Organizatori i saj, Armand Peza, rrëfen të pathënat e kësaj ceremonie, “tekat” e çiftit, ngjyrat e preferuara, forma e tortës dhe pohon se është dasma më me shumë të ftuar që ka organizuar ndonjëherë
Të pathënat e dasmës së çiftit Rama
Detajet
Armand Peza: Për dasmën e Ramës kisha një muaj që përgatitesha
Ceremonia me më shumë të ftuar që kam organizuar ndonjëherë
Entela Resuli
Ai po përgatitej për një dasmë të madhe, por ende nuk e dinte se cilët ishin protagonistët e saj. I kishin thënë që do jetë e veçantë dhe për të humbur “gjurmët”, kishin futur faktin që çifti vinte nga Amerika. E ku ia priste mendja Armand Pezës së “Geraldina Sposës” që ai çift do të ishte Edi Rama dhe Linda Basha. E ka marrë vesh fiks një javë para se data e dasmës të bëhej publike dhe ka ngelur i habitur. E më pas, Mandi tregon se nuk ka pasur as kohë fizike t’i përgjigjej telefonatave të medias dhe kureshtarëve për detajet më të vogla të asaj ceremonie. Tashmë që kanë kaluar një javë nga ajo që pa frikë mund të quhet “Dasma e Vitit”, Peza është më i lirshëm dhe tregon më me detaje për këtë eveniment të rëndësishëm. Për të ka qenë një ndër dasmat më me shumë të ftuar që ka organizuar dhe një ndër çiftet më të veçantë që ka pasur në listën e tij të gjatë të klientëve. Ajo që ka kontaktuar më shpesh me të ka qenë zonja Rama, ka pasur kërkesat e saj dhe i ka përsëritur e vazhdimisht organizatorit fjalën: “Dua një ceremoni pa ekzagjerime!”. Ngjyrat e tyre të preferuara për dekor ishin gri metalizato, gjë që është vënë re dhe në fustanin e nuses atë ditë, që, sipas Pezës, edhe pse nuk ishte i bardhë, ishte një fustan i përshtatshëm për një ceremoni martesore. Sot, Armand Peza na zbulon detajet e dasmës së Kryetarit të Partisë Socialiste që nga fustani deri tek unazat dhe që nga të ftuarit dhe deri tek fatura.
Z. Peza, kur ju erdhi propozimi për të qenë ju personi që do të organizonit dasmën e Edi Ramës?
Isha i futur në punë, kur kuptova që do të isha në dasmën e Edi Ramës. Kisha një muaj që përgatitesha për atë dasmë, pa e ditur se e kujt ishte. Një mik i ngushtë i familjes së tij, i cili kishte pasur një eksperiencë shumë të mirë me ne, kishte bërë rekomandimin se kush mund të ishte personi përgjegjës që do të merrej me organizimin e dasmës. Unë e dija një muaj përpara që do të bëja dasmën e dikujt që vinte nga Amerika, që do të ishte një dasmë e veçantë, po gjërat ishin të pakonkretizuara sa në një moment diku dhjetë ditë para dasmës unë isha ende në ajër dhe nuk dija asgjë. Më kapi dhe një lloj nervozizmi se nuk mund të nxirrja as koston dhe as më të mirën time. Nuk dija numrin e të ftuarve dhe preferencat e çiftit. Prita deri sa u bë e shtunë, doli në gazetë, prapë nuk kuptova asgjë, nuk bëra asnjë lidhje me mendjen time. Ndërmjetësi, familjar i ngushtë i tyre, më thotë që; u dekonspiruam! - Për çfarë i them unë, - po nuk i lexon gazetat ti, - më tha, për Ramën që martohet. Nuk mendova që ishte e vërtetë, thashë. E aty pastaj kontaktuam për të dhënat, numrin e të ftuarve, u takuam me zonjën Basha, e cila ka qenë klientja ime, flas si klientja ime për këtë herë.
Si ishin kërkesat e saj ndaj jush për organizimin e ceremonisë?
Ishte shumë e rehatshme. Çdo gjë ma la në dorë, donte diçka pa ekzagjerime.
A dha ajo mendimet e saj dhe sugjerimin se si e donte dasmën atë ditë?
Po, sigurisht. Por që, imponohej butë, nuk ishte absolutisht natyrë arrogante. Më jepte idenë e vet dhe linte mundësinë që të vendosnim së bashku. Këtë e kam vënë re dhe në skalitën që u bë dasmës, menysë. Jepte mendimin e vet, por që të linte të vendosje. Ajo thoshte dëshirën që kishte, këshillat ishin: pa ekzagjerime, pa luks, pa pompozitet. Edhe unë më vonë e kuptova që bëmë mirë që nuk e ekzagjeruam se numri i të ftuarve ishte një ekstravagancë për kushtet e Shqipërisë. Nuk ka ndodhur kurrë që një dasmë të kishte aq shumë të ftuar.
Domethënë, sipas jush, ishte dasma më me shumë të ftuar që keni realizuar deri më tani ?
Absolutisht më me shumë të ftuar.
Ishte e vështirë të bënit më të mirën tuaj?
Joo. Nuk besoj se ishte e vështirë! Impenjimi ishte maksimal nga të dy krahët, qoftë nga krahu i restorantit qoftë nga krahu të ftuarve, muzikës. Përpiqeshim të ndihmonim njeri-tjetrin.
Për ne ishte një klient si gjithë të tjerët, ishte më i veçantë, jo për statusin e tij politik se sa për statusin artistik. Dihet që Rama njihet për shijet e tij ekstravagante dhe kjo ishte sfida që duhet të përmbushnim.
Secili në ditën e dasmës kërkon vëmendje sikur të jetë mbret. Ishte impenjim i madh nga ana ime për të përmbushur shijet e tij si artist, ndërsa pjesa tjetër si politikan mua nuk më krijonte asnjë lloj tërheqje. Kjo pasi targeti që ne na frekuenton janë të mesëm e lart.
Ku qëndroi e veçanta në atë ceremoni, kishte ekstravagancë?
Jo, nuk kishte asgjë ekstravagante. Ekstravaganca më e madhe ishte se ata kërkonin një gjë krejt të zakonshme. Shou-n e bënë vetë, nuk ishim ne të jashtmit që e bëmë shou-n. Ishte një orë jo e zakonshme për shqiptarët se nuk ishte as drek as darkë. Numri i madh i të ftuarve, ngjyra e perceptimit që të dy donin të shërbeheshin dhe të mos kishte ekzagjerime.
Zonja Rama atë ditë nuk u vesh me fustan të bardhë, si e shikoni ju këtë përzgjedhje?
Ishte fustan nusërie, i përshtatshëm për kushtet e martesës së tyre. Nuk kishte rrudha të tepërta, xixa të tepërta, ishte ideja e saj dhe vendimi saj për atë fustan.
U përfol sikur fustanin ia bëtë ju dhuratë zonjës Rama?
Fustani nuk është marrë tek ne, ajo e ka blerë diku jashtë. Janë ekzagjerime të medias.
Po kostumi i Ramës ishte marrë tek ju?
Jo. Veshjet i ka siguruar vetë çifti.
Sa ditë zgjati përgatitja, u desh shumë kohë?
Jo, nuk do ta thosha. 3 apo 4 ditë na u desh. Ajo ishte dasmë me temë. Ngjyra ishte gri metalizato dhe në veshjen e nusërisë dhe në arredime. Impakti mendoj se ka qenë i mirë.
Çifti ngeli i kënaqur?
Po.
Ju ishit organizatori i dasmës, po kur themi fjalën organizim, çfarë përfshihet?
Përgjithësisht nga A-ja deri te Zh-ja. Që nga zgjedhja e ftesës. Mënyra se si do ta ideojmë ftesën. Çfarë teme do të ketë, dekori, veshja, miniskaleta, kur do të hyhet, si do të dilet, kur është orari, menyja, festa dhe pas festa, sepse është edhe pjesa kur çifti falënderon të ftuarit që i kanë ardhur në dasmë.
Po torta?
Torta, ishte skicuar nga vetë Z. Rama.
Mund ta quani ju, dasmën e Edi Ramës, si dasmën e vitit?
Absolutisht po, jo vetëm në organizimet tona, por në gjithë eventet që janë organizuar në Shqipëri kjo mund të quhet si dasma e vitit.
Ju ka rënë shumë telefoni ato ditë?
Është e vërtetë, nuk kisha kohë fizike t’u përgjigjesha të gjithëve.
Ftesa ishte e ideuar nga ju?
Jo krejtësisht. U ideua nga vetë Rama. U vendos se si duhet të ishte ftesa, u diskutua dhe u vendos që mos të ishte ajo ftesa perlë e zakonshme me lule.
Po unazat?
Të rafinuara, të thjeshta, shumë afër klasikes.
Është përfolur për një faturë dhe faktin se kush do ta paguante atë, tani mund të na thoni kush e ka paguar?
Nuk është kryer ende pagesa, do të kalojë nëpërmjet bankës. Është fare e zakonte që në organizime të tilla të jenë zonjat më prezent dhe, e përsëris, klientja ime është zonja Basha dhe me atë kam pasur kontakte më të shpeshta. Pavarësisht se me zotin Rama kam pasur aq takime sa ishte e nevojshme.
E keni bërë ju llogarinë e faturës?
Doni të dini vlerën? (qesh) Nuk kam për ta thënë. Megjithatë, është një dasmë që pavarësisht numrit të madh të të ftuarve ishte një faturë sa e një klienti të zakonshëm edhe pse personi është publik, pavarësisht se u përfol se ka pasur ekzagjerime.
Dasma e Edi Ramës nuk është e vetmja dasmë e një personi publik që keni realizuar. Kanë njerëzit e njohur shqiptarë këtu tek ne teka?
Nuk do ta thosha. Rastisin që njerëzit i njohur shqiptarë të jenë më të rafinuar për disa rrethana që i bëjnë ata të jenë mbi mesataren. Kjo nuk do të thotë që unë të ndihem i bezdisur nga ata, klientë të tillë unë i marr si sfida. Janë shumë njerëzit që kanë bërë dasma, do të ishte shumë e gjatë lista, po nuk më takon mua që ta them këtë gjë. Ata na kanë zgjedhur duke na paguar në saj të angazhimit tonë.
Cila ka qenë e diela që keni pasur më shumë dasma?
Kjo ka qenë relative. Sivjet ka pas një spostim, pasi ka pasur shumë dasma në 10.10.2010, por mund të them se, dy javët e fundit të korrikut dhe dy javët e para të gushtit janë datat më me intensitet.
Ka në agjendën tuaj dasma të rëndësishme, do të presim surpriza...?
Po ju them një Po, pa komente.
“Një ditë për të qenë në qendër të vëmendjes”!
Për Mand Pezën kushdo që e fton të jetë organizator në dasmë, ai jep maksimumin dhe nuk ka rëndësi se çfarë posti politik ka. Kur bëhet fjalë për njerëzit publik, realiteti nuk tregohet ashtu siç është, Peza thotë: “Në të tilla raste krijohen legjenda urbane të hapura nga persona që as nuk e kanë parë, dhe për të ndjerë veten të gjithë përfshirë i shtojnë dhe nga një fjali të vetën sa herë që i tregojnë. Njerëzit që punojnë nuk kanë nevojë të bëjnë zhurma të tilla. Secili në ditën e vet të dasmës e ndjen veten një Ramë, një Berishë, një mbret Zog ose çfarëdo lloj mbreti tjetër, ishte dita e tij më e madhe”.