Historia e Young Zerkës ose Donald Najtellarit. Udhëtimi i tij “i arratisur” nëpër botë që 14-vjeç. Peripecitë e një emigranti fëmijë dhe një karrierë në hapat e parë si këngëtar i muzikës “Rege” në Shqipëri.
“I arratisur” që fëmijë, kthehet të bëjë “Rege” në Tiranë
Entela Resuli
Ishte 14-vjeç. Udhëtoi në një maune 12 metra të gjatë të mbushur me motorë makinash për 13 orë nga Belgjika për në Londër. Para stacionit përfundimtar me një gjysmë gërshëre çan veshjen e mjetit dhe ikën... një fëmijë ikën nga vendi i vet për të kërkuar jetën. Nuk po ju tregojmë historinë e një filmi me fund të lumtur, por një pjesë të jetës së një djaloshi që kishte pasione, të cilat nuk kishte kufij që t’i ndalonte. Donald Najtellari është 25-vjeç dhe është nga Korça, me emrin e artit njihet si Young Zerka. Aktualisht këndon dhe bën muzikë “Rege”. Kur iku nga qyteti i tij ishte pjesë e skuadrës së futbollit për fëmijë. Një aktivitet në Holandë në korrik të vitit 1998-të, do t’i ndryshonte jetën. Plani ishte bërë që pas përfundimit të aktivitetit, ku skuadra shqiptare kishte marrë vendin e dytë, disa prej fëmijëve u arratisën për të mos u kthyer në Shqipëri. E kështu u bë. “U hap krahu i autobusit tek një stacion. Ishte në moment pushimi për udhëtarët. Ne e kishim bërë planin deri në ato momente. Ishim rreth 12 veta. U larguam, ata na kërkuan dhe nuk na gjetën, ikën. Prindërit i kishim vënë në dijeni që nuk do të ktheheshim. Ishte dhe koha e vështirë, sapo kishte përfunduar ’97-ta. E shikonim veten pa të ardhme në vendin tonë”, - rrëfen Donaldi.
Të ndarë në tre grupe me nga katër veta, gjithsecili do të shikonte drejtimin e vet. Donaldi ishte së bashku me vëllanë, i cili ishte 2 vjet më i madh se ai. Pas një serë peripecish në Bruksel, arritën në një nga komisariatet e policisë së qytetit. “Fati im ishte që unë isha me vëllanë e nuk na çuan në kamp, po duhet të qëndronim në shtëpi, në një shtëpi. Ky ishte dhe një problem tjetër, që shtëpinë duhet ta gjeje vetë. Filluam pastaj të kërkonim shtëpi. Duke mos njohur dhe mos ditur vendet, vuajtjet ishin pa fund, kemi fjetur edhe jashtë, me thënë të drejtën. Në shtëpi ndenjëm tre muaj. Na ndihmonte shteti me asistencë dhe synimi ynë ishte sërish futbolli. Menduam që profesionin që kishim të mos e linim të na ikte kot, dhe filluam sërish futbollin aty, edhe unë e vëllai”. Po kaq e pati qëndrimi në Bruksel dhe shteti filloi “fshesën”. Ku do të shkojmë, ku do të shkojmë... Angli, pse jo? Pjesa e dytë e aventurës fillon në këtë pikë.
Si shkuat në Angli ?
Më maune. Ishte maune mallrash. Kishte maune që transportonte celular, apo patatina. Kurse kjo mauna jonë qëlloi me motorë makinash e pjesë këmbimi automjetesh. Kishte njërës që të përgatisnin terrenin, vetëm sa paguaje lekët dhe hipje. Shoferi nuk duhet të dinte gjë dhe duhet të dilje nga mjeti para se të mbërrije në destinacion.
Sa orë zgjati rruga?
13 orë. Hapëm disa vrima vetëm sa për të parë pak. Ne donim me patjetër të iknim në Angli, ky ishte synimi dhe dëshira. Në maune isha me tre veta, dhe njëri nga këta shokët shikon një targë dhe na thotë, jemi në Irlandë. Aty sikur u prekëm pak se menduam se çfarë do të bëjmë ne Irlandë?! U zbehem fare. Të na shikoje, ca ishim nxirë nga rruga (qesh). U pajtuam me idenë e Irlandës, më mirë se Shqipëria është, menduam. Arriti një pikë ku mauna qëndroi. E vetmja mënyrë që ne mund të dilnim ishte të çanim një pjesë të saj, se nuk e kishim luksin që të vinte shoferi, të hapte derën dhe të dilnim... Çamë maunën me një si tip gërshëre të vogël dhe dolëm...
Pasi dolët nga makina, si e morët vesh se ku gjendeshit?
Një nga shokët e mi, dinte pak fare anglisht, dhe pak me shenja, e pyetem se ku mund të gjenim një stacion treni. Na ktheu përgjigje pak i trembur, duke ecur, shohim që po na vinte një makinë nga pas, ishte ky plaku që pyetëm më parë. Na mori ne makinë, na çoi vetë te stacioni i trenit dhe në momentin e parë, e pyeta, ku jemi këtu? Angli tha ai... aty kam bërtitur me të madhe, u gëzova shumë. I hipëm trenit dhe shkuam në Londër. Aty takuam vëllanë e një shokut tonë, sikur na orientoi pak. Përsëri aty na çuan në komisariat dhe rregulli ishte që të miturit jetonin nëpër familje, të cilat paguheshin nga shteti. Dhe kur menduam që do të na çonin në familje, menduam se do të shkonim në një familje angleze. Kur na dolën përballë një familje me ngjyrë, kjo familje do të ishte xhamajkane. Shkuam aty me përthyes dhe në fillim u shtirëm si kosovarë se ashtu na kishin thënë.
Si ju pritën njerëzit në atë familje?
Shumë mirë, ata ishin persona fantastikë dhe sot ruaj kontakte dhe respektin më të madh për ta. Ishte një grua dhe një burrë, të cilët bashkëjetonin bashkë dhe kishin dy fëmijë. Aty jetova shatë vjet dhe jam ndjerë si në shtëpinë time. Ata ishin njerëz të qejfit, kjo edhe për pasojë të origjinës që kishin, Xhamajkë. Por, edhe unë sillesha mirë dhe respekti ishte i ndërsjellë, për shkak të kësaj sjellje ata më premtuan që do të më çonin në Xhamajkë për pushime dhe e mbajtën premtimin.
Si ju duk Xhamajka?
Shumë vend fantastik. Pak a shumë si Shqipëria, vetëm se ndryshonte ngjyra e njerëzve. Dhe një gjë tjetër interesante se karakteristike e tyre ishte se kush i nxirrte bokset me të mëdhenj në ballkon. Vetëm muzikë rege ( muzikë tradicionale e Xhamajkës).
Po shtëpia në Londër si ishte?
Po, çohesha në mëngjes, dëgjoja muzikë patjetër. I zoti i shtëpisë këndonte dhe dëgjonte vetëm rege. Përveç muzikës që dëgjonim, ata kishin dhe një gjë, çdo festë që kishin merrnin mikrofonin dhe këndonin. Aty e kuptova që po merrja rrugën e muzikës. Në fakt, e kisha pas pasion që këtu, por xhamajkani u habit që unë kisha atë lloj zëri kur më dëgjoi për herë të parë. I pëlqeu, pasi zëri im afroheshe me atë rrymë.
Po shkollën e vazhduat?
Po sigurisht, shkova në gjimnaz. Shkolla që shkoja unë ishte me problematikja në atë zonë. Por e përfundova me sukses. Isha nxënës i mirë, por jo në nota. Pastaj, kur mbarova gjimnazin hyra në shkollë muzike, në kolegj. Aty u profeksionova më shumë. Kur hyra në kolegj duhet të përformoje live, duhet të krijoje vetë muzikën, aktrimin, dhe në fund të çdo muaji luaja atë muzikë që kishe punuar.
Kur erdhët në Shqipëri?
Në 2005-ën. Ime më u sëmur dhe dëshira për t’iu gjendur asaj pranë më ktheu në Shqipëri. Kur erdha këtu, u njoha me ca djem, mes tyre edhe Kastro Zizon (Klevis Bega). Shkuam në një studio, Kastro lëshoi një rimë dhe unë fillova, çdo gjë fillova vetë, me ato të miat të momentit. Dhe që aty filloi shoqëria. Kam realizuar shumë këngë. Më shumë më vjen frymëzimi anglisht se sa shqip. Dhe këngën e krijoj në çast.
Po me Xhamajkanët vazhdoni t’i mbani kontaktet?
Po, po, patjetër dhe kanë ardhur shpesh në Shqipëri, iu pëlqen shumë vendi. Kam shumë miq atje.
Pse e keni pseudonimin Young Zerka, çfarë do të thotë?
Young - do të thotë i rritur. Zerka - ka lidhje me emrin e gjyshit tim, Yzeir e quanin, por Zerka i thërrisnin. Thonë që i kam ngjarë shumë atij edhe për faktin e improvizimit të këngëve, dhe ai këndonte shumë, por, fatkeqësisht, nuk jeton më.
Emri juaj?
Donald Najtellari.