Home

Intervista Hasna Xhukiçi “Miss Univers Albania 2009”

E diel, 21 Nandor 2010 22:07 Entela Resuli
Shtyp pdf

Intervista Hasna Xhukiçi, vajza nga Fieri e shpallur “Miss Univers Albania 2009” rrëfen për “SH2” aventurat e saj në botë si modele e shtëpisë së modës “Trump”.

Hasna: Aventura ime në Kinë, si modele e “Trump”

Entela Resuli

Hasna sapo është kthyer nga Kina dhe po bëhet gati të shkojë në Francë. Që kur ka marrë titullin “Miss” nuk i kanë zënë këmbët vend vajzës. Kontrata me shtëpinë e modës, së një prej njerëzve më të pasur të botës, Donald Trump, ia ka mundësuar këtë guidë pune. Çdo tre muaj, Miss- i ynë gjendet në një shtet të caktuar dhe kjo do të vazhdojë për një periudhë njëvjeçare. Më pas, vetë Hasna do të vendosë, nëse do ta rinovojë ose jo këtë kontratë. U zgjodh pak më shumë se një vit më parë “Miss Univers Albania” dhe që nga ajo kohë dita e saj është ndryshe. Tashmë është më shumë jashtë Shqipërisë se sa brenda dhe për rrjedhojë larg familjes dhe miqve. Në këtë pikë, vajza e hollë me sy blu është e mendimit që “miq të rinj zë, po të vjetrit mos i harro” e kështu ka bërë, kjo edhe për shkak të tipit të saj të qetë dhe të përshtatshëm me të gjithë. E për më tepër, kjo punë ia ka kalitur pak edhe nervat. E gjithë kjo nuk e ka ndryshuar Hasna Xhukiçin, vetëm se e ka bërë që të dojë më shumë modën dhe punën e saj. Në një intervistë për “Sh2-in”, ajo tregon eksperiencën e saj më të fundit në Kinë dhe nisjen e një tjetër “aventure” në Paris. Ku ka punë dhe pasion, Hasna ndihet e lumtur.

Hasna, sapo jeni kthyer nga Kina, si ishte ajo eksperiencë për ju?

Po, sapo jam kthyer, ishte një eksperience sa e lodhshme aq dhe e bukur. Isha në një vend shumë të largët, por kur mendoja që puna që bëja më jepte kënaqësi, e harroja sa larg isha dhe ku.

Cila ishte punua juaj në Kinë?

Bëja punën time, atë të një modeleje. Gjithçka që përfshihet në këtë emër. Pasarela, katalogë, reklama, shkurt... gjithçka.

Sa kohë ndenjët aty?

Kam ndenjur plot tre muaj të gjatë.

Çfarë ju pëlqeu më shumë rreth Kinës apo qytetit ku ndenjët?

Më ka pëlqyer çdo gjë rreth Kinës, dhe asgjë rreth ushqimit, ishte diçka që edhe pse tre muaj nuk munda ta pëlqeja dot, edhe pse e haja...

Patët mundësi të krijonit miqësi në vendin e punës dhe çfarë i karakterizonte kinezët. Çfarë ju bëri përshtypje tek ata?

Po, jam një karakter shumë i përshtatshëm me të gjithë, dhe ia kam kaluar mirë me të gjithë. Kam krijuar miqësi me shumë njerëz. Çdokush kishte karakteristikat e veta, për vetë shtetin ku janë rritur. Si për shembull, ne nga Shqipëria, shumë krenarë, kryeneçë, e shumë të zgjuar.

Pse zgjodhët Kinën për këtë punë?

Nuk e zgjodha unë Kinën, me zgjodhi ajo mua. Kështu funksionon. Bëhet promovimi i modeles në shumë shtete dhe aty ku janë pëlqimet dhe interesat me të lartë, aty është vendi ku më duhet të shkoj. Këtë herë më qëlloi në Kinë.

Po tani cili është destinacioni i radhës, ku do të qëndroni?

Destinacioni i radhës është Parisi, punë ditësh dhe nisem atje. Kam shumë angazhime që më presin.

Sa kohë do të rrini atje?

Nuk e di ende, por 2 muaj është e sigurt.

Jeni e kënaqur me punën që po bën?

Jam shumë e kënaqur. Është diçka që e bëj me shumë dëshirë dhe pasion, dhe po pata këto të dyja, kurrë nuk kam mërzitem në atë që bëj, sado mijëra kilometra larg të jem, apo dete të kem kaluar.

Çfarë ju jep më shumë kënaqësi në këto momente?

Përpos faktit që po përmbush dëshirën time e të qenit një modele, dhe jo thjesht amatore, po shijoj shumë udhëtimet e mia. Kam udhëtuar në shumë shtete deri tani, dhe kjo vetëm në një vit e gjysmë, kam njohur shumë gjëra të reja nga kulturat e vendeve të tjera, dhe kam parë e prekur me dorë një realitet shumë ndryshe nga ky ku jetojmë ne, në Shqipëri.

Kur e keni ndjerë veten me mirë gjatë kësaj pune?

Gjithkund, siç ju thashë në fillim, është një punë që unë e bëj me shumë pasion, dhe në çdo gjë, në çdo shkrepje të aparatit ndjej një kënaqësi tepër të madhe.

Si ju shkon kontrata me “Trump”?

Shumë mirë, sapo ka kaluar një vit nga nënshkrimi saj, kam edhe një vit tjetër, dhe, më pas, të shoh, ta zgjas apo.... është në dorën time, gjithsesi.

Hasna, si ka ndryshuar jeta juaj pas shpalljes Miss?

Jeta, ka ndryshuar, por jo shumë. Tani e shoh veten nëpër faqe gazetash e revistash, shoh reportazhe për mua, kjo është vetëm nga ana vizuale e titullit Miss, gjë tjetër s’ka ndryshuar aspak. Unë vazhdoj të jem po ajo Hasna që të gjithë miqtë e mi më njohin, e çiltër, e dashur me të gjithë. Dhe që titulli i misit nuk e ka ndryshuar këtë karakteristikë. Gjithashtu, tashmë më duhet të jem më shumë jashtë shteti, qe rrjedhimisht kaloj më pak kohë me familjen time.

Çfarë bëni më shumë nga ç’bënit më parë dhe çfarë bëni më pak?

Përshëndes më shumë njerëz, edhe ata që ndoshta më parë thjesht i përshëndesja me një shikim në rrugë, tashmë ndaloj e i takoj, dhe jo vetëm ata. Kam më shumë kontakte me njerëz shumë të rëndësishëm, dhe me duhet të jem e kujdesshme deri në detaj, më shumë seç kam qenë më parë. Pjesën tjetër të gjerave e bëj në një dozë shumë të vogël.

I ruani miqësitë që keni në Shqipëri?

Patjetër që po! Miqësitë e ngushta dhe shoqërinë gjithashtu. Sa herë kthehem në Shqipëri, mblidhemi dhe kujtojmë kohërat e vjetra.

Si është jeta e një modele që punon për kompaninë e “Trump”?

Si jeta a çdo modeleje... Duke filluar që në mëngjes herët e duke përfunduar në orë të vonë, e lodhshme, por shumë e bukur.

E kishit menduar ndonjëherë që do të ishit pjesë e kësaj kompanie?

Të them të vërtetën jo, por ëndërr dhe dëshirë e kam pasur të jem pjesë e një agjencie të madhe mode, jashtë kufijve të Shqipërisë. Sa bukur është kur ëndrrat realizohen.

Çfarë mendoni se e ka bërë të suksesshëm angazhimin tuaj në këtë kompani?

Aftësia ime për të qenë një modele e duhur dhe që mund të çaj në qytet të egër mode, siç është Newë Yorku, vendi ku unë nisa, të themi, modën. Por s’ka qenë dhe aq e vështirë, pasi përshtatja ka qenë e menjëhershme, ndoshta dhunti e lindur për të qenë një modele.

Ju keni mbaruar studimet për Infermieri, mendoni se do ta ushtroni një ditë këtë profesion?

E vërtetë që kam mbaruar Fakultetin e Infermierisë, por se besoj se do ta ushtroj ndonjë herë këtë profesion, ndoshta në të mirë të familje sime edhe ndoshta për të punuar...jo.

Kur shkoni jashtë dhe prezantoheni që jeni shqiptare, cili është kurioziteti më i madh i tyre për vendin tonë?

Sa milionë banore jemi. Dhe kur iu kthej përgjigje habiten, duke krahasuar me shtetet e tyre. Për shembull, vetëm 2 lagje të kryeqytetit të Kinës, ishin sa e gjithë Shqipëria! Çmenduri.

Çfarë synoni të arrini në fushën e modës?

Atë që çdo modele ëndërron... që emri i saj të përflitet kudo nëpër botë, si një profesioniste, që të jetojë gjatë ndër vite kjo, vetëm për sa i përket anës së punës dhe emrit tim, pastaj kam dhe qëllime të tjera, prapë për këtë punë, por do t’jua them herën tjetër...

Çfarë keni mësuar më shumë në këtë fushë dhe që nuk e dinit më parë?

Në këtë fushë kam mësuar shumë gjëra, jo thjesht të jem një modele e mirë, por gjithashtu ta përball me shumë "trimëri" dhe kurajë botën e egër të kësaj fushe dhe me shumë energji pozitive.

Hasna infermiere? Jo!

Hasna njëkohësisht me shpalljen e saj Miss, përfundoi dhe studimet trevjeçare për Infermieri në Universitetin e Tiranës. Por, angazhimi në fushën e modës ia devijoi tërësisht rrugën e jetës. Sot, atë mund ta kishim në ndonjë prej spitaleve tanë, veshur me bluzë të bardhë në ndihmë të ndonjë pacienti, por jo, nuk ka ndodhur kështu. Edhe pse ka përfunduar këtë shkollë, ajo tregon se nuk mendon se ka për ta ushtruar ndonjëherë si profesion dhe punë të mirëfilltë. Dashuria e saj e madhe gjendet në çdo shkrepje aparati dhe pasarelë mode.