje, ne nuk kishim ku të linim fëmijët e vegjël që të ndiqnim kamionët e rastit për të shkuar me ngut pranë mamasë së Xhulit. Për taksi, në ato kohëra, as që bëhej fjalë. Na erdhi në ndihmë Luftar Paja. Në orën 10 të natës ai i pat kërkuar një drejtori të naftës veturën e ndërmarrjes, kish marrë Qamilen për t’i bërë shoqëri Xhulit dhe trokiti te porta ime. Unë ndenja të kujdesem për fëmijët, Xhuljeta u nis me ta me lot në sy. Shkoi pranë të ëmës dhe ndenji deri afër mëngjesit. Luftari me Qamilen dhe shoferin e naftës, ndenjën pa vënë gjumë në sy, e pritën dhe e sollën time shoqe në shtëpi kur kish filluar të zbardhte....
Por kjo ngjarje dhe të tjera, përbëjnë kapituj më vete, që ndoshta për t’i trajtuar, meritojnë një libër tjetër, një temë tjetër e një kohë të mëvonshme.
Në estradën e Fierit përqindja e aktorëve të mirë ishte shumë e madhe, por përfaqësimi im më i shquar, pa dyshim është bërë me talentin e Luftar Pajës. Bashkëpunimi im me të ishte shumë i veçantë nga pikëpamja e përjetimeve të përbashkëta, por sidoqoftë qe një bashkëpunim i përsosur dhe frutdhënës. Unë Luftarin e shihja në rol që sapo vija para vetes një fletë të bardhë dhe hapja kapakun e stilografit. Dhe ai e dinte këtë. Unë atij i detyrohem shumë në karrierën time regjisoriale dhe në atë emër të mirë që thuhet se kam bërë në fushën e humorit dhe satirës.
Kadri Roshi
Është pak të thuash për Luftarin që është artist i madh...
Luftari është shkollë dhe për të kuptuar se çfarë është paradoksi, bëhet shkollë për të tërë kombin, për të tërë artin skenik shqiptar.
Birçe Hasko
Mua me Luftarin më kanë lidhur shijet artistike që i kemi të njëjta. Ndërsa si qytetar më ka lidhur ndershmëria. Këto të dyja janë themelet e lidhjeve të mia me të. Gjëra që unë s’i lëviz. Që të dy nuk kemi lëvizur. Luftari është aktor shumë i zoti i shkëlqyer në skeç, është aktor shumë i mirë në kinema, dhe aktor shumë i mirë në teatër. Pra, ka tre dimensione. Unë jam dashuruar mbas Luftarit, mbas natyrshmërisë së tij. Ose e thënë shkurt: “Luftari në interpretim është vetë natyra.” Në skeç Luftari dhe Tano Banushi janë të paarritshëm. Siç kanë meritën e tyre parodistët e Vlorës, Zef Deda në pantomimë. Pa marrë rolin e kryegjykatësit mendoj se në këto drejtime gjithkush ka vlerën e vetë jo të zakonshme. Unë me të përveç të tjerash kam qenë në komisionin e pranimit të studentëve dhe, tek ai kam parë ndershmërinë e thellë dhe vlerësimin e saktë. Ai ndjente atë që ishte e natyrshme tek ata që paraqiteshin, atë që ishte e vlefshme, komunikuese, njerëzore. Nga këto binim në ujdi dhe së bashku. Mendoj se kjo është shumë, është intuitë, art është perspektivë, kulturë, i ka të tëra. Në këtë kuptim them që ai është i papërsëritshëm në thjeshtësinë e tij kur interpreton. Bashkë me thjeshtësinë ka dhe kulturë se kulturë nuk ka njeri popullor që ai nuk e bën. Sepse ai është njeri i thjeshtë, konkret. Ka një shoqëri të jashtëzakonshme. Pse e ka? E ka fituar nga arti. Siç është në skenë është dhe në jetë. E thënë më shkurt: “është për ta pasur zili”. Dhe unë që e kam mik dhe shok e kam zili, për të tëra këto që thashë. Luftari kurrë nuk ka bërtitur as në skenë dhe as në jetë. Asnjëherë nuk ka kërkuar t’i bëjnë ndere, çdo gjë e ka fituar. E ka merituar, jo se e ka kërkuar. Të gjithë këto tek Luftari përbëjnë artistin dhe njeriun. Shumë njerëz e paragjykojnë të thjeshtën. Po këtu është merita e tij. Unë do citoj Aleksandër Xhuvanin që e ka thënë për gjuhën por hyn gjithkund: “Një gjë quhet e thjeshtë, kur nuk ka gjë tjetër brenda përveç natyrës së vërtetë” dhe Luftari e ka këtë. Luftari është një aktor model, që ta jep në pëllëmbë të dorës atë që mendon e që ia thotë shpirti dhe mendja. Kjo vjen dhe nga një gjë tjetër. Ai shpesh tregon se takon shumë njerëz. Njeh në mënyrë të shkëlqyer jetën. Pse e njeh jetën? Sepse ka shkuar në vend. Disa e quajnë njohjen e jetës si realizëm socialist, por ajo shërben për të njohur njeriun. Të njohësh jetën nuk do të thotë të njohësh pallatet, pyjet, ujërat, por të njohësh njeriun. Dhe Luftari njeh njerëz. I gjen në mënyrën e tij. E ka shumë modeste njohjen. Bën muhabet dhe komunikon vazhdimisht me njerëzit. Dhe unë për këtë thjeshtësi dua ta puth në ballë. Për këtë thjeshtësi dhe modesti të njohjes së jetës dhe të interpretimit të personazhit. Luftari hyn në ata aktorë të kinemasë dhe komedisë që e duan të gjithë. Është i adhuruar nga të gjithë.
Mehdi Malkaj
Po. Luftar Paja? Hyn tek ata aktorë të poshtër që drejtorinë qendrore të humorit e morën nga Shkodra dhe e çuan në Fier. Ky është Luftar Paja. Mos ma zini më në gojë. Nuk dua t’i shoh bojën.
Pavlina Mani
Luftar Paja me punën e tij ka hyrë ndër ata aktorë që kanë lënë emrin e artistëve të mirë. Dhe këtë e ka arritur me punën e tij. Kam pasur fatin të luaj me Luftar Pajën në teatër dhe ta ndjejë këtë dhunti të tij.
Gazmend Paja
Unë jam djali i vogël i Luftarit. Është kënaqësi e madhe që kam marrë rrugën e babait. Shpresoj që të eci në rrugën e tij. Dua të kem popullaritet siç e ka ai sot. Është fat për mua që përveç shkollës dhe punës kam dhe shkollën e tij në darkë.
Dritëro Agolli
Jetën artistike të Luftar Pajës unë e kam ndjekur gati të gjithë. Kanë ndikuar edhe kushtet sepse ka pasur televizion dhe mjete të tjera për t’u informuar. Më ka bërë përshtypje diçka tek ai sepse ka qenë një artist i veçantë dhe një nga më të shquarit. Nuk ka qenë nga ato artistë që kanë krijuar tipa, por ka krijuar individë. Ka artistë që e nxjerrin mirë si tip fshatarin ose nëpunësin, por nuk arrijnë ta nxjerrin si individ. Nën interpretimin e tij Luftari ka nxjerrë një Çobo Rrapush shumë interesant që ka mbetur në memorien e gjithë shqiptarëve. Është një artist nga më të shkathëtit dhe më të kulturuar. Është njeri që e ka skalitur personazhin për ta bërë prezent mes njerëzve. Kam vënë shpesh herë buzën në gaz për tipat. Ai ka arritur të thjeshtojë kaosin që mbizotëron sot në botë.
Fuat Boçi
Luftari si aktor nuk ka dhënë vetëm në skenën e Fierit, nuk e ka zhvilluar aktivitetin e tij aktorial vetëm në rrethin e Fierit, por është një aktor kombëtar. Luftari nuk është vetëm aktor i humorit të skenës, por aktor i televizionit, i filmit. Ka luajtur me dhjetëra role nëpër filma. Pra, është një aktor me potencë të madhe.
Todi Llupi
Luftar Paja. Eh… Njerëzit kanë shoqërira dhe miqësira të ndryshme. Unë jam myzeqar dhe Luftari mallakastriot. Ai mbetet shoku më i mirë i jetës. Ne jemi lidhur si aktorë dhe më vonë si qytetar, shok, miq familjar. Ne kemi një rrugë të madhe të jetës që kemi ecur bashkë. Ai njëkohësisht mbetet një nga mësuesit e mi. Pasi është një aktor i madh dhe njeri me zemër të madhe. Si aktor do të shprehesha që të gjithë brezat e aktorëve kanë ç’të marrin nga jeta e tij aktoreske. Një fuqi e gjetjes së gjërave, karaktereve, një fuqi zhbiruese në të veçantat e humorit popullor. Kur do bënte rolin e një plaku në estradë ose teatër Luftari i sillte regjisorit Pëllumb Kulla, 4-5 pleq dhe ai zgjidhte atë që i përshtatej më mirë rolit. Shikohej ecja, komunikimi, mënyra e pirjes së duhanit, e kollitura, krehja, qylafi, mënyra e debatit e dialogut. Një nga rolet e mia me Luftarin është tek komedia e Çobo Rrapushit, ku unë kisha rolin e një pseudoshkrimtari në kontakt me popullin. Është një nga rolet më të spikatur të Luftarit. Një rol i veçantë që të ngjall emocion ku ai ka dhënë të gjitha energjitë dhe të fshehtat e akumuluara në skenë për realizimin e këtij roli kaq të vështirë dhe të bukur. Edhe sot Luftari është identifikuar me këtë rol. Një rol tepër i spikatur që vetëm një aktor me përmasat e Luftarit mund ta realizonte. Sot mund të them se me Luftarin jemi si vëllezër.
Pano Kondo
Luftar Paja ka një shtat të shkurtër në përditshmëri, por në skenë ai ka një sy gjigant.
TITUJT
Dekret për dhënie titujsh
Luftar Paja merr titullin “Artist i merituar”
Luftar Gani Paja merr titullin “Artist i Merituar” me këtë motivacion:
“Për kontributin e dhënë në estradë, duke krijuar figura të bukura artistike, si edhe për ndihmën e madhe që ka dhënë në lëvizjen artistike amatore”.
Tiranë, më 21.11.1979
Dekret nr, 6024
PËR PRESIDIUMIN E KUVENDIT POPULLOR TË REPUPLIKËS POPULLORE SOCIALISTE TË SHQIPËRISË
Sekretari: Kryetari:
Telo Mezini Haxhi Lleshi
DEKRET
Nr. 13, datë 5.8.1991
PËR DHËNIE TITUJSH NDERI
Në mbështetje të nenit 28 të ligjit “Për dispozitat kryesore kushtetuese”
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
U JEP:
Me propozimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
TITULLIN “ARTIST I POPULLIT”
1. Stavri Nisi Shkurti
2. Thimi Filip Filipi (pas vdekjes)
3. Luftar Gani Paja
me këtë motivacion:
“Është shquar për merita të veçanta si aktor i skenës dhe i kinematografisë në krijimin e një sërë roleve të interpretuara me mjeshtri të lartë artistike dhe për ndihmesën e çmuar që ka dhënë në zhvillimin e këtyre gjinive të artit tonë kombëtar”.
Presidenti i Republikës
Ramiz Alia
Filma:
1977: Gunat mbi tela
1977: Streha e re
1978: Gjeneral Gramafoni
1978: Pranverë në Gjirokastër
1979: Liri a vdekje
1979: Udha e shkronjave
1979: Këshilltarët
1981: Shtëpia jonë e përbashkët
1983: Ëndërr për një karrige
1985: Gurët e shtëpisë sime
1986: Rrufeja nga mali
1989: Pas takimit të fundit
Teatër:
Fejesa
Çobo Rrapushi me shokë
Vitet e paharruara
Fytyra e dytë
Flokë dëbore në prill
Një budalla e gjysmë
Oportunesku
Tetë persona plus
Inspektori
Lezeti i kolltukut dhe i krevatit
Pjata prej druri
PAS SHËNIM
Ende sot Luftar Paja është një nga aktorët më të kërkuar.
Në vitin 1991 nderohet me titullin “Artisti i Popullit”. Në vitin 1996 është shpallur aktori më i mirë i karrierës. Dëshira e tij është të sjellë “Ushtari i mirë Shvejk” të Hashekut në skenën shqiptare... Ai ka luajtur edhe Kananin tek “Këshilltarët”, Velon te “Guna përmbi tela”, Babain te “Pranverë në Gjirokastër”, xha Brahon te “Streha e re”, Hanxhiun tek “Udha e Shkronjave” etj, etj. Gjithsesi, rolet në filma janë episodike, pasi suksesi i tij i padiskutueshëm mbetet në skenë, në gjininë e komedisë, ku shquhet për humorin e hollë, për finesën, detajin dhe plastikën e tij, i kuptueshëm nga të gjithë. Luftar Paja është nderuar 3 herë me çmime të para për interpretim më të mirë në fushën e humorit, duke marrë pjesë në 131 premiera, përfshi këtu variete, drama, komedi, filma.