Home

Jonida Sallata Body dhe face Painting

E diel, 21 Nandor 2010 21:08 Entela Resuli
Shtyp pdf

Jonida Sallata, 20 vjeçarja nga Tirana, si filloi të pikturojë në trup pa pikturuar asnjëherë në letër dhe dëshira për tu bërë profesioniste

Body dhe face Painting

Të pikturosh në trup pa qenë piktore

Entela Resuli

Të pikturosh trupin duket se është një gjë aq e lashtë sa edhe e re në të njëjtën kohë. Kjo bëhet më interesante kur kthehet në profesion. Kështu ka bërë edhe Jonida Sallata. E ka filluar si një gjë kalimtare aq sa ka përmbushur dëshirën e personave që ia kanë kërkuar për momentin t’u pikturojë ndonjë gjë të thjeshtë në fytyrë apo kudo... Kështu ka nisur tre vjet më parë, por që tani është një nga “body painting”, ndër më të kërkuarat në festa të ndryshme, ditëlindje apo videoklipe. Piktura e parë për të ka qenë para 3 viteve e gjysmë si animatore dhe si nevojë e momentit... por, Jonidës filloi t’i pëlqente kjo gjë. Të zgjeronte fantazinë dhe të bëhej mike me ngjyrat. Kjo gjë nuk ka ardhur fare rastësisht për të, puna e prindërve në cirkun e Tiranës e ka bërë atë të jetë më afër kësaj fushe, por që asnjëherë nuk do t’i kishte shkuar mendja që kjo gjë do t’i kthehej në profesion që do të fitonte dhe para. Tani ditët e saj janë të zëna më këtë punë, sidomos fundjavat, ku Jonidën e gjen në qendra tregtare apo në organizime festash të ndryshme. Na tregon se nuk ka pikturuar asnjëherë dhe asgjëkund tjetër përveçse në trup të njeriut, dhe po të më kërkonin të pikturoja në letër thotë ajo, nuk do ta bëja, sepse nuk di të heq dy viza. Nga ana tjetër është e çuditshme, ajo pikturën në lëkurë, dhe është e vetmja në Shqipëri që ushtron këtë profesion. Kur ka filluar të mendojë seriozisht këtë gjë që po i lindte dalëngadalë dhe gjëja e parë që ka kërkuar të blejë kanë qenë bojërat. Bojërat që përdoren për të pikturuar trupin janë të ndryshme nga ato që përdorin piktorët. Nuk janë të dëmshme dhe fshihet lehtë nga lëkura e njeriut, nuk kanë kimikate dhe në këtë mënyrë nuk dëmtojnë lëkurën. Llojet e pikturave që klientët kërkojnë të vizatojnë janë nga më të ndryshmet. Furça që përdor në trup është më e butë se ajo që përdoret në telajo dhe pikturat nuk janë peizazhe. Sigurisht, format e tyre varen nga mosha, seksi i personit etj. Klientët më të rregullt të Jonidës janë fëmijët, të cilët i kërkojnë prindërve që në ditëlindjet e tyre të jetë dikush që i pikturon personazhet e tyre të preferuar të kukullave e filmave vizatimor. Në kërkesat e tyre mbizotërojnë kartonët që shikojnë në ekranet televizive dhe personazhet e dëgjuar për fëmijë. Ndërsa për vajzat janë fluturat, zanat, lulet e më pas për adoleshentët dhe më të rriturit kërkohen tribalët, shkëlqimi dhe nxirja e syrit. Koha për të pikturuar një në trup? Varet nga lloji pikturës dhe sipërfaqja. Po sigurisht që kërkon kohë. Ka piktura që duan 5 minuta, ka dhe nga ato që duan një orë kohë, siç është pikturimi i një trupi të tërë. Por, nga ana tjetër është dhe e vështirë, se trupi i njeriut nuk është i drejtë si në letër, dhe sipërfaqja megjithëse duket pak, është e madhe. Këto nuk janë eksperiencat e vetme të vajzës 20-vjeçare që studion për Ekonomi-Biznes. Një gjë shumë të veçantë që ajo tregon, është se; ka pikturuar barkun e disa nënave shtatzëna, të cilat duan të kenë një kujtim para se fëmija i tyre të vijë në jetë. Ato e mbushin barkun me lule apo me arusha, dhe e fotografojnë, pasi nuk mund t’i mbajnë pikturat të vizatuara. Duke se kjo gjë po i shijon Jonidës, të cilës i ka sjellë dhe goxha të ardhura këto kohë. Ajo vetë nuk do që të mbetet me kaq në këtë fushë dhe i është futur një kursi pikture për të marrë bazat se si pikturohet. E ndërsa gjatë kësaj periudhe trevjeçare ajo nuk ka ndenjur duar kryq, ka shfletuar më shumë për “body painting”, duke parë performanca dhe duke marrë ide pikturash nga ata që bëjnë të njëjtën punë si ajo jashtë vendit. Për momentin nuk ka të tjerë në Shqipëri që e bëjnë këtë gjë, ose të paktën unë nuk kam dëgjuar, thotë ajo. Në këtë profesion nuk dua të mbetem thjeshtë animatore, por dua që të klasifikohem te profesionistët. Sigurisht që kjo arrihet me punë dhe Jonida është më se e përkushtuar këto kohë.

Ngjyrat që përdor më shpesh janë e bardha dhe e zeza. Konturi është e zeza, ndërsa e bardha përdoret për zbardhjen e lëkurës.

Në fillim lyhet lëkura me një lloj boje që do të vendoset ngjyrat e pikturës me të cilat do të punohet piktura. E pyesim nëse ka pikturuar ndonjëherë ndonjë trup nudo, dhe na tregon se, gjysmë nudo po, ndërsa, tërësisht nudo, jo. Të tilla piktura i ka bërë edhe te femrat dhe te meshkujt. Trupi i një femre harxhon më shumë bojë se ka më shumë detaje, thotë ajo.

Përditësimi E diel, 21 Nandor 2010 21:12