Lëvizja Socialiste për Integrim përshëndeti sot vendimin e Këshillit të Komisionerëve të Bashkimit Evropian, për heqjen e vizave për qytetarët e Republikës së Shqipërisë dhe e konsideron këtë hap çeljen e udhës për një proces të pakthyeshëm që i bën shqiptarët të ndjehen më pranë Evropës. Në një deklaratë për shtyp, sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, tha se ky vendim dëshmon faktin se është bere një pune e shkëlqyer për përmbushjen e te gjitha detyrimeve. “Angazhimi politik i LSI-së ne qeverisje dhe përmbushja me seriozitet e standardeve që kërkonte ky proces kanë qenë zgjedhja e duhur, kanë qenë, pa dyshim, investimi më i rëndësishëm, ç’ka përbën kësisoj edhe përmbushjen e njërit prej premtimeve elektorale të LSI-së”, u shpreh ai. Në emër të LSI-së, Rama apeloi dhe ftoi të gjithë faktorët dhe aktorët politik të vendit, pavarësisht në qeverisje apo pozitë, që të vazhdojnë kontributet konstruktive, të vazhdojnë kontributet pozitive në të mirë të procesit të pakthyeshëm të evropianizimit të Shqipërisë.