Në ndryshim nga e kaluara, kryeqytetasit po i japin më shumë hapësira talenteve
Irgis Hysenaj
Dikur ata ishin të panjohur në fushë. Edhe pse ishin gjithmonë të pranishëm te Tirana. Por tashmë gjërat kanë ndryshuar dhe tek 24 herë kampionët e vendit, ata shikohen si e ardhmja. Nga rezerva
në titullarë. Ky është fati i Sabien Lilajt, Erando Karabecit, Gerard Tushes. Të mësuar për të bërë blerje të mëdha, gjërat nuk janë më si më parë në klubin bardheblu. Nëse më parë, klubi me më shumë trofe i vendit kishte një buxhet për tu admiruar, që i lejonte të bënte goditje në merkato, në dy sezonet e fundit Tirana ka vuajtur krizën financiare. Dhe goditja erdhi në përfundim të sezonit 2009-2010, ku nga ekipi u larguan shtatë titullarë. Dhe te Tirana ngelën vetëm rezervat. Por edhe pse e panjohur, skuadra nuk zhgënjeu. Me shumë të rinj, ajo arriti që të kualifikohej për në turin e dytë të paraeliminatoreve të Ligës Evropiane, duke eliminuar ekipin hungarez të Zagalegersegi TE-së. Ndërsa rivali i dytë, ekipi holandez i Utrehtit, i mundi thellë në shtëpi 4-0, por gjithsesi bardheblutë e morën një barazim 1-1 në “Qemal Stafa”. Tashmë, politika e re e klubit është që të investojë te të rinjtë dhe t’u japë më shumë hapësira atyre. Dhe në një ekip me traditë, talentet po gjejnë vend dhe po lenë shenjën e tyre.
Sabien Lilaj
Nëse ai mungonte, për trajnerët përbënte problem. I palodhur në fushë, Lilaj së bashku me Erando Karabecin formojnë një dyshe që krijon siguri në mesfushë. Dikur një rezervë, futbollisti shfrytëzoi më së miri mundësinë që iu dha për të luajtur në 11-tëshën bazë. Në paraeliminatoret e Ligës Evropiane dhe më pas në kampionat është një prej lojtarëve, pa të cilin bardheblutë nuk bëjnë dot. Dhe është vetëm 21 vjeç, si edhe pjesë e ekipit përfaqësues Shpresa. Mesfushori korçar dallohet për sigurinë që jep në fushë dhe ndërtimin e aksioneve. Për më tepër, që te Tirana ndihmon shumë edhe në lojën mbrojtëse të ekipit. Nëse dikur Lilaj ishte një rezervë, tani është vështirë që ai të zëvendësohet.
Erando Karabeci
Mesfushori i qendrës u afrua para dy sezonesh në klubin bardheblu, pasi u transferua te Partizani. Në sezonin e parë lojtari e kishte të vështirë të gjente një vend në formacionin bazë. Dhe kjo, pasi konkurrenca ishte e madhe te Tirana. Por gjithçka ndryshoi për lojtarin gjatë merkatos së verës, kur mesfusha te Tirana ngeli bosh. Dhe në një gjendje të tillë, Karabeci i kishte të gjitha mundësitë për të treguar veten. I palodhur në fushë, lojtari ishte një ndër shtyllat e ekipit gjatë fazës paraeliminatore të Ligës Evropiane. Karabeci ishte një prej futbollistëve që i dha kualifikimin bardhebluve, duke shënuar në stadiumin e hungarezëve të ZTE-së një gol në kohën shtesë. Dhe me nisjen e sezonit të ri, futbollisti ka qenë gjithmonë titullar, duke bërë diferencën në fushë.
Tushe
Gerard Tushe është produkt i shkollës bardheblu, por para ardhjes së trajnerit Nevil Dede ai njihej shumë pak. Por tashmë të gjithë flasin për të, pas spektaklit të dhënë në shënimin e golit të tretë në takimin kundër Shkumbinit, ku tribloi dy mbrojtës e portierin. Tekniku i ri i bardhebluve e shikon atë si një futbollist që i duhet ekipit dhe vendos ta aktivizojë si titullar. Lojtari pati mundësinë e tij në takimin ndaj Besës, por u detyrua që të linte fushën pas pak minutash, për shkak të një ndërrimi taktik. Megjithatë, ai është aktivizuar në Kupë, ku nuk ka zhgënjyer. Por me paraqitjen e bërë në takimin e javës së dhjetë, të gjithë e shikojnë si një futbollist që i duhet Tiranës.
..........
.........
Erando Karabeci
Mosha
23 vjeç
Vendlindja
Tirana, Albania
Gjatësia
1.78 m
Pozicioni
Mesfushor
Klubi ku luan
KF Tirana
26 paraqitje
1 gol
Numri
13
Klubet ku ka luajtur më parë
KF Partizani, Tirana
Kombëtarja
Albania U-19
3 paraqitje
Albania U-21
6 paraqitje
2 gola
........
Sabien Lilaj
Mosha
21 vjeç
Vendlindja
Korçë, Albania
Gjatësia
1.75 m
Pozicioni
Mesfushor
Klubi ku luan
KF Tirana
30 paraqitje
1 gol
Klubet ku ka luajtur më parë
Tirana (të rinjtë)
Numri
23
Kombëtarja
Albania U-21
6 paraqitje
.............
Gerard Tushe
Mosha
19 vjeç
Vendlindja
Tiranë, Albania
Gjatësia
1.79 m
Pozicioni
Mesfushor
Klubi ku luan
KF Tirana
5 paraqitje
1 gol
Klubet ku ka luajtur më parë
KF Tirana (të rinjtë)
Numri
23