Home

Interviste Luana Vjollca. Ish-velina e “Fiksit”

E diel, 21 Nandor 2010 22:00 Entela Resuli
Shtyp pdf

Intervista/ Rrëfehet Luana Vjollca. Ish-velina e “Fiksit” dhe imazhi i motit në “Top Channel”. Çfarë tregon për sekretet e jetës private dhe marrëdhënia me motrën e saj, Marina.

Luana: Vetëm sa kam nisur...

“Moti sot dhe nesër” me Luanën

Entela Resuli

Me një “shkop” në dorë përshkruan gjithë botën vetëm për pak çaste. E shkathët në shpjegim dhe me një trup elegant, ajo diçka do të thotë dhe kjo është e sigurt. Dielli o do të shndrisë ose do të ketë reshje dhe shtrëngata shiu... Ky informacion i dobishëm për të gjithë njerëzit për më shumë se një vit prezantohet në “Top Channel” nga ish-velina e “Fiksit”, Luana Vjollca. Ajo nuk mban veshur kostumin e ushtarakut, siç jemi mësuar shpesh të shohim kur bëhet fjala që dikush të na thotë se çfarë do të ndodhë me kohën, ajo na vjen një ditë më elegante se tjetra dhe për këtë arsye ka tërhequr vëmendjen e publikut, tani nuk njihet më si Luana e “Fiksit”, por si e motit. Kur i propozuan për këtë punë, habia e pushtoi të tërën, por ja që pas një viti e pak, në këtë pozicion ajo ndihet mirë. Madje, me shaka na tregon se njerëzit e ndalin në rrugë, duke e pyetur se si do të jetë koha të nesërmen. Vjollca shpesh ka zgjuar edhe kureshtjen e publikut për të mësuar më shumë për jetën e saj private e ndërsa ajo vetë këtë pikë e ruan me fanatizëm deri në cakun kur mendon se është e nevojshme.

Luana, është mbyllur vera për ju, apo vazhdon ende?

Kam frikë se vera tashmë po mbyllet për të gjithë e them këtë duke pasur parasysh situatën meteorologjike për ditët në vazhdim (qesh).

Keni bërë pushime këtë vit, ku ?

Pata mundësi të shfrytëzoj vetëm 10 ditë nga 3 muajt e plotë të verës, megjithatë kalova 10 ditë të mrekullueshme pushimi afër njerëzve të mi më të dashur që janë familja ime. Në fakt, ishin aq çlodhëse sa edhe të ngarkuara, kemi lëvizur në shumë vende, disa nga të cilat në jug të Shqipërisë dihet... Dhërmi, Himarë.

E keni problem faktin që është e vështirë të bëni pushime të gjata?

Mua më pëlqen të lëviz, të vizitoj vende sa më shumë, s’më pëlqen të kaloj pushime të gjata në një vend, më mjaftojnë edhe 10 ditë, por të kaluara mirë.

Çfarë marrëdhënie keni ju me kohën në përgjithësi, si e menaxhoni atë dhe a ju del kohë për gjithçka?

Mundohem ta menaxhoj sa më mirë të mundem, po normal jam e kufizuar nga oraret e punës, shkollës, të cilat duhen respektuar. Nuk besoj se ekziston njeri t’i dalë koha për gjithçka, por, të paktën, unë mundohem ta gjej kohën për gjërat e mia të rëndësishme.

Po me kohën (motin), sa ndikon moti në ditën tuaj, në gjendjen shpirtërore?

Normal që njësoj si tek të gjithë, ndikon dhe tek unë, dita me diell të sjell ndjesi më pozitive ndryshe nga ditët me shi.

Duke parë që ju jeni një imazh tashmë i parashikimit të motit në “Top Channel”, si e pritët këtë propozim?

Tashmç, po bëhet viti i dytë në këtë punë, kështu që më duket si pjesë e imja, por, s’kam si e harroj që kur ma propozuan, u habita.

Ju pëlqen ky pozicion që keni, pse?

Normal që më pëlqen shumë, sepse është një pozicion, i cili të vendos në kontakt të përditshëm me njerëzit, dhe kënaqësitë më të mëdha i marr kur më ndalojnë shumë shpesh në rrugë për të më pyetur se si do të jetë koha.

Cili është moti, në të cilin ju ndiheni më mirë?

Stina verës është e preferuara ime.

Po bora?

Bora është e vetmja që më pëlqen në stinën e zymtë të dimrit, sapo vjen ajo periudhë vrapoj tek vendet ku bie borë se mbi të gjitha të jep edhe mundësi argëtimi.

Besoj keni marrë komente të ndryshme për prezantimin e motit në “TCH”, na veçoni dhe na thoni më interesantin?

E vërtetë... janë të shumtë edhe nga më të çuditshmet, saqë shpesh herë më vendosin në rolin e meteorologes profesioniste, por, normalisht, s’ka kënaqësi më të madhe kur sheh që puna jote ndiqet.

Ju Luana keni qenë edhe velinë e emisionit “Fiks Fare”, si e kujtoni atë periudhë?

Të drejtën? Ndonjë herë më merr malli për të gjitha batutat dhe për sa mirë ia kam kaluar ato dy vjet.

Do të donit t’i riktheheshit një ditë?

S’më pëlqen t’i përsëris gjërat e bëra më parë, aq më shumë kur i kam shijuar njëherë.

Cila është marrëdhënia juaj me kërcimin, e frekuentoni jetën e natës?

Shumë rrallë, për të mos thënë fare, por me kërcimin vazhdoj të ruaj marrëdhënie të mira (qesh).

Motra juaj Marina është një tjetër imazh televiziv, si janë marrëdhëniet mes jush?

Thjesht, shkurt dhe shqip jemi të pandashme.

Pse keni zgjedhur varantin njëra bionde dhe tjetra (ju) anoni nga brunia?

Po, po unë jam brune. Epo, variant ky, i cili lindi nga emisioni “Fiks Fare” dhe ne vazhduam ta ruanim njësoj, sepse ndihemi mirë kështu.

Ju keni dhe dy motra të tjera që nuk janë të njohura, për cilën nga ato keni më shumë dobësi?

Vështirë për t’ju thënë për kë kam më shumë dobësi, sepse jemi me të vërtetë një katërshe e pandashme.

Sa ambicioze është Luana dhe a ka një synim ku do të arrijë, cili është ai?

Çdo njeri lufton për më të mirën e vet, unë sapo kam nisur.

Për çfarë i vazhdoni studimet?

Për Drejtësi, Juridik në vitin e dytë.

Pse keni zgjedhur këtë degë?

Është një degë, në të cilën e gjej shumë veten në të ardhmen.

Sa e ruani nga syri kureshtar jetën tuaj private?

Më është dashur ta ruaj shumë dhe do të vazhdoj ta bëj.

Ju bezdis fakti që njerëzit duan të dinë gjithçka rreth jush?

Epo, kjo është ajo që duhet të paguajmë për të qenit publik, por jo, s’më bezdis deri sa nuk kalohet ajo për të cilët unë nuk lejoj njeri të hyjë.

Një tjetër aspektet që vihet re gjatë transmetimit të motit është, trupi juaj të cilin shumë vajza do ta kishin zili, çfarë bëni për ta mbajtur në formë?

Së pari, faleminderit, por kjo është thjesht falë metabolizmit që kam, sepse nuk bëj absolutisht asgjë për ta mbajtur në formë.

Pëlqeni të ecni më shumë në këmbë apo me makinë?

Të të them të drejtën po më merr malli për ecje në këmbë, sepse së fundmi jam e ngjitur me makinën.

 

Dy motra ne...

Luana është 11 muaj më e vogël se Marina, motra tjetër, edhe kjo shumë e njohur për publikun, ish velinë e “Fiksit” dhe drejtuese e emisionit “Procesi Sportiv”. Njëra bionde e tjetra brune. Kanë zgjedhur të jenë të tilla që kur bënin balerinën në emision dhe tashmë ndihen mirë në këtë ngjyrë. Nëse dikujt mund t’i shkojë mendja për xhelozi mes tyre, Luana hedh poshtë çdo dyshim të këtillë. “Ne jemi të pandashme”, - shprehet ajo me një ton bindës. Të dyja kanë vendosur të studiojnë Drejtësi, nëse dikur mund të thoshim “motrat velina”, në një të ardhme mund të themi “motrat avokate”.

 

Moda, kërcimi dhe moti!

Luana e ka filluar si modele që në moshë fare të vogël, kur ishte vetëm 14 vjeç. Pas eksperiencës së Marinës te “Fiksi” edhe Luana u pa si një figurë shumë e mirë për të qenë velinë në këtë emision. E që prej asaj kohe marrëdhëniet e saj me kërcimin vazhdojnë të jenë të mira. Dhe vetë emri i saj e ka një histori. Ia ka vënë i ati, në kujtim të vëllait të tij, që u nda nga jeta, sapo lindi Luana. Është më e vogla në katër motrat dhe si e tillë më e përkëdhelura.