Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u prit sot në Kopenhagën nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Danimarkës, ene Espersen Gjatë takimit, dy zyrtarët diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe, procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, zhvillimet në rajon si dhe rreth rritjes së bashkëpunimit ekonomik. Dy homologët vlerësuan se marrëdhëniet Shqipëri-Danimarkë janë shumë të mira dhe shprehën vullnetin e përbashkët për intensifikimin e tyre në të gjitha fushat me interes të ndërsjellët. Gjithashtu, ata biseduan edhe mbi procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në këtë kontekst, Espersen e uroi homologun e saj për Propozimin e Komisionit Evropian lidhur me udhëtimin pa viza për qytetarët e Shqipërisë, duke vlerësuar këtu punën e autoriteteve shqiptare në përmbushjen e kërkesave të Udhërrëfyesit. Gjithashtu, ajo shprehu mbështetjen e Danimarkës për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë së reformave si dhe të përmirësimit të klimës politike në vend, me qëllim afrimin sa më të shpejtë të Shqipërisë me BE. Nga ana e tij, Meta e informoi homologen e tij mbi masat dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e siguroi atë për vendosmërinë e Qeverisë për të realizuar zbatimin sa më efikas të tyre në funksion të aspiratave integruese të vendit. Në lidhje me situatën politike në Shqipëri, ai shprehu vullnetin e plotë të Qeverisë për të akomoduar kërkesat e ligjshme të Opozitës përmes dialogut konstruktiv, si dhe për të gjetur një zgjidhje sa më të qëndrueshme, brenda kornizës kushtetuese dhe duke respektuar parimin e transparencës.