Home Kend Letrare Unë jam një gazetare dhe çdo të hënë zgjohem në orën 7

Unë jam një gazetare dhe çdo të hënë zgjohem në orën 7

E shtunë, 19 Nandor 2011 17:57 Aurora Allushaj
Shtyp pdf

Nga Aurora Allushaj

Unë jam një gazetare dhe çdo të hënë zgjohem në orën 7.

Gazetarët kanë famën që të zgjohen në orën 10 dhe të pinë kafen e mëngjezit në mesditë.
Unë jam gazetare dhe të hënën zgjohem në orën 7.
Nga një anë ndihem krenare, nga ana tjetër e pafat. Gjithmonë tek një “artist” (më pëlqen ta quaj gazetarin të tillë në shpirt)gërshëtohen këto sentimente. Një ditë krenare, ditën tjetër e pafat.


Për disa prej nesh “tersi” merr superxhiro aq sa nuk arrijnë të shihen as në pasqyrë.
Për disa të tjerë fati ka filluar t'ju zgërdhijë dhe kanë arritur të kenë një kompiuter modest redaksie për tu quajtur në të vërtetë GAZETARë.
Unë jam një gazetare. Kur shqiptoj këtë fjalë ndiej një llojë kënaqësie, por sapo shkruaj që zgjohem në orën 7 më kalon sërisht.
Midis meje dhe një punëtori çfarë diferenze ka?
Atëher pyes veten përse kur shqiptoj fjalën gazetare duhet të ndihem në faj, pak idiote, pak pa vlerë...dhe pak asgjë?!
Nëse më vijnë gjithë këto ide në kokë (dhe mendoj se nuk më vijnë vetëm mua)ka diçka që nuk shkon. Problemi është edhe i yni...por, mbitëgjitha i të TJERëVE.
Impakti i parë është kur i përgjigjesh pyetjes klasike...çfarë pune bën?
“Gazetare,uau shumë bukur” pastaj të shikojnë me admirim, me çuditje, kuriozitet “në fakt, më duket se të kam parë diku...” ndoshta i ngjaj kamarieres poshte shtëpisë së saj!
Sepse gazetari nëse nuk është i njohur nuk është gazetar?!
Një ditë kërkova ti shpjegoj punën timë komshisë, një gruaje të shëndoshë 80 vjeçare. Ajo më shikonte tamam sikur po shihte një të papunë në mes të rrugës. Shikoja në sytë e saj boshllëk, pakuptimësi, por mbi të gjitha dhëmshuri. Lexohej në sytë e saj “e shkreta, e shkreta, e shkreta”
Asaj nuk i intereson puna që unë bëj, jam një gazetare, një shitëse apo pastruese. Ajo që i intereson është jeta e kaluar keshtu ”në lëvizje, ikje, kthim..gjithmonë duke vrapuar..nuk kuptohet asgjë! Kur isha e re unë preokupimi i vetëm që kisha ishte menu-ja e përditshme. Isha e lumtur unë. E shkreta, e shkreta ti”
Dhe kjo zonjë pak nga pak më hyn në shpirt, dhe ndjen pafuqësinë që më bën të ndihem e “humbur”. Këtë fjalë e tërheq gjithmonë mbas, si një mungesë identiteti sepse një gazetari identitetin ja jep publiku, lexuesi e nëse nuk punon nuk e ka!
Ka shumë gazetarë që në vështrimin e tyre të përcjellin të njëjtën gjë “Nuk po punoj! Jam i talentuar, përse nuk punoj? Zot!”... “Përse X gazetar punon? S. punon në një emision televiziv..sepse është e gjatë, bionde, sykaltër...eh...ajo tjetra sepse ka babin drejtor...unë nuk punoj...normale im atë është një punëtor i thjeshtë. Kush do të mendojë për mua?”
Ankimet bëhen pjesë e dëshpëruar e jetës tënde.

Nuk mund t'ju heqësh të ardhmen njerëzve. Nuk mund të ecet para pa menduar për të ardhmen, pa menduar për nesër. Kështu fshihet edhe e shkuara..fshihen emrat..fshihet gjithçka..dhe e ardhmja boshatiset, bëhet e trishtueshme..”të ëndërrosh të ardhmen ndryshe: ne “rritemi” vetëm nëse ëndërrojmë”.(Danilo Dolci)
Kemi nevojë që dikush të na ëndërojë...ne gazetarëve, grave, fëmijëve, aktorëve, shitëseve, pastrueseve. Politika nuk ëndërron sepse nuk është në gjendje të ëndërrojë. Për këtë jemi njerëzorë dhe vlersojme një pikturë të bukur, një artikull të shkruar mirë, një libër të një shkrimtari të talentuar. Arti është diçka e kotë por na bën që të ndihemi gjallë. Për këtë fjalët “qiell me yje” bëjnë të ëndërrojë një plak dhe një fëmijë. Sepse ai qiell është në ëndrrën tonë, në bukurinë e çdo qënie njerëzore. Edhe në FSHAT kur fëmijët numërojnë yjet...nje...pesë...dhjetë...

Jam një gazetare dhe çdo të hënë zgjohem në orën 7....