Kryeministri Berisha vizitoi sot Beratin ku mori pjesë në përurimin e përfundimit të punimeve të rikonstruksionit të Shkollës së Mesme Lapardha, me vlerë 16 milion lekë. Pasi u takua me stafin pedagogjik të shkollës dhe nxënësit e saj, Berisha vizitoi mjediset e reja të shkollës dhe laboratorët e saj të pajisura sipas standardeve më moderne e bashkëkohore. Gjatë një takimi të zhvilluar me gjimnazistët në orën e Historisë, ai shprehu kënaqësinë që ndodhej me ta në një shkollë të standardeve më të mira dhe garantoi se qeveria do të bëjë gjithçka që kjo shkollë dhe shkolla të tjera të vendit, të jenë tërësisht evropiane. “Sado e komplikuar sado me probleme që ka qenë historia jonë është historia e një kombi, i cili ruajti identitetin e tij pavarësisht nga të gjithë agresionet barbare që pësoi gjatë historisë së tij shekullore, një kombi që ruajti vlerat e mëdha të qytetërimeve që përjetoi dhe nuk ka më madhështore, më të bukur se qyteti i Beratit për këtë komb”, u shpreh Kryeministri. Në këtë kontekst, gjatë bisedës me nxënësit, lideri i mazhorancës vlerësoi si një vendim historik, vendimin për heqjen e vizave për Shqipërinë dhe shqiptarët. “Pas pavarësisë dhe anëtarësimit në NATO nuk ka vendim më të rëndësishëm se ai për heqjen e vizave për ju, familjet tuaja dhe të ardhmen tuaj. Ju garantoj se rrugën tonë drejt Evropës, ëndrrën tuaj evropiane nuk do të mund ta pengojë askush”, tha kreu i Qeverisë. Më pas, kryeministri zhvilloi një takim me banorët e Otllakut dhe Lapardhasë. Në përshëndetjen e tij, ai shprehu kënaqësinë që ndante me ta, gëzimin e veçantë për vendimin e marrë nga KE për heqjen e vizave për Shqipërinë. Kryeministri e cilësoi këtë ngjarje si një ndër arritjet më madhore të shqiptarëve, në tërë historinë e lirisë së tyre. Heqja e vizave, u shpreh kreu i ekzekutivit, përbën gjithashtu një ndër premtimet më madhore të mbajtura të qeverisë shqiptare. Duke vlerësuar mundin, djersën dhe sakrificën e banorëve të zonës për një jetesë më të mirë, Berisha i garantoi ata se në këtë komunë është parashikuar dhe do të parashikohet çdo investim që nevojitet për t’i dhënë një fytyrë të vërtetë evropiane Lapardhasë dhe të gjithë zonës.